Mësimi i El-Esh'ariut
1. Tendencat e sistemit
Në sistemin El-Esh'ariut dominojnë dy tendenca të cilat në shikim të parë janë kundërthënëse, kurse në fakt plotësohen. Nga njëra anë, ai duket aq i afërt ndaj kësaj apo asaj shkolle juridike të Islamit, sa ka mundur të pohohet se herë ishte shafiit, herë ishte malikit ose hanbelit. Nga ana tjetër, është evidente maturia e tij, pasi ai intimisht dëshiron para së gjithash t'i pajtojë shkollat e ndryshme sunnite, për të cilat i duket se të gjitha janë në pajtim në aspekt të parimeve, kurse ndahen vetëm në çështjet e aplikimit të tyre. Ibn Asakiri transmeton këtë gjykim të tij: "Çdo muxhtehid ka të drejtë, dhe të gjithë muxhtehidët qëndrojnë në trollin e fortë të të vërtetës. Ndarjet e tyre nuk u përkasin parimeve, por dalin nga aplikimi". Në fushën e dogmës, ose thënë më saktë, në fushën e dëshmive në llogari të dogmave, El-Esh'ariu fare nuk e refuzon vlefshmërinë e dëshmimit racional, siç e kanë bërë këtë literalistët. Por nëse nuk pranon se përdorimi i dëshmimit racional - me arsyetimin se me të nuk janë shërbyer as Profeti as Shokët e tij - është herezi, ai megjithatë nuk shkon deri atje që arsyen ta konsiderojë kriter absolut, para fesë dhe të dhënave fundamentale religjioze.
El-Esh'ariu, kështu, kthehet kundër mu'tezilitëve, dhe për këtë ka dy motive qenësore.
1). Dhënia e vlefshmërisë absolute arsyes nuk ka për pasojë mbështetjen e religjionit, siç pohojnë mu'tezilitët, por zbrapsjen e tij, thjeshtë ashtu që besimi zëvendësohet me arsyen. Përse të besoj në Zotin dhe në shpalljet e tij nëse arsyeja ime është më superiore nga vetë të dhënat religjioze?
2). Në Kur'an shpesh përmendet se besimi në gajb (e padukshmja, mbishqisorja, sekreti) është parimi qenësor i jetës religjioze, pa të cilin besimi është i privuar nga baza. Kurse gajb është ajo që e kapërcen provën racionale. Pranimi i arsyes si kriter absolut në fushën e dogmës është i pabashkueshëm me parimin e besimit në gajb.
Kështu sistemi i mendimit të El-Esh'ariut karakterizohet me përpjekjen që t'i pajtojë dy skajshmëritë. Ky synim paraqitet pothuaj në të gjitha zgjidhjet e tij, prandaj dhe mendimi e mësimi i tij me shekuj kanë pasur jehonë të madhe në Islamin sunnit. Këtu për shembull do ta marrim qëndrimin që El-Esh'ariu e merr në raport me tre problemet e mëdha teologjike: problemin e atributeve të Zotit, problemin e Kur'anit, problemin e lirisë njerëzore.
2. Atributet e Zotit
Kemi parë se mu'tezilitët kanë predikuar se Zoti është i privuar nga çdo atribut pozitiv, në atë kuptim që çdo shenjë hyjnore duhet të kuptohet sikur është vetë esenca. Ndryshe nga ata, literalistët, për shkak të të perceptuarit të vet naiv të atributeve Hyjnore, vijnë deri te ajo që hyjninë e konceptojnë si kompleks të emrave dhe shenjave jashtë vetë qenësisë së Zotit. Në historinë e dogmave, qëndrimi mu'tezilit është i njohur me emrin ta'til, ku Zoti privohej nga veprimi aktiv, qëndrim ky që përfundimisht mbaron në agnosticizëm (duhet vërejtur se domethënia e rrënjës 'tl, nga e cila vjen ta'tili, në arabishten e vjetër lidhet me burimin pa ujë dhe me femrën pa stoli). Përkundër kësaj, qëndrimi i literalistëve ekstremistë është i njohur me emrin teshbih (antropomorfizëm). Në këto dy shprehje tashmë kemi hasur në një kontekst tjetër (kaptina II).
Zgjidhja që e ofron El-Esh'ariu lejon që qenia e Zotit njëmend posedon Atributet dhe Emrat që theksohen në Kur'an. Aq sa ata Emra dhe Atribute kanë njëmendësinë pozitive, aq janë ata të ndryshëm nga esenca, por megjithatë jashtë saj nuk kanë as ekzistencë as njëmendësi. Këtu El-Esh'ariu fatmirësisht është kujtuar që, nga njëra anë, e dallon atributin si koncept, dhe nga ana tjetër, konsideron se si dyjësinë ndërmjet qenësisë dhe atributit duhet vendosur në rrafshin cilësor, e jo në atë sasior, kurse kjo është ajo që i është shmangur mendimit mu'tezilit.
Kur Kur'ani dhe disa hadithe e paraqesin hyjninë në formën antropologjike (Zoti ka duar, fytyrë, ai ulet në Fron, etj.), sipas mendimit të mu'tezilitëve kjo ka të bëjë me metafora. Dora metafizikisht tregon fuqinë, fytyra tregon qenësinë, ulja e Zotit në Fron është pasqyra metafizike e sundimit të Zotit, etj.. Literalistët këto i konsiderojnë fenomene të njëmendta që i përkasin Zotit. Ato duhet konsideruar si të tilla dhe ashtu edhe të perceptohen. El-Esh'ariu pajtohet me literalistët në aspekt të njëmendësisë së atyre fenomeneve që lidhen me Zotin, por ai tërheq vërejtjen kundër çdo domethënieje trupore materiale kur ato i përshkruhen Zotit. Ai konsideron se muslimani duhet të besojë se Zoti njëmend ka duar, fytyrë, etj., por, "duke mos pyetur si". Kjo është bi-la kejfe e njohur, ku besimi konfirmon se përmbahet nga arsyeja. Shkurtimisht, mu'tezilitët për këtë kanë folur sikur për metaforat; përpjekja e madhe e El-Esh'ariut ka rezultuar me atë që është lejuar ekzistimi paralel i besimit dhe arsyes, pa ndërmjetësim.
