Vendosmëria në iman - 'el-istikametu' (Shpjegim akaidologjik i hadithit të Pejgamberit a.s.)
عَنْ سُفْيَانَ بْنِ عَبْدِ اللَّهِ الثَّقَفِيِّ قَالَ قُلْتُ يَا رَسُولَ اللَّهِ قُلْ لِي فِي الْإِسْلَامِ قَوْلًا لَا أَسْأَلُ عَنْهُ أَحَدًا بَعْدَكَ وَ فِي حَدِيثِ أَبِي أُسَامَةَ غَيْرَكَ قَالَ قُلْ آمَنْتُ بِاللَّهِ فَاسْتَقِمْ - Transmeton Sufjan bin Abdullah Eth-Thekafij, i cili thotë: I kam thënë Pejgamberit a.s.: "O i Dërguari i Allahut, më thuaj diçka për fenë Islame (që do të më mjaftojë), dhe që pas kësaj të mos kem nevojë ta pyes askënd tjetër për këtë". (Pejgamberi a.s.) m'u përgjigj: "Thuaj: kam besuar në Allahun, dhe qëndro vendosmërisht në atë"! (Hadithi është i vërtetë - sahih).
1. Komentimi i Hadithit
Pa dyshim, kjo thënie e Pejgamberit a.s. përmban në vete një menquri të thellë dhe një urtësi shumë domethënëse. Dijetari i famshëm Kadi Ijad r.h. (v. 544 h./1149 m.), për hadithin në fjalë thotë se është prej atyre haditheve të Pejgamberit a.s. që shprehen me pak fjalë, por që kanë domethënie të madhe (من جوامع كلمه). Në të vërtetë, përmbajtja e hadithit, e reflekton gjithë përmbajtjen e besimit islam dhe të fesë Islame në përgjithësi. Sepse, pjesa e parë e hadithit: "Thuaj: kam besuar në Allahun ...", përfaqëson aspektin teorik të fesë, pra imanin dhe të gjitha konditat e tij. Ndërsa, pjesa e dytë: "... dhe qëndro vendosmërisht në atë", përfaqëson aspektin praktik të fesë, respektivisht zbatimin e obligimeve fetare, e të cilat vërtetojnë se i njëjti e ka shijuar ëmbëlsinë e vërtetë të besimit - imanit.
Kjo domethënë, se hadithi, ndonëse me fjalë fare të shkurtëra, e përmbledhë frymën e vërtetë të fesë Islame, e që konvergjon plotësisht me kërkesën paraprake të sahabiut (Sufjan bin Abdullah Eth-Thekafij), që pas përgjigjes që do t'i japë Pejgamberi a.s. "... të mos ketë nevojë ta pyesë askënd tjetër për këtë". Me një fjalë, Pejgamberi a.s. sikur po i thotë atij: "zbatoje fenë Islame në tërësi!". Ky mesazh i Pejgamberit a.s., i konvertuar në shprehje lakonike, njihet me emërtimin "el-istikametu" - vendosmëria në iman, e që është referim për muslimanin ideal.
2. 'Vendosmëria në iman' (el-istikametu) dhe 'imani'
Nocioni 'vendosmëri' do të thotë "të qenët i vendosur, i palëkundur, i prerë, aftësia për të marrë vendime në kohën e duhur e për t'i zbatuar ato ...". Në gjuhën arabe rreth vendosmërisë ka disa shprehje, siç janë: azmun (عزم), hasmun (حسم), hazmun (حزم), tasmimun (تصميم), sarametun (صرامة), etj., e që të gjitha e kanë kuptimin e "vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe vendimit të prerë". Por, hadithi i Pejgamberit a.s., i cituar më lartë, ka saktësur fjalën 'el-istikametu' (الإستقامة), e cila, si term fetar, me meritë ka fituar simbolikën e "vendosmërisë në iman dhe të qëndrueshmërisë së vërtetë në frymën e tij".
Prandaj, kur përmendet 'el-istikametu', me të synohet sinqeriteti në besim (iman) dhe vendosmëria në të, duke treguar devotshmëri të vërtetë për zbatimin e detyrimeve fetare islame në përgjithësi dhe në përpikëri. Si e tillë, është pikëreferim për secilin musliman, që dëshiron të jetojë sipas asaj që Allahu e ka bërë ligj për njeriun.
3. "Vendosmëria në iman", akt i obligueshëm
Çështja e besimit në Allahun Krijues, Një i Vetëm, dhe çështja e besimit në pejgamberinë e Muhamedit a.s. në gjithë atë që e ka lajmëruar nga Allahu, nuk janë çështje vullneti e as dëshire, por janë obligim për secilin njeri në sipërfaqen e tokës. Ata, të cilët akoma nuk kanë hyrë në fenë Islame, e kanë obligim jetësor, të pashmangshëm që këtë ta bëjnë sa më parë që është e mundur, e ata që kanë hyrë në fenë Islame dhe në besimin islam, duhet të shfaqin vendosmëri në atë, në të gjitha aspektet. Këtë, duhet konsideruar si një detyrë të obligueshme, të domosdoshme dhe të pashmangshme.
Vendosmëria e vërtetë në iman, faktikisht është vendosmëria dhe vazhdimësia e palëkundur në fenë Islame si tërësi. Sepse, imani, është akti themelor i muslimanit dhe dritarja e vetme që shpie drejt fetarizmit dhe zbatimit të obligimeve islame, të cilat Allahu i ka bërë obligim për njerëzit. Duke shprehur vendosmëri të prerë dhe të plotë në iman, arrihet gatishmëria për jetësimin e sistemit islam, si besim dhe ligj, në jetën e përditshme. Kjo është edhe porosia e hadithit të Pejgamberit a.s..
