Hixhreti i Pejgamberit (a.s.) është mendim dhe jo udhëtim



Ashtu si çdo ngjarje tjetër e kalendarit islam, hixhreti zë një vend të rëndësishëm në jetën e myslimanit, sepse ai nuk është vetëm një udhëtim nga një vend në një tjetër, por nën hijen e mësimeve të Islamit, hixhreti është një rifreskim dhe rinovim i besimit dhe lidhjes sonë me Islamin.

Rëndësinë e hixhretit e tregon edhe numri i shumtë i sureve dhe ajeteve në të cilat përmendet kjo ngjarje. Kur ndodhte ndonjë ngjarje, ose betejë Allahu (xh.sh.) zbriste sure për të, kështu kemi p.sh mrekullinë e Israsë dhe Miraxhit, lufta e Bedrit, Uhudit, Ahzabit etj., ndërsa për ngjarjen e hixhretit kanë zbritur disa sure: Bekare, Ali Imran, Nisaë, Enfal, Teube, Nahl, Haxh, Hashr, Mumtehine, Tegabun, etj.. [1]

Pejgamberi (a.s.) e shikoi se gjendja e sahabeve ishte renduar shumë nga mundimet, vuajtjet dhe torturat që idhujtarët i shkaktonin atyre për shkak të përqafimin të Islamit dhe ai vetë nuk ishte në gjendje t'i mbronte prej tyre. Fillimisht i lejoi të emigronin në Abisini, pastaj në Medine dhe së fundi edhe ai vetë emigroi për në Medine duke u bashkuar të gjithë në një vend.

Kushdo që e lexon dhe e studion hixhretin e Pejgamberit (a.s.) dhe të shokëve të tij, aty do të gjejë mesazhe dhe mësime të rëndësishme prej të cilave ka shumë dobi për të gjitha kohërat. Le t'i përmendim disa prej këtyre mesazheve dhe mësimeve:

1. Prezantimi i shkaqeve: Pejgamberi (a.s.) dhe Ebu Bekri (r.a.) u munduan maksimalisht që plani i tyre i emigrimit të realizohej me sukses dhe kjo është përgatitja që kërkohet prej besimtarëve, të përgatiten sa të kenë mundësi. Allahu (xh.sh.) thotë në Kur'an: "Dhe përgatituni për ta me mjete force sa të keni mundësi", (Enfal:60).

2. Mbështetja tek Zoti (xh.sh.): "e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se All-llahu i do ata që mbështeten" besimtari duhet t'i mbështet Zotit (xh.sh.), sepse sa do që njeriu të mundohet ta kryejë një punë, kurrë nuk do ta arrijë atë pa ndihmën dhe mbështetjen e Krijuesit të tij. Këtë e vëmë re edhe gjatë hixhretit, ku me gjithë parapërgatitjen e Pejgamberit (a.s.) për këtë udhëtim, përsëri ndodhen disa të papritura, si rrethimi i shtëpisë nga idhujtarët, gjetja e shpellës ku ishin strehuar, ndjekja e tyre prej Surakas etj., por ishte mbështetja e tyre e plotë te Zoti që të gjithë këto të papritura ua largoi dhe bëri që të arrijnë në Medine shëndosh e mirë. Prandaj asnjëherë të mos harrojmë, që përveç shkaqeve duhet edhe mbështetja tek Zoti (xh.sh.).

3. Besimit tek Zoti (xh.sh.), bindja dhe shpresa tek Ai të garantojnë suksesin: Pejgamberi (a.s.) edhe pse u përgatit për të gjitha shkaqet njerëzore, ai nuk harroi kurrë se besimi i fortë dhe i pa lëkundur, shpresa dhe mendimi i mirë për Zotin (xh.sh.) janë vendimtare për të përcaktuar rezultatin e punës. Kjo duket qartë në momentet e frikës së Ebu Bekrit (r.a.) se mos idhujtarët do t'i gjenin dhe do t'i kapnin duke i thënë atij: "Çfarë mendon për dy vetë, ku Allahu është i treti i tyre"? Sikur i thoshte: O Ebu Bekr, mos ki frikë, sepse ne vërtetë jemi dy, por Allahu është me ne dhe kur Ai është me ne, nuk ka kush që mund të na prekë, apo të na dëmtojë. Kjo është bindja, shpresa dhe besimi që kërkohet prej besimtarit. Allahu (xh.sh.) thotë në Kur'an: "... E konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se All-llahu i do ata që mbështeten. Nëse Allahu dëshiron t'ju ndihmojë, s'ka kush që mund t'ju mposhtë, e nëse Ai iu lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që do t'ju ndihmojë? Pra vetëm Allahut le t'i mbështeten besimtarët", (Ali Imran:159-160).

4. Rëndësia e shoqërisë së mirë: Gjatë gjithë jetës së tij, Pejgamberi (a.s.) është kujdesur që të jetë në shoqëri dhe jo vetëm. Në Meke qëndroi me shoqëri, në Taif shkoi i shoqëruar, në momentin e marrjes së besës përfaqësuesve të mendinasve ishte i shoqëruar, në hixhre zgjodhi si shoqërues Ebu Berkin (r.a.), etj.. Pra, asnjëherë nuk dëshironte të ishte i vetëm në ndonjë situatë. Prandaj dhe ka thënë: "Shejtani është me atë që është i vetëm, ndërsa është më larg atyre që janë dy". Pejgamberi (a.s.) edhe pse shejtani nuk mund t'i afrohej, përsëri ai nuk u nda prej shokëve dhe njerëzve, kjo në mënyrë që të jetë mësim për ne dhe për të gjithë myslimanët që ndjekin rrugën e tij. Për rëndësinë e shokut, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: "Njeriu është në fenë e atij që shoqërohet, prandaj le të shikojë secili prej jush se me ke shoqërohet". [2]

5. Dashuria për Profetin (a.s.) dhe sakrifikimi për të: Gjatë gjithë jetës së tij, por veçanërisht gjatë udhëtimit të hixhretit, Ebu Bekri (r.a.) tregoi një dashuri dhe sakrifikim të veçantë, i cili na shërben si mësim për secilin nga ne, se si duhet të jemi me Pejgamberin (a.s.). vetë ai (a.s.) ka thënë: "Nuk ka besuar asnjëri nga ju, derisa të jem për të më i dashur se fëmija, prindi dhe të gjithë njerëzit e tjerë".

