Pse ndodhi Israja dhe Miraxhi
Pejgamberi a.s., sikurse thamë, iu nënshtrua mundimeve e torturave të shumta të pabesimtarëve. Në të njëjtin vit, në "Vitin e pikëllimit", i vdiq bashkëshortja Hatixhe r.a., që ishte prehje dhe përkrahëse e denjë, sa herë që ai përballej me vështirësi. I vdiq edhe xhaxhai Ebu Talib, që ishte një mbrojtës besnik i tij ...
Pejgamberi a.s. pati shkuar edhe në Taif, me shpresën se atje do të gjente dikë që ta dëgjonte fjalën e vërtetë dhe të besonte në fenë e Allahut. Mirëpo, në vend të përkrahjes, ai hasi në kundërshtim e injorim të plotë. Taifasit i nxitën horrat dhe fëmijët e tyre që ta keqtrajtonin Pejgamberin a.s.. E gjuajtën edhe me gurë, saqë ia përgjakën këmbët e ndershme të tij. Pejgamberi a.s. qe kthyer në kopshtin e bijve të Rebiut për të gjetur shpëtim. Qe ulur nën një pemë, dhe, me duar të drejtuara nga qielli, e luste Allahun për ta ndihmuar nga njerëzit në tokë.
E, Allahu i Lartmadhërishëm, të dashurit të Tij. i tha: "... Mos u pikëllo ti për ata, as mos u brengos për dredhitë që bëjnë ata! S'ka dyshim se Allahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës", (En-Nahl, 127-128).
Pejgamberi a.s. u kthye në Mekë. Nuk gjeti asnjë njeri tjetër për ta shoqëruar për të hyrë në Mekë, përveç Mus'ab ibn Adijit - një pabesimtar mekas ...
Pejgamberi a.s., sa herë që mundohej nga kurejshitët pabesimtarë, natyrisht që ndihej i thyer shpirtërisht. Prandaj, Allahu xh.sh. deshi t'i tregonte të dashurit të Tij dhe ta siguronte, se, sado t'i vështirësohej fushëveprimi në tokë, Qielli do të jetë Ai që do ta ndihmojë e do ta mirëpres, dhe, se Zoti i tij, i Cili e obligoi më këtë mision të pastër e fisnik, me gjithë këto vështirësi e mundime, patjetër do ta ndihmojë e do ta bëjë triumfues ...
Mbase, për këtë arsye ndodhi mrekullia e Israsë dhe Miraxhit ...
Megjithatë, para se të flasim për këtë mrekulli, duhet të ndalemi tek fillimi i sures "El-Isra", ku Allahu i Lartmadhërishëm, thotë: "I dëlirë dhe pa të meta është Lartmadhëria e Atij Që robin e Vet e shpuri në një pjesë të natës prej Mesxhidi-Haramit (Qabesë) deri në Mesxhidi-Aksa (Bejti Mukaddes) ...", (El-Isra, 1)
Fillimi i kaptinës me fjalën "Subhane", a kuptimin "dëlirje nga çdo e metë", d.m.th. Allahu xh.sh. është i Lartësuar e i Pastër nga çdo e metë, Ai është i pashembullt në atribute e veprime. Fjala "Subhane" ka për qëllim dëlirjen, pastrimin dhe lartësimin e përgjithshëm vetëm për Allahun xh.sh., ajo i përket absolutisht vetëm Allahut, pa ngjasim me askënd në krijim, as në cilësi, e as në veprim.
Allahu xh.sh. ekziston. Edhe ne ekzistojmë. Por, a thua ekzistenca jonë është si ekzistenca e Allahut xh.sh.? Allahu xh.sh. dëgjon, dëgjim kemi edhe ne, por dëgjimi ynë nuk është si dëgjimi i Allahut xh.sh.. Allahu ka atribute dhe Qenësi. Edhe ne kemi atribute, edhe ne ekzistojmë, mirëpo ato në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohen.
Muxhizja është vepër e Allahut xh.sh.