Ngase, imani, si një akt që besaton zemrën e njeriut me Krijuesin e vet, kur perceptohet vendosmërish nga ana e njeriut, lëshon efekte të jashtëzakonshme në pjesën e vetëdishme të tij. Nëpërmjet tij, njeriu e ngadhnjen vetveten dhe i sfidon të gjitha dobësitë dhe veset e liga që ka. Në qenien e tij, komandant i vërtetë është imani dhe jo vetvetja e tij si njeri me lakmi dhe ego. Po ashtu, dëshirat e tij, janë varësi e miratimit të imanit. Njësoj, janë edhe fjalët e tij, veprat dhe çdo sjellje tjetër në përgjithësi. Imani nuk e lë njeriut të gabojë me qëllim, e as të devijojë nga e vërteta. Ai është një dritë, që e ndriçon shpirtin e njeriut dhe e impresionon për veprimet më të mira të mundshme, gjithnjë brenda kornizave të hallallit dhe haramit.
Prandaj, hadithi në mënyrë autoritative koncentrohet në rëndësinë e imanit, duke lënë të kuptohet se përjetimi i vërtetë i tij, është e tëra ajo që i nevojitet besimtarit. Por, nuk është vetëm ky hadith, që i kushton rëndësi vendosmërisë në iman, përkundrazi janë shumë të tillë nga Kur'ani dhe Sunneti. Në citatin kur'anor në vijim, Allahu i Lartësuar, në mënyrë urdhërore i drejtohet Muhamedit a.s. duke i thënë: فَاسْتَقِمْ كَمَا أُمِرْتَ - "Ti (Muhammed) përqëndrohu vendosmërisht ashtu si je i urdhëruar ...", (Hud, 112). Ky është një urdhër që i është drejtuar Muhamedit a.s., po edhe mbarë ymmetit të tij, që të jenë të vendosur e të qëndrueshëm saktësisht dhe në mënyrë precize sikurse janë urdhëruar prej Zotit. Sipas këtij urdhëri kuptohet se nuk guxon të tejkalohet asnjë dispozitë e Allahut, qoftë obligim adhurimi, qoftë lejim ose ndalim (hallall - haram) ndaj çështjeve e sendeve. Madje sipas këtij urdhëri, kuptohet se nuk guxon as të anohet kah zullumqarët dhe veprat e tyre, e lëre më të veprohet siç veprojnë ata.
Ky ajet, marrë për bazë rëndësinë e tij, është cilësuar prej ajeteve më të vështira të Kur'anit. Komentatori i njohur i Kur'anit famëlartë, Ibni Abbasi r.a. (v. 68 h./687 m.) në lidhje me këtë ajet ka thënë: "Nuk ka zbritur ajet prej tërë Kur'anit më i rëndë dhe më i vështirë se sa ky ajet". Kur sahabët i kishin bërë pyetje Pejgamberit a.s., se herët të janë paraqitur thinjat në flokë, i Dërguari i Allahut, duke aluduar në ajetin në fjalë, ishte përgjigjur: شَيَّبَتْنِي هُودٌ وَ أَخَوَاتُهَا - "Më ka thinjur kaptina Hud dhe simotrat e saj".
4. "Vendosmëria në iman" dhe heqja e dyshimeve
Hadithi, të cilin jemi duke e shpjeguar, bart një mesazh të fort për vendosmërinë në iman edhe nga aspekti i intonacionit të shprehjes dhe mënyrës së artikulimit. Thënia e Pejgamberit a.s. në imperativ: "Thuaj: kam besuar në Allahun ...", është e prerë dhe decidive. Vazhdimi i tij, duke thënë: "dhe qëndro vendosmërisht në atë" dëfton drejtpërdrejt heqjen e dyshimeve në iman. Sepse, kur heqen dyshimet mbetet e pastër vendosmëria, dhe se pikërisht dyshimi është prej atyre shkaqeve që e pamundësojnë arritjen e vendosmërisë së vërtetë.
Mirëpo, shtrohet pyetja, çka konsiderohet dyshim në iman? Dyshimi në raport me imanin nënkupton kontestimin e një parimi të besimit islam, pozita e të cilit është e vërtetuar me argument të prerë nga bazat e fesë (Kur'ani dhe Sunneti). P.sh.: pjesë e dyshimit janë pohimet e muslimanëve si: feja na ka lënë mbrapa, namazi është për fiskulturë, agjërimi është për dietë, pastaj për haxhin thonë se është mëkat të shkohet në Qabe e të hargjohen gjithë ato të holla, në vend se me to të investohet ndonjë bamirësi (hajrat) në popull, Kur'ani është i arabëve, alkooli nuk është i ndaluar, por vetëm nëse teprohet, mbulesa e femrës është primitivizëm dhe gjepura të tjera, që përgjithësisht, parimet islame i deklarojnë si diçka të huaj, jo të nevojshme, jo konstruktive dhe jo obligative.
Të gjitha këto paragjykime, në fakt reflektojnë ekzistimin e dyshimeve për realitetin e besimit islam, sepse nuk janë të bazuar as në fakte e as në logjikë. Fatkeqësisht, këto janë disa prej pohimeve paradoksale që qarkullojnë në bisedat e muslimanëve. Por, ky manifestim, ndodhë te ata besimtar, të cilët përkatësinë e tyre si musliman, e kanë fituar nga aspekti i imitimit (taklidit) dhe traditës dhe jo nga aspekti i arritjes së besimit islam nëpërmjet formës së leximit dhe gjykimit (istidlalen). Ata, duke mos e njohur besimin islam, çështjet e besimit i vënë nën diapazonin e dëshirave dhe interpretimeve të lira personale. Vetëdija e tyre besimore, ashtu edhe e dobët, është e mbërthyer në dilema dhe dyshime ndaj besimit islam si tërësi. Kjo gjendje, shkakton vdekjen e imanit dhe paralizimin e efekteve të tij. Si pasojë e kësaj, te besimtari i këtillë, nuk duket asnjë simptomë e fetarizmit. Ai është fare i pandikuar nga efektet e identitetit islam.
