Bajrami dhe simbolika e tij



Megjithëse i shkurtër në kohë, Bajrami është një pjesë e bekuar kohe që mbart në vetvete begatinë, bereqetin, mirësinë dhe gëzimin e javëve, madje të muajve të tërë.

Bajrami nuk është gëzimi i të lënit pas të muajit të Ramazanit dhe lirisë së të ngrënit e të pirit pa kufi, ai është një lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë.

Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi e sendërtuar në zekat, bamirësi dhe përkrahje.

Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita e një jete të re, e pendesës për gabimet dhe e projekteve të veprave të mira, dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund, është dita kur falen gabimet e të tjerëve, është dita e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Bajrami është solidarizim me masat. Për ata që nuk kanë asnjë mundësi materiale është buzëqeshje, është përkrahje shpirtërore, është lutje e sinqertë për çdokënd.

Bajrami është simbol i paqes, qetësisë shpirtërore, lartësimit të Allahut dhe shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit që është qëllimi final për besimtarin.

Në Bajram ka një përkujdesje tjetër hyjnore, ka një këndvështrim plot surpriza prej përtej qiejve, të tillë që nuk mund të arrihet në dhjetëra ditë apo javë e madje edhe më shumë që nuk janë Bajram.

Ne e dimë që çdo mirësi dhe adhurim merr vlerë në masën e pranimit dhe këndvështrimit që Allahu ka në të, prandaj mund të themi që Bajrami është kohë gëzimi, sepse Allahu kështu e ka kërkuar të jetë, padyshim që ky gëzim do të jetë i lidhur dhe në përpjesëtim të drejtë me vlerësimin dhe njohjen e domethënies së bukurive dhe gëzimit që Bajrami përshpërit ëmbël në shpirtin e besimtarit.

Sigurisht që është e vështirë që të përfitojë prej bukurive shpirtërore dikush që e konsideron Bajramin si kohën e hakmarrjes prej të qëndruarit një muaj pa ngrënë e pa pirë dhe që u rikthehet të gjitha mëkateve që i ka pas braktisur përkohësisht në Ramazan. Por janë ata që ruajnë seriozitetin dhe kujdesin që kanë në Ramazan, ata që sikurse janë larguar prej gjërave të lejuara nga syfyri në Iftar, largohen tashmë nga të ndaluarat në kohët e tjera, të tillët që do të mund të përgëzohen me mirësi të ngjeshura të javëve pse jo dhe të muajve të tërë. Për ta Bajrami është trashëgimtari i denjë i Ramazanit, pra sevapet e premtuara në Ramazan kanë kohën më të përshtatshme për t'u arritur pikërisht në Bajram.

Botëkuptimi dhe pritshmëria jonë prej Bajramit është sihariqi i faljes, Bajram i vërtetë për besimtarin është pastrimi prej mëkateve.

Faktikisht ne akoma nuk e kemi marrë shpërblimin e premtuar për agjërimin e mbajtur, sepse Allahu thotë: "Agjërimi është për Mua, dhe unë e jap shpërblimin e tij", madje është e pamundur të konceptojmë me receptorët tanë lëndorë këndvështrimin dhe trajtimin e posaçëm që Allahu na ka premtuar, por ne i besojmë aq fort premtimit të Tij, saqë duket sikur e ndiejmë aromën e mirësive që Ai ka përgatitur për ne. Për dikë që nuk e njeh botën plot mister të besimit këto mund të duken si fantazi dhe romanca, ndërsa zemrat që kanë provuar ëmbëlsinë e besimit e dinë fare mirë se Allahu që na solli prej hiçit në ekzistencë, që na dhuroi jetën dhe aftësinë ta jetojmë atë, që na krijoi si njerëz dhe jo diçka tjetër, që na vuri në shërbim diellin e hënën, qiellin e tokën e çka mes tyre, që na dha mirësi pa fund e pa u kursyer, padyshim që do të na ringjallë në botën e amshuar për të na falur më shumë, sa të na habisë e të na mrekullojë me surpriza që, bazuar në përshkrimin profetik, nuk kanë mundur të hyjnë as në imagjinatën tonë.

Ne besojmë në madhështinë e Zotit, besojmë që thesarët e pasurisë së Tij nuk mbarojnë, sikurse besojmë që Ai do të na japë shumë e shumë herë më tepër se pritshmëritë tona.

Festa jonë e Bajramit nuk i ngjan festave të kulturave të tjera. Edhe në Bajram qëndrimi i besimtarit reflekton seriozitet me gjithë gëzimin që Bajrami i dhuron, në sjelljet e tij nuk ka tepri, në lëvizjet e tij nuk mungon ekuilibri, ai feston por nuk llastohet, në këndvështrimin e tij pasqyrohet edukata Kuranore.

Sikurse në kohët e tjera edhe në Bajram besimtarët janë të hapur ndaj Urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit, në marrëdhëniet me të tjerët ata karakterizohen nga ndjenja e dhembshurisë, dashurisë dhe respektit.

Bajrami është festë, është simbol i gëzimit, paqes dhe mirësisë. Zoti kështu e ka zgjedhur, prandaj neve na takon ta vlerësojmë.

"E kush madhëron dispozitat (simbolet) e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave", (Kur'an, Haxh: 32).

Le të gëzojmë dhe ta shijojmë me shpirt e me zemër këtë festë të bukur e plot hijeshi!



Autor: Ali Zaimi, (Kancelar i KMSH-së).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...