Si t'i kuptojmë tekstet e paqarta?



Prej cilësive të Allahut të Lartësuar është: "El muhalefetu lil havadithi", dhe argumenti për këtë cilësi, është fjala e Allahut të lartësuar ku thotë: "Asgjë nuk i shembëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha", (Shura-11). [1]

Krijesë quhet çdo gjë përpos Allahut të Lartë, e cilësi e tyre është se ato kanë figura dhe trupa [2] dhe janë të përbëra prej pjesëve, e poashtu kanë kohë të caktuar, hapsirë ku zëjnë vend, e kështu me radhë.

Allahu i Lartësuar nuk u përngjason atyre në asnjë prej këtyre veçorive, e as në veti tjera.

Mirëpo nganjëherë hasim disa tekste, ajete apo hadithe profetike, të cilat nëse i kuptojmë në formën e tyre të jashtme literale (bukfale), do ta përngjasonim Allahun me krjesat, e kjo bie ndesh me parimin bazë, ku Allahu i Lartësuar thotë: "Asgjë nuk i shembëllen Atij", e dihet se kur'ani përputhet njëri me tjetrin dhe nuk ka kontradikta mes vete.

Prej këtyre teskteve, kemi fjalën e Allahut të lartësuar, kur tha: "I frikësohen (melaiket) Zotit të tyre që është mbi ta",(Nahl-50). Ka mundësi 'nësë këtë ajet e kuptojmë në anën e tij të jashtme' që të mendohet se Zoti është sipër, ndërsa melaiket janë poshtë, sikur mbreti që rri sipër pallatit, ndërsa shërbëtorët dhe rojtarët janë poshtë tij. Ky kuptim është i pamundur dhe i parealizueshëm në të drejtën e Allahut, sepse një gjë e tillë është përngjasim me krijesat.

Rast tjetër, kemi edhe fjalën e Allahut të lartësuar, ku thotë: "Dhe kur të vijë Zoti yt dhe engjëjt (qëndrojnë) rradhë-rradhë", (Fexhr-22). Ka mundësi që dikush ta kuptojë se Zoti ishte jashta hapësirave të ditës së kijametit, pastaj erdhi aty, sikur që vie mbreti për dasëm, e një kuptim i tillë është i papranuar në të drejtën e Allahut, sepse konsiderohet përngjasim me krijesat.

Poashtu, edhe fjala e të dërguarit, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ku tha: "Zbret Pronari ynë (zotëruesi-zoti) i Madhëruar çdo natë, në qiellin e kësaj bote, kur mbetet pjesa e tretë e natës, dhe thotë: Kush më lutet mua që unë ti përgjigjëm, kush më kërkon mua që unë ti jap, kush më kërkon falje mua që unë ta fali", (transmeton Buhariu dhe Muslimi). Ka mundësi që ti sillët dikujt vërdallë në mendjë se Allahu i Madhëruar është në një vend, sipër qiellit të dynjasë, pastaj zbret në të (me qenje, nga lartë-poshtë) e ky kuptim gjithashtu nuk i takon Zotit të Lartësuar. [3]

Për këtë, janë pajtuar dijetarët e ehli synetit dhe xhematit, prej gjeneratave të hershme (selefit) dhe të mevonshme (halefit) se, çdo tekst i cili në anën e tij të jashtme le përshtypjen e teshbihut mes zotit dhe krijesave, atëherë obligohet interpretimi (tevili) i tij, dmth: Të shpjegohet me një kuptim qe nuk përmbanë përngjasim (teshbih), sepse kur'ani ka zbritur në gjuhën e pastër arabe, që ngërthen në vehte mënyra të veqanta të të shprehurit dhe interpretimit.

Nganjëherë arabët e përdorin fjalën duke aluduar anën e saj të jashtmë, e kjo është esenca e shprehjeve, mirëpo nganjëherë ata thonë një fjalë duke mos pasur për qëllim literalen, e kjo gjë quhet metaforë apo shprehje artistike. Pra, nëse një shprehje nuk kemi mundësi ta kuptojmë literalisht, jemi të detyruar ta kuptojmë në kuptim figurativ, e kjo quhet interpretim (te'vil). Tekstet që në anën e tyre të dukshmë vrasin mendjen në teshbihizëm, duhet ti komentojmë që të mos vie deri të kontradikta mes tyre dhe fjalës se Allahut të Lartësuar ku tha: "Asgjë nuk i shembëllen Atij".

