Dy persona të kundërt



Rrëfimi i dy burrave dhe dy kopshteve, është shembull nga Kur'ani për vlerat e falsifikuara dhe vlerat e qëndrueshme

Përmes këtij rrëfimi Allahu xh.sh. na njofton për dy personalitete të kundërt. Njëri i cili krenohej me bukurinë e stolinë e kësaj jete dhe tjetri i cili krenohej e mburrej me besimin e vërtet. Që të dy këta persona shërbejnë si model i një pjese nga bota njerëzore. Zoti i dy kopshteve shërben si model për një burrë të pasur të cilin e ka mahnitur pasuria dhe e ka çoroditur dhuntia që iu është dhënë nga Allahu xh.sh., kështu që e harron fuqinë më të madhe e cila mbizotëron caktimet e njerëzve dhe jetën në tërësi.

Thotë i Madhërishmi: "E ti sillu atyre (që kërkuan t'i largosh varfanjakët) si shembull dy njerëz, njërit prej tyre i dhamë dy kopshte (vreshta) nga rrushi dhe ato i rrethuam me hurma, e në mes atyre dyjave bëmë bimë të tjera", (El-Kehf: 32). "Të dy kopshtet jepnin frutat e veta pa munguar prej tyre asgjë, e në mesin e tyre bëmë të rrjedhë një lumë", (El-Kehf: 33).

Kjo është dhuntia që iu dhurua modelit të parë, dy kopshte të mëdha me vreshta, të rrethuara me palma, kurse mesin e tyre e mbulonin drithërat e bollshme. Përpos kësaj në mes dy kopshteve buronte një lum i mrekullueshëm.! Kjo me të vërtet është një pamje shumë e bukur, dhe gjallëri e vrullshme. Kjo ishte sa i përket vetëm pamjes së kopshteve, që ishte marramendëse. Po kur i bashkëngjitet asaj edhe rendimenti i lartë i frutave!

"Të dy kopshtet jepnin frutat e veta pa munguar prej tyre asgjë", (El-Kehf: 33).

Dijetari i famshëm Sejjid Kutubi na tregon urtësinë në përzgjedhjen e fjalës: "tedhdhlim në vend të fjalës tenkus për ta shprehur mos mungesën e frutave. Sepse fjala (tedhdhlim) do të thotë: bën zullum, padrejtësi. Ky është kuptimi primarë i kësaj fjale, mirëpo këtu është përdorur për kuptimin e dytë (tenkus), le mangët".

Urtësia e kësaj përzgjedhje qëndron sipas Sejjidit, për të treguar një kontrast mes kopshteve - që jepnin frutat pa munguar asgjë, gjë që po të ndodhte do të ishte si zullum e padrejtësi nga ana e kopshteve, dhe zotit të kopshteve i cili i bëri zullum vetvetes, duke mos falënderuar Allahun për këto begati, por filloi të shpreh mendjemadhësinë dhe kryelartësinë e tij! [1]

Ky është zoti i dy kopshteve, i cili nga pamje magjepse e kopshteve, fillon të ndiej epërsi ndaj shokut të tij besimtar, i cili nuk posedonte pasuri tjetër pos Imanit të tij. Dhe fillon të fryhet si çurani, në praninë e shokut në shenjë nënçmimi ndaj tij, duke thënë: "Ai kishte edhe pasuri tjetër (pos kopshteve). E ai atij shokut të vet (që ishte besimtar) i tha: - duke iu krenuar atij - Unë kam pasuri më shumë se ti e, kam edhe krah më të fortë!", (El-Kehf: 34).

Duke vazhduar kështu me mendjemadhësi, qysh në vendosjen e hapit të parë në kopsht, shkelë vijat e kuqe të besimit! Duke i thënë shokut i cilie shoqëronte. "Dhe ai hyri në kopshtin e vet (e me besimtarin për dore), po duke qenë dëmtues i vetes (duke mos besuar dhe duke u krenuar) tha: Unë nuk mendoj se zhduket kjo kurrë!", (El-Kehf: 35). Në hapin e parë mohon përfundimin e kopshteve të tij. Pra, duke pretenduar përhershmërinë e kësaj bote, gjë që bie në kundërshtim me fjalët e Allahut xh.sh., të cilat bëjnë shumë qartë realitetin e kësaj bote, e cila do të ndryshojë, e përfundojë dhe do të shkatërrohet e tëra: "Çdo gjë që është në të (në tokë) është zhdukur", (Err-Rrahman: 26). "E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!", (Err-Rrahman: 27).