Së këndejmi, nëse Allahu xh.sh. bën një veprim, ai në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me veprimet e njerëzve. Për më shumë, veprimet e Allahut janë jashtë suazave të mundësive të njerëzve, ato janë mbi fuqinë e mendjes së tyre. Prandaj, nëse Allahu xh.sh. bën diçka, Ai nuk pyetet si e bëri. Sepse mundësitë e mendjes sonë nuk mund t'i përthekojnë a t'i perceptojnë fshehtësitë e atij veprimi. Allahu xh.sh. bën çfarë të dojë. Ai nuk u nënshtrohet kufizimeve ligjore, ngaqë Ai është krijues i ligjeve. Ai nuk ka nevojë për shkaqe, sepse Ai është që i ka bërë shkaqet.
Allahut nuk i ngjet asgjë. Të gjitha krijesat e Allahut i nënshtrohen vullnetit të Tij dhe jo e kundërta, sepse Qenësia, atributet dhe veprat e Tij janë mbi çdo gjë. Veprat e Allahut absolutisht nuk u nënshtrohen ligjeve të gjithësisë.
Allahu xh.sh. na ka ofruar shembuj të bollshëm se si ka pezulluar dhe eleminuar ligjet e gjithësisë për të dërguarit e Tij, duke u dhënë atyre muxhize për të vërtetuar atë që u shpallej nga Ai.
Për shembull, veti e zjarrit është se ai djeg. Por, kur pabesimtarët e kishin marrë Ibrahimin a.s. për ta djegur në zjarr, Allahu xh.sh. nuk kishte bërë që ai (Ibrahimi a.s.) t'u ikte nga duart, ose të fshihej nga sytë e tyre, ose të binte shi e ta shuante zjarrin, sepse, po ta kishte bërë këtë, pabesimtarët do të thoshin: Sikur të mos na kishte ikur nga duart, do ta digjnim, sikur të mos ishte fshehur, do ta digjnim, ose sikur të mos kishte rënë shi, zjarri me siguri do ta kishte gëlltitur Ibrahimin.
E lartësuar qoftë Urtësia e Allahut, që u mundësoi pabesimtarëve ta kapnin Ibrahimin, që zjarrit i mundësoi të ishte i skuqur gjithandej dhe që u mundësoi atyre që Ibrahimin a.s. ta hidhnin në të. Dhe ..., kur të gjitha mendjet thoshin se ai do të digjej, ngase për një gjë të tillë qenë plotësuar edhe shkaqet, Krijuesi i zjarrit urdhëroi: "Ne i thamë: 'O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin'", (El-Enbija, 69).
Kështu Allahu xh.sh. eliminoi nga zjarri vetinë e të qenit që të djeg, dhe askush nuk mund të shtrojë pyetjen: - "Si?", sepse askush asnjëherë nuk mund të arrijë përgjigje, sado që të hulumtojë. Kjo sepse një gjë e tillë është vepër e Allahut xh.sh., është mrekulli që tejkalon nivelin e logjikës e të mendjes së njeriut, deri në Ditën e Kiametit.
Kur Musai a.s. me ithtarët e tij po iknin nga faraoni dhe ushtria e tij, dhe kur faraoni i ndiqte me ushtrinë e tij, dhe kur ithtarët e Musait panë detin para tyre, e ushtrinë e faraonit prapa, ç'thanë?
Allahu xh.sh. tregon: "Dhe, kur u panë dy grupet, shokët e Musait thanë: 'Me siguri na zunë'!", (Esh-Shu 'ara, 61).
Dhe, kjo ishte logjike, kjo ishte realitet. Por, Musai a.s. ishte pejgamber dhe e dinte se ishte i dërguar nga Zoti i shkaqeve dhe se shkaqet nuk do të paraqitnin ndonjë pengesë për Të, andaj ai, siç tregon Allahu xh.sh., tha: "Kurrsesi, me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë", (Esh-Shu'ara, 62).
Musai a.s. ishte tepër i bindur e i besueshëm në Allahun xh.sh. dhe e dinte se Ai nuk heqë dorë nga pejgamberi i Tij. Dhe ... vërtet erdhi ndihma nga qielli ...
Allahu i shpalli Musait: "Me shkopin tënd bjeri detit. Deti u nda dhe çdo pjesë u bë si kodër e madhe", (Esh-shura, 63).
Musai a.s. ishte i bindur se, në qoftë se tek ai do të ndikonin shkaqet e kësaj bote, në asnjë mënyrë nuk do të largohej nga ai Krijuesi i atyre shkaqeve. Dhe, në të vërtetë, që nga momenti i ndodhjes së kësaj muxhizeje e deri në Ditën e Kiametit, asnjë njeri nuk mund t'i bjerë detit me shkop, dhe ai të ndahet ...
