Babizmi dhe Behaizmi [1]
1). Babizmi
Formimi i babizmit
Ndonëse babizmi dhe behaizmi nuk kanë ndonjë interes të veçantë për viset tona, megjithatë, epoka e informimit global, epoka e internetit, por edhe lëvizshmëria e madhe e njerëzve, mallërave dhe informatave i ka bërë këto dy sekte të afërta edhe për interesin tonë shkencor dhe praktik. Për këtë arsye, shtrohet domosdoshmëria t'i njohim shkurtimisht që t'i vlerësojmë më drejtë.
Babizmi është me prejardhje shiite, që rrjedh nga sekti shejhizëm, [2] dhe shpreh idetë e reformacionit aristokratik, i cili u lind në mesin e varfanjakëve dhe fshatarëve të Iranit në fund të shekullit XIX. [3]
Fjalori i Ri Katolik babizmin e përkufizon si "emër i sektit ose i sistemit religjioz, politik dhe social të formuar në Shiraz, Persi në vitin 1844 nga Mirza Ali Muhammed, i cili mori nofkën Babu'd-din (dera e fesë). Ky është muhamedanizëm panteistik i cili është zhvilluar nga domethëniet e sigurta të islamit, i ngjyrosur me gnosticizëm, budizëm dhe judaizëm. Ai ka inkurajuar monogaminë dhe abstenimin nga alkoholi dhe ka ndaluar asketizmin, lypsërinë dhe konkubizmin". [4]
Fjalorët modern Babizmin e përkufizojnë si "doktrinë e sektit modern religjioz panteistik në Persi, të cilin e formoi, rreth vitit 1844, Mirza Mohammed Ibn Rabhik (1820-1850). Ai mori titullin Babu'd-din (Dera e fesë). Ata janë përzierje e elementeve muhamedaniste, kristianiste, judaiste dhe persiane ...". [5]
Themelues i babizmit është Sejjid Ali Muhammed Esh-Shirazi (1820-1852). [6] Babai i tij, Mirza Riza ishte tregtar, por vdiq qysh në fëmijërinë e tij. Mbikqyrjen e mori daja i tij. Në moshën 6 vjeçare ai e dërgoi Ali Muhammedin në shkollën e njërit prej nxënësve të Kadhim Rushtit në Shiraz. [7] Pas një kohe e lëshoi shkollën dhe vazhdoi të merret me tregti, së pari në bashkëpunmim me dajën e më vonë i pavarur. Në moshën 17 vjeçare iu kthye mësimit të veprave sufiste, spiritualiste dhe veprave tjera batinite. [8] Në moshën 22 vjeçare u martua dhe nga kjo martesë kishte një djal me emrin Ahmed, i cili vdiq qysh në foshnjëri. [9] Krahas tregtisë mësonte dituritë e ndryshme. Bëri edhe ca udhëtime nëpër qytete e qendra të ndryshme dhe pastaj u kthye në ligjëratat e Kadhimit. Mirëpo, shumë nxënës të pranishëm reaguan duke i vlerësuar fjalët e Ali Muhammedit si renegatje. [10]
Më 23 mars 1844, Esh-Shirazi, në moshën e tij 25 vjeçare, shpalli se është përfaqësues i predikuesit (bab) të imamit të pritur: [11] "E kam parë kokën e Husejnit - kokën e shehidit më të zgjedhur - të varur për një dru se si prej tij rrjedh gjakë me bollëk. Iu afrova drurit ... e kapa me dorë gjakun e tij dhe ... Kur u zgjova ndjeva se shpirti i Zotit është në mua dhe se plotësisht ka dominuar trupin tim. Zemra ime u gëzua me praninë e Zotit në mua ...". Nuk vonoi dhe ky sekt erdhi në konflikt me duodecimalizmin zyrtar në Iran. Sunduesit iranian ishin të vendosur që ky sekt të pengohet në zhvillimin e tij. Meqë Ali Muhammed ishte i luhatshëm, e nën presionin politik, ai publikisht hoqi dorë nga mësimet e tij dhe u pendua në një xhami të Shirazit. Mirëpo, pas një kohe, nën ndikimin dhe rekomandimin e disa shokëve të tij, ai sërish u vu në krye të babizmit. [12]
Doktrina e babizmit
Babi la literaturë të shumtë. Mirëpo, vepra e tij kryesore është Bejan, e cila në versionin arabisht dhe persisht ofron esencën e doktrinës.