Si kundër kësaj, muslimani, në momentin që e deklaron besimin e tij në Allahun Krijues, e në përshtatje të plotë me parimet e besimit islam, duhet të ndihet i qetë dhe të mos e përziejë besimin me asnjë lloj të dyshimeve. Sepse, dyshimi në iman, jo vetëm që e pengon arritjen e vendosmërisë në atë, por në rastin më të rëndë, e bën të pamundur ekzistimin e tij. Domethënë, edhe imani edhe dyshimi nuk mund të qëndrojnë bashkërisht, ngase, 'imani' është emër, që identifikon besimin e plotë në Allahun e Lartësuar (et-tasdik), besim ky, që e arrinë bindjen e prerë në besueshmëri. Ndërsa, dyshimi (esh-shek-ku) është e kundërta, dhe si cilësi paraqet "ndnjenjën e pasigurisë a mosbesimit për dikë a për diçka". Nëse imani shoqërohet me dyshim, atij i thuhet "iman i dyshimt" apo thënë ndryshe "jo krejt i qartë, që nuk dihet me siguri nëse është i vërtetë a i saktë, pra i pasigurt". Kjo gjendje nuk lejohet për besimtarin.
5. "Vendosmëria në iman" me vetëdije
Vendosmëria në iman, për të qenë efikase dhe stabile në qenien e njeriut, pa tjetër duhet të aprovohet nga arsyeja, gjegjësisht nga vetëdija e njeriut. Vetëm nëpërmjet saj, mund të bëhet fjalë për një vendosmëri reale, të konkluduar dhe jo teknike. Ngase, 'njeriu mendon me pjesën e vetëdishme të mendjes së vete, dhe se vetëdija është pjesa e mendjes që mendon'. Ajo, ruan sovranitetin e vlerësimit të informatave, që njeriu i arrinë nëpërmjet burimeve të njohjes, sikurse janë: dëgjimi, shikimi, prekja, nuhatja dhe shijimi. Nëpërmjet tyre, njeriu vepron veprime të vetëdishme dhe të llogaritshme.
Marrë për bazë këtë rol të vetëdijes, ajo ndikon në orientimin e bindjeve të njeriut dhe si rrjedhojë edhe të veprimeve të tij të vetëdishme. Prandaj, nga ky aspekt, është më se e nevojshme që vendosmëria në iman, të arrihet edhe nga aspekti i arsyes. Madje, hadithi i Pejgamberit a.s.: "Thuaj: kam besuar në Allahun, dhe qëndro vendosmërisht në atë!", pos tjerash i drejtohet edhe vetëdijës së njeriut, sepse zbatimi i hadithit obligon veprim të vetëdishëm dhe nuk mund të realizohet pa rolin e vetëdijës.
Për më shumë, në shumë vende në Kur'an, Allahu i është drejtuar arsyes së njeriut, që ta dijë se Allahu është një i vetëm. I Lartësuari thotë: فَاعْلَمْ أَنَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ - "Atëherë, dije se nuk ka zot tjetër pos Allahut ...", (Muhamed, 19).
Kur vetëdija e njeriut e percepton vendosmërinë në iman, atëherë ajo do të frymojë në këtë drejtim dhe do të gjenerojë kapacitete pozitive në dobi të veprimeve të njeriut. Në vijim, le të sjellim një shembull, që dëshmon rolin e vetëdijës për vendosmërinë e prerë në iman.
Në ditët e para të zbritjes së Kur'anit, muslimanët kishin përjetuar tortura të rënda. Kundrejt kësaj, ata nuk luhateshin për asnjë moment nga besimi. Mirëpo, për shkak të represionit që ushtrohej mbi ta, një pjesë e tyre u detyruan të shpërnguleshin nga vendlindja në Abisini (Etiopi). Në takimin e parë me ta, mbreti i Abisinisë, Nexhashiu, i pyeti se për ç'arsye kishin emigruar. Atij iu përgjigj djali i axhës së Pejgamberit a.s., Xhafer bin Ebi Talibi, i cili duke shpjeguar shkakun e emigrimit të tyre, e justifikoi vendosmërinë në iman me këto fjalë: "O sundimtar, ne i takonim një populli, i cili jetonte në injorancë dhe në lajthitje. Adhuronim idhuj, hanim mishin e kafshëve të ngordhura, bënim gjëra të ndaluara, i shqetësonim fqinjët, më i fuqishme prej nesh e shtypte më të dobëtin. Ja, kështu jetonim, gjersa Allahu xh.sh. nuk na dërgoi Pejgamberin a.s.. Ai është nga populli ynë dhe e dimë brezin dhe origjinën. E dimë se është i sinqertë, besnik dhe i drejtë. Ai na ftoi që t'i besojmë vetëm një Zoti dhe që vetëm Atij t'i nënshtrohemi. Na mësoi që të braktisim besëtytninë që e manifestonim, ne dhe etërit tanë, besimin në shumë idhuj dhe në kumire. Na udhëzoi të flasim vetëm të vërtetën, të jemi njerëz besnikë dhe ta mbajmë fjalën, t'i respektojmë dhe t'i vizitojmë të afërmit tanë, të sillemi mirë me fqinjët. Na urdhëroi që t'i ndërprejmë veprat e këqia, të mos gënjejmë, mos të shpenzojmë pasurinë e bonjakut, që të mos bëjmë shpifje dhe mos t'i përgojojmë gratë e ndershme. Na urdhëroi që t'i bindemi vetëm Allahut, Një të vetmi, që të mos bëjmë shirk - mos t'i përshkruajmë Atij tjetër zot".