Edhe kur Isai a.s., me ndihmën e Allahut xh.sh., i ngjallte të vdekurit e i shëronte të sëmurët, ajo ishte mrekulli e dhënë nga Krijuesi i shkaqeve. Njeriu kurrsesi nuk mund ta ngjallë të vdekurin ose ta shërojë të sëmurin vetëm me një të parë e me një gjest.
Për të gjitha këto veprime nuk thuhet: - "Si?", sepse këto nuk u përkasin të zotëve të tyre - pejgamberëve, po ato kanë ndodhur me fuqinë e Allahut xh.sh. dhe vetëm Atij i përkasin. Prandaj, fjala "Subhane" - në Kur'an është përdorur vetëm për ato çështje në të cilat nuk ka vend mendja e logjika e njeriut, siç është rasti me: "I dëlirë nga çdo e metë është Ai Që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga ç'mban toka, nga vetë ata dhe nga ç'nuk dinë ata", (Jasin, 36).
A mund të arrijë dikush tek fshehtësitë e krijimit? Kjo është e pamundur, pavarësisht nëse krijimi është nga Allahu drejtpërdrejt apo nga shkaktarët, d.m.th. nga mashkulli e femra.
Të fshehtat e jetës i di vetëm Allahu xh.sh., po Ai i ka zbuluar njeriut diçka nga Dija e Tij absolute dhe njeriu ka arritur të bëjë shumëçka: të ndërtojë raketa, të arrijë në Hënë, të konstruktojë "mendjet elektronike" - robotët, që kryejnë të gjitha punët në fabrikë, etj..
Mirëpo, të gjitha këto kanë ngelur në shkallën e ndërtimit të tyre, - nuk kanë jetë, nuk rriten, as shumohen, - me një fjalë, - kanë ngelur siç janë ndërtuar, me të njëjtat dimensione e në të njëjtën formë. Njeriu nuk arrin dot të bëjë diçka që të jetë çift (mashkull e femër) e me dy gjini. Ai nuk arrin dot të bëjë një gjë që do të rritet e do të zhvillohet me kalimin e kohës.
Prandaj, kur Allahu xh.sh. fjalëve të Tij u paraprin me "Subahane" - Ai në fakt ua bën me dije mendjeve njerëzore se aty është kufiri i tyre dhe se ato assesi nuk mund të venë tutje.
Domethënia e fjalës "Subhane"
Fjala "Subhane" nuk është përmendur në Kur'an veçse kur përmenden gjërat e çuditshme, gjërat që janë mrekulli. Andaj, kur kjo thënie përmendet në fjalët e Allahut xh.sh., patjetër duhet të kuptojmë se kjo është dëlirje e lartësim në superlativ vetëm për Allahun dhe se një veprim të tillë nuk mund ta bëjë askush tjetër përveç Tij. "Subhane" është emër, dhe, çdo emër i Allahut, tregon vërtetësinë dhe vazhdimësinë e Tij, tregon se Ai është i dëlirë, i lartësuar e i patëmetë, edhe para se t'i krijojë ata që do ta lartësojnë Atë.
Kur lexojmë fjalët e Allahut xh.sh.: "I dëlirë dhe pa të meta është Lartmadhëria e Atij Që robin e Vet e shpuri ...", (El-Isra, 1).
Themi se Allahu xh.sh. ka dashur të na bëjë me dije se vërtet mrekullia e Israsë dhe Miraxhit është një nga veprat e Allahut dhe se ajo nuk është bërë me fuqinë njerëzore të Pejgamberit a.s.. Andaj, pikërisht për këtë fakt, kjo sure fisnike ka filluar me fjalën: "I dëlirë dhe pa të meta është Lartmadhëria e Atij Që robin e Vet e shpuri ...", (El-Isra, 1).
D.m.th. çdo gjë që pason pas kësaj, i atribuohet dhe i përket vetëm Fuqisë absolute të Allahut xh.sh..
Të kryerit e një vepre ndryshon varësisht nga autori i saj, ajo i përket autorit të saj dhe i përshtatet atij. Në qoftë se thua se një fëmijë më ka goditur me tërë forcën e tij, kjo ndryshon plotësisht nga ajo në qoftë se thua se një kampion bote i boksit më ka goditur me tërë forcën e tij. Veprimi është plotësisht i njëjtë - që të dy kanë goditur me tërë forcën e tyre, mirëpo, autori i veprës ndryshon dukshëm, - njëri është fëmijë, e tjetri kampion bote i boksit.