Kurse në hapin e dytë shpalos dyshimin në ringjalljen, duke thënë: "Dhe nuk besoj se do të ndodhë kiameti, (dita e gjykimit)", (El-Kehf: 36). Pra mohon ndodhjen e ringjalljes, që është kushti i gjashtë i besimit! Ose një të gjashtën pjesë të besimit, pa të cilën nuk mund të konsiderohet besimtar! Pas kësaj lajthitje, fillon të pretendon privilegje tek Allahu xh.sh., duke thënë: "por nëse bëhet që të kthehem te Zoti im, pa dyshim do të gjej ardhmëri edhe më të mirë se kjo", (El-Kehf: 36).

Pretendimin e tij të gabuar e mbështetë në gjendjen e tij në këtë botë. "S'ka dyshim, Allahu punon atë që dëshiron", (El-Haxh: 14).

Duke thënë: ashtu siç më janë dhënë këto të mira në këtë jetë, po ashtu edhe në jetën tjetër nëse ndodhë që të kthehem, do të kem të mira ende më shumë. Sipas këtij mendjelehti, Allahu xh.sh., u jep të mira vetëm atyre që e meritojnë! Dhe kështu do të ndodhë edhe në botën tjetër!, nëse ka jetë tjetër ...?! Allahu xh.sh., bën çka të donë, këtë e ka bërë të qartë në Kur'an: "S'ka dyshim, Allahu punon atë që dëshiron", (El-Haxh: 14).

"Allahu punon atë që dëshiron", (El-Haxh: 18). Dhe as që mundët dikush të pyet se çka bën Ai. "Ai nuk pyetet se çka punon, po ata, (njerëzit), pyeten", (El-Enbija: 23).

Ky ishte personi që krenohej me dynja?!. [2]


Qëndrimi i besimtarit përballë këtij arroganti mendjemadh

Shoku i tij i varfër i cili nuk kishte pasuri e as krahë, nuk kishte as kopshte e as fruta ... ai krenohej me atë që ishte më e vlefshme dhe e përhershme që nuk mbaron. Mburrej me besimin dhe akidën e tij. Krenohej me Allahun të cilit i përulen ballët e besimtarëve, ai i përgjigjet shokut të tij mendjemadh, duke ia kundërshtuar kryelartësinë e mendjemadhësinë dhe fryrjen. Prandaj iu kundërvu duke ia përkujtuar prejardhjen e tij të parë prej balte e uji, dhe duke e kthyer atë kah edukata e domosdoshme që duhet ta ketë në raportet me Dhuntidhënësin, Bamirësin e pakufishëm. E paralajmëroi me pasojat dhe fundin e zymtë që sjell mendjemadhësia dhe kryelartësia. Shpresoi tek Zoti i tij atë që është më e mirë se kopshtet dhe frutat. "Atij ai shoku i vet (besimtari) i tha - duke e polemizuar atë: A e mohove Atë që të krijoi ty nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri njeri të plotë?", (El-Kehf: 37). "Por për mua, Ai Allahu është Zoti im, e Zotit tim unë nuk i bëj shok askë!", (El-Kehf: 38). "E pse ti kur hyre në kopshtin tënd nuk the: 'Mashaallah, la kuvvete il-la billah' - (Allahu çka do, bëhet, s'ka fuqi pa ndihmën e Tij). Nëse ti më sheh mua se unë kam më pak prej teje edhe pasuri edhe fëmijë (krah më të dobët)", (El-Kehf: 39). "Po unë shpresoj se Zoti im do të më japë edhe më të mirë nga kopshti yt, e këtij tëndit t'i shkaktojë fatkeqësi nga qielli e të gdhijë tokë e lëmuar (e zhveshur)", (El-Kehf: 40). "Ose të gdhijë uji i saj i shterur, e ti kurrsesi nuk mund ta kërkosh atë!", (El-Kehf: 41).

Këtu ndryshon edhe roli i personit të parë! Nga forma mendjelartë e kryeneçe, në formë pendese e kërkim falje. Pa dyshim se ndodhi ajo çka e priste besimtari: "Dhe vërtet, u shkatërruan frutat e tij, e ai filloi të rrahë shuplakët për atë që kishte shpenzuar në të, e ajo ishte rrënuar në kulmet e saj dhe thoshte: O i mjeri unë, të mos i kisha bërë Zotit tim askënd shok!", (El-Kehf: 42). "O i mjeri sikur ta kisha ditur se këto të mira ishin nga Allahu xh.sh., dhe se ato dhunti u bënë vetëm me fuqinë e Tij, e të mos e kisha mohuar Atë. Ky pendim nga ana e tij erdhi atëherë kur nuk bën dobi pendimi e as pikëllimi". [3] Sejjid Kutubi në lidhje me fjalën: "O i mjeri unë, të mos i kisha bërë Zotit tim askë shok!", thotë: "edhe pse ai nuk tha haptas fjalën e shirkut, (politeizmit), mirëpo të krenuarit e tij me vlerat e tjera tokësore pos vlerave të besimit ishte shirk, të cilin po e mohoi tani. Dhe po pendohet prej tij, pasi që është bërë vonë". [4] Mirëpo, kur ndërhyn Fuqia e Allahut për ta bërë atë që e parasheh urtësia e Tij, atëherë nuk mbetet vend për askënd, kushdo çoftë ai. "E nuk pati krah (grup), përveç Allahut të vërtetë që t'i ndihmojë atij dhe nuk mundi ta pengojë", (El-Kehf: 43). "Në atë vend ndihma është vetëm e Allahut të vërtetë. Ai është shpërblyesi më i mirë dhe te Ai është përfundimi më i mirë", (El-Kehf: 44).