Dijetarët e synetit kanë disa rregulla të interpretimit:


E para: Medh'hebi i dijetarëve të selefit, [4] të cilët kanë thënë: Ana e jashtme e këtyre ajeteve dhe teksteve nuk është për qëllim dhe Allahu e di të vërteten e tyre. Kështu ata nuk u thelluan në to dhe qështjen e tyre ia lanë autorizim - Allahut të Ditur. Për këtë, medh'hebi i tyre është quajtur "Tefuid", që don të thotë 'sipas tyre' se: Kuptimin e vërtetë thelbësor të këtyre ajeteve, nuk e di askush tjetër përpos Allahut.


E dyta: Medh'hebi i dijetarëve të halefit,të cilët erdhën pas selefit. Ata poashtu thonë se ana literale (e teksteve muteshabih) nuk është për qëllim, mirëpo synohet kjo dhe kjo. Pra ata caktuan një interpretim gjuhsor, i cili nuk përmban përngjasim. Medh'hebi i tyre është emëruar si "medh'heb i te'vilit".

Tash, ajeti ku Allahu i Lartësuar thotë: "I frikësohen(melaiket) Zotit të tyre që është mbi ta", selefi tha: Qëllimi me "lartësinë" e shprehur këtu: "që është mbi ta", Allahu e di qëllimin e saj, ne nuk e dimë.

Ndërsa halefi thanë se lartësia këtu: "që është mbi ta", ka për qëllim përsosmërinë e madhështisë, duke u argumentuar për një gjë të tillë me një ajet tjetër kuranor, në të cilin Allahu na tregon për fjalën që Firaoni u tha bijve të Israilit: "... ne jemi mbi ta dominues", (Araf-127). Këtu është e ditur se firaonët nuk ishin përmbi izraelitët me vend, por figurativisht.

Gjithashtu, kur Allahu i Madhëruar tha: "Mëshiruesi mbi Arshin isteva", (Taha:5), selefi u dekalruan se: Me fjalën isteva "u lartësua" nuk e dimë të vërtetën e saj, dhe realitetin e vërtetë të lartësisë këtu, ia dedikojmë vetëm Allahut të Madhëruar. Halefi në anën tjetër thanë se më fjalën "isteva" këtu është përqëllim lartësia e grades, pushtetit, pasurisë dhe mbretërisë, që don të thotë se Arshi dhe ajo që është nën të, është pushtet i Allahut dhe sundim i tij. Për këtë komentim, ata u bazuan në ajetin tjetër, në të cilin u përmend fjala "isteva" dhe pati po këtë qëllim, ku thotë Allahu: "Mandej (Allahu) isteva në qiell,e ai ishte tym", që dmth: "Ia mësyu krijimin e qiellit", dhe atij edhe tokës i tha: "Qasuni urdhërit Tim me dëshirë ose me dhunë"! Ato të dyja thanë: "Po i qasmi me dëshirë"! (Fusilet-11). Pra, qielli, toka dhe Arshi, të gjitha këto janë mbretëri e Allahut dhe i nënshtrohen Atij.

Selefi dhe halefi e kanë kuptuar me këto shpjegime ajetin, vetëm që të mos mendojë dikush se me fjalën "isteva" është për qëllim ulja apo përkulja, për arsyje se një gjë e tillë është e pamundshme në të drejtën e Allahut, sepse është përngjasim i Tij me krijesat.

Ajetet të cilat nuk bën që të kuptohen në anën e tyre të jashtme quhet ajete të paqarta "muteshabihat". Allahu i lartësuar në lidhje me këto ajete, i drejtohet të dërguarit të tij në kur'an, duke i thënë: "Ai është që ta zbriti ty librin (Kur'anin) e që në të ka ajete të qarta (me kuptim konkret e të hapët sheshazi) dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjera që nuk janë krejtsisht të qarta (muteshabih, të cilat përmbajnë shumë kuptime të thella). E ata, që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti (duke komentuar sipas dëshirës së vet), e kinse kërkojnë komentin e tyre. Po, askush nuk e di domethënien e tyre të saktë, pos All-llahut, dhe dijetarët e pajisur me dituri, thonë: Ne u kemi besuar (Kur'anit dhe ajeteve që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes. Zoti ynë! Mos na i shmang (lako) zemrat tona, pasi që na i ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe epna nga mëshira Juaj, Ti, me të vërtetë je Ai që dhuron shumë!", (Ali Imran-7,8).

Allahu i Madhëruar tregoi se në kur'an ka ajete të qarta (muhkem) dhe të paqarta (muteshabih).

Ajetet e qarta (muhkemi), nuk ka problem që të kuptohen konkretisht në mënyrën e tyre të jashtme, dhe ato janë shumica e kur'anit dhe njëkohësisht konsiderohen themele të fesë.

