Ja pse hanefinjët nuk i ngrenë duart gjatë rukusë
Pyetja:
Pse hanefinjët nuk i ngrenë duart kur shkojnë për në ruku' dhe kur ngrihen nga ajo? A nuk është ky veprim kundër sunnetit të Pejgamberit s.a.v.s., i cili ka thënë: "Faluni siç me shihni mua duke u falur"?
Përgjigjja:
Me Emrin e All-llahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit
Pikëpamja korrekte në medh-hebin hanefi është që të ngrihen duart vetëm në tekbirin fillestar dhe që të mos ngrihen gjatë tekbirëve tjerë. (Haskafi / Ibn Abidin, Reddul-Muhtar alel-Durril-Muhtar, 1340, Bulaq ed.).
Kjo gjë vërtetohet dhe përforcohet fare mirë nga hadithe të transmetuara nga shokë të mëdhenj të Pejgamberit Muhammed s.a.v.s. siç janë: Abdull-llah ibn Mes'udi, Abdull-llah ibn Ummeri e shumë të tjerë, radijall-llahu anhum exhme'in. Ngjashëm, kjo është pikëpamje edhe e shkollës apo medh-hebit Maliki.
Shpresojmë që këto që pasojnë të jenë të dobishme për ta kuptuar këtë çështje më qartë.
Të ngriturit e duarve gjat shkuarjes për në ruku' - Dallimi që gjendet tek transmetimet
Hadithet në lidhje me ngritjen e duarve janë tre llojesh:
1. Ekzistojnë hadithe që tregojnë qartë se Muhammedi s.a.v.s. i ka ngritur duart para shkuarjes për në ruku'.
2. Po ashtu, ekzistojnë hadithe që tregojnë se Muhammedi s.a.v.s. nuk i ka ngritur duart asnjëherë gjatë namazit, përveç se kur e ka shqiptuar tekbirin fillestar.
3. Si dhe ekzistojnë hadithe që e përshkruajnë të tërë namazin e Pejgamberit Muhammed s.a.v.s., por nuk përmendin se nëse ai i ka ngritur apo jo duart edhe pas tekbirit fillestar.
Hadithet e kategorisë së parë janë dëshmi për ata, të cilët mendojnë se duhet ngritur duart edhe pas tekbirit fillestar. Hadithet e kategorisë se dytë shërbejnë si dëshmi për ata që mendojnë se nuk duhet ngritur duart pas ngritjes në tekbirin fillestar. Edhe pse hadithet e kategorisë se parë duket të jenë më shumë në numër sesa ato të së dytës, kjo nuk do të thotë asgjë, meqë hadithet e kategorisë së tretë gjithashtu mund të përdoren duke u lidhur me kategorinë e dytë si dëshmi e mosngritjes së duarve. Arsyeja për këtë është ajo se mospërmendja e diçkaje është dëshmi që ajo nuk ishte praktikë e përhapur. Po ashtu është shumë vështirë të pranohet ajo se duke e demonstruar të falurit e Pejgamberit s.a.v.s., demonstruesi të mund të ketë harruar të përmendë diçka aq të rëndësishme sa të ngriturit e duarve, po të kishte qenë ajo një aspekt i rëndësishëm i namazit. Andaj, duke i shfrytëzuar hadithet e kategorisë së tretë si dëshmi për kompliment mbi hadithet e kategorisë së dytë, hadithet që mbështesin mosngritjen e duarve faktikisht do t'i tejkalojnë në numër ato që mbështesin ngritjen e duarve.
Për të elaboruar edhe më, duhet që të kuptohet ajo se mosngritja e duarve nga ana e Pejgamberit të All-llahut xh.sh., Muhammedit s.a.v.s., është një veprim inekzistent, e njerëzit nuk i përmendin veprimet inekzistente gjatë bisedave të tyre. Për shembull, nëse një person duke u kthyer në shtëpi nga xhamia ndodh të rrëzohet dhe të lëndohet, atëherë mënjëherë do të thuhet se: 'Ai u rrëzua', meqë të rrëzuarit e tij është bërë një veprim ekzistent (një gjë që vërtetë ka ndodhur). Në anën tjetër, nëse po i njëjti person vjen në shtëpi pa mos i ndodhur kurrfarë aksidenti, atëherë askush nuk do të thotë se: 'Ai nuk u rrëzua', meqë ky është një veprim inekzistent. Ky është vetëm një nga njëqind veprime të tjera të tilla që nuk kanë ndodhur.