Përkundër sqarimeve të shumta, nuk është e qartë a e ka konsideruar vetveten vetëm bab të imamit të dymbëdhjetë, si komentues i vetëm i autorizuar i mendimit të tij apo edhe mehdi apo meqë cikli pejgamberik ka përfunduar me Muhammedin a.s., ky do ta fillojë ciklin e ri pejgamberik. [13]
Në doktrinën e babizmit ka shumë ide interne ekstreme shiite dhe sufiste, por edhe eksterne ekstreme kristiane, judaiste, zaratustriste dhe fetë tjera. [14] Sipas tij, Zoti është i pakognitueshëm në thelbin e vet, është krijues i botës dhe materies të cilat janë të paracaktuara për shkatërrim dhe vdekje. Sipas tij, ligji që ia ka sjell Babi njerëzimit i ka abroguar disa mësime të Muhammedit a.s., janë abroguar namazet përveç të xhenazes, u hoqën rregullat e detyrueshme të pastrimit, por pastrimin e rekomanduan, ndërruan kalendarin në 19 muaj dhe 19 ditë në muaj, etj.. [15]
Doktrina e Babizmit ishte para së gjithash me karakter eskatologjik dhe predikonte se do të lajmërohet personi "nëpërmjet të cilit Zoti do të manifestohet", cilësi këtë të cilën më vonë e përvetësoi behaisti Sejid Husein Ali Nuri. [16]
Shtëpia e babit dhe vendet në të cilat ai ishte ngujuar janë shndërruar në vende të shenjta për pelegrinim. U ruajtë dënimi ndaj alkoholit, kurse dënimet përgjithësisht u zbutën krahasuar me islamin. [17]
Ndër angazhimet e shumta doktrinare të babizmit ishte shformimi i familjes, ndaj edhe nën ndikimin e Zirin Taxh, [18] proklamuan ndryshime të shumta. Ajo deklaroi se e veja duhet të gjejë burrë të ri pas 95 ditëve. Zgjatja e këtyre ditëve sipas tyre është shkelje e 'fesë së re'. Burri mund të mbajë zi pr gruan 90 ditë, e pas kësaj dite duhet të gjejë grua për veti.
Fëmija femër duhet të martohet në vitin 1 11. Nëse burri nuk pajtohet me gruan mund të divorcohen 19 herë. [19]
Babistët si kolaboracionist të kolonialistëve
Perëndimi e konsideronte lëvizjes babiste si revolucionare, kurse liderët i saj heronj. Edhe Gold Ziheri e lavdëron Ali Muhammedin - Bab-in si heroj. Rusia cariste jo vetëm që i simpatizonte babistët, por edhe i ndihmonte me bollëk me para dhe armë. Qeveria ruse, nëpërmjet njeriut të saj me emrin isa, vuri kontakt me babistët. Ky fliste persisht, ecte me xhube dhe ahmedije dhe shtirej si musliman i madh. Madje e fitoi edhe simpatinë e shahut. Me një rast, kur Ali Muhammedi ishte në rrezik të kapej dhe të ekzekutohej, atë e fshehi në shtëpi të tij një tjetër njeri i Rusisë cariste, me emrin Menoxher Han. Rusia madje përdori edhe autoritetin e konzullatit rus për ta shpëtuar atë, por nuk pati sukses dhe Ali Muhammedi u ekzekutua. [20]
Përhapja dhe shtrirja
Përndjekjet u intensifikuan sidomos pas vitit 1848, kur babistët në Horasan më 1848 mbajtën kongresin ku u shpall ndarja nga islami dhe abrogimi i të drejtës së sheriatit [21] filluan përndjekjet dhe ekzekutimet e shumta. [22] Sejid Ali Muhamed me pasuesit e tij u ndoqën, u burgosën dhe pas gjashtë vjet burgu, në korrik të vitit 1850, në Tabriz, vetë Babi u dënua me pushkatim. [23] Simpatizuesit e tij u larguan, burgosën, e disa u pushktanuan dhe u dogjen. Shtrirja e tyre ishte sidomos në Iran, Irak dhe Turqi. [24] Aktualisht, sipas Enciklopedisë së Orientit, babistë sot ka në Uzbekistan dhe numri i tyre është tejet i vogël. [25]
