Vehabistët, a janë 'këmbëkryq' në Kosovë?
Se a ka vehabistë dhe ideologji vehabiste në Kosovë vazhdon të mbetet një çështje për të cilën pothuajse askush nuk mendon njëjtë. Madje, edhe përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës japin deklarata kontradiktore lidhur me ekzistimin apo jo të një lëvizjeje të vehabistëve në vend.
Prania apo jo e një organizate të vehabistëve në Kosovë ka ngjallur interesimin e opinionit publik lidhur me këtë çështje. Por, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës kanë mendime të ndryshme sa i përket vehabizmit, shkruan Kosova Sot.
Derisa kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërrnava, gjatë një paraqitjeje televizive kishte deklaruar se nuk është në dijeni për praninë e vehabistëve në vend, një tjetër përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk e mohon praninë e vehabistëve në Kosovë.
Imami dhe kryetari i Këshillit të Bahskësisë Islame të Kosovës në Kaçanik, njëherësh edhe doktor i shkencave islame, Musli Verbani, tha se edhe pse numri i vehabistëve në Kosovë është mjaft i vogël, përsëri nuk mungojnë vehabistët e as ideologjia e vehabistëve.
Sipas tij, shoqëria Islame e Kosovës po dëmtohet pa kurrëfarë dyshimi nga vehabizmi.
Ekstremizmi fetar nuk ka vend në Kosovë
Se prania e të tilla lëvizjeve është e dëmshme për Kosovën, e pranon edhe zëdhënësi i Lëvizjes "vetëvendosje", Erzen Vraniqi.
Sipas tij, çfarëdo ekstremizmi fetar nga cilado fe është i dëmshëm dhe si i tillë duhet të luftohet me masat përkatëse.
Përgatiti: indeks