Pra, ky është një shembull ideal, që paraqet vendosmërinë në iman, si shkak i pjekurisë së vetëdijës. Xhafer bin Ebi Talibi dhe të tjerët që ishin me të, përse e dinin se Islami është mirëqenie për njeriun dhe ndriçim për njerëzimin mbarë, nuk pranuan që ta braktisin atë, pa marrë parasysh mundimet dhe vuajtjet.
6. "Vendosmëria në iman" me zemër
Zemra është vendi që ruan bindjet origjinale të njeriut. Aty nuk mund të depërtojë askush, përpos Allahut, i cili i di të fshehtat dhe të haptat. Njeriu mund të pohojë diçka, e të ruajë diçka tjetër në zemër. Prandaj, qëndrimi i njeriut te Allahu, vlerësohet sipas asaj që e thotë zemra, e jo që e thotë gjuha. Si e tillë ka vend të pazëvendësueshëm në qenien e njeriut. Gjersa Pejgamberi a.s., suksesin dhe dështimin e njeriut, apo respektimin e hallallit dhe haramit, e ka ndërlidhur me zemrën: أَلَا وَإِنَّ فِي الْجَسَدِ مُضْغَةً إِذَا صَلَحَتْ صَلَحَ الْجَسَدُ كُلُّهُ وَإِذَا فَسَدَتْ فَسَدَ الْجَسَدُ كُلُّهُ أَلَا وَهِيَ الْقَلْبُ - "... Në trupin e njeriut është një copë mishi, kur ajo përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi, e kur ajo prishet, prishet i tërë trupi, ajo është zemra".
Muslimani nuk konsiderohet musliman, gjersa imanin nuk e beson me zemër. Allahu i Lartësuar ia ka mohuar besimin atyre që deklaronin me gojë se kanë besuar, por që në zemrat e tyre e ruanin mosbesimin. Allahu i Lartësuar i drejtohet Pejgamberit a.s., që tipave të këtillë t'ia bëjë të qartë se ende nuk e kanë arritur besimin e vërtetë: قُل لَّمْ تُؤْمِنُوا وَلَكِن قُولُوا أَسْلَمْنَا وَلَمَّا يَدْخُلِ الْإِيمَانُ فِي قُلُوبِكُمْ - "... Thuaj: Ju nuk keni besuar ende, por thuani: ne jemi dorëzuar, e ende nuk po u hyn besimi në zemrat tuaja". (El-Huxhurat:14).
Prandaj, vendosmëria në iman nga aspekti i zemrës është çështja më e rëndësishme për muslimanin. Madje, vendi i imanit është zemra. Meritat e njeriut për besim, i përkasin zemrës, njësoj si edhe përgjegjësia për mosbesim. Prej saj, merrë rrezatim i tërë trupi. Zemra e ndriçuar me iman, e pulson tërë trupin e njeriut me iman. Sepse gjaku që ushqen çdo qelizë të njeriut, doemos kalon nëpër zemrën e tillë.
Mirëpo, meqë vendimet e zemrës varen shumë nga informatat që i servon arsyeja e njeriut, pastaj se porta e informatave është e hapur, është shumë me rëndësi, edhe koncentrimi i besimtarit në verifikimin e besueshmërisë së informatave. Nuk guxon që çfarëdo informacioni ta thyejë zemrën e besimtarit apo ta luhatë atë. Besimtari njëherë e përgjithmonë duhet ta lidhë zemrën e tij me Allahun. Zatën edhe imani është akdun - lidhje, që aludon lidhjen e bindjes për Allahun e Lartësuar. Imanin e tij në zemër, duhet ta përforcojë me argumente nga Kur'ani dhe Sunneti i Pejgamberit a.s., sepse ato janë argument mbi argumentet dhe dituri mbi dituritë. Në raste të veçanta, nëse besimtari nuk posedon përgatitjet e duhura profesionale për t'i refuzuar kundërshtimet ndaj imanit dhe fesë islame, ai duhet t'i qëndrojë lidhur maksimës së imanit dhe argumenteve të Kur'anit, pa lëvizur asnjë milimetër nga qëndrimi besimor.
Krahas kësaj, ai duhet të bëjë dua te Allahu, që zemrën e tij t'ia forcojë në iman, sepse zemra e njeriut, për shkak të specifikave të saj dhe të vetë njeriut, jo gjithmonë ndalet në një pikë. Në të qarkullojnë mendime të ndryshme, të favorshme për imanin dhe që e lajthitin atë. Kjo, në shumë raste ndodhë pa dëshirën e njeriut. Mbase, një gjë e tillë, është normale të ndodhë, por në këtë rast, është obligim që besimtari të mos i dorëzohet këtyre mendimeve të gabuara, dhe nëpërmjet forcës aktive të imanit dhe vendosmërisë së tij në të, të mbizotërojë çdo ikje të palejueshme të saj, e që është kontradiktore me imanin. Këtë gjendje të vendosmërisë së muslimanit, Pejgamberi a.s. e ka quajtur si "iman të pastër".
