Më fal, babadimër!
Zotëri babadimër, përshëndetje! Isha i vogël kur dëgjova për ty për herë të parë. Më thanë se ti hyn në shtëpi nga oxhaku, duke bartur thes me lodra, prandaj lakmova me gjithë zemër për t'u takuar me ty.
Dhe vërtet, atë natë të prita që të zbresësh tek unë, pavarësisht se shtëpia jonë nuk ka as kaminë, e as oxhak! Madje, unë as që e kam vërejtur se kulmi i shtëpisë nuk ka aq hapësirë për të hyrë nëpër të qerrja jote dhe drerët e tu! Sidoqoftë, ti nuk erdhe, e unë besova se ajo çfarë të pengoi ty ishin shkaqet logjistike të cilat ne nuk i përmbushnim!
Mësueses, e cila na foli për ty, unë ia rrëfeva se si e kam kaluar natën, me sy të ngulitur në drejtim të kulmit! Ajo më tha: "Babadimri zbret vetëm nga oxhaku"! Duke qenë se që nga vegjëlia unë e kisha gjuhën të gjatë, i thashë asaj: "Në shtëpitë që kanë oxhaqe, fëmijët nuk kanë nevojë për më shumë lodra"!
Ajo më shikoi me habi dhe më tha: "Shkruaji babadimrit një letër, fute atë në çorapë dhe tregoja këtë vërejtje"!
Prandaj, vendosa vërtet të të shkruaj, mirëpo nuk gjeta çorapë të pagrisura, kështu që nuk të shkruajta fare!
Atë natë, me çorapa të grisura, kërkova nga nëna ime të më blejë një dhuratë. Ajo është po ashtu shenjtore, por një shenjtore e vërtetë për dallim nga ti. Ajo fal shumë namaz, lexon Kur'an dhe hyn në shtëpi nëpër derë! Ajo më tha: "Do të të blej një lodër pas një jave"!
"E përse pas një jave"? - e pyeta.
"Sepse ne nuk u përngjajmë të tjerëve" - m'u përgjigj ajo. E pyeta sërish: "Kush janë ata tjerë, a janë ata që kanë oxhaqe në shtëpitë e tyre"? "Jo" - më tha, "të tjerët janë ata të cilët besojnë se babadimri ekziston dhe zbret nga oxhaqet". "Aha, e qerret dhe drerët"? - e pyeta. Ajo buzëqeshi dhe filloi t'më tregojë për Xhibrilin që pati ardhur në Mekë dhe e kishte marrë Muhamedin alejhisselam mbi fluturake (burak) për në Kuds.
Më tregoi për miraxhin, për Ademin alejhisselam në qiellin e parë, për Ibrahimin alejhisselam në qiellin e shtatë, për Musain alejhisselam që dha mund për të qenë pesë namaze në vend të pesëdhjetë sepse nuk do të mund të duronim! Që nga ajo ditë, unë i besova burakut dhe i mohova drerët e tu!
U rritëm mjaftueshëm, o babadimër dhe nuk shikojmë më në kulm, sepse gjëja e vetme e mirë që do të zbresë nga lart është Isai alejhisselam! Ai nuk do të zbresë nga oxhaku, por nga qielli dhe nuk do të zbresë në shtëpitë tona, por pranë minares së bardhë në Damask!
Atë ditë, ai nuk do të bart thes me lodra, por një shtizë për ta vrarë me të Dexhallin. Në ato momente, nuk do të ketë kohë për lojë!
U rritëm mjaftueshëm, o babadimër për të kuptuar se Isai alejhisselam është i yni dhe jo i juaji, përndryshe do të zbriste në Vatikan apo në Shën Petersburg! U rritëm mjaftueshëm për të kuptuar se drerët e tu nuk fluturojnë. Gjëja e vetme që po e shohim në qiellin tonë janë aeroplanët F-16 dhe sukhoi të cilët bënë që të fluturojnë fëmijët e Halepit!
U rritëm mjaftueshëm për të kuptuar se bizantinët janë bizantinë, edhe po qe se formojnë bashkimin evropian dhe se persianët janë persianë, edhe nëse braktisin adhurimin e zjarrit!
U rritëm mjaftueshëm për të kuptuar se ju jeni gënjeshtarë, ngase një fëmijë në Betlehem nuk është i kënaqur që të vriten fëmijët e Gazës!
Mos eja tek ne, o babadimër, sepse kufiri Rafah është i mbyllur, shtëpitë tona janë pa oxhaqe, në Darija nuk ka mbetur asnjë shtëpi, ndërsa fëmijët nëpër tenda emigrimi në kufirin siriano-turk nuk kanë nevojë për lodra, por për batanije që të mos vdesin nga i ftohti, ngase Umeri ka vdekur! Kurseje mundimin e udhëtimit dhe mos i lodh drerët e tu, pasi nuk do të të presim. Do t'u flasim fëmijëve tanë për Xhibrilin dhe burakun, për Isain, birin e Merjemes, duke bartur shtizë, ngase shenjtorët e vërtetë nuk u shpërndajnë lodra fëmijëve, por i luftojnë dexhallët në mënyrë që fëmijët të jetojnë në paqe!
Përgatiti: Ed'hem SHERKAVI
Përktheu: Jahja HONDOZI