Rrotullimi i Tokës



Pyetje:

Esselamu alejkum Profesor i nderuar! Desha të di se çka thotë për Tokën Allahu në Kur'an, përkatësisht a rrotullohet ajo, dhe argumente në lidhje me këtë nga hadithet dhe dijetarët?


Përgjigje:

Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim!

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhërishëm, salavatet dhe selamet të Dërgurit të Tij, Familjes së tij dhe gjithë besimtarëve myslimanë!

I nderuar, edhe pse disa janë të mendimit se sipas kuptimeve sipërfaqësore të Kur'anit Toka është fikse-statike, dhe nuk rrotullohet, por Dielli është ai i cili rrotullohet rreth Tokës, jemi të mendimit se ky është mendim i gabuar, për një shkak shumë të thjeshtë: Kur'ani Fisnik nuk i referohet përfundimisht fiksimit-mos-rrotullimit të tokës, kurse ajetet kur'anore që flasin për rrotullimin dhe lëvizjen e Diellit dhe Hënës, nuk nënkuptojnë se ata janë orbita dhe sillen rreth Tokës.

Ekzistojnë shenja delikate që konfirmojnë se Toka është duke ecur dhe lëvizur ashtu siç lëvizin edhe objektet tjera në univers. Madhësia e Tokës në krahasim me universin është si një grimcë e vogël pluhuri. Prandaj edhe Toka është si pjesët tjera të trupave kozmik që noton dhe sillet, dhe nuk ka asgjë statike në univers, e kjo është një e vërtetë që nuk ka dyshim.

Citati më i saktë që përshkruan gjendjen e universit tonë dhe atë që gjendet në të është ajeti kur'anor: "dhe secili noton në një galaktikë", (Jasin:40). I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur fliste për perëndimin e Diellit (muzgun), fliste se ai (Dielli) perëndon dhe shkon të përulet nën Arsh, por nuk duhet harruar se ai na tregoi për atë që ne e shohim me sytë tonë, sepse ne vërtetë e shohim Diellin duke lëvizur-ecur: perëndon, humbet, fshihet, por a thua vërtetë ai humbet, fshihet dhe zhduket?

Ne, nëse qëndrojmë në tokë, shohim se Hëna rrotullohet rreth Tokës dhe themi: Hëna rrotullohet - kurse Toka është statike-fikse. Mirëpo nëse ngjitemi në Hënë dhe nga Hëna e shohim Tokën, atëherë vërejmë se ajo sillet rreth Hënës, dhe themi: Toka sillet rreth Hënës - kurse Hëna është fikse-statike. Pra shihni si paraqitet ky paradoks! E njëjta gjë ndodhë kur qëndron në Tokë dhe e sheh Diellin, Hënën, yjet dhe planetët që sillen, rrotullohen rreth Tokës, por realiteti është se Toka rrotullohet.

I nderuar, një gjë duhet pasur parasysh gjithmonë, nuk lejohet të shpallim dikë si qafir (jobesimtar - siç pretendojnë disa nga neo-selefët - vehabitët) nëse mendon se Toka është statike dhe e pa lëvizshme apo vetëm nga fakti se mendon se Toka sillet, apo se Dielli është statik apo sillet. Gjykohet kështu ngase ajetet kur'anore që flasin për universin kërkojnë përpjekje maksimale (ixhtihad) për interpretimin e tyre, e ixhtihadi mund të jetë i qëlluar por edhe i gabuar, kurse çështja e besimit është çështje e vërtetuar dhe stabile.

Ve bil-lahi teufik!



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...