3. Dogma mbi Kur'anin e pakrijuar
Mu'tezilitët kanë predikuar se Kur'ani është fjalë e krijuar e Zotit, dhe nuk e kanë dalluar fjalën si atribut të amshueshëm hyjnor nga thënia arabe e cila e paraqet në Kur'an. Literalistët këtë mënyrë të vrojtimit kategorikisht e kanë refuzuar, por vetë i kanë ngatërruar fjalën e Zotit dhe thënien njerëzore të manifestuar në kohë. Ç'është edhe më e keqja, disa midis tyre kanë konsideruar se në Kur'an është e amshueshme jo vetëm përmbajtja dhe fjalët që e përbëjnë, por edhe ajo që materialisht e krijon, për shembull faqet, ngjyra, kopertinat, etj..
Zgjidhja e El-Esh'ariut ndërmjetëson ndërmjet këtyre dy skajshmërive. Ai konsideron se natyra e fjalës, qoftë njerëzore qoftë hyjnore, nuk redukohet në atë që është thënë dhe që përbëhet nga zërat dhe fjalët e artikulluara, siç konsiderojnë mu'tezilitët, ajo është po ashtu thënie e shpirtit (hadith nefsi), dhe me këtë është e pavarur nga çdo manifestim verbal (hadith lafdhi). Kur deklaron se Kur'ani është i amshueshëm, ai me këtë nënkupton atributin hyjnor të kelamit i cili vazhdimisht mbijeton në Zotin, dhe i cili si i tillë është i lirë nga çdo artikullim verbal dhe i zëshëm. Por Kur'ani po ashtu është i sajuar prej fjalëve. Ai është i shkruar. Nga ky aspekt, Kur'ani është fakt i krijuar kohor, përkundër asaj çka mendojnë literalistët. Por si në një të vetmin fakt, çfarë është Kur'ani, mund të jenë të harmonizuara ato dy aspekte antinomike, një i krijuar, tjetri i pakrijuar? Edhe këtu El-Esh'ariu e këshillon besimtarin që ta aplikojë rregullin e tij të njohur: "Të kesh besim duke mos pyetur si".
4. Liria njerëzore
Me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi, El-Esh'ariu nuk i afrohet nocionit të kudresë (fuqisë krijuese) në kuptimin mu'tezilit, por nocionit kesbe (arritjes). Këtu ai sërish duhet të gjejë zgjidhje ndërmjet dy skajshmërive: mu'tezilitëve, ithtarëve të kudretit, dhe fatalistëve, ithtarëve të xhebrit. El-Esh'ariu konsideron, jo pa arsye, se postulati mu'tezilit fut një lloj të dualizmit në raport me veprimtarinë hyjnore. Në të vërtetë, sipas mu'tezilitëve njeriu nuk është vetëm i lirë dhe përgjegjës, ai pos kësaj posedon kudretin, d.m.th. fuqinë krijuese, aftësinë e krijimit të veprave personale. Që të mos i ekspozohet rrezikut të shtruarjes së ndonjë fuqie tjetër krijuese pos asaj hyjnore, por duke ia ndarë njeriut lirinë e cila e bën përgjegjës për veprat e veta, El-Esh'ariu i jep njeriut jo kudretin, krijimin e veprave të veta, por kesbin, "arritjen" e veprave të veta. Ai lejon dallimin që e zbatojnë mu'tezilitët ndërmjet dy llojeve të aktiviteteve të njeriut: aktivitetit të detyrueshëm dhe të lirë. Ai në mënyrë të njëjtë lejon edhe postulatin e tyre se njeriu është krejtësisht i vetëdijshëm për dallimin. Por konsideron se kudreti, fuqia krijuese e veprave njerëzore, është e jashtme për njeriun, ajo për të nuk është imanente. Po ashtu, në çdo vepër të lirë të njeriut El-Esh'ariu dallon aktin e krijimit, i cili është kontribut i Zotit, dhe aktin e arritjes, fitimit, i cili është kontribut i njeriut. E tërë liria e njeriut përbëhet në atë bashkëveprim të Zotit "krijues" dhe njeriut "fitues".
Në të gjitha zgjidhjet që i afron, El-Esh'ariu nuk udhëhiqet aq nga nevojat spekulative dhe racionale sa nga motivet shpirtërore dhe religjioze. Ajo nga e cila synon më së shumti është kuptimësia e besimit në Zotin, në një Zot shenjat e të cilit nuk janë të zbrazëta, sepse ai njëkohësisht është qenësi dhe atribut, dhe sipas kësaj mund të jetë objekt i adhurimit dhe dashurisë së besimtarit. Po qe se përpjekja e tij konsiderohet e suksesshme, ose përkundrazi, për shkak të mungesës së armaturës së mjaftueshme metafizike, e pasuksesshme, ajo që kërkon El-Esh'ariu, në mënyrë tejet të ndershme dhe duke përmbajtur njëkohësinë e dy aspekteve të Kur'anit, të krijuar dhe të pakrijuar, është: lidhshmëria misterioze dhe e çuditshme e të amshueshmes dhe kalimtares.
Autor: Henry CORBIN