Rasti i këtyre haditheve është i ngjashëm, pra pasiqë Pejgamberi s.a.v.s. nuk i ka ngritur duart asnjëherë, përveç se gjatë tekbirit fillestar, transmetuesit nuk e kanë përmendur atë. Po të kishte qenë të ngriturit e duarve një praktikë e rregulltë e Pejgamberit s.a.v.s., të cilën e ka harruar që ta bënte ndonjëherë, pa dyshim që transmetuesi do ta përmendte. Kjo mund të lidhet me shembullin e një personi, i cili ka kohë fikse për ushqim. Nëse për ndonjë shkak ai do harronte të hante në atë kohë, dikush do t'ia përmendte se ai ka harruar të hajë, meqë ngrënja e ushqimit në atë kohë duhej të ishte një veprim ekzistent për të, i cili nuk ka ndodhur. Askush nuk do të komentonte për mosngrënjen e tij të ushqimit në ndonjë kohë tjetër, meqë të ngrënurit në ndonjë kohë tjetër është zakonisht një veprim inekzistent për këtë person, e veprimet inekzistente zakonisht nuk përmenden. Tani, hadithi i kategorisë së tretë nuk përmend asgjë rreth ngritjes së duarve si një veprim i zakonshëm i Pejgamberit s.a.v.s.. Si rezultat edhe këto hadithe gjithashtu mund të përdoren si dëshmi së bashku me ato të kategorisë së dytë për opinionin hanefit. Kjo gjë dukshëm do ta rrisë numrin e haditheve në favor të mendimit hanefit duke i kaluar në numër hadithet e kategorisë së parë.
Hadithi mbi ngritjen e duarve
Grupi i parë zakonisht paraqet transmetimet e Ibn Ummerit r.a. dhe të Malik ibn El-Huvejrithit r.a. si burim kryesor të dëshmisë së tyre, meqë të dy këta sahabë r.a. kanë transmetuar mbi të ngriturit e duarve gjatë tekbirit për në shkuarjen në ruku', por ata kanë transmetuar edhe për mosngritje të duarve. Grupi i parë i ka pranuar vetëm ato transmetime të këtyre sahabëve r.a., të cilat e përmendin atë se Pejgamberi s.a.v.s. i ka ngritur duart gjatë tekbirit fillestar dhe gjatë rukusë, kurse i kanë mospërfillur transmetimet tjera.
Dijetarët hanefi nuk e kanë bazuar opinionin e tyre në këtë lloj transmetimesh, por e kanë bazuar në ato raporte, transmetuesit e të cilave janë konsekuentë. Burimi i tyre i parë janë transmetimet e Abdull-llah ibn Mes'udit r.a., i cili thotë se duart ngriten vetëm në tekbirin fillestar dhe më nuk ngriten asnjëherë gjatë të tërë namazit. Të gjitha raportet e tij shpjegojnë të njëjtën praktikë.
Tani po merremi me çështjen e transmetimeve të Abdull-llah ibn Ummerit r.a., të cilat zakonisht citohen nga ata që thonë se Pejgamberi s.a.v.s. shpesh i ka ngritur duart gjatë namazit. Dihet fare mirë se Imam Maliku ka marrë shumë transmetime nga Ibn Ummeri r.a.. Në fakt, zingjiri i tij i famshëm, i cili kalon përmes Nafiut tek Abdull-llah Ibn Ummeri r.a., njihet si 'zingjiri i artë'. Megjithatë, në këtë çështje, Imam Maliku nuk e bazoi opinionin e tij në këto transmetime, por i pranoi transmetimet e Ibn Mes'udit r.a. dhe i dha përparësi praktikës së medinasve, e cila ishte të ngriturit e duarve vetëm gjatë tekbirit fillestar.
Së dyti, Ibn Ebi Shejbe dhe Imam Tahaviu kanë transmetuar një tjetër hadith të Ibn Ummerit r.a. përmes Muxhahidit, në të cilin përsëri nuk përmendet të ngriturit e duarve. Nëse kjo do të ishte një praktikë konstante e Pejgamberit s.a.v.s., atëherë përse nuk u përmend në këtë transmetim?
