Për Profetin (a.s.)



Me shumë krenari po marr lapsin për të shkruar disa rreshta për Krenarinë e Njerëzimit, profetin Muhamed (a.s.). Sot kam mall të madh, andaj lapsin mora. Është mëkat të mos shkruaj dora për profetin Muhamed (a.s.). Edhe lapsi që kam në dorë, edhe letra që kam përpara, ndihen krenarë që po bëhen pjesë e një shkrimi kushtuar Vulës së Profetësisë. Le të jetë ky shkrimi im, si një buqetë lulesh për krijesën më të përsosur të mbarë njerëzimit, sepse për të zemra më është përmallur e sytë më janë mbushur me lot.

Duke folur për Profetin, gjuha ime nuk lodhet, sepse për mua ai është thesari i jetës. Në shpirtin tim e ruaj dhe e mbaj si një lule të freskët dhe aromatizuese, sepse i tillë është. Më thoni një njeri që pas vdekjes së tij përmendet çdo muaj? Shumë pak janë. Po çdo 10 ditë? Ka shumë mundësi që asnjë. Po çdo 5 ditë? Nuk ka. Po çdo ditë? Nuk ka. Po çdo orë? Nuk bëhet fjalë? Po çdo minutë? As nuk mendohet. Po çdo moment, çdo sekondë? Ai është i Dërguari Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të), që ka mbi 1400 vjet që ka ndërruar jetë, megjithatë ai përmendet në çdo moment në mbarë botën.

A nuk është më i freskët se lulet që kundërmojnë aromën e tyre në lëndinën e gjelbër? A nuk është më i freskët se vesa e mëngjesit, bulëzat e së cilës njomin lëndina të shumta? Sigurisht që po. Koha plaket e thinjet, e me të edhe disa mendime vjetrohen e humbasin si vlerë, kurse Muhamedi (a.s.) në zemrën time, është si një lule që hap petalet e saj çdo ditë e më shumë, ripërtërihet e bëhet çdo ditë edhe më e freskët. Po të qëndroja para të dërguarit Muhamed (a.s.) vetëm për një minutë, do t'i thoja se e dua më shumë se veten time. Do t'i tregoja se jam i përmallur shumë për të. Nuk do të mund ta kontrolloja veten nga të qarët. Më duket se edhe po t'ia jepja shpirtin do të ishte gjë e vogël. Do t'i thoja se e dua për hir të Allahut. Do t'i thoja: "O Zotëria i të mirëve! Dashuria për ty në gjakun tim është si lumë që rrjedh në tokën e përmalluar për shi".

Në mëngjesin e çdo dite, për mua i dërguari Muhamed është si një diell që më rrezaton. Në mesin e çdo nate, kur shoh në qiell, profeti Muhamed më duket si një yll që kurrë s'perëndon. Duke kujtuar atë, mbushem plot me shpresë për të jetuar. Edhe pse nuk e shoh, jetoj me të, edhe pse se kam njohur nga afër, rrëfimi për të më bëri ta njoh sikur ta kisha pranë. Në çdo namaz profetin Muhamed (a.s.) e kam imam, edhe pse nuk e shoh, e ndiej që e kam pranë. Nëse dikush do të më pyeste: Çfarë dëshiron në jetë? Do t'i thoja: Dua ta dua atë që e do Profeti (a.s.)! Dua që të më kapë për dore e të më thotë: Eja! Hyr në Xhenet! Ji fqinj me mua! Do doja të ulesha para tij, ta shikoja e të lotoja, sepse jam i etur e s'mund ta shuaj etjen! Jo sepse agjëroj, por i etur për profetin Muhamed (a.s.). Po të isha para profetit Muhamed (a.s.), zemra do më rritej aq sa malet e gjata e të thepisura, e sytë do më shkëlqenin e do të fillonin të lotojnë si pika shiu para daljes së ylberit shumëngjyrësh, e trupi do të ndiente turp të madh para tij, por njëkohësisht edhe krenari të madhe.

Zemra ime është e lidhur me profetin Muhamed (a.s.), gjuha ime po ashtu, sytë e mi janë të mallëngjyer për ta parë atë. Ja ku jemi sërish në muajin e lindjes së Profetit i cili erdhi për të shkundur zemrat tona që ta kujtojmë atë. Erdhi që të na kujtojë se po në këtë muaj, Emineja lindi atë që do të bëhej personaliteti më i nderuar i të gjithë njerëzimit dhe i gjithë historisë njerëzore, Muhamedin (a.s.), prania e të cilit midis njerëzve ishte si xhevahiri midis gurëve. Kur e kujtoj Muhamedin (a.s.) më kaplojnë ndjenja mallëngjimi... Mallëngjehem se nuk e pata fatin të bashkëjetoj me krijesën më të ndershme të Zotit të botëve, ta shikoja fytyrën e tij të bukur e cila ishte më e bukur se Hëna dhe më e ndritur se Dielli. Ta shijoja buzëqeshjen e tij të ëmbël, e cila vazhdimisht e shoqëronte fytyrën e tij. Ta ndieja butësinë e tij e cila e përshkonte çdo gjë. Sado që ta shpreh dashurinë dhe krenarinë time për të dërguarin Muhamed (a.s.) në këto rreshta, ajo është shumë më shumë se kaq.

Si fjongo të kësaj buqete lulesh që po ia kushtoj Profetit, po e mbyll këtë dedikim me disa vargje të ndjera në shpirt, të thëna nga zemra ime dhe të shqiptuara nga gjuha ime:

Ty o Muhamed, këtë ta kushtova
dhe me shumë dëshirë për ty unë e shkrova
Për ty do të shkruaj derisa t'kem jetë
Kështu do të prehem si lapsi mbi fletë.



Autor: Qani Sulku. [*]



_________________________

[*] - Qani Sulku një nga tre fituesit e çmimit të tretë në Konkursin e eseve më të mira për Profetin a.s..

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...