Boll mo me Open Ballkan
Boll mo! Kosova më 1968 dhe 1981 duke kërkuar barazi ishte avangarde e shpartallimit të Jugosllavisë. Edhe sot Kosova është ajo që e pengon Open Ballkanin - mini Jugosllavinë. Në Kosovë kanë zënë në gozhdë shumë sharra. Këtë mision duhet ta ruaj Kosova edhe sot dhe neser për të mirën e gjithë kombit tonë.
Edi Rama sikurse edhe disa politikanë komunistë që dikur besonin në Jugosllavi beson në Open Ballkan. Ne as atëherë nuk besonim në Jugosllavi as sot nuk besojmë në Open Ballkan. Çdo ngrehinë ku epiqendër është Serbia e Beogradi për neve është nullë. Nostalgjinë për muzikën serbe e Serbinë ruajeni por mos ia impononi shqiptarëve. Aq më pak shqiptarëve të Kosovës.
Kosova dhe pjesa shqiptare në ish-Jugosllavi i njeh mirë dredhitë dhe poshtërsitë e Serbisë. Ne jemi rritur me rezistencën tonë ndaj dominimit serb. Prandaj çfarëdo nisme qoftë edhe e imponuar nga faktori ndërkombëtar me Serbinë xhandar i Ballkanit nuk pi ujë.
Dikur ishim në gjendje të burgoseshim dhe të sakrifikonim çdo gjë për ta shporrur Serbinë. Tani kushdo që me Open Ballkan do të na kthejë Serbinë si në kohën e Mbretërisë SKS apo të Jugosllavisë i themi shporru.
Madje kushdo qoftë ai. Mbase mund të gjejnë politikanë që i joshin apo mashtrojnë me premtime sikurse me një farë kohe kur thonin se ndryshimet kushtetuese nuk prekin statusin e Kosovës por populli dhe klasa e shëndoshë intelektuale nuk pranon kompromise në defunksionalizimin e shtetit të Kosovës.
Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk është jetike. Ne mund të ekzistojmë edhe pa atë njohje. Po jetojmë pa njohjen e shumë shteteve të forta e spo mund të jetojmë pa njohjen e Serbisë.
Kemi jetuar pa Open Ballkan dhe mund të jetojmë edhe në të ardhmen. Duam barabarësi dhe jo kompromise. Prej largimit të osmanilnjëve vetëm shqiptarët kanë bërë kompromise. Boll mo!
Autor: Dr. Ajni SINANI