Ezani si burim i zhurmës së mjedisit



Ditë më parë, në Kuvendin e Kosovës, pas leximit të parë kaloi në parim Projektligji për mbrojtjen nga zhurma, me ç'rast bëri jehonë të madhe në opinion publik të Kosovës me zëra për dhe kundër miratimit të tij. Në ueb portalin e Kuvendit të Kosovës e lexova Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, me ç'rast vërejtja disa lëshime të pakuptimta, të cilët do të përshkruajë më tutje në këtë shkrim.

Lëshimi i parë që e vërejta, ishte në nenin 1, alinea 1, të Projektligjit në fjalë, ku shkruan: "Ky Ligj është në përputhshmëri me Direktivën nr.2002/49/EC të Parlamentit Evropian për Zhurmën në Mjedis".

Së pari të sqarojë se çfarë do të thotë Direktiva e Parlamentit Evropian? Sikurse rregulloret (të cilët janë faktikisht ligjet e Bashkimit Evropian, që kanë efekt të përgjithshëm juridik dhe janë si të tilla janë obligative në mënyrë të drejtpërdrejtë për të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian), ashtu edhe direktivat, janë akte juridike të cilët i detyrojnë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me objektivat që i drejtohen çështjeve të caktuara. Efektet juridike të përcaktuara me direktivë nuk vlejnë automatikisht në vend të normave nacionale, nuk kanë efekt të drejtpërdrejtë sikurse rregulloret, porse shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë të obliguara që direktivat t'i zbatojnë në norma nacionale që duhet të jenë në harmoni të plotë me direktivat të së drejtës evropiane si e drejtë pozitive e Bashkimit Evropian.

Më tutje në nenin 2, alineja 1 shkruan: "përcaktimi i ekspozimit ndaj zhurmës në mjedis përmes përgatitjes së hartave të zhurmës me metodat e vlerësimit të cilat janë të përbashkëta për shtetet anëtare të BE-së".

Edhe në këtë nen të Projektligjit mbi mbrojtjen nga zhurma, mund të shihet se kemi të bëjmë në rradhë të parë për shtetet anëtare aktuale të Bashkimit Evropian. Po të ishim në vitin 2030, kur Kosova do të jetë në fazën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilën duhet të plotësojë të tri kritere të Kopenhagës, kriterin politik, ekonomik dhe acquis communa-utaire (juridik), me ç'rast nënkuptohet plotësimi i 35 kapitujve të fushëlëmive të ndryshme, me 850.000 faqe akte juridike që duhet të harmonizohen në mënyrë që shteti kandidat të plotësoj vetëm kriterin juridik, do të ishte në rregull. Po tani të thirresh në Direktivën Evropiane e cila aspak nuk e obligon Kosovën, por vetëm shtetet anëtare të Bashkimit Evropian i përngjet fjalës së urtë popullore: "peshku në det e fërterja në zjarr", duke marr parasysh se Kosova për momentin duhet së paku të pres edhe 3-4 vite për liberalizim të vizave, gjersa do të plotëson të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave, e për Kosovën edhe disa kritere shtesë duke marr parasysh qëndrueshmërinë dhe efektshmërinë e dobët të Kosovës në shumë fusha, e për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarë të Bashkimit Evropian, për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, jemi shumë larg dhe se vetëm mund t'i qesim hi syve, pasi që pa u pranuar pavarësia e Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja) Kosova jo që nuk ka gjasa reale por as gjasa teorike për të filluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian si vend kandidat.

Por më i pakuptimtë dhe shumë i dëmshëm është neni 4 alinea 2, të cilin a ka hartuar sponzoruesi i Projektligjit mbi mbrojtjen nga zhurma, ministri Dardan Gashi, i cili ezanin (kambanat) në mënyrë tërthore e paraqet si burime të zhurmës së mjedisit, që është për çdo akuzë dhe një veprim i pamatur dhe pa vend i cili mund të prodhojë vetëm destabilizim të panevojshëm në shoqërinë kosovare. Ta përshkruash ezanin (kambanën) si burim i zhurmës është me të vërtetë një gjest i pakuptimtë, po qoftë edhe nga ministri Dardan Gashi e tepërt është.

Neni 4, alinea 2 e Projektligjit në fjalë thotë: "Burime të zhurmës në mjedis konsiderohen trafiku rrugor, hekurudhor dhe ajror, duke përfshirë pajisjet për transport dhe infrastrukturë, pajisjet industriale, makineria e punës dhe e ndërtimit, pajisjet akustike të objekteve fetare si dhe pajisje të tjera të cilat përdoren në hapësira të jashtme". Edhe pse nuk përmendet emri i ezanit apo kambanës drejtpërsëdrejti, kjo vetvetiu me termin e përdorur "pajisjet akustike të objekteve fetare" asociocon pikërisht tërthorazi, pasi që objektet fetare (xhamiat dhe kishat) i përdorin pajisjet akustike për ezanin dhe kambanat.

