A është Taklidi një mangësi?



Taklidi ishte i përhapur gjatë epokës sahabiane. Ata sahabë që nuk ishin të aftë për ixhtihad, iu referoheshin atyre që ishin dijetarë. Nga disa qarqe është argumentuar se Taklidi në vete ngërthen një padijeni (ose injorancë) që është kundër besimit të Ehli Sunnetit, andaj duhet pasur respekt për të gjithë sahabët r.a.. Të shoqëruarit e sahabëve r.a. me Taklidin është e barazvlerëshme me të deklaruarit se ata ishin të mangët dhe që këtej të padenjë për t'u pasuar. Të gjithë sahabët e Pejgamberit s.a.v.s. ishin të ditur dhe të gjithë ishin juristë me të drejtën e vet. [1] Kjo kritikë është thjesht emocionale. Të qenit jo jurist e as muxhtehid nuk është një e metë mbi personalitetin e dikujt. Anasjelltas, të qenit jurist ose muxhtehid nuk garanton vlerë tek All-llahu xh.sh..

All-llahu xh.sh. thotë: ... إِنَّ أَكْرَ‌مَكُمْ عِندَ اللَّـهِ أَتْقَاكُمْ ..., - "... e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat) ...", (Kur'an, El-Huxhurat: 13), e nuk thotë pra më i dituri. Personi që i posedon të githa elementet e devotshmërisë (takvasë, pra që ruhet nga të këqijat dhe i zbaton urdhërat e fesë), por i mungon vlera akademike nuk konsiderohet me të meta për këtë arsye. Të gjithë e pranojmë se sahabët r.a. ishin në shkallën më të lartë të takvasë, e cila është veçantia themelore e Islamit. Ata si komunitet ishin komuniteti më i mirë pas pejgamberëve, paqja e Zotit të Madhërishëm qoftë mbi të gjithë këta.

Por, të supozohet se të gjithë sahabët r.a. ishin juristë është krejtësisht shkuarje kundër Kur'anit Fisnik: وَمَا كَانَ الْمُؤْمِنُونَ لِيَنفِرُ‌وا كَافَّةً ۚ فَلَوْلَا نَفَرَ‌ مِن كُلِّ فِرْ‌قَةٍ مِّنْهُمْ طَائِفَةٌ لِّيَتَفَقَّهُوا فِي الدِّينِ وَلِيُنذِرُ‌وا قَوْمَهُمْ إِذَا رَ‌جَعُوا إِلَيْهِمْ لَعَلَّهُمْ يَحْذَرُ‌ونَ , - "Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t'u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehet te ata, në mënyrë që ata të kuptojnë (e të ruhen)", (Kur'an, Et-Teube: 122).

Ky ajet i ka instruktuar sahabët r.a. që një grup nga ta duhet të studiojë, ndërsa të tjerët të shkojnë në luftë (xhihad). Pa dyshim që kjo nënkupton atë se nga ta ishte një grup që do të dinte më shumë se tjetri. Pra, vetë All-llahu xh.sh. ka bërë dallimin në mes dijetarëve dhe jodijetarëve nga mesi i sahabëve r.a.. Ky është ligj i All-llahut xh.sh. dhe duhet kërkuar mbrojtje nga të shoqëruarit e këtij ligji me mangësitë.

Ngjashëm, edhe shpjegimi i ajetit: ... لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنبِطُونَهُ مِنْهُمْ ..., - "... ata nga mesi i tyre që nxjerrin përfundime mund të dinë (dhe të vijnë tek ndonjë konkluzion) ...", (Kur'an, En-Nisa: 83), gjithashtu është shqyrtuar. Edhe këtu Vetë All-llahu xh.sh. ka bërë dallimin në mes atyre sahabëve që mund të nxirrnin përfundime dhe atyre që nuk mundnin. Gjithashtu ja edhe deklarata e Pejgamberit s.a.v.s.: "All-llahu i dhëntë jetë robit, i cili e dëgjon ligjeratën time, e memorizon atë dhe pastaj e transmeton. Ekzistojnë disa njerëz që e mbartin këtë dituri, mirëpo iu mungon të kuptuarit e saj. Dhe ekzistojnë disa të tjerë që e mbartin këtë dituri tek ata që e kuptojnë atë më mirë sesa ata vetë". [2]