Sipas transmetimit të Ebu Hurejres (v. 59/677), një grup nga sahabët kanë shkuar te Pejgamberi a.s. dhe i kanë thënë kështu: جَاءَ نَاسٌ مِنْ أَصْحَابِ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَسَأَلُوهُ إِنَّا نَجِدُ فِي أَنْفُسِنَا مَا يَتَعَاظَمُ أَحَدُنَا أَنْ يَتَكَلَّمَ بِهِ قَالَ وَقَدْ وَجَدْتُمُوهُ قَالُوا نَعَمْ قَالَ ذَاكَ صَرِيحُ الْإِيمَانِ - "Në vetvete ndiejmë gjëra të tilla që secili prej nesh e sheh për të madhe edhe t'i thotë: (I Dërguari i Zotit) Tha: "Me të vërtetë keni ndjerë një gjë të tillë?" Po. (Pejgamberi a.s.) Tha: "Kjo është çiltërsia e imanit / besimit".
Edhe nga ibni Abbasi (v. 68/687), përafërsisht transmetohet diç e ngjashme: جَاءَ رَجُلٌ إِلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَقَالَ يَا رَسُولَ اللَّهِ إِنِّي أُحَدِّثُ نَفْسِي بِالشَّيْءِ لَأَنْ أَخِرَّ مِنْ السَّمَاءِ أَحَبُّ إِلَيَّ مِنْ أَنْ أَتَكَلَّمَ بِهِ قَالَ فَقَالَ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ اللَّهُ أَكْبَرُ اللَّهُ أَكْبَرُ اللَّهُ أَكْبَرُ الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي رَدَّ كَيَدَهُ إِلَى الْوَسْوَسَةِ - "Një njeri ka ardhë te Pejgamberit s.a.v.s. dhe ka thënë: Në vetveten time flas për një gjë, por më me dëshirë do të hudhesha nga qielli se sa ta them publikisht atë: Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Allahu Ekber (Allahu është më i madh) Allahu Ekber (Allahu është më i madh) Allahu Ekber (Allahu është më i madh). Falënderimi i takon Allahut, i Cili, intrigat e shejtanit ndaj robit, i ka shndërruar në drojtje/vesvese!".
Pra, megjithëse sahabëve u kishte vërtitur mendja për gjëra jo të lejueshme (الخاطرالباطل) rreth besimit, megjithatë, ishte imani stabil në zemrat e tyre, që mbizotëroi çdo mendim të gabuar, duke e refuzuar atë dhe duke u distancuar nga ai, pa e kërkuar fare argumentimin e tyre dhe as ndonjë vështrim për mohimin e tyre (بالإعراض عنها و الرد لها من غير إستدلال و لا نظر في إبطالها). Bile, nga madhështia e besimit, ata turpëroheshin që këto intrigime, t'i bënin publike para Pejgamberit a.s., e të cilat përgjithësisht kanë interferuar përmbajtje të shirkut (politeizmit) dhe kufrit (mosbesimit). Nga ky aspekt, është thënia e Ebu Bekrit në lidhje me "vendosmërinë në iman" (el-istikametu), ku thotë: "Vendosmëria në iman (el-istikametu) nënkupton, që Allahut të mos i bësh rivalitet asgjë". (أن لا تشرك بالله شيئا). Në fakt, istikameti nuk mjaftohet vetëm me besim, sepse, realisht konfirmimi i tij realizohet me përmbushjen e obligimeve fetare, por kjo thënie e tij aludon në rëndësinë e jashtëzakonshme që ka të besuarit e muslimanit në mënyrë të drejtë në Njëshmërinë e Allahut dhe vendosmëria në atë.
Prandaj, për shkak të specifikës së zemrës dhe rëndësisë që ka ajo në të besuarit e vërtetë dhe të drejtë, Pejgamberi a.s. duan (lutjen) më të shpeshtë që e ka bërë te Allahu xh.sh., ka qenë:
يَا مُقَلِّبَ الْقُلُوبِ ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ - "O Ti që i rrotullon zemrat e njerëzve, përforco zemrën time në fenë Tënde". Këtë lutje muslimani duhet ta bëjë sa më shpeshë që është e mundur.
7. "Vendosmëria në iman" me vepër
Vendosmëria në iman me vepër është pjesa përmbyllëse e procesit të vendosmërisë së vërtetë në iman. Ndjenja për veprime të vetëdishme, kalon nëpër tri shkallë: burimeve të informacionit (shqisave), përpunimit të vetëdijes dhe miratimit të zemrës. Domethënë, shqisat ndikojnë në formësimin e vetëdijës së njeriut. Konkludimet e vetëdijës si mekanizëm i përpunimit të informatave nga shqisat, ndikojnë në formësimin e bindjes së njeriut në zemër. Ndërsa bindja e njeriut dhe miratimi i saj, ndikon në impulsimin e veprimeve të vetëdishme dhe seketimin e tyre. Ky proces ka mbështetje në shumë citate të Kur'anit famëlartë. Ajeti në vijim e argumenton atë që dëshirojmë ta themi: إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ آَمَنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ ثُمَّ لَمْ يَرْتَابُوا وَجَاهَدُوا بِأَمْوَالِهِمْ وَأَنْفُسِهِمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ أُولَئِكَ هُمُ الصَّادِقُونَ - "Besimtarët janë vetëm ata që i besuan Allahut, të Dërguarit të Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hirë të Allahut luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetit", (El-Huxhurat, 15).
Ky ajet, parimisht e brumos në një tërësi të pandarë: rolin e vetëdijës, rolin e zemrës dhe aktin e veprës, si një proces i kompletimit të imanit dhe vendosmërisë së vërtetë në atë. Allahu ka dëshmuar se besimtar të vërtetë janë ata: që me vetëdije besuan, që me zemër nuk dyshuan dhe që këtë e vërtetuan me vepër, pra duke luftuar në rrugën e Allahut të Lartësuar.