2). Behaizmi
Formimi i behaizmit
Behaizmi është degë e lëvizjes babiste persiane. Bab-i (dera, me ndikim nga imamizmi shi'it, i cili është lideri i zgjedhur nga Zoti), i cili vdiq më 1850, mëson se ai është zëvendësim për Muhammedin dhe shpall fenë e re. Mirëpo, pas vdekjes së tij, çështja e trashëgimtarit të tij rezultoi me paraqitjen e behaizmit, njërin nga nxënësit e tij është i njohur deri në vitin 1850, me emrin Mirza Husejn Ali Nuri, respektivisht me nofkën Beha'ullah (1817-1892), i cili sipas tyre është trashëgimtar direkt i Muhammedit a.s.. [26] Babai i tij ishte nëpunës, kurse ky u edukua në Teheran me vëllezërit e vet. Shoqërohej me sufitë dhe ndiqte babistët. Meqë ky tentoi të bëjë atentat ndaj Nasirudin Shahut më 1852, u burgos, por me intervenimin e qeverisë ruse, ai u lirua dhe u internua në Irak. [27]
Pas daljes nga burgu, në kontakt me një grup çifutësh, hartoi programin për rrënimin e shoqërisë muslimane. Mirëpo, pasi që numri i simpatizuesve rritej në Bagdad dhe Sulejmani, ku e lejoi të qëndrojë perandoria osmane, Persia kërkoi nga Turqia që ta largojë. Mirëpo, para se të largohej nga Bagdadi, Behaullahu më 1863, në një kopsht, shpalli se ky është ai për të cilin Bab-i ka paralajmëruar se do të vijë dhe të cilit ia bëri detyrim ta përmbarojë misionin e tij. [28] Fillimisht misionin e filloi me anëtarët e familjes dhe me një numër të vogël pasuesish. Ndonëse pati probleme me të vëllain rreth trashëgimisë (behaitët e tij kundër ezelitëve të vëllait Subhulezel), megjithatë, vazhdoi të dominojë. [29]
Duke parë rrezikun nga lëvizjet e tyre, perandoria osmane në vitin 1868 i ndau në dy grupe dhe njërin e dërgoi në Akra në Palestinë kurse tjetrin në Famagusta në Qipro. [30] Behaullahu që u vendos në Akra, vdiq në vitin 1892 nga sëmundja e etheve, kurse la pas vetes, sipas tyre, librin e shenjtë, Kitab'ul-akdas. [31] Pas vdekjes së tij, e zëvendësoi djali i tij i vjetër Abbas efendi, i cili pas daljes nga burgu më 1908, filloi të zhvillojë aktivitet të ngjeshur më shumë në Evropë dhe Amerikë e më pak në vendet islame. Në vitin 1920 qeveria angleze e emëroi për kalorës të perandorisë angleze. Vdiq në vitin 1921. Pas vetes la një numër veprash në arabishte dhe persishte. Disa vepra janë përkthyer edhe në gjuhët evropiane. [32]
Doktrina behaiste
Behaizmi është sekt sinkretik nga disa religjione. Disa mendojnë se doktrina e bab-it në babizëm dhe behaizëm është i ndikuar nga imamizmi. [33] Hulumtimet e shkrimeve behaiste tregojnë se behaizmi sipas "karakterit të vet para së gjithash është praktik dhe i kushton më tepër rëndësi doktrinës etike dhe sociale se sa spekulimeve teologjike dhe metafizike". Kjo thonë analistët është edhe dallimi kryesor nga babizmi. [34]
Kurse disa perëndimorë, duke analizuar krahasimtarisht, paraqitjen e behaizmit si fe të pavarur dhe shkëputjen e tij nga gjiri islam, e krahasojnë me shkëputjen e kristianizmit nga judiazmi apo me shkëputjen e buduzmit nga hinduizmi. [35]
Analizat tregojnë se dallojnë edhe krahu iranian i behaizmit, i cili ka ruajtur frymën zanafillore dhe krahu perëndimor, i cili është i preokupuar me aspektin etik dhe social. [36]
