Akidetu Tenzih



Nga mësimet që në mënyrë të domosdoshme janë të vërtetuar nga islami është edhe përshkrimi i Allahut xh.sh.. Me veti të cilat nuk kanë të bëjnë në asnjë mënyrë me veti krijesash. Është ky besimi te cilin ummeti ynë e ndjek që nga fillimi i Islamit deri më sot.

Allahu i Latëmadhëruar në Kur'an thotë: "Asgjë nuk është sikur Ai, Ai dëgjon dhe sheh", "A është i njëjtë Ai që krijon me atë që nuk krijon?", "Dhe Ai nuk ka asnjë rival", "Mos i përshkruani Allahut shok", "I madhëruar qoftë Zoti yt, Zoti i fuqishëm, nga ajo që ata ia përshkruajnë", dhe ajete të ngjashme të cilët tregojnë madhërinë e Allahut xh.sh. e flasin për largësinë e Allahut nga ngjashmëria me krijesat, në vetvete, veti e në vepra dhe kjo ishte akideja-besimi që thellë është thelluar në shpirtin e të gjitha shtresave të shoqërisë si në elitë ashtu edhe në masën e gjërë.

Aq më tepër masat e gjëra i sheh të jenë më tepër të përmbajtur në këtë lëmi se sa disa që e llogarisin veten në radhët e elitës. Prapëseprapë has në njerëz që nuk ruajnë gjuhën nga zhytja në këtë temë pikërisht përpara syve të njerëzve. Kështu mund të ndodhë që disa njerëz të mashtrohen me të pavërtetën ngase ajo del nga gojë që kanë imame e shalla si pirgje të gjata. Për këtë bëhet e domosdoshme, të merret parasysh rreziku që vjen kur i përshkruhet Allahut xh.sh.: lëvizja, dimensioni, fund dimensional, të ulurit, qëndrimi vendor në Arsh, pesha dhe veti tjera, që kanë të bëjnë me krijesat. Lidhur me këtë temë kam shkruar shumë në shënimet e mia që ua kam bërë librave si: "Ihtilaf fi'Lefdhi" të Ibni Kutejbes, "Et-Tebsir fi'd- Din" të Ebu Mudhaffer EI-Esferanit, "EI-Esmau ves'-Sifat " të Bejhekiut, "Sejfu's-Sakil" të Tekiju Subkiut si dhe në libra tjera. Përveç kësaj kam shkruar pamflete të vecanta në këtë temë përgjatë shumë vitesh. Mirëpo, siç duket ato nuk largonjë nevojën për të mos u kthyer në diskutime të këtilla.

Imam Ebu Mensur Abdulkahir EL-Bagdadi, i cili ndërroi jetë në vitin 429 h., Në librin e tij të botuar para disa vitesh me titull "Kitabu Usuli Din" të njohur në mesin e dijetarëve si: "Tebsiretu'l-Bagdadijeh", thotë pasi shënon se njeriu që personifikon Allahun xh.sh. është adhurues idhulli: "Sa u takon Muxhesimëve të Horasanit prej Keramive është obligim dhe e drejtë të shpallen si qafirë për shkak se ata thonë se Allahu xh.sh. ka dimensione dhe fund dimensional prej poshtë dhe se në këtë anë preket me Arshin. Po dhe për arsyen se ata thonë se në qenien e Allahut xh.sh. mund të ndodhin veprime të një pasnjëshme, se një send shihet vetëm përmes të parit të asaj që ndodh në të, kupton atë që e dëgjon pasi të paraqitet në moment të kuptuarit përkatës, kështu që, po të mos paraqitej kjo njohje nuk do të mund të kuptonte atë që dëgjon as atë që e sheh. Me qëndrimin e tyre se në qenien e Allahut xh.sh. mund të paraqiten dukuri të njëpasnjeshme të përsëritura ata hodhën poshtë argumentin e besimtarëve në njëshmërinë e Krijuesit se ajo që dëshmon se trupat fizik janë të krijuar është përsëritja e dukurive të kohëpaskohsme në to. Për këtë, pasi nuk është e mundshme sipas bazave të mësimit të tyre që qenia të jetë e krijuar, nuk u mbetet as dhe ndonjë rrugë përmes së cilës do të mund ta njihnin Krijuesin e qenies, kështu që ata mbeten pa e njohurAtë".

