Kundërpërgjigje Ndue Ukajt



Ndue Ukaj (emër njeriu, intelektual shqiptar) të pazakontë ka gjykuar emërimin e Rexhep Bojës si i ngarkuar me punë i Kosovës në Arabinë Saudite. Veçqë e ka gjykuar të pazakontë, ka treguar edhe se e ka përjetuar si lajm të keq. Këto janë fjalët e tij: "Emërimi i Rexhep Bojës, si i ngarkuari me pune i Kosovës në Arabinë Saudite, është një lajm shumë i keq për Kosovën. Përveç se është një lajm i keq, ai është edhe lajm krejtësisht i pazakontë në botën politike demokratike ...".

Ndër shqiptarët, le t'i rikujtohet z. Ndue Ukajt, nuk ka më të pazakontë se një i krishterë, sidomos një katolik, dhe një mysliman të reflektojnë negativisht ndaj njëri-tjetrit kur emërohen për përfaqësim kombëtar a shtetëror. Kjo është vlerë shqiptare që shpërfilli z. Ndue Ukaj si askush nga bashkëfetarët e tij katolikë intelektualë.

I ngarkuari me punë në Arabinë Saudite, atje do të na përfaqësojë ne kosovarët e jo fenë e as politikën e zakonet demokratike, me këto do të zotohet se do të punojë dhe me kaq e bën të pakuptimtë çdo mëdyshje paraprake për sjelljen ose jo të tij demokratike. Demokracia është kusht e detyrim e jo kriter përzgjedhjeje z. Ukaj!

Sa për 'të keqën' e lajmit, z. Ndue Ukaj duhet ta ketë ditur se deri më tani s'ka pasur ndonjë emërim më të mirëpritur nga populli e as që do të ketë ndonjëherë, prandaj, i ndjerë se nuk do të besohet, nuk ka mjaftuar të thotë 'lajm i keq', por ky mosbesim në fjalët e veta e ka detyruar ta stërtheksojë gënjeshtrën 'shumë lajm I keq'. Veç për ty z. Ukaj!

Z. Ndue Ukaj mendimin e vet e mbështet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke e interpretuar nenin tetë në mënyrë arbitrare.

Sipas tij, që shteti I Kosovës është laik dhe neutral në çështje të besimeve, çka është përmbajtja e nenit tetë, u ndalon hoxhallarëve dhe priftërinjve përfaqësimin shtetëror, prandaj dhe emërimin e Rexhep Bojës si i ngarkuar me punë në Arabinë Saudite e ka quajtur antikushtetues.

Pjesa e nenit që thotë se Kosova është shtet laik, të ngarkuarin me punë në Arabinë Saudite, e detyron që kur të shkojë në Saudi në cilësinë e diplomatit kosovar të mos propagandojë fe, të mos i thërrasë sauditët të bëhen të mez'hebit hanefi apo të një feje a sekti tjetër, kaq e obligon kjo pjesë neni.

Kurse pjesa tjetër e po këtij neni që thotë se shteti është neutral në çështje të besimeve, pikërisht kjo pjesë neni i jep të drejtën hoxhës, priftit, ateistit dhe kujtdo që ka çfarëdo pozicionimi ndaj fesë e që janë qytetarë të Kosovës t'i kenë të drejtat e barabarta me qytetarët e tjerë, ky është kuptimi i neutralitetit.

Pra, me këtë nen nuk priveligjohen ata që kanë qëndrim neutral ndaj fesë, por shteti detyrohet t'i shohë neutral, njëjtë demek, si hoxhën, si priftin, si tjetrin, anipse nuk i sheh z. Ndue Ukaj.

Prandaj, presidenti, edhe sikur z. Boja të punonte si hoxhë, do të kishte të drejtë ta emëronte.

Z. Ndue Ukaj kontestimin e tij ndaj emërimit në fjalë veçse në Kushtetutë (gjë që do të duhej t'i kishte mjaftuar sikur vërtet vetë t'i besonte interpretimit të vet arbitrar për nenin tetë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës), e mbështet edhe në aftësitë e dhuntitë që, pa e njohur mirë e me forma gjykimi populliste, vlerëson se nuk mund t'i ketë i ngarkuari me punë në Arabinë Saudite. Ai thotë: "Jam thellësisht i bindur se çdo mendje racionale e kupton se Kosovës nuk i duhet asnjë lloj përfaqësimi nga njerëz klerikë, nga prijës fetare, kudo qoftë në botë, mirëpo nga politikaj të aftë dhe diplomat të zotë. Që të besojmë se z. Boja i posedon këto dhunti, duhet të jemi totalisht naiv, ashtu siç duket se kanë qenë totalisht naiv krerët shtetëror kur kanë marr këtë vendim absurd".

Që të merret vesh hapur dhe nga të gjithë sa i lexuar dhe madje sa kompetent është z. Ukaj për të vlerësuar kush është politikan i aftë dhe kush diplomat i zoti, mjafton ta vëresh se si asnjërës prej këtyre dy fjalëve për të cilat kapet, nuk ua ditka shumësin!

Z. Ukaj! Fjala 'politikan' në shumës bën 'politikanë' dhe jo 'politikaj' dhe fjala 'diplomat' në shumës bën 'diplomatë' dhe jo 'diplomat'!



Autor: Ilmi REXHEPI, prill 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...