Sipas tyre historia e njerëzimit zhvillohet në cikle. Cikli i parë ka filluar para 6000 vitesh me Adamin, kurse pasues të tij janë edhe Musa, Krishna, Buddha, Zaratustra, Isa dhe Muhamedi. I fundit dhe më i rëndësishmi është vetë ai, Behaullahu, kurse të tjerët tek do të vijnë. [37]
Behaistët besojnë në ringjalljen shpirtërore, kurse parajsa dhe skëterra nuk përshkruhen hollësisht dhe paraqesin vetëm simbole të përparimit të njeriut - ose stagnimit - në mbretërinë shpirtërore. [38]
Behaullahu e konsideron veten përmbushje të premtimit nga të gjitha religjionet mbi ripërtritësin e botës. Sipas tij, Behaullahu ka ardhur t'i eliminojë gabimet dhe mosmarrëveshjet e religjioneve të hershme dhe të konstituojë "mbretërinë e Zotit" që është synim i të gjitha religjioneve [39] dhe personalisht ky paraqet realizimin e premtimit të Bab-it, ai nëpërmjet të të cilit do të manifestohet Zoti. [40]
Sipas fjalëve të tyre, etika behaiste nuk kufizohet vetëm në anëtarët e grupit, por është e hapur për të gjithë. Luftojnë për paqë në botë si dhe për zgjidhjen e të gjitha problemeve shoqërore dhe arritjen e barabarësisë racore. [41] Unitetin e njerëzisë do ta sjell providenca e Zotit e shpallur Behaullahut. [42] Behaistët janë aktiv në tërë botën, sidomos në projekte sociale dhe ekonomike. Ata kanë status këshillues në United Nations Economic and Social Council (ECOSOC) dhe në United Natinos Children's Fund UNICEF, [43] kurse bashkëpunojnë me U.N. Ofice of Public Information, etj.. [44]
Organizimi
Organizimi i bashkësisë fetare zë fill në Këshillat Shpirtërore Lokale dhe Kuvendet Shpirtërore Nacionale anëtarët e të cilave i zgjedhin të gjithë besimtarët; trupi më i lartë, Kuvendi Botëror Shpirtëror quhet Shtëpia Botërore e Drejtësisë. [45]
Është interesante se në aspektin organizativ të behaistëve nuk ka klerikë, edhe pse në shumë vende janë ngritur tempuj, sikur që janë më i madhi në Vilmet, Ilionis, Los Angjeles, Çikago (e formuar më 1894 nga siriani Ibrahim Hajrullah, e disa thonë se është greko-katolik) pranë liqenit Miçigen. [46] Shumica e takimeve të behaistëve bëhen nëpër shtëpi individuale, në qendrat lokale të tyre apo të me qira. [47]
Shkrimet e shenjta
Shkrimet e shenjta behaiste përbëhen nga shkrimet e themeluesve dhe të pasardhësve të tyre. Shumica e veprave të tyre janë të shkruara në persishte, por disa janë edhe në arabishte dhe ato të fundit në anglishte. Behaullahu ka shkruar disa vepra, por më e njohur Kitab'ul-Akdas. Vepra të shenjta janë edhe: Kitab'ul-ikan, [48] Heft vadi, El-Kelimat el-Meknuna. Veprat e Bab-it, sikur edhe të gjitha veprat tjera të shenjta janë tejkaluar me veprat e Behaullahut. Të gjitha shkrimet e tij quhen të shenjta, por mund të interpretohen jotekstualisht. I autorizuar për komentimin e veprave të tij nga ai ishte caktuar djali i tij dhe kështu me radhë. Sot, literatura e tyre nuk mendohet e shenjtë dhe komentohet në dritën e rrethanave të reja. [49]
Përndjekja e behaizmit
Qysh nga fillimi i paraqitjes, behaizmi është përndjekur në Lindjen e mesme, e sidomos në Iran. Shahu i fundit, Reza Pahlavi, i shpall qytetarë të rendit të dytë.