Kjo deklaratë i ishte adresuar kryesisht sahabëve r.a.. Dy gjëra janë të qarta nga ky hadith. E para është ajo se mund të ekzistojnë njerëz që transmetojnë hadithe, mirëpo mund të mos jenë ekspertë në të kuptuarit e tyre. E dyta është ajo se mos të kuptuarit e nënkuptimeve të haditheve nuk është mangësi, meqë Pejgamberi s.a.v.s. i bekoi të dyja grupet në duanë e tij (për zgjatje jete). E vërteta është ajo se pati shumë që përfituan nga të shoqëruarit magnetik me Pejgamberin s.a.v.s.. Pati udhëheqës të mëdhenj si Ebu Bekri r.a. dhe Ummeri r.a.. Pastaj pati beduinë të thjeshtë si Akra' ibn Habis r.a. dhe Selman ibn Sahrah r.a.. Beduinët e thjeshtë e përforcuan nderin dhe virtytin e vet përmes të të qenurit sahabë të Pejgamberit s.a.v.s.. Virtytet e tyre janë të tilla, saqë më mijëra dijetarë dhe muxhtehidë të mëdhenj që erdhën pas tyre nuk mund të krahasohen me cilësinë e shkëlqyer të tyre, por që t'i numërosh këta sahabë në radhë të njëjtë akademike me Ebu Bekrin r.a., Ummerin r.a., Aliun r.a., Abdull-llah ibn Mes'udin r.a., etj., është mohim i të qartës dhe të dukshmës.

Shejh Ibn Kajjimi ka shkruar se nga mesi i 124000 sahabëve të Pejgamberit s.a.v.s. faktikisht vetëm 130 sosh kanë regjistruar opinione dhe fetva. [3] Në anë tjetër, të pretendohet se shumica absolute e sahabëve r.a. ndiheshin të paaftë në bazë të asaj që ata përfitonin dituri nga një sahabi tjetër është absurde. Ata ishin njerëz që kurrë nuk i pengonte asgjë në përfitimin e diturisë. Ne tashmë i kemi përmendur disa shembuj, në fakt, ne kemi dëshmi se disa sahabë kanë mësuar edhe nga tabi'inët (pasuesit e sahabëve r.a.). Alkame ibn Kajs Naha'i ishte tabi'in dhe nxënës i Abdull-llah ibn Mes'udit r.a.. Disa sahabë r.a. morrën dituri nga Alkamja. [4] Në mesin e dijetarëve për një periudhë kohore ka qenë i pranuar fakti që sahabët e kishin praktikuar Takilidin. [5]



Autor: Meulana Mufti Teki Usmani
Përktheu: Daim Abazi



_________________________

[1] - Tahriki Azadi Fikr nga Meulana Selfi, f. 133-135.
[2] - Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, Darimiu nga Zejd ibn Thabiti r.a. (Mishkat, Vol. 1, f. 35).
[3] - I'lamul-Muki'in nga Ibn Kajjimi, Vol. 1, f. 9.
[4] - Tedhkiretul-Huffaz nga Dhehebiu dhe Hiljetul-Evlija nga Ebu Nu'ajmi.
[5] - Qëllimi i këti pasazhi ishte thjesht për të theksuar se në mesin e sahabëve r.a. pati dijetarë dhe jodijetarë. Kadi Isa ibn Ebban ka konstatuar se nëse një opinion i një sahabiu konsiderohet të jetë kundër procesit ligjor të analogjisë, atëherë duhet hequr dorë nga opinioni i sahabiut. Kjo deklaratë është refuzuar me furi nga dijetarët që erdhën pas tij. Detajet e kësaj maksime nuk mund të sqarohen në këtë trajtesë.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...