Sakaq, vendosmëria në iman nga aspekti i veprës, konsiderohet vërtetimi praktik i ekzistencës së imanit te besimtari. Sepse, imani si një akt i zemrës, mund të deklarohet fare lehtë, por verifikimi i tij në realitetin jetësor bëhet vetëm duke zbatuar obligimet dhe detyrimet fetare. Pikërisht në këtë aludon pjesa e dytë e hadithit të Pejgamberit a.s.: "... dhe qëndro vendosmërisht në atë!", domethënë, vërtetoje besimin duke përmbushur të gjitha detyrat dhe obligimet që dalin nga të pranuarit e besimit.
Këto detyra dhe obligime, janë arbitër që tërheqin paralelen ndërmjet muslimanit të sinqertë në iman dhe atij jo të sinqertë. Muslimani, që i zbaton detyrimet fetare, si falënderim ndaj Allahut, ka konfirmuar gatishmërinë për ta arritur shkallën më të lartë të devotshmërisë - 'vendosmërinë në iman' (el-istikametu). Ndërsa, ai i cili nuk i zbaton detyrimet fetare, i ka vënë vetvetes një pengesë të fortë për ta kalitur shpirtin e tij drejt devotshmërisë, respektivish vendosmërisë në iman. Në këtë aspekt, vetë vepra është dëshmitarja e vërtetë, që ravijëzon vendosmërinë e vërtetë të muslimanit në besim.
8. Shenjat e "vendosmërisë në iman"
Kur imani zë vend në zemrën e njeriut, lëshon efekte të drejpërdrejta në vetëdijën e njeriut, në shprehitë e tij dhe në veprat e tij në përgjithësi. Si rezultat i tij, tërë qenia e muslimanit reflekton pajtueshmëri të plotë me frymën që e dikton imani. Shenjat që e vërtetojnë këtë, janë të qarta dhe konkrete. Prej shenjave që konfirmojnë vendosmërinë e vërtetë në iman, ndër shumë të tjera, janë edhe këto:
1). Të punuarit me Kur'an dhe Sunnet. Burim i udhëzimit të njeriut, është Kur'ani dhe Sunneti i Pejgamberit a.s. Prej vetive të vendosmërisë në të vërtetën, është respektimi i tyre në tërësi dhe me përpikëri. Nuk duhet bërë selektim në përmbajtjen e tyre, ngase çdo udhëzim i tyre është udhëzim i Allahut, e për udhëzimin e Allahut nuk mund të thuhet se ky është i mirë dhe ky nuk është i mirë. Muslimani që punon me Kur'an dhe Sunnet, është modeli më i mirë i njeriut të përsosur. Sepse ata përmbajnë metodat më të mira të edukimit të njeriut dhe udhëzimit të tij në jetën e përditshme. Në ta burojnë të gjitha normat e moralit, mirësjelljes dhe respektit për të tjerët. Ata i mundësojnë muslimanit që ta kuptojë rolin e vetvetes dhe qëllimin e krijimit të tij; që ta njohë Allahun për Krijues dhe që vetëm Atë ta adhurojë. Muslimani me edukatë të Kur'anit dhe Sunnetit, është person i vendosur, me zemër të pastër, i dëlirë nga sëmundjet e zemrës, larg dyshimeve, i qëndrueshëm përballë sfidave të jetës dhe sprovave të saj, i pandikuar nga egoja dhe tendenca e dëshirës (epshit), i lumtur gjithmonë, i hareshëm me të gjithë, mirënjohës ndaj njerëzve, falënderues ndaj mirësive të Allahut, i vëmendshëm për dhuntinë e jetës dhe sprovën e vdekjes, urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja, askujt nuk ia dëshiron të keqen, atë që e dëshiron për vetveten e dëshiron edhe për vëllaun e tij, dhe mbi të gjitha është adhurues i devotshëm ndaj Allahut, duke respektuar urdhëresat dhe ndalesat e Tij.
2). Të përmendurit e shpeshtë të Allahut xh.sh.. Prej tipareve të vendosmërisë në iman, është edhe përmendja e shpeshtë e Allahut të Lartësuar. Muslimani e do Allahun dhe Pejgamberin e Tij, më shumë se vetveten e vet, se prindërit, se fëmijët, se bashkëshorten, më shumë se njerëzit në përgjithësi. Kënaqësinë më të madhe e ka kur është në përmendje të Allahut dhe në adhurim ndaj Tij. Gjithmonë në mendje dhe zemrën e tij, qëndron hija e përkujtimit të Allahut. Çdo gjymtyrë e tij, e pëshpëritë emrin e Allahut. Ai, nuk ka përgëzues më të dashur se sa përmendjen e Allahut të Lartësuar, njësoj sikurse nuk ka ngëshllues më të afërt veç Atij.
Të përmendurit e vazhdueshëm Allahun, tregon se muslimani në çdo moment i referohet porosive të Allahut, duke e lidhur për Të çdo sukses dhe ndihmë. Me tërë qenien e vet, i mbështetet të Lartësuarit, dhe se përmendja e emrit të Tij, ia forcon shpirtin, i jep kurajo për jetë, e mbanë të fortë në besim dhe e bën të pamposhtur ndaj kundërshtarëve të fesë së Allahut dhe armiqve të saj. Në këtë kontekst, kur Allahu i lartësuar, e dërgoi pejgamberin Musa a.s. dhe Harun a.s. te Faraoni, i pati porositur duke u thënë: اذْهَبْ أَنْتَ وَأَخُوكَ بِآَيَاتِي وَلَا تَنِيَا فِي ذِكْرِي - "Shko me argumentet e Mia, ti dhe vëllai yt, e mos e hiqni prej kujdesit të përmendurit ndaj Meje", (Ta ha, 42). Kjo porosi e Allahut, udhëzon se përmendja e vashdueshme e Madhërisë së Tij, është shkak, në radhë të parë: për vendosmëri të prerë në besim, dhe së dyti: për mos devijim nga e vërteta, pa marrë parasysh se kush është në pyetje, Faraoni apo ndonjë 'Faraon' tjetër i kohës me influencë të madhe në shoqëri.