Në qoftë se thua se filani, një nëpunës i rëndomtë, ka bërë një aheng për bijën e tij që do të bëhet nuse, dhe një tjetër, që është njeriu më i pasur në botë, ka bërë gjithashtu një aheng për të njëjtin qëllim, - kuptohet se veprimi është i njëjtë, d.m.th. kanë organizuar aheng, mirëpo mundësitë ndryshojnë plotësisht, sepse tek i pari do të kemi një aheng të thjeshtë, kurse tek i dyti do të kemi një aheng madhështor.
Në qoftë se thua kam udhëtuar deri në Aleksandri me tren, ose në qoftë se thua kam udhëtuar me aeroplan, ose në qoftë se thua kam udhëtuar deri atje më anije kozmike, - veprimi është i njëjtë, mirëpo fuqia e të vepruarit ndryshon plotësisht, sepse udhëtimi me tren zgjat disa orë, me aeroplan vetëm gjysmë ore, kurse me anije kozmike një minutë. Prandaj, gjithmonë veprimi është i lidhur ngushtë me fuqinë e autorit të veprës, vepruesit.
Në qoftë se Allahu xh.sh. ka thënë se Ai është që ka bërë isra me pejgamberin e Tij, atëherë çka do që të ketë ndodhur gjatë atij udhëtimi, është mbi suazat e mendjeve njerëzore.
Për këtë arsye, kur Pejgamberi a.s. u tregonte arabëve se ç'kishte ndodhur gjatë Israsë, ata i thoshin: - "Pandeh se ti këtë e ke bërë gjatë një nate, e ne të njëjtën rrugë me karvanët tona e bëjmë për muaj të tërë?".
Kjo sepse ata nuk e kishin kuptuar në të vërtetë mrekullinë. Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk kishte thënë: - "Unë kam udhëtuar" por thoshte: "Është udhëtuar me mua".
Po kush është ai që e shpuri atë? Allahu xh.sh., pa dyshim.
Së këndejmi, pabesimtarët Isranë dhe Miraxhin ia atribuonin fuqisë njerëzore, kurse harronin fuqinë e Allahut xh.sh. dhe harronin faktin se Muhammedi a.s. kurrë nuk ka thënë: "Kam udhëtuar deri në Bejtul-Makdis"., por ka thënë: ."Është udhëtuar me mua".
Ata patjetër do të duhej të kishin vëmendjen tek fuqia e Autorit të veprës, dhe jo ta krahasonin mrekullinë me mundësitë njerëzore ...
Israja - ndodhi me shpirt dhe trup njëkohësisht
Allahu xh.sh. thotë: "I dëlirë dhe pa të meta është Lartmadhëria e Atij Që robin e Vet e shpuri ...", (El-Isra, 1).
dhe nuk thotë Që dërguarin e Vet e shpuri. A thua, përse? Sepse në botë ka "robër" dhe "rob adhurues". Të gjithë ne jemi robër të Allahut, edhe ai që u nënshtrohet urdhrave të Allahut, po edhe ai që i kundërshton ato, edhe besimtarët edhe pabesimtarët. Kurse rob adhurues janë ata të sinqertët dhe ata që kanë zgjedhur që veprat e tyre të jenë në kuadër të programit të Allahut xh.sh., janë ata që punojnë atë që Allahu ka urdhëruar për t'u punuar dhe ndalojnë nga ajo që Allahu ka ndaluar. Allahu xh.sh. në Kur'an, kur flet për krijesat e Tij të sinqerta, nuk i quan robër, por i quan rob adhurues.
Përshembull në ajetin: "E rob adhuruesit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre u drejtohen injorantët me fjalë, ata thonë: 'Selam-Paqe'!", (El-Furkan, 63).
Për këtë arsye, Allahu xh.sh. në ajetin e Israsë ka përdorur fjalën "abdihi" - "robin e Vet", për
të na tërhequr vëmendjen tek dy të vërteta kryesore:
E para. Israja ka ndodhur me shpirt e trup njëkohësisht dhe jo në gjumë, po zgjuar, sepse "abd" - "rob" nuk thuhet veçse ku takohen shpirti dhe trupi njëkohësisht, - kjo në njërën anë. Në anën tjetër, ata që e kishin dëgjuar Pejgamberin a.s. teksa u tregonte se ç'i kishte ndodhur në Isra, patën zhvilluar një diskutim të gjerë me të, për faktin se Israja ndodhi me shpirt e me trup, se ndryshe nuk do të kishte kurrfarë kuptimi të diskutohej.