Të tilla numërojmë sikur fjalën e Allahut të lartësuar ku thotë: "Thuaj: Allahu është Një!",(Ihlas-1), dhe fjalën e Allahut: "Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve",(Isra-23).

Dhe fjalën e Allahut: "Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar ...", (Bekare-188).

Ndërsa ajetet e paqarta (muteshabihu) nuk mund të kuptohen në mënyrën e tyre reale të jashtme, sepse nuk përputhen me ajetet e qarta.

Allahu i Madhëruar në ajetin paraprak, na tregon poashtu se njerëzit përballë ajeteve të paqarta, kanë dy qëndrime.

Sa i përket atyre që zemrat e tyre anojnë kah e shtrembëta (kah teshbihi, texhsimi dhe antropomorfizmi), ata për të shkaktuar huti, nxjerrin prej ajeteve të paqarta kuptime të cilat përputhen me iluzionet dhe shqisat e tyre. Ndërsa besimtarët e sinqertë fillimish interesohen me ajete e qarta, nuk ndjellin dyshime rreth ajeteve të paqarta dhe e lusin Allahun vazhdimisht që ti forcojë zemrat e tyre nga devijimi.

Mirëpo, tani lind pyetja, se dijetarët e thelluar në dije, a kanë mundësi që tua dijnë kuptimet ajeteve të paqarta, kuptime të cilat nuk bien ndesh me atetet e qarta?

Dijetarët këtu ndajnë dy mendime:


Disa prej tyre kanë thënë: Jo ska mundësi, sepse Allahu i Madhëruar për ajetet e paqarta ka thënë: "askush nuk e di domethënien e tyre të saktë, pos All-llahut". Ajeti këtu ka përjashtuar çdo kë tjetër, përpos Allahut, ndërsa pjesa tjetër e ajetit "dhe,dijetarët e pajisur me dituri", është një fjali e pavarur, pra: Emri "dijetarët" është kryefjalë, ndërsa kallëzuesi i saj është pjesa "thonë: Ne i kemi besuar Kur'anit".

Ky shpjegim është medh'heb i selefit dhe i atyre që i kanë pasuar ata, nga halefi.


Dijetarët tjerë kanë deklaruar se: Dijetarët e pajisur me dituri edhe ata e dinë interpretimin e ajeteve të paqarta dhe përputhjen e tyre me ajetet e qarta. Për një gjë të tillë ata u argumentuan me të njëjtin ajet kuranor, dhe thanë se fjala e ajetit "Askush nuk e di domethënien e tyre të saktë, pos All-llahut dhe dijetarët e pajisur me dituri" është e bashkangjitur, që don të thotë se: Allahu dhe dijetarët e pajisur me dituri e dinë komentimin e ajeteve të paqarta. Këtë mendim e kanë pasur disa prej dijetarëve të selefit dhe është medh'heb i shumicës së dijetarëve të halefit.

Për këtë shkak,ata mëpastaj nxorrën komente me të cilat interpretuan ajetet e paqarta (muteshabih). [5]

Kryesorja: Selefi dhe halefi janë pajtuar se Allahu është i lartësuar dhe i pastër nga ngjashmërija me krijesat e Tij.Dallimi i vetëm mes tyre është se selefi e kanë shikuar tenzihun duke bërë "tefuid" dijen e kuptimeve të ajeteve (muteshabihat) - Allahut të lartësuar, ndërsa halefi kanë menduar se tenzihu kërkon shpjegim të këtyre ajeteve me kuptime në të cilat nuk mendohet dhe as supozohet nga dikush përngjasimi (teshbihu).

Ne mund ta marrim medh'hebin e selefit,por mund ta pranojme edhe medh'hebin e halefit. Disa dijetarë kanë thënë se medh'hebi i selefit është me i sigurtë, ndërsa medh'hebi i halefit është me i urtë.

Sigurija në medh'hebin e selefit qëndron në faktin se nëse ti cakton një interpretim të një ajeti të paqartë 'sikur vepruan halefët' ka mundësi që të jetë gabim, sepse një komenti i tillë nuk është i prerë, e një gjë e tillë (sidomos në akide) është përgjegjësi e madhe para Allahut.

