Vështrim rreth njohurive të Imam Ebu Hanifes në shkencën e hadithit



1. Njëherë iu parashtrua një pyetje Imam Ebu Hanifes, gjersa ishte i ulur në prani të mësuesit të tij, Imam A'meshit, i cili ishte ekspert në Kiraet dhe Hadith. Pasi Ebu Hanife iu përgjigj pyetjes që iu parashtrua, mësuesi i tij kërkoi nga ai që t'i sillte argumente për përgjigjen. Për ta argumentuar përgjigjen e tij, Imam Ebu Hanife filloi të citojë hadithe, të cilat i kishte dëgjuar nga vetë Imam A'meshi, me zinxhirin e plotë të transmetuesve deri tek Pejgamberi s.a.v.s.. Kur ai e përfundoi hadithin e gjashtë, Imam A'meshi e ndaloi dhe i tha: "Kjo është e mjaftueshme, ti më ke transmetuar për një kohë të shkurtër atë që të kam transmetuar unë ty për një kohë prej njëqind ditëve. Nuk e prisja që ti do t'i zbatoje të gjitha ato hadithe".

يا معشر الفقهاء ! أنتم الأطباء ونحن الصيادلة - "O fukaha (juristë)! Ju jeni mjekët ndërsa ne (transmetuesit e hadithit) jemi ilaçi". (Me këtë nënkuptoi që transmetuesit e haditheve vetëm i transmetojnë ato, ashtu siç farmacistët japin ilaçet, por fukahatë tregojnë për zbatimin e këtyre haditheve ashtu siç mjekët përshkruan medikamentin e duhur për sëmundjen përkatëse).

Më pastaj Imam A'amash iu drejtuar Imam Ebu Hanifes duke i thënë: وأنت أيها الرجل أخذت بكلا الطرفين - "Por ti i ke arritur të dy drejtimet (ti je edhe muhadith edhe fekih; ti transmeton hadithe dhe po ashtu shpjegon përdorimin korrekt të tyre)". [1]

2. Imam Ahmed bin Hambeli është pyetur: "A mund të quhet një njeri fekih (jurist) nëse ai i ka njëqind mijë hadithe në memorin e tij"? Ai iu përgjigj: "Jo". Njeriu e pyeti: "E çka nëse i ka rreth dyqind mijë"? Ai, sërish, iu përgjigj negativisht. Ai e pyeti përsëri: "E treqind mijë"? Imam Ahmedi iu përgjigj, sërish, negativisht: "E çka nëse i ka rreth katërqind mijë", pyeti përsëri? Imam Ahmedi bëri me gjest me dorën e tij, duke nënkuptuar që mbase ky person mund të jetë kompetent për të qenë jurist dhe muxhtehid, që mund të lëshojë fetva për njerëzit. [2]

Një rast i ngjashëm ndodhi me Jahja ibn Meinin. Ai, po ashtu, u përgjigj negativisht, derisa pyetësi pyeti rreth mbajtjes mend së pesëqind mijë haditheve. Pas kësaj ai tha: "Shpresoj që një person i tillë mund të jetë i kualifikuar (kompetent)". [3]

Nga Imam Ahmedi, po ashtu, është transmetuar pesëqind mijë. [4]

Nëse e shikojmë madhështinë e Imam Ebu Hanifes dhe kalibrin e tij, shohim se ai është një fakt i padiskutueshëm, se ai ishte njëri ndër fukahatë (juristët) më të mëdhenj. Muhadithi dhe fakihu i madh Sufjan Theuri në lidhje me atë ka thënë: أفقه أهل الأرض - "Ebu Hanife është juristi më i madh në sipërfaqen e tokës". [5]

Abdullah bin Mubaraku thotë: أفقه الناس أبو حنيفة ، ما رأيت في الفقه مثله - "Ebu Hanife është juristi më i madh. Unë nuk kam parë ndonjë si ai në fikh (jurisprudencë)". [6] Imam Shafiu thotë: الناس عيال في الفقه على أبي حنيفة - "Çdo person është i varur nga Ebu Hanife në fikh (jurisprudencë)". [7]

Kështu, nëse memorizimi i pesëqind mijë haditheve është minimumi i kërkuar për t'u konsideruar si fekih (jurist), atëherë ju mund të imagjinoni sa hadithe duhet të ketë ditur Imam Ebu Hanife për të marrë një gradë kaq të lartë në mesin e juristëve, dhe për t'u quajtur "Juristi më i madh".