Këtë nuk mund të kuptoj, apo edhe nuk kam të qartë, se si dy deputetët e Partisë së Drejtësisë në parlament kanë reaguar dhe votuar kundër Projektligjit në fjalë, sikurse edhe deputetë tjerë të parive tjera, ndërsa kryetari PD-së, ministri i shëndetësisë dr. Ferid Agani, në mbledhjen e qeverisë, kur e ka propozuar dhe elaboruar kolegu i tij ministri Dardan Gashi Projektligjin në fjalë, dr. Ferid Agani të mos e kundërshtojë e të mos reagojë, bile duke kërkuar që termin "pajisjet akustike të objekteve fetare" të largohet nga neni 4, alineja 2, ndoshta nuk ka qenë prezent në mbledhje, por nuk mund të besoj që dr. Ferid Agani të mos e kishte lexuar Projektligjin në fjalë, dhe në parim të votojë apo ta përkrah Projektligjin në fjalë si i tillë që është sponsoruar nga ministri Dardan Gashit dhe pas marrjes së vizës nga qeveria e Kosovës, është përcjell në Parlament për miratim.

Njashtu jam habit edhe me fjalët e kryeparlamentarit Jakup Krasniqit i cili gjatë diskutimit në parlament pat deklaruar: "Ky ligj nuk është kundër askujt, nëse ezani thirret pa mjete zmadhuese". Jakup Krasniqi do që të kthehemi në shekullin XVIII kur është thirr ezani pa mjete zmadhuese, apo ndoshta nuk do të dëgjojë fare ezanin e drekës apo të ikindisë nga xhamia e Çarshisë që e ka përball Kuvendit, gjersa është duke udhëhequr seancat e Parlamentit, dhe nuk është çudi që një ditë gjatë kryesimit të seancës të kërkojë nga myslimanët e Kosovës që edhe në Qabe për haxh të udhëtojnë me kuaj, pasi që është rrezik me udhëtu me aeroplan, se mund të ndodh të bie aeroplani, pasi që herë pas here ndodhin fatkeqësitë ajrore. Çudi se jo mahi ...!

Edhe pse me të madhe trumbetohet se Kosova është shtet laik dhe se feja duhet të jetë e ndarë nga shteti dhe të mos përzihet në punët e shtetit, kjo është vetëm njëra anë e medaljes së laicitetit, e ana tjetër e medaljes së laicitetit së cilës duhet t'i përmbahet shteti laik i Kosovës, është që edhe ai të mos përzihet në punët e fesë, dhe nuk i takon asaj, që do të përcaktojë dhe të përzihet në zgjedhjet e brendshme të Bashkësisë Islame të Kosovës, se a duhet apo jo të zgjidhet myfti të Kosovës, Naim Tërnava apo Rexheb Boja apo Xhabir Hamiti, që të kontrollojë mjetet financiare të buxhetit të Bashkësisë Islame, edhe pse nuk e financon, të jep leje apo mos të jep leje për nevojat e ndërtimit të xhamive anekënd të Kosovës, të diskriminojë femrat me shami që mos të munden të shkollohen apo të punojnë në shërbime publik, të mos lejojnë Edukatën fetare në shkolla, të udhëzojnë dhe të japin "fetva" Bashkësisë Islame se cilin Islam duhet të praktikojnë, tradicional, liberal, modern, bashkëkohor, duke mos njohur fare doktrinat juridike islame, dhe që në Kosovë denbabaden është duke u zbatuar doktrina juridike hanefite islame. Tani për aktualitetin, do të përzihet edhe në ezanin e xhamisë, e të nesërmen një Zot e di se çfarë do të jetë në rradhë, për Bashkësinë Islame në veçanti dhe myslimanët e Kosovës në përgjithësi. Edhe në këtë aspekt Kosova është "sui generis i llojit të vet" edhe pse me 95% të përkatësisë së deklaruar myslimane sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë.

Në përmbyllje të këtij vështrimi, do të ceki, se po të ishte Kosova në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe se kushti i fundit për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të ishte harmonizimi i zërit dhe i kambanës konform Direktivës nr.2002/49/EC të Parlamentit Evropian për Zhurmën në Mjedis, me siguri me gjithë dëshirë dhe pa kurrfarë imponimi dhe vetëm me një bashkëbisedim me Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse dhe Kishën Katolike do të rregullohej kjo çështje teknike e ndonjë xhamie apo kishe eventuale në Kosovë e cila i ka mjetet e zmadhimit të zërit mbi nivelin e përcaktuar të standardeve evropiane, dhe me plot vullnet Kosova do të kishte përmbushur këtë kusht, e gjer atëherë lus Zotin Fuqiplotë të kemi jetë e shëndet e të arrijmë atë çast historik.



Autor: Faik Miftari

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...