Në librin etij "Esmau ve sifat" Bejhekiu cek: "Esh'ariu dhe shumica e mutekeliminëve thonë se është qafir çdonjëri bidati i të cilit është kufër apo që shpie në kufër, sikur ai që mendon se Zoti i tij ka dukje fytyrë, se ai ka dimensione, ka fund apo se ai lëviz dhe rri palëvizur. Prandaj, për atë që di të mendojë nuk ka ndonjë problem pse shpallen qafirë, Keramitë muxhesirnët e Horosanit për shkak të mendimit të tyre se Allahu është trup fizik me dimension dhe madhësi të caktuar nga poshtë, dhe se Ai puqet me sipërfaqen e Arshit, se në të paraqiten dukuri të njëpasnjëshme, se në të paraqitet të folurit e tij, vullneti si dhe veti fizike e konkrete".

Sa e sa tekste të këtilla gjenden në librin "Shamil" dhe "Irshad" të Imam Haramejnit, "Temhid" të Bakilanit, "Kavasim dhe Avasim" të Ebu Bekër ibën EL-Arabiut, "Def'u Shubehi Teshbiih" të ibën El- Xheuziut dhe në librat e dijetarëve tjerë të mëdhenj, tekstet dhe thëniet e të cilëve i kam cekur në shumë vende në shkrimet e mia që të gjitha janë përpara duarve të lexuesve. Rreziku që vjen nga mendime dhe thënie të tilla është i njëjtë, pavarësisht nga kush del, qoftë nga Keramitë, muteselefinët, selefistët e vetëquajtur, nga shejh Ed-Darimij, shejh El-Haranij, shejh Ez-Zer'ij ose të tjerë. Sepse dalaleti është dalalet kudo që të gjendet.

Në librin "Nakdu Darimij", në faqen 20 gjejmë tekstin e vijueshëm: "El-Hajul Kajjum, i Gjalli i Përhershmi! Ai lëviz kur të dojë, mbledh dorën dhe e shtrin kur të dojë. Ngrihet në këmbë dhe ulet kur të dëshirojë pasi ajo që e dallon të gjallin nga i vdekuri është të lëvizurit, çdo gjë e gjallë domosdo që lëviz dhe çdo gjë e vdekur është e palëvizshme sigurisht". Ky është shënimi i vet Darimiut, tekst shembulli i të cilit shpesh përsëritet në librin e tij.

Po i njëti tekst është i shënuar edhe në librin "Muvafekatul'- Ma'kul li Sahihi'l-Menkul" që ndodhet në skajet e faqeve të librit "Minhaxhu Sunneti" të shejh Haranit me fjalët "lëshohet" në vend të fjalës "zbret", ku autori shpreh pajtimin e vet lidhur me këto mendime dhe jo se u bën demant atyre. Shiko vëll. 2 faqe 13, 26, 30. Kjo nuk është e tëra. Sa e sa marrëzira të këtilla të rrezikshme ndodhen në librin e Darimiut, të cilat më gjerë i kam prezentuar dhe cekur në shkrimet e mia kohë më parë.

Në këtë mënyrë mendon edhe Ibën Kajjim Zer'ijj cili në librin e vet "Gazviti-Xhujush" faq. 20, botim indian, lidhur me librin e cekur dhe një tjetër të Darimiut thotë: "Shejhul Islam Ibën Tejmijjeh r.h. porosiste për këta dy libra shumë shpesh dhe tregonte një respekt të veçantë. Në këta dy libra gjendet vërtetimi i njëshmërisë së Allahut xh.sh. (Teuhidi), i emrave dhe sifateve mbështetur mandej dhe në mësimin fetar (nakl) si në asnjë libër tjetër".

Me këtë bëhet e ditur se dy librat e Darimiut me gjithë marrëzirat që kanë janë të dëshiruar për shejh Haranin dhe Shejh Zer'iun, prandaj dhe futen sikur Darimiu, nën ashpërsinë e gjykimit të prerë të imamëve të kësaj lëmie.



Autor: Shejh Muhammed Zahid El-Keutheri,
Përktheu: Ahmed M. Mehmedi.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...