Në vitin 1921-1922 kemi përndjekjen e tyre sistematike, duke i arrestuar, përndjekur, konfiskuar pasurinë dhe duke i mbyllur qendrat e tyre. Madje edhe martesat e tyre u shpallën të pavlefshme, kurse fëmijët jashtëmartesorë. Nga viti 1932 në Teheran janë mbyllur shkollat behaiste. Këto aksione vazhduan edhe gjatë viteve të mëvonshme, më 1941, 1951, në vitet e 70-ta etj. [50]
Ndonëse fillimin e kishin brenda islamit, ata pohojnë se janë religjion i pavarur. Kështu që opininoni musliman i mendon si lëvizje joislame. Në vitin 1925 në qytetin Bab gjyqi i qytetit shpalli se behaistët janë ndarë nga islami. Po këtë e bëri edhe muftiu i madh i Egjiptit në vitin 1939. [51] Edhe disa asociacione fetare në Egjipt e gjetkë e shpallën lëvizjen behaiste jo vetëm si "fe joqiellore, por as fe përgjithësisht, por vetëm pikëpamje me synim të shkatërrimit të islamit, të krijimit të konfuzionit dhe mosbesimit në mesin e muslimanëve". [52]
Liga Islame në Meke qortoi para dy dekadash se behaistët nëpër tërë botën po tubojnë mjete materiale dhe ia dërgojnë hebraikëve. Si kundërvlerë, Lëvizja Botërore e hebraikëve ka ndihmuar por edhe sot ndihmnon behaistët, kurse Lëvizja Botërore Cioniste në behaistët shihte aleatët e vet. Në fund të fund këtë e shpjegon fakti se qendra e behaizmit sot është Haifa, qytet në Izrael. [53]
Edhe pse behaizmi kishte pika takuese me islamin: sunizmin dhe shi'izmin, në problematikë, në hierarki, e herë-herë edhe në disa zgjidhje, megjithatë këta e mendojnë këtë sekt të papranueshëm në tërësi dhe e refuzuan si sekt heretikë. [54]
Përhapja dhe shtrirja
Behaizmi fillimisht kishte pak simpatizues, por pas vdekjes së Behaullahut në 1921 në qytetin Haifa në Izrael [55] dhe varrosjes së tij përskaj Bab-it, trupi i të cilit është transferuar në kodrën Karmel, filloi të rritet numri i tyre. Në fund të shekullit XX mendohet se lëvizja behaite kishte më tepër se 70 mijë qendra nëpër vende të ndryshme të botës. Përhapja e behaizmit jashta Lindjes së mesme ishte meritë kryesore e Abdulbehaut, trashëgimtarit të Behaullahut. Ai më 1908, pas ardhjes në sundim të Turqve të Rinj, u lirua nga burgu turk dhe më pastaj bëri disa udhëtime në Egjipt, Evropë dhe Amerikë. Çdokund formonte degë të lëvizjes. Qendrat kryesore të tyre sot janë në Azinë jugperëndimore, por qendra ekzistojnë edhe në Evropë (Londër, Frankfurt etj.), Afrikë (Adis Abeba në Etiopi, Kumbala në Ugandë, Lusaka në Zambi, Johanesburgu në Afrikën Jugore etj.) dhe Amerikën veriore (Çikago etj.) e jugore. [56] Në vitin 1963 kanë bërë edhe ndryshime të tjera në organizimin e brendshëm. [57]
Autor: Nexhat IBRAHIMI
_________________________
[1] - Shkëputje në një studim më i gjatë. N. I.
[2] - H. Laoust, Raskolu u Islamu, Zagreb, 1989, fq. 323-324. Në zërin enciklopedik lexojmë se babizmi "është i ndikuar nga teologjia shi'ite shejhi. The Columbia Encyclopedia, Sixth Edition, 2001: www.bartleby.com/65/ba/Babism.html. Abdurrahim Ed-Dehleviu pohon se prejardhja e babizmit është prej septimalistëve, në: Shah Abdulaziz El-Imam Velijullah Ahmed Abdurrahim Ed-Dehlevij, Muhtesar et-tuhfetu'l-ithna asherijjeh, Rijad, 1404 h., fq. 23.