Ndërsa urtësija e medh'hebit të halefit është se ai është më i fuqishëm për ti kundërshruar ata që zemrat e tyre anojnë kah teshbihu, kur shkaktojnë fitne duke gjurmuar ajetet e paqarta duke u munduar ti mbrojnë mendime e tyre. [6]

Vlen të përmendet se tekstet e paqarta (muteshabih), nuk janë të paqarta nga çdo aspekt. Ato kanë kuptime të qarta në të cilat nuk ka rreth tyre mospajtim, bile vetë teksti i tyre është përmendur mu për shkak të këtyre kuptimeve të qarta. Po përmendim këtu disa shembuj:

Fjala e Allahut të lartësuar: "Ata që të zotohen ty, në të vërtetë, ata i zotohen All-llahut, dora e All-llahut është mbi duart e tyre",(Fet'h-10). Ky ajet ka zbritur për "Besatimin e Riduanit" i cili ndodhi në luftën e Hudejbijes dhe sqaron se ata që i dhanë besën të dërguarit të Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ata në të vërtetë i kanë dhënë besën Allahut dhe në momentin që vendosën duart e tyre mbi dorën e të dërguarit, ata e vërtetuan besën me Allahun, kështu që le ta mbajnë premtimin e tyre. Për këtë kuptim të ajetit nuk ka mospajtim dhe është qëllimi i parë që përmban vërseti kur'anor. Mirëpo qfarë domëthënje ka fjala "dorë" në fjalën e Allahut: "dora e All-llahut është mbi duart e tyre"?

Selefi kanë thënë: Ne kujdesemi për kuptimin e parë të ajetit dhe nuk thellohemi në kuptimin e shprehjes "dorë", por një gjë të tillë ia lëmë në dije Allahut.

Halefi thanë: Fjala "dorë" ka përqëllim dhuntinë, fuqinë, mbizotërimin dhe dominimin, sikurse që gjuhësisht thuhet: "Filani ka vendosur dorën e tij mbi tokën e filanit".

Të gjithë (selefi dhe halefi) në fund, janë pajtuar se me fjalën "dorë" nuk është për qëllim gjymtyra.

Ata që kanë thënë se Allahu ka dorë sikur duartë tona, duke marrë kuptimin gjuhësor të parë të fjalës, janë grupi i devijuar antropomorfistë (përngjasuesit-mushebihë), dhe ata janë mohues (qafira), sepse kanë përngjasuar Allahun me krijesat e Tij dhe kanë kundërshtuar ajetin e qartë i cili thotë: "Asgjë nuk i shembëllen Atij".

Disa thanë se Zoti ka një cilësi të Tij të quajtur "dorë", e ata janë hambelitë, pasuesit e Ahmed ibën Hanbelit. Ata pajtohen me shumicën e dijetarëve se Zoti nuk ngjason me krijesat e Tij.

Ai i cili verifikon mendimet e jopërngjasuesve, gjen se ato janë të përafërta mes tyre, sepse fjala "jed-dorë" në gjuhë (sipas kuptimit të parë të saj) është pjesa e një trupi apo gjymtyra e njohur e njeriut, e kur ajo përmendet për dikë tjetër, nuk mirret bukfalisht apo ka kuptim metaforik. Pas kësaj, njëjt është të themi: Allahu e di kuptimin e saj, apo të themi: Qëllimi me të është dominimi dhe mbizotërimi (tevil), apo të themi: Allahu ka një cilësi që e ka quajtur dorë, në kuptimin që i takon Atij (tefuid).

Të gjithë dëshirojnë tenzihun (lartësimin e Allahut nga te metat dhe pohimin se Ai është i përsosuri absolut), dhe nuk ka nevojë qe të shkaktohet tani polemikë dhe armiqësi mes muslimanëve, kur ata ballafaqohen me kundërshtarët pabesimtarë.

Obligohemi qe të kapemi pas kuptimit esencial për të cilin ka ardhur edhe vetë teksti dhe të punojmë me të. Kështu, kur i dërguari i Allahut tha: "Zbret Pronari ynë (zotëruesi-zoti) i Madhëruar çdo natë, në qiellin e kësaj bote, kur mbetet pjesa e tretë e natës, dhe thotë: Kush më lutet mua që unë ti përgjigjëm, kush më kërkon mua që unë ti jap, kush më kërkon falje mua që unë ta fali", (mutefekun alejhi), ai me këtë hadith na shtyu dhe stimuloi që të zgjohemi pjesën e tretë në fundin e natës dhe të preokupohemi me lutje dhe kërkim falje, ashtu sikur tha edhe Allahu i Madhëruar: "Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkate", (Dharijat-18).

Proekupimi me kuptimin e "zbritjes" duke anashkaluar shkakun esencial për të cilin është thënë hadithi,dhe shkujdesja ndaj këtyre orëve të bereqetshme, është devijim nga këshilla profetike dhe kërkim i fitneve. Besimtari le të jetë syqelë në ato gjëra që e ofrojnë tek Allahu, e jo në ato gjëra që hapin derën e polemikave pa nevojë.