Ebu Bekri (r.a.)gjithë pasurinë e tij, jo vetëm një herë, por disa herë e dha për Pejgamberin (a.s.) dhe kur e pyeste se çfarë i ke lënë familjes ai përgjigjej: I kam lënë mjaft. I kam lënë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ky është besim! Siç ka thënë e Pejgamberi (a.s.): "Sikur të peshohej besimi i umetit tim me besimin e Ebu Bekrit, besimi i tij do të peshonte më shumë". [3]

6. Durimi është çelësi i mbarësisë dhe i suksesit: "Pas vështirësisë vjen lehtësimi", (Inshirah:5 ). Pas një periudhe 13-vjeçare durimi, sakrifice, mundimi dhe vetëmohimi erdhi ndihma dhe lehtësimi i Zotit (xh.sh.). Të mos harrojmë se rruga e thirrjes islame është e mbushur me pengesa, vështirësi, lodhje etj., por kush duron, ai ka për të arritur të korr frutat e punës së tij të palodhur. Të ecësh në rrugën e Zotit (xh.sh.) nuk do të thotë se nuk do të kesh pengesa dhe vështirësi, madje do të sprovohesh, pasi edhe të gjithë pejgamberët janë sprovuar. "Ju patjetër do të sprovoheni në pasurinë dhe në vetën tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, por në qoftë se duroni dhe bëheni të devotshëm, ajo është prej gjërave më madhështore", (Ali Imran:186).

7. Pas durimit dhe devotshmërisë do të vijë ndihma dhe fitorja e Allahut, e cila na është premtuar në Kur'an: "Ne patjetër do t'i ndihmojmë të dërguarit tanë dhe ata që besuan, në jetën e kësaj botë dhe në ditën e dëshmive (llogarisë)", (Gafir:51).

"Allahu i realizon në mënyrë të përkryer çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë", (Jusuf:21).

8. Pjesëmarrja e rinisë në rrugën e Zotit (xh.sh.): Aktivizimi i Abdullahit, djalit të Ebu Bekrit dhe Esmasë, vajzës së tij në realizimin me sukses të emigrimit tregon se çdo i ri, djalë, apo vajzë duhet të jenë aktiv në shërbim të Islamit dhe thirrjes së tij. Abudullahi sillte lajmet e ditës çdo mbrëmje, ndërsa Esmaja u sillte ushqimin. [4] Kështu, çdo mysliman, por veçanërisht rinia duhet që me aftësitë e saj, energjitë, idetë etj., të japë kontributin e duhur në përhapjen dhe në mbrojtjen e Islamit dhe jo të rrijë strukur e të fshehur. Të marrë pjesë masivisht në jetën e përditshme shoqërore duke pasur si shembull rininë e sahabeve. Le të na mjaftojë kjo fjalë e Allahut (xh.sh.) si motiv në jetën tonë: "Askush nuk ka thënë fjalë më të mirë se sa ai që thërret në rrugën e Zotit, bën vepra të mira dhe thotë unë jam prej myslimanëve", (Fusilet:33).

9. Hixhreti është mendim dhe jo udhëtim: Hixhreti nuk është një udhëtim, apo një veprimtari çlodhëse, sepse ai nuk u nderua për arsye se ai ishte udhëtim, pasi që me dhjetëra e qindra vjet ka pasur shumë udhëtar që lëviznin mes Mekes dhe Medines. Udhëtimi nga një vend në tjetrit dikush e bën për turizëm, ndërsa dikush tjetër e bën për të kërkuar dituri, punë, ose për t'i shpëtuar rreziqeve dhe torturave.

Kështu ishte hixhreti ... hapa jete me të cilat zemra e besimtarit lëvizte duke sjell me vete sakrifikim, bindje dhe besim të patundur. Kjo është rruga e burrave të mëdhenj, të cilët sakrifikojnë çdo gjë që posedojnë në këtë jetë, në rrugën e besimit dhe të fesë, për të ndërtuar një shoqëri të pastër sipas ligjeve të vetë Krijuesit të saj. [5]

Thelbi dhe ideja e emigrimit në rrugën e Zotit (xh.sh.) do të mbesim përgjithmonë udhëzim dhe mësim për myslimanin e mençur dhe të urtë, i cili me bindje e besim ecë në rrugën e Islamit, në rrugën e Zotit të tij. Nga Ibn Abasi (r.a.) transmetohet se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: "Nuk ka më emigrim pas çlirimit të Mekes, por sakrificë dhe qëllim". [6]



Përgatiti: Lavdrim HAMJA



_________________________

[1] - Fikhus sirre, Shejkh M. El-Gazali.
[2] - Tirmidhiu me sened të mirë.
[3] - روي موقوفاً على عمر رضي الله عنه ومرفوعاً وصحح الموقوف العراقي وابن حجر والسخاوي والشوكاني وآخرهم الألباني أما المرفوع ففيه خلاف ومن أهل العلم من يصححه .
[4] - Fikhus sirre, Dr. Bouti.
[5] - Fikhus sirre, Shejkh M. El-Gazali.
[6] - Buhariu dhe Muslimi.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...