[3] - D. B. Malyseva, Islam, në: Argumenti - casopis za drustvenu teoriju i praksu, Rijeka, nr. 2/1982, fq. 110.
[4] - Babism, New Catholic Dictionary, cituar sipas: www.catholic.com/saints/ncd00948.htm.
[5] - Bab'ism, Webster's 1913 Dictionary, cituar sipas: www.webster-dictionary.org/defenition/Babism.
[6] - Ka mendime se themelues i mirëfilltë i kësaj lëvizjeje është Ahmed El-Ihsai (1753-1826), në Bahrejn, shi'it, me prejardhje arabe afër Gjirit persik, për të cilin disa thonë se është nga Indonezija. H. Corbin, Islam u Iranu, IV, Sarajevë, 2000, fq. 207-234. Veprimtaria e tij u shtri sidomos pas takimit me Kadhim Rishtiun në Teheran, prej nga shkuan në Kerbela. Rishti e zgjodhi Ali ibn Muhammedin për personalitet të përshtatshëm për sendërtimin e synimeve të tij. I. Dzananovic, Ekstremne sekte kroz historiju islama, Takvim 1976, Sarajevë, 1976, fq. 90. Kurse revista saudite Et-Tevijjetu'ul-islamijjeh thekson mendimin e disa historianëve se Ahmed Ihsai dhe Kadhim Rushti ishin dy priftërinj, të cilët ishin angazhuar nga imperialistët- kolonizatorët, për të goditur dhe dëmtuar islamin. Shih: Mediha Emin, El-Medhahib'ul-fikrijjeti el-muasireh, botimi I, Kairo, 1992, fq. 6, sipas: Sedat Islami, Babizmi dhe behaizmi, www.sedatislami.tk.
[7] - H. Corbin, Islam u Iranu, IV, op. cit., fq. 235-239.
[8] - Mani' ibn Hammad El-Xhuhenij, El-Mewsuat'ul-mujessiretu fi'l-edjani ve'l-medhahibi ve'l-ahzabi'il-measireti, I, botimi III, Rijad, 1418 h., fq. 412.
[9] - Edward G. Browne, Religious Systems of the World: A Contribution to the Study of Comparative Religion, fq. 335. Sipas: http:/bahai-library.com/articles/babism.browne.html.
[10] - Sipas: S. Islami.
[11] - Muhammed El-Hidr Husejn, El-Kadijanijjetu we'l-behaijjetu, pa vend botimi, 1975 / 1395, fq. 63. Krhs.: Mani' ibn Hammad El-Xhuhenij, El-Mewsuat ..., I, op. cit., fq. 412.
[12] - I. Dzananovic, Ekstremne sekte ..., op. cit., fq. 92.
[13] - H. Laoust, op. cit., fq. 326.
[14] - Muhammed Ebu Zehreh, Tarih'ul-medhahib'il-islamijjeti, op. cit., fq. 217.
[15] - H. Laoust, op. cit., fq. 326. M. Ebu Zehreh, Tarih'ul-medhahib'il-islamijjeti, op. cit., fq. 216-217. Ky sekt refuzoi shumicën e doktrinës islame dhe zhvilloi sistem interesant metafizik. Sipas: C. J. Adams, op. cit., fq. 73.
[16] - C. J. Adams, Bab, op. cit., fq. 73.
[17] - H. Laoust, op. cit., fq. 326.
[18] - Zirrin Taxh - Floka e artë, emri i vërtetë i të cilës është Fatime u lind në kazvin. Kishte dy djem dhe një vajzë. Pas hyrjes në këtë lëvizje e lëshoi familjen. Më pastaj familja hoqi dorë nga ajo. Ajo ishte vegël e kolonializmit perëndimor dhe për këtë arsye kishte për detyrë ta shformojë familjen dhe normat morale. I. Dzananovic, Ekstremne sekte..., op. cit., fq. 92.