Sikur Israja të kishte ndodhur në gjumë, siç pandehin disa njerëz, atëherë nuk do të kishte vend për diskutim, sepse a polemizohet me një njeri për atë që ka parë ëndërr?!
Nëse thoni, kam vajtur në Amerikë dhe jam kthyer njëzet herë për një natë, a mund t'ju përgënjeshtrojë dikush për shkak të kësaj ëndrre? Natyrisht: 'që jo'. Ajo që ndodh në gjumë nuk diskutohet në polemika të logjikshme dhe për ato as që ka nevojë të polemizohet, siç nuk u kundërshtua, për shembull mbreti i kohës së Jusufit a.s. për atë që kishte par, ëndërr.
Këtë e tregon Allahu xh. sh në Kur'an në sure: "Jusuf", ku thotë: "Dhe mbreti tha: 'Kam parë ëndërr shtatë lopë u majme dhe shtatë lopë të liga që i hanin ato të ligat, i gëlltitën ato të majmet) dhe shtatë kallinj të gjelbër (që kishin lidhur fryt) e (shtatë) të tjerë të tharë. O ju pari, nëse dini të interpretoni ëndrrat më tregoni për ëndrrën time'!", (Jusuf, 43).
A ka logjikë ky tregim? A mund ta hajë një lopë lopën tjetër? Cili nga ne ka parë që një lopë lopën tjetër?! Natyrisht që kjo nuk ka ndodhur kurrë. Dhe, ta themi që një gjë e tillë edhe sikur mund të ketë ndodhur, po atëherë si është e mundur një lopë e ligë të ketë ngrënë një lopë të fortë e të majme?! Mos vallë, veprimi i kundërt do të përputhej me logjikën?! Në të vërtetë, askush nga ne nuk parë që një lopë ta ketë ngrënë lopën tjetër.
Mirëpo, kur mbreti u tregoi ministrave dhe suitës së tij se ç'kishte pare në ëndërr dhe kur kërkoi që t'ia komentonin atë, - mos i kishte thënë dikush prej tyre që kjo nuk është logjike? A thua i thanë ata si është e mundur që një lopë të hajë lopën tjetër? Ose a i thanë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë kurrsesi? Jo, ata nuk polemizuan fare me të, sepse ëndrrat nuk kundërshtohen me mendje e logjikë dhe as që u nënshtrohen shkaqeve njerëzore. Por, ata, në të vërtetë, thanë ashtu siç tregon Allahu xh.sh. në Kur'an: "Ata (paria) thanë: 'Ëndrra të ngatërruara, e ne nuk e dimë komentimin e ëndrrave të tilla'", (Jusuf, 44).
Pra, për sa i takon ëndrrës së mbretit, absolutisht nuk u zhvillua asnjë polemikë e logjikshme dhe e arsyeshme, kurse për sa i takon mrekullisë së Israsë, pati polemika, dhe u tha: "Si është e mundur që një gjë e tillë të ndodhte brenda një nate, kur ne një rrugë të tillë e bëjmë për muaj të tërë"? Kjo për faktin se Pejgamberi a.s. u kishte treguar atyre se Israja kishte ndodhur me shpirt e me trup njëkohësisht, sikurse e vërteton këtë shumë qartë edhe ajeti kuranor: "I dëlirë dhe pa të meta është Lartmadhëria e Atij Që robin e Vet e shpuri ...", (El-Isra, 1).
Robi dhe Pejgamberi
Kjo qe e para, kurse e dyta, Allahu xh.sh. në të vërtetë dëshiron të na sigurojë se adhurimi i Tij është shkalla më e lartë që mund të arrijë njeriu. Ajo është më e madhja kënaqësi, mbi të cilën nuk ka kënaqësi tjetër, dhunti, mbi të cilën nuk ka dhunti tjetër.