Nëse dikush është i interesuar qe të gjurmojë më tepër rreth teksteve të paqarta, le tu kthehet librave të hadithit dhe te tefsirit, sepse ato janë të stërmbushura me sqarime rreth tyre. Kryesorja është që muslimani të mos bie në përngjasim (teshbihizëm), pra të mos e ngjasojë Allahun me dicka prej krijesave të Tij, e poashtu të mos bie në "tatil" e ajo është mohimi i cilësive [7] të Allahut të Madhëruar.



Shkëputur nga libri: "Muhtesar el Mufid fi sherhi Xheuhereti Teuhid"
Përktheu: Hoxhë Drilon Ibrahim GASHI



_________________________

[1] - Kjo cilësi don të thotë se Allahu është krejtësisht ndryshë nga krijesat dhe nuk ka ndonjë send që i përngjet Atij, në asnjë aspekt përngjasimi.
[2] - Trupi është çdo send i cili ka gjatësi, gjërësi dhe thellësi dhe që zë vend të caktuar në hapsirë.
Ai i cili i përshkruan zotit të botërave veti të tilla, ai në realitet ka thënë se Zoti është trup, edhe nëse nuk e shprehë fjalën si fjalë, dhe i tilli konsiderohet antropomorfist(muxhesim).
[3] - Nuk bën që hadithi i zbritjes, e poashtu edhe tekstet e tjera muteshabih, të kuptohen në mënyrë literale. Nëse dikush këtë hadith përshembull, e kupton në këtë formë, atëherë qfarë i thuhet një të krishteri i cili beson se qënja Zot ka zbritur në barkun e Merjemes-alehja selam? Nëse lejohet për Zotin që Ai të zbret në qiell, pse nuk lejohet që Ai të zbret në barkun e Merjemës a.s., apo në trupin e Isait a.s., kur dihet fare mirë se edhe qielli edhe toka janë prej krijesave të Tij?!
[4] - Ata janë që kanë jetuar para përfundimit të gjeneratës së tretë sipas kalendarit hënor apo para përfundimit të gjeneratës së pestë sipas hixhrit. Të kësaj periudhe numërohen sahabët, tabeinët, tebi-tabiinët, dijetarët e katër medh'hebeve dhe ulematë e mëdhenj të medh'hebeve të tyre. Ky konstatim është thënë përgjithësisht, pasiqë gjejmë disa nga selefi që kishin bërë interpretime, sikur që gjejmë shumë prej dijetarëve të halefit që kanë vazhduar ta ndjekun rrugën e tefuidit gjithashtu.
[5] - Ata edhepse i komentuan ajete muteshabih, nuk pretenduan se një interpretimi i tillë është domosdo ajo qfarë Allahu pati për qëllim, mirëpo thanë se ne thjeshtë kemi bërë ixhtihad duke u bazuar në kuptimet e gjëra që ngërthejnë shprehjet e gjuhës arabe. Ata thanë se nëse ia kemi qëlluar, do të shpërblehemi, e nëse kemi gabuar, kemi gabuar me ixhtihad, e tek Allahu kthehen të vërtetat absolute.
[6] - Thashë: Disa prej tyre kalojnë jetët e tyre dhe hargjojnë lapsat e tyre duke u proekupuar me ajetet e paqarta, e pastaj shkaktojnë huti në masë të gjërë. Ska dyshim se medh'hebi i tyre është i hapët në teshbihizëm.
Sikur ata ti kishin lënë tekstet ashtu siç i lanë selefi pa tefsirë, askush sdo ti kishte qortuar,mirëpo kuptimi i tyre-sifateve haberije të zotit-në formën literale, është diçka e turpshme. Kur ata(duke u bazuar në shqisat e tyre)pretenduan se me këto cilësi(haberije) është për qëllim kuptimi i parë gjuhësorë-që në realitet është gjymtyra, atëherë dijetarët e halefit u detyruan tiu kundërvyhen atyre duke i komentuar ato, sepse një gjë e tillë kishte hapësirë gjuhësore.
[7] - Kujdes: Disa injorantë antropomorfistë, të cilët si duket prej cilësive haberije nuk kanë kuptuar tjetër përpos gjymtyrët, kur ne mohojmë që Zoti ynë të ketë gjymtyrë apo pjesë trupi, ata na kundërvihen duke na thënë se ne paskemi mohuar cilësitë. Një gjë duhet ditur mirë se,gjymtyrët nuk quhen kurrë cilësi. Ne kemi besuar cilësitë e Zotit, mirëpo kemi mohuar njëkohësisht se ato nuk janë të llojit gjymtyrë.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...