[19] - Këto dhe ndryshime të tjera tregojnë se Ali Muhammedi, i ashtuquajturi Bab-i, ishte person jo i ekuilibruar. Këtë e dëshmon edhe detyrimi i vajzave 11 vjeçare në martesë. I. Dzananovic, Ekstremne sekte..., op. cit., fq. 92.
[20] - Qeveria ruse krahas lirisë së besimit të lëvizjes babiste i ndërtoi edhe dy faltoret e para për ta: të parën në Baku dhe të dytën në Ishk-Abad. I. Dzananovic, Ekstremne sekte..., op. cit., fq. 94.
[21] - C. J. Adams, në: Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990, fq. 80.
[22] - H. Laoust, op. cit., fq. 324-325.
[23] - C. J. Adams, op. cit., fq. 73 dhe 80.
[24] - D. B. Malyseva, Islam, op. cit., fq. 110.
[25] - Babism, Encyclopaedia of the Orient, i-cias.com/e.o/babism.htm.
[26] - C. J. Adams, në: Enciklopedija zivih religija, op. cit., fq. 73.
[27] - Ndonëse edhe Behaullahu ishte ndër atentatorët dhe iu shqiptua dënimi me vdekje, me intervenimin e Rusisë cariste, dënimi iu zvogëlua me burg dhe internim. . Dzananovic, Ekstremne sekte..., op. cit., fq. 95.
[28] - H. Laoust, op. cit., fq. 326-327. Krhs.: El-Xhuhenij, El-Mewsuat ..., I, op. cit., fq. 414.
[29] - M. El-Hidr Husejn, op. cit., fq. 64. Krhs.: El-Xhuhenij, El-Mewsuat ..., I, op. cit., fq. 414.
[30] - H. Laoust, op. cit., fq. 327. Edward G. Browne, Religious Systems of the World, op. cit., fq. 351. Thuhet se jetoi edhe në Stamboll dhe Edrene. Werner Schelling, Jedinstvo i mir: religija behaizma, në: Religije svijeta, Zagreb, fq. 272.
[31] - Shih: http://encyclozine.com/Kitab-i Aqdas.
[32] - H. Laoust, op. cit., fq. 328. Edward G. Browne, Religious Systems of the World, op. cit., fq. 351. Charles H. Stileman, Followers of Beha in Persia: www.bahai-library.com/?file=stileman_folowers_baha.html/
[33] - C. J. Adams, op. cit., fq. 80.
M. Ebu Zehreh pohon se behaizmi është me prejardhje nga duodecimalizmi iranian dhe se nuk mund të llogaritet ndër shkollat islame. Muhammed Ebu Zehreh, Tarih'ul-medhahib'il-islamijjeti fi's-sijaseti ve'l-akaidi ve tarih'ul-medhahib'il-fikhijjeh, pa vend dhe vit botimi, fq. 211.
[34] - C. J. Adams, op. cit., fq. 80. Shih gjerësisht: Html://encyclopedia/thefredictionary.com/Bahaism.
[35] - Html://encyclopedia/thefredictionary.com/Bahaism.
[36] - C. J. Adams, op. cit., fq. 80.
[37] - Werner Schelling, op. cit., fq. 272. C. J. Adams, op. cit., fq. 80-81.
[38] - Behaistët pohojnë se "xhenneti është i përsosur, kurse skëterra është jo e përsosur". "Xhenneti është jeta shpirtërore kurse skëterra ështëvdekja shpirtprore". Krhs.: Muhammed El-Hidr Husejn, op. cit., fq. 75-76. Disa dijetarë bëjnë analogji ndërmjet behaistëve dhe batinitëve, duke thënë se sikur doktrina ashtu edhe veprimi i këtyre dy sekteve kjanë ngjashmëri. M. El-Hidr Husejn, op. cit., fq. 75 dhe 76.
[39] - Werner Schelling, op. cit., fq. 272.
[40] - C. J. Adams, op. cit., fq. 80.
[41] - Html://encyclopedia/thefredictionary.com/Bahaism. M. Ebu Zehreh, Tarih'ul-medhahib'il-islamijjeti, op. cit., fq. 214-215.