Të përmendurit e Allahut, bëhet duke thënë shpesh fjalët: "la ilahe il-lall-llah - Muhamedun Resulull-llah", 'Subhanall-llah', 'El-hamdulil-lah', 'All-llahu Ekber', etj.. Këto fjalë, e qetësojnë njeriun dhe e mbrojnë atë prej intrigave të shejtanit, për të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë se qarkullon nëpër trupin e njeriut ashtu si qarkullon gjaku (إِنَّ الشَّيْطَانَ يَجْرِي مِنْ الْإِنْسَانِ مَجْرَى الدَّمِ).
3). Largimi nga veprat e këqia dhe shpeshtimi i veprave të mira. Qëllimi i eukatës fetare islame është që njeriu të marrë rol konstruktiv në shoqëri e assesi destruktiv. Largimi nga veprat e liga, që janë të dëmshme për njeriun dhe shoqërinë njerëzore në përgjithësi, është prej karakteristikave të vendosmërisë në iman. Muslimani i devotshëm është një yll në shoqëri. Atij nuk i përket e keqja, e dëmshmja dhe e shëmtuara. Gjithçka që bën, e bën për hirë të Allahut dhe për kënaqësinë e Tij. Vepra e keqe është kundër parimeve të fesë dhe kundër kënaqësisë së Allahut. Prandaj ai largohet prej saj.
Si kundër kësaj, muslimani me besim të vërtetë, është sinonim i të mirës, të dobishmes dhe të bukurës. Vetja e tij, është e rëndësishme për mbarë shoqërinë. Përveç zbatimit të farzeve (obligimeve të detyrueshme), ai për hirë të Allahut bën edhe vepra vullnetare (nafile), gjithnjë duke synuar kënaqësinë e Allahut dhe dashurinë e Tij. Ai është i dashuri i Allahut. Atij, Allahu gjithmonë i ndihmon. Në lidhje me këtë, në një hadith 'kudsij', Allahu i Lartësuar ka thënë: وَمَا تَقَرَّبَ إِلَيَّ عَبْدِي بِشَيْءٍ أَحَبَّ إِلَيَّ مِمَّا افْتَرَضْتُ عَلَيْهِ وَمَا يَزَالُ عَبْدِي يَتَقَرَّبُ إِلَيَّ بِالنَّوَافِلِ حَتَّى أُحِبَّهُ فَإِذَا أَحْبَبْتُهُ كُنْتُ سَمْعَهُ الَّذِي يَسْمَعُ بِهِ وَبَصَرَهُ الَّذِي يُبْصِرُ بِهِ وَيَدَهُ الَّتِي يَبْطِشُ بِهَا وَرِجْلَهُ الَّتِي يَمْشِي بِهَا وَإِنْ سَأَلَنِي لَأُعْطِيَنَّهُ وَلَئِنْ اسْتَعَاذَنِي لَأُعِيذَنَّهُ - "... Nuk mund të afrohet robi im tek Unë me diç më të dashur për Mua se sa me gjërat që e kam obliguar (farzet). Robi Im vazhdon që të afrohet tek Unë me ibadete nafile (vullnetare) derisa të dua atë. E kur e dua, do të jem të dëgjuarit e tij që dëgjon me të, të pamurit e tij që sheh me të, dora e tij me të cilën punon dhe këmba e tij me të cilën ec. Nëse ai kërkon prej Meje diç, do t'i përgjigjem, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbrojë atë". E, ai që i ka këto karakteristika, në të dëgjuarit e tij, në të pamurit e tij, në syrin e tij, dhe në këmbët e tij, padyshim se është prej njerëzve më vepërmirë në shoqëri, ndërsa larg të këqiave dhe mëkateve.
4). Drejtimi i duas (lutjes) Allahut të Lartësuar. Prej vetive të vendosmërisë në iman është edhe lutja Allahut për të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Muslimani që i lutet Allahut, ka shprehur nënshtrimin ndaj Tij dhe adhurimin e Tij. Prej Allahut duhet të kërkojmë faljen e mëkateve tona, e jo prej dikujt tjetër. Allahu ka thënë: "... pra drejtonju Atij dhe kërkoni falje prej Tij ...", (Fussilet, 6).
Lutja Allahut është veti e me të dashurve të Allahut. Me lutje, Allahut i janë drejtuar pejgamberët, evlijatë dhe njerëzit më të devotshëm të Tij. Në Kur'anin famëlartë kemi mjaft shembuj të këtillë, se si besimtari i vërtetë, më me dëshirë e pranon vuajtjen apo vdekjen se sa të bëjë atë që e ka ndaluar Allahu.