Sejjid Kutubi thotë: "dhe ja kështu bie perdja mbi pamjen e kopshtit të shkatërruar e të rrënuar tërësisht, ndërsa pronari i saj qëndronte duke rrahur shuplakat e tij i penduar e i pikëlluar, kurse Shkëlqesia e Allahut dhe Madhëria e Tij mbulonte atë vend, pas së cilës nuk dukej fare fuqia e njeriut!".

Ibën Ashuri, pas tefsirit të ajetit 41 El-Kehf, thotë: "Në vijim mund të konkludojmë se besimtari i vërtet nuk e adhuron pasurinë apo mundësitë që i posedon ai, të cilat në realitet janë dhunti prej Allahut xh.sh. dhe se nuk i mbetet njeriut nderë pos nderit të shpenzimit dhe dhënies, nëse ka besua dhe ka dhënë lëmoshë (sadak) dhe e ka pastrua pasurinë e tij me zeqatë, duke e shpenzuar të tërën për ta arritur dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut xh.sh., ai as sesi nuk ia përkushton adhurimin pasurisë apo materies në çfarëdo forme qoftë ajo. Kur adhurimi bëhet vetëm për Allahun një pa ia shoqëruar askënd, atëherë pa dyshim se dhënia e pasurisë në rrugë të Allahut, bëhet pa kufi e numërim. Duke shpresuar në atë që është tek Allahu Fuqiplotë e cila nuk mbaron kurrë. Nga kjo që u tha, bëhet thirrje për të menduar e logjikuar thellë dhe për t'u këshillua se si vjen njeriu në këtë botë nga sperma pa pasur asgjë me vete dhe udhëton prej saj pa marrë asgjë me vete. Le të merr këshilla dhe mësime. Duke e konsideruar veten kalimtar, i sprovuar dhe i testuar në pasurinë e tij, logjikën e tij dhe shëndetin se sa po duron, apo si po e shpenzon e i harxhon këto. E si t'i mundësohet kjo kafirit i cili i mohon dhuntitë e Allahut, dhe shtiret sikur se i ka harruar, duke menduar se do të jenë të përhershme, dhe gjithnjë mahnitëse me pamjet e saja të bukura, pa e dhënë të drejtën e Allahut nga ajo. E që si pasojë e kësaj e privon Allahu nga tërë pasuria, për të qenë këshillë për njerëzit dhe për ata që përfitojnë nga këshillat". [6]

Ngjashëm me këtë tregim, është edhe tregimi i pronarëve të kopshtit, të cilët të verbuar nga epshi i pasurisë, dhe të mahnitur nga frutat dhe rendimentet e larta që do t'i marrin nga kopshti i tyre, [7] harruan Allahun xh.sh., dhe vendosën që ta vjelin vreshtin e tyre në mënyrë tinëzake e dinake, që të varfrit të mos i hetonin, [8] duke u orvatur kështu që t'i ikin obligimit të Allahut. Prandaj ata përgatiten një plan, duke harruar në këtë mënyrë fuqinë e Krijuesit i Cili ka nën fuqinë e Tij çdo plan, dhe pa miratimin e Tij, çdo plan përgëzohet me dështim.



Autor: Dr. Lulzim Esati



_________________________

[1] - Sejjid Kutb, fi dhilalil Kur'an, botimi i 25-të, Bejrut, 1996, v.15, f.2270.
[2] - Sejjid Kutub Ibid, f: 2270.
[3] - El-Kurtubi, Muhamed bin Ahmed, (1273/671, h.), Elxhamiu Liahkamil Kur'an, Bejrut: 1991, v.10, f.410.
[4] - Fi dhilalil Kur'an, v.15, f.2271.
[6] - Ibën Ashur, Muhamed Tahir. Et-Tahrir vet-Tenvir, Tunis: Dar tunisije, 1984, v.15, f.37.
[7] - Sipas shumicës së Mufesirëve ata posedonin një vreshtë.
[8] - Të cilët ishin mësuar ta merrnin hakun e zeqatit ditën kur vilej kopshti, kështu vepronte babai, mirëpo kur fëmijët trashëguan kopshtin ata vendosën të veprojnë ndryshe, mos ta japin fare zeqatin! Gjerat ndryshojnë shpesh me ndryshimin e pronarit!

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...