[42] - Werner Schelling, op. cit., fq. 273-274. Meqë proklamoi doktrinë pacifiste, behaizmi refuzoi luftën e shenjtë dhe prenë e luftës, kurse tendenca për të barazuar religjionet dhe sektet, e shtyri të proklamojë pluralizmin religjioz. Kjo sipas tyre arrihet nëpërmjet arsimimit universal të përbashkët. H. Laoust, op. cit., fq. 328-329. Krhs.: C. J. Adams, op. cit., fq. 81. Zakariyya Ahmed Muhammad Nur, Bahaism, El-A'lam 'ul-Islam, 18 Muharram 1415: www.jamiat,org.za/isinfo/bahaism.html.
[43] - Html://encyclopedia/thefredictionary.com/Bahaism.
[44] - Mani' ibn Hammad El-Xhuhenij, El-Mewsuat ..., I, op. cit., fq. 417.
[45] - Për rregulimin administrativ të sektit behaist shih: html://encyclopedia.thefreedictionary.com/Bahaism.
[46] - C. J. Adams, op. cit., fq. 81. Zakariyya Ahmed Muhammad Nur pohon se në SHBA ky sekt është nën ndikimin direkt të Muratorëve të Lirë dhe Klubeve Rotari. Shih në: Bahaism, El-A'lam 'ul-Islam, 18 Muharram 1415: www.jamiat,org.za/isinfo/bahaism.html. Mendohet se tash në SHBA ka mbi 35 qendra të behaistëve nën autoritetin e Abdul Behaut. Sipas: Margaret B. Peeke,Behaism: www.ccel.org/ccel/schaff/encyc02.behaism.html.
[47] - Html://encyclopedia/thefredictionary.com/Bahaism. Për aktivitetin politik behaist dhe bashkëpunimin e tyre me SHBA-të, Rusinë dhe vendet tjera dhe shërbimet e behaistëve në llogari të të tjerëve dhe rolin e Ibrahim Hajrullahut shih gjerësisht veprën e shkruar më 1902 nga Anton F. Haddad, An Outline of the Bahai Movement in the United States, new York City, 1902, në: http://bahai-library.com/unpubl.articles/outline.haddad.html.
[48] - Gjerësisht për këtë vepër lexo: Frans Lewis, www.breacais.demon.co.uk/abs/bsr06/65_reviews2.htm.
[49] - Werner Schelling, op. cit., fq. 273. C. J. Adams, op. cit., fq. 81.
[50] - Werner Schelling, op. cit., fq. 274.
[51] - Werner Schelling, op. cit., fq. 273. J. -R. Milot, Islam i muslimani, op. cit., fq. 128.
[52] - M. Ebu Zehreh, Tarih'ul-medhahib'il-islamijjeti, op. cit., fq. 219.
[53] - I. Dzananovic, Ekstremne sekte..., op. cit., fq. 97.
[54] - H. Laoust, op. cit., fq. 328 dhe 329. Mirza Husejn Ali, Behaullahu, bëri ndryshime të mëdha në sheriatin islam. Ai mendonte se Tevrati dhe Inxhili nuk janë deformuar, por i tillë është Kur'ani, kurse Isa është i shenjë, sikur edhe Triniteti që është rrugë e drejtë kah Zoti. I. Dzananovic, Ekstremne sekte..., op. cit., fq. 96.
[55] - H. Laoust, op. cit., fq. 328. J. R. Milot, op. cit., fq. 127.
[56] - Werner Schelling, op. cit., fq. 272.
Madje thuhet se behaistët kanë degë në 200 vende të ndryshme, por pos Iranit janë më të koncentruar në Amerikë. Sipas: C. J. Adams, op. cit., fq. 80. Është sinjifikative se qendra administrative e behaizmit është në qytetin Haifa në Izrael, ku gjendet Tempulli Babi me trupin e Mirza Ali Muhammedit, paraprijësin e Behaullahut. Sipas: Werner Schelling, op. cit., fq. 273. Për shtrirjen e tyre dhe për raportet e tyre me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare shih: El-Mewsuat ..., I, op. cit., fq. 416.
[57] - El-Xhuhenij, El-Mewsuat ..., I, op. cit., fq. 415.