Prej ketyre shembujve të ndritur është lutja e Jusufit a.s., kur gratë kërkuan amoralitet prej tij. Ai i drejtohet Krijuesit me këto fjalë: قَالَ رَبِّ السِّجْنُ أَحَبُّ إِلَيَّ مِمَّا يَدْعُونَنِي إِلَيْهِ - "O Zoti im, burgu është më i dëshiruar për mua, se sa atë që ma ofrojnë ato mua ...", (Jusuf, 33). Po ashtu është rasti i vendosmërisë së gruas së Faraonit, Asijes (Allahu qoftë i kënaqur me të). Ajo ishte besimtare e vendosur. Si shkak i besimit të saj të vërtetë, burri i saj, Faraoni, e malltretonte mizorisht. Por ajo, përkundër dënimeve të ashpëra që i përjetonte, asnjëherë nuk u lëkund në besim dhe, duke e dëshiruar vdekjen, vazhdimisht i lutej Allahut me këto fjalë: إِذْ قَالَتْ رَبِّ ابْنِ لِي عِنْدَكَ بَيْتًا فِي الْجَنَّةِ وَنَجِّنِي مِنْ فِرْعَوْنَ وَعَمَلِهِ وَنَجِّنِي مِنَ الْقَوْمِ الظَّالِمِينَ - "... Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës Sate në Xhennet dhe më shpëto prej Faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!" , (Et-Tahrim, 11).
5). Thirrja në fenë e Allahut. Pa dyshim, thirrja në fenë e Allahut, reflekton vendosmërinë në iman. Thirrja e njerëzve për në fenë islame, është mision i pejgamberëve, e pejgamberët janë njerëzit më të vendosur të Allahut në besim. Si e tillë, është një dëshmi se muslimani e dashuron imanin dhe këtë mirësi ia dëshiron të gjithë njerëzve.
Thirrësi në rrugën e Allahut, duhet që në radhë të parë të jetë vetë i vendosur dhe i devotshëm në të vërtetën. Sepse, shembëlltyra e mirë e muslimanit është elementi më i rëndësishëm për thirrësin. Domethënë, se thirrja është veti e njerëzve të vendosur në të vërtetën. Mbase kjo është edhe krenaria e tyre dhe nderi i madh për muslimanin. Ky është misioni më fisnik, të cilin Allahu e ka mbivlerësuar mbi çdo detyrë tjetër. Ai thotë: وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلًا مِمَّنْ دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحًا وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ - "E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Alahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: Unë jam prej muslimanëve", (Fussilet, 33).
Allahu ia ka parashtruar këtë pyetje mbarë njerëzimit. Por kësaj i përgjigjen vetëm të dashurit e Tij, e ata janë të vendosurit në iman, të vendosurit në të vërtetën.
9. "Vendosmëria në iman" vepër e shpërblyer me xhennet
Pa dyshim, vendosmëria në iman (el-istikametu) është akti më fisnik dhe më i dashur te Allahu. Sepse ajo përmban dy komponentet kryesore: besimin e sinqertë dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve fetare, e që këto përbëjnë muslimanin ideal.
Allahu ka dëshmuar se, shpërblimi ndaj të dashurve të Tij, është edhe në këtë botë, po edhe në botën tjetër. Allahu thotë: فَآَتَاهُمُ اللَّهُ ثَوَابَ الدُّنْيَا وَحُسْنَ ثَوَابِ الْآَخِرَةِ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ - "Ndaj, Allahu ua dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të botës tjetër. Allahu i do punëmirët", (Ali Imran, 148).
Shpërblimi në këtë botë vjen në forma të ndryshme, prej nga njeriu nuk e kupton e as nuk e pret. Ai, ndonjëherë vjen në formë të ndihmës, vullnetit për në rrugën e Allahut, furnizimit (rrizkut), kënaqësisë, lumturisë, durimit, shëndetit, familjes, fëmijve, etj.. Por, ndonjëherë vjen edhe në formë të largimit të brengave, shpëtimit nga fatkeqësitë, sukseseve të njëpasnjëshme, rrugëdaljes në momentet më të vështira, vdekjes me iman dhe të qetë, etj..
Ndërsa, shpërblimi në botën tjetër, është shpërblimi në xhennetet e Tij, që është shpërblimi më madhështori, i rezervuar për robërit e Allahut të sinqertë. Madhështia e këtij shpërblimi, është e paperceptueshem për njeriun në këtë botë, sepse Pejgamberi a.s. për të mirat e xhennetit ka thënë: "ato janë që syri nuk i ka pa, veshi nuk ka dëgjuar për to, dhe që zemra nuk i ka kujtuar asnjëherë". Ky shpërblim është premtim i Allahut, e premtimi i Allahut nuk thyhet. I Lartësuari thotë:
إِنَّ الَّذِينَ قَالُوا رَبُّنَا اللَّهُ ثُمَّ اسْتَقَامُوا فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ أُولَئِكَ أَصْحَابُ الْجَنَّةِ خَالِدِينَ فِيهَا جَزَاءً بِمَا كَانُوا يَعْمَلُونَ - "Ata që thanë: Allahu është Zoti ynë, dhe qëndruan besnikërisht, për ta nuk ka frikë dhe ata nuk do të pikëllohen. Të tillët janë banues të xhennetit, aty janë përgjithmonë, atë e kanë shpërblim për veprat që i bënë", (El-Ahkaf, 13-14), dhe ajeti tjetër: إِنَّ الَّذِينَ قَالُوا رَبُّنَا اللَّهُ ثُمَّ اسْتَقَامُوا تَتَنَزَّلُ عَلَيْهِمُ الْمَلَائِكَةُ أَلَّا تَخَافُوا وَلَا تَحْزَنُوا وَأَبْشِرُوا بِالْجَنَّةِ الَّتِي كُنْتُمْ تُوعَدُونَ - "E, s'ka dyshim se ata që thanë: Allahu është Zoti ynë, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej", (Fussilet, 30).
Autor: Mr. Orhan Bislimaj