Hafiz Ebu Jahja Zekerija Nejsaburi në librin e tij "Kitab Manakibu Abi Hanifah" citon këtë thënie të Imam Ebu Hanifes: عندي صناديق من الحديث ، ما أخرجت منها إلا اليسير الذي ينتفع به - "Unë kam shumë sëndukë të mbushur me hadithe. Sidoqoftë unë kam transmetuar vetëm një pjesë të vogël të saj nga të cilat njerëzit mund të përfitojnë me lehtësi prej tyre". [8]

3. Mis'ar bin Kidem ishte një muhadith dhe bashkëkohës i Imam Ebu Hanifes. Ai posedonte aq njohuri në fushën e Hadithit sa që imamët të mëdhenj si Shu'beja dhe Sufjan Theuriu (që të dytë ishin të njohur si Emirul-Mu'minine fi'l-hadith - Udhëheqës të besimtarëve në shkencën e hadithit) i referoheshin atij kur nuk dakordoheshin në lidhje me ndonjë çështje të hadithit. Ata i drejtoheshin njëri tjetrit duke thënë: "Le të shkojmë sipas mizanit (kriterit) të Mis'ar bin Kidemit". [9] Ai njëherë pat thënë: طلبت مع أبي حنيفة الحديث فغلبنا ، وأخذنا في الزهد فبرع علينا ، وطلبنا معه الفقه فجاء منه ما ترون - "Së bashku me Ebu Hanifen kemi kërkuar - studiuar hadithin, por ai na tejkaloi, garuam me të në devotshmëri dhe jetë askete, por edhe këtu ishte para nesh, e së bashku me të kërkuam - studiuam fikhun, dhe ai arriti në këtë shkencë atë që po e shihni". [10]

Është e ditur se prej vlerësimeve më të mira është komplimenti i bashkëkohësit, sepse zakonisht rivaliteti ekziston në mes të bashkëkohësve. Për më tepër, në këtë rast bashkëkohësi nuk është ndonjë person i zakonshëm. Përkundrazi, ai është ekspert në fushën e hadithit.

Këtë qëndrim e përforcojnë edhe më shumë thëniet e Mekki bin Ibrahim dhe të Jezid bin Harun) ku janë shprehur: أحفظ أهل زمانه - "Ebu Hanife ishte hafidhi më i madh i hadithit në kohën e tij". [11]

4. Siç ishte zakon i përhapur në mesin e ndriçuesve të mëdhenj të kaluarës ku ata kanë kontribuar në fushën e Hadithit me hartimin e haditheve të të Dërguarit s.a.v.s. në formë të librit, në mënyrë të ngjashme edhe Imam Ebu Hanife vazhdoi në këto gjurmë duke kompiluar: "Kitab-ul-Atharin" e tij. Megjithatë, tipar unik i këtij libri është se ai është hartuar në një format sistematik, duke përcjellë rendin tematik të Fikhut, sistem ky që më vonë është përdorur përgjithësisht nga fukahatë dhe muhadithinët e mëvonshëm. Për më tepër, ai mbulonte çdo kapitull që dikush mund të gjente në librat e fikhut.

Nga ana tjetër, përmbledhjet para Imam Ebu Hanifes nuk ishin sistematike, por thjesht përmbanin hadithe të ndryshme pa ndonjë temë ose kapitull të caktuar. Në mënyrë të ngjashme, ka pasur edhe përmbledhje të tjera që kanë pasur një rend deri në një farë mase, por kanë përfshirë vetëm disa tema. Kështu që hartimi më i vjetër sistematik i haditheve sahih që është gjetur është "Kitab-ul-Athar" i Imam Ebu Hanifes. [12] Ai i zgjodhi ato hadithe aty nga një koleksion prej dyzetmijë haditheve. [13]

Përpos "Kitab El-Athar'it", gjenden edhe pesëmbëdhjetë përmbledhje që përmbajnë hadithe (të transmetuara) nga Imam Ebu Hanife. [14]

Mulla 'Alij Al-Karij shkruan: "Shejhët (mësuesit) e Imam Ebu Hanifes arrijnë numrin prej katër mijë". [15]



Përktheu: Fatih IBRAHIMI
Burimi i përkthimit: http://alhaadi.org.za/articles/taqleed/1174-a-glimpse-of-imaam-abu-haneefahs-rahmatullahi-alayh-expertise-in-the-science-of-hadeeth.html



_________________________

[1] - Menakibul-Imamil-A'dham - 'Alij El-Karij, with Al-Jawaahirul Mudeeah, vol.2, fq.484.
[2] - I'lamul-Muwakki'iin vol.1, fq.36.
[3] - Al-Jaami'u li Akhlaaqir Raawi wa Aadaabis Saami', fq.345.
[4] - Al-Musawwadah, Atharul-hadithi'sh-sharif, fq.175.
[5] - Qawa'id fi'ulumil-hadith, fq.310.
[6] - Tahdhibut-Tahdhib, vol.10, fq.450
[7] - Ibid. vol.10, fq.450.
[8] - Al-Imam Ibnu Maxheh wa Kitabuhu As-Sunan, fq.54.
[9] - Al-Imam Ibnu Maxheh wa Kitabuhu As-Sunan, fq.50.
[10] - Manakibu Abi Hanifah - Zahabee, fq.27.
[11] - Ibnu Maxheh 'Ilm Hadith, fq.166.
[12] - Ibn Maxheh, 'Ilm Hadith, fq.159.
[13] - Ibid, fq.164.
[14] - Sharhu Musnadi Abi Hanifah - 'Alij Al-Karij, fq.7.
[15] - Ibid, fq.8.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...