Për më tepër, edhe pse ekzistojnë shumë hadithe të Ibn Ummerit r.a. lidhur me ngritjen e duarve, ekzistojnë shumë mospërputhje tek to. Një konfuzion i tillë në raportet e një transmetuesi, nuk do të lejojë që transmetimet e tij të pranohen në prani të raporteve të tjera, të cilat janë më precize dhe më të qëndrueshme. Për shembull, në njërin nga transmetimet e tij, i cili përmendet në 'Mushkilul-Athar' të Imam Tahaviut, thotë se duart ngriten gjatë gjithë namazit, ndërsa në transmetimet e tija të tjera kjo gjë nuk përmendet.
Hadithi mbi mosngritjen e duarve
Ne tani do të paraqesim disa transmetimet të cilat thonë se Pejgamberi s.a.v.s. i ka ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar.
1. Alkame raporton se Abdull-llah ibn Mes'udi r.a. ka thënë:
'A doni që t'jua demonstrojë juve se si është falur Pejgamberi i Zotit s.a.v.s.? Ai (Ibn Mes'udi) u fal dhe nuk i ngriti duart, përveçse gjatë tekbirit fillestar', (Sunen Et-Tirmidhi 1:59, Sunen En-Nesai, 1:161, Sunen Ebi Davud, 1:116).
Imam Tirmidhiu këtë hadith e klasifikon si të mirë (hasen). Al-lame ibn Hazmi e klasifikon si shumë autentik (sahih) - (El-Muhal-la 4:88), ndërsa Al-lame Ahmed Muhammed Shakiri, duke e përjashtuar kritikën e disa dijetarëve, shkruan në komentin e tij të Sunen Et-Tirmidhiut se: 'Ky hadith është vërtetuar si autentik nga Ibn Hazmi dhe nga ekspertë të tjerë të hadithit (huffaz) dhe çkado që është thënë mbi të se përmban defekte, është jokorrekte'. Në El-Xheuherun-Naki përmendet se transmetuesit e tij janë ata të Sahih Muslimit (I'laus-Sunen 3:45).
2. Alkame thotë se Abdull-llah ibn Mes'udi r.a. pyeti:
'A nuk doni t'ju informoj mbi namazin e Pejgamberit të All-llahut s.a.v.s.? Ai (Ibn Mes'udi) u ngrit dhe duart i ngriti në fillim të namazit dhe më nuk e bëri një gjë të tillë', (Sunen En-Nesai 1:158, I'laus-Sunen 3:48).
3. Alkame transmeton nga Abdull-llah ibn Mes'udi r.a.:
'Pejgamberi i All-llahut s.a.v.s. i ngriste duart gjatë tekbirit fillestar, pastaj më nuk i ngriste përsëri', (Sherh Me'anil-Athar 224).
4. Abdull-llah ibn Mes'udi r.a. tregon:
'U fala me të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s., Ebu Bekrin dhe Ummerin r.a.. Ata nuk i ngritën duart, përveçse në fillim të namazit', (Nesbul-Reja 1:526, Mexhmauz-Zevaid 2:101).
Duke gjykuar nga hadithet e lartshënuara, mund të konkludohet shumë lehtë se Pejgamberi s.a.v.s. nuk i ka ngritur duart rregullisht gjatë namazit. Ibn Mes'udi, Aliu dhe sahabë të tjerë r.a. a nuk do të transmetonin kurrë raporte të tilla po ta kishin parë Muhammedin s.a.v.s. dhe halifët pas tij duke i ngritur rregullisht duart gjatë namazit? Po ashtu të gjitha transmetimet e Ibn Mes'udit r.a. janë konsekuente në atë se duart duhet ngritur vetëm në fillim të namazit e jo edhe në pjeset tjera përbërëse të tij.
Në fund themi se Urve ibn Murre tregon:
'Kur hyra në xhaminë e Hadrameutit, e dëgjova Alkame ibn Vailin duke transmetuar nga babai i tij se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i ngriste duart para dhe pas rukusë. Këtë gjë ia përmenda Ibrahim En-Nakha-s (Zoti xh.sh. e mëshiroftë), i cili u përgjigj me hidhërim: A vetëm Vail ibn Huxhri e ka parë Pejgamberin s.a.v.s.? A nuk e paska parë atë edhe Abdull-llah ibn Mes'udi r.a. dhe sahabët e tjerë?', (Muvetta Imam Muhammed 92).
Autor: Shejh Abdurrahman ibn Yusuf Mangera
Burimi: http://spa.qibla.com
Përktheu: Daim ABAZI