Kuptimi i bajramit
Zoti ua pranoftë punët tuaja të mira! Gëzuar dhe çdo bajram u gjettë më mirë se tjetri! E lusim Zotin që hëna e çdo bajrami tu gjejë të paqtë, me besim, të shëndetshëm dhe të suksesshëm! Zoti e bëftë këtë bajram mirësi dhe bekim për mbarë umetin islam!
Bajrami është një stacion pushimi në rrugëtimin e jetës së njeriut, është një oazë në shkretëtirën e jetës. Prandaj dhe popujt kanë shpikur festat ndryshme që në lashtësi, me qëllim që të gëzojnë dhe dëfrejnë. Kjo është diçka që islami e gjeti dhe e konfirmoi. Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, janë festa të islamit. Zoti i ka lidhur festat në islam, me rituale dhe adhurime madhore. Kështu, Ai e ka lidhur festën e Fitër bajramit, me agjërimin e muajit të Ramazanit. Thotë profeti Muhamed a.s.: "Myslimani ka dy gëzime, kur çel iftar gëzohet për iftarin dhe kur të takojë Zotin, gëzohet me agjërimin".
Gjatë Ramazanit, besimtari gëzohet në iftar sepse po plotëson nevojat e tij fizike për ushqim, ashtu siç gëzohet për faktin se ia arriti të adhurojë Zotin me agjërimin e çdo dite. Gjithashtu, në fund të muajit, ai gëzon për faktin se e mbylli me sukses këtë muaj agjërimi.
Festat e myslimanëve lidhen me dy dimensione madhore, njëri hyjnor kurse tjetri njerëzor. Dimensioni hyjnor, është fakti se njeriu, edhe pse në festë, nuk e harron Zotin e tij. Festa nuk është moment shpërthimi për të përmbushur të gjitha epshet dhe pasionet, por është festë e cila fillon me madhërim të Zotit, lutje dhe afrim me Zotin. Të festosh nuk do të thotë të çlirohesh nga adhurimet, ritualet dhe bindja ndaj Zotit, për të bërë ç'të të dojë qejfi.
Sakaq, dimensioni njerëzor i festës është në gëzimin, dëfrimin, harenë, lojën, këngën, veshjet e reja, komunikimin me të tjerët, etj..
Pikërisht për këtë, islami e ka obliguar besimtarin që gjatë fitër bajramit, të japë zekatin e fitrit. Profeti a.s. e ka bërë obligim këtë taksë për të rriturit dhe të vegjlit, për burrat dhe gratë. Ajo është një formë pastrimi për agjëruesit ngë të metat e mundshme që mund ti kenë shoqëruar gjatë agjërimit, por është dhe ushqim për fukarenjtë. "I furnizoni që të mos lypin sot"! U thoshte Profeti a.s. myslimanëve. Kështu, në vend që fukarenjtë të sillen rreth e rrotull duke lypur, shko ti tek ai dhe jepja zekatin pa ta kërkuar. Gëzoje këtë ditë ashtu siç gëzon edhe ti. Festa nuk është e kufizuar vetëm për ata që kanë mundësi ekonomike, por është edhe për të vobektët dhe hallexhinjtë. Nëse i varfëri i sheh fëmijët e tjerë të veshur mirë, ndërkohë që fëmijët e tij janë veshur me rrecka, kjo festë dhe ky gëzim i ngec në fyt. E si mund të gëzojë, nëse fukarai i sheh të tjerët teksa blejnë dhe ushqehen me gjëra të mira, ndërkohë që ai vetë nuk ka asgjë për të shuar urinë. Në raste të tilla, festa shndërrohet në stres dhe vuajtje. Prandaj dhe islami ka sanksionuar sadakanë e fitrit dhe kurban bajramin, me qëllim që edhe fukarenjtë të gëzojnë.
Në shoqëritë islame është përhapur një fenomen i çuditshëm, pasi vihet re se vetëm fëmijët dhe të rinjtë gëzojnë e dëfrejnë. Ne shohim në biografinë profetike se Profeti a.s. i lejonte ahbashët që të kërcejnë dhe luajnë me heshtat e tyre brenda xhamisë, madje ai vetë i stimulonte dhe nxiste. Ai e lejonte dhe të shoqen e tij, Aishen, që të ndjekë vallet e tyre.
Një herë tjetër, hyri Ebu Bekri në shtëpinë e Profetit a.s. gjatë bajramit, ku gjeti dy vajza të cilat këndonin dhe i binin defit. Ai u bërtiti për këtë akt dhe u tha: "A me fyellin e shejtanit në shtëpinë e të dërguarit të Zotit"?! Ndërkohë, Profeti a.s. ishte shtrirë dhe ishte mbuluar duke fjetur. Ebu Bekri kujtoi se meqë Profeti a.s. ishte duke fjetur, i kishte sjellë Aisheja në shtëpi. Profeti a.s. u ngrit dhe i tha: "Lëri o Ebu Bekr. Çdo popull ka festat e tij dhe kjo është festa jonë. Hebrenjtë duhet ta dinë se feja jonë ka ditë pushimi dhe argëtimi, se unë jam dërguar me fenë e tolerancës".
Islami nuk është fe e sikletit dhe shtrëngimit, por fe e cila përkon me natyrën njerëzore dhe natyra njerëzore e pëlqen argëtimin dhe gëzimin, sidomos në raste festash.
Shohim që në namazin e bajramit, disa njerëz shkojnë krejt vetëm, pa fëmijët dhe familjen, shkojnë burrat dhe jo gratë. Ndërkohë që Profeti a.s. e ka sanksionuar fenë, me qëllim që të jetë një lloj festivali për mbarë umetin, të rritur e të vegjël, burra e gra. Saqë Profeti a.s. i urdhëronte myslimanët që ditën e bajramit, të nxjerrin edhe ata që kanë zënë shtratin, nëse është e mundur.
Ditën e bajramit, të gjithë duhet të dalin, të dëgjojnë predikimin dhe të falen e luten. Islami i nxit myslimanët që namazin e bajramit ta falin në sheshe, jo në xhami, me qëllim që të grumbullohen të gjithë njerëzit dhe të urojnë njëri-tjetrin.
Bajrami është një stacion pushimi në rrugëtimin e jetës së njeriut, është një oazë në shkretëtirën e jetës. Prandaj dhe popujt kanë shpikur festat ndryshme që në lashtësi, me qëllim që të gëzojnë dhe dëfrejnë. Kjo është diçka që islami e gjeti dhe e konfirmoi. Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, janë festa të islamit. Zoti i ka lidhur festat në islam, me rituale dhe adhurime madhore.
Autor: Dr. Jusuf KARDAVI