Këtë e kuptojmë, nëse lexojmë ajetet e sures "El- Kehf", ku Allahu xh.sh. thotë: "Dhe gjetën një nga robët Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne. Atij (robit të mirë e të dijshëm) Musai i tha: 'A pranon të vij me ty, që të më mësosh nga ajo që të kanë mësuar ty - dituri të drejtë e të vërtetë'?", (El-Kehf, 65-66).
Ne e dimë se Musai a.s. është i dërguar i Allahut xh.sh. dhe se Allahu i pati folur atij, por, megjithëkëtë, paska qenë një nga robët e Allahut xh.sh. i cili të ketë qenë më i ditur se Musai, dhe Musai, madje. qe urdhëruar që ta takonte atë njeri për të mësuar prej tij.
Allahu xh.sh. me këtë dëshiron të na tërheqë vëmendjen se adhurimi që i bëhet Atij, është shkalla më e lartë dhe këtë na e ka përmendur në suren "El-Kehf", tek tregimi i Musait a.s. dhe Hidrit a.s., ndonëse ky i fundit nuk ishte pejgamber, po ishte një rob që kishte arritur gradë të lartë tek Allahu xh.sh. dhe të cilit i qe dhënë nga Allahu dije, çfarë nuk i qe dhënë as Musait.
Prandaj, fjala e Allahut "... që robin e Vet ..." tek ajeti i Israsë, tregon një nga aspektet kryesore të mrekullisë së Israsë. Me këtë Allahu xh.sh. ka dashur të na tregojë se Israja ka ndodhur me shpirt e me trup dhe se pozita e adhurimit që i bëhet Atij, është pozitë jashtëzakonisht e lartë. Adhurimi i Allahut është nder, kurse të adhurosh njeriun është nënçmim e përulje, sepse zotëria synon t'ia marrë të mirën robit të tij duke e përjashtuar nga të drejtat dhe pasuria e tij, kurse adhurimi i Allahut është dhunti ...
Allahu xh.sh. na tregon po ashtu se kjo pozitë e veçantë që i është dhënë Muhammedit a.s., i është dhënë ngaqë ai është rob adhurues i Allahut xh.sh. dhe kjo, siç thamë, është shkalla më e lartë e nderimit dhe dhunti nga i Madhi Zot.
Nga sa u tha më lart, mund të përfundojmë se është plotësisht e qartë që Israja ka ndodhur me shpirt e me trup dhe që çdo polemikë tjetër rreth mrekullisë së Israsë është e tepërt dhe pa bazë. Këtë e vërteton, sikurse u shpjegua, edhe polemika e atyre që e kundërshtonin atë, kur thoshin se si është e mundur që Pejgamberi a.s. të ketë udhëtuar në një vend brenda një nate, sa kohë që atyre u duhej të udhëtonin me deve një muaj të tërë të njëjtën rrugë. Kjo polemikë, në fakt, nënkupton se Israja ka ndodhur me shpirt e me trup, sepse, në të kundërtën, sikur ajo të kishte ndodhur në gjumë ose vetëm me shpirt, siç pandehnin disa njerëz me iman të dobët, nuk do ta kishin vënë në dyshim thënien e Peigamberit a.s..
Atyre që mundohen të fusin dvshim në këtë muxhize, u themi për herë të fundit se Israja me Pejgamberin a.s. nga Mesxhidi-Harami në Mesxhidi-Aksa, është bërë me fuqinë dhe mundësinë absolute të Allahut të Gjithëfuqishëm, fuqi kjo që është mbi mendjen njerëzore.
U tha po ashtu se Israja ka ndodhur me shpirt e me trup, duke e vërtetuar këtë me fjalën e Allahut xh.sh. "abdihi" - "... që robin e Vet ...", u tha se të adhuruarit e Allahut xh.sh. është një nder i veçantë, një nder i lartë, se ai që e adhuron Atë është më i afërt tek Allahu, e sqaruam po ashtu se Allahu xh.sh. robëve adhurues të Tij të sinqertë u dhuron edhe fshehtësi nga ajo që ka krijuar Ai ...
Autor: Muhamed Muteveli ESH-SHARAVI
Përktheu: Resul REXHEPI dhe Sadik MEHMETI
_________________________
(Pjesë nga libri "Mrekullia e madhe - Israja dhe Miraxhi", e autorit Muhamed Muteveli esh-Sharavi, përkthyer në gjuhën shqipe nga Resul Rexhepi dhe Sadik Mehmeti, botuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 2005)