'Kalifati' u shkatërrua, tani duhet zhdukur ideologjia e ISIS
Lufta kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik, po hyn në një fazë të re. Me mbetjet e fundit të grupimit terrorist në Siri, që janë rrethuar nga forcat e mbështetura nga SHBA-ja, territori i "kalifatit" është rimarrë tërësisht.
Megjithatë, mesazhi i Shtetit Islamik, vazhdon ende të rezonojë tek ndjekësit e tij në mbarë botën. Dhe grupimi do të vazhdojë ta shpërndajë narrativën e tij, përmes një rrjedhe të vazhdueshme të propagandës së qëllimshme dhe efektive.
Për më tepër, në kulmin e fuqisë së tij, ISIS krijoi disa degë bashkëpunuese shumë të afta, përfshirë gadishullin e Sinait në Egjipt, në Libi, Afrikën Perëndimore dhe Afganistan, sa për të përmendur disa.
Edhe në rastet kur grupi nuk ka më zyrtarisht një territor të caktuar nën kontroll, si në Filipine, ai mburret ende me lidhjen e fortë që ka me militantët që veprojnë në emër të tij. Në dhjetorin e vitit 2018, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi me forcë se Shteti Islamik u mposht, ndërsa shtoi se trupat amerikane do të largoheshin së shpejti nga Siria.
Dy muaj më vonë, ekziston një hendek serioz midis deklaratave të presidentit, dhe vlerësimeve të këshilltarëve më të lartë ushtarakë, të inteligjencës dhe të politikës së jashtme, të cilët kanë theksuar se lufta kundër Shtetit Islamik është ende shumë larg fundit.
Vetëm javën e kaluar, komandanti i CENTCOM, gjenerali Zhozef Votel dëshmoi para Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, se "lufta kundër ISIS dhe ekstremistëve të dhunshëm, nuk ka mbaruar ende, dhe se misioni ynë nuk ka ndryshuar".
Shumë zyrtarë, kanë synuar të hartojnë një deklaratë suksesi, brenda një kuadri strikt territorial. Dhe ndërsa ishte e domosdoshme rimarrja e territorit nga Shteti Islamik, grupi që dikur kontrollonte një hapësirë gjeografike në madhësinë e Britanisë së Madhe dhe me 8 milionë banorë, një deklaratë e parakohshme e fitores, do të shërbejë vetëm për të dhënë një ndjenjë të rreme sigurie, duke treguar se Shtetet e Bashkuara mbeten jashtë kontaktit me realitetet në terren.
Besueshmëria amerikane në rajon, ka pësuar një goditje të rëndë, tani që SHBA-ja ka braktisur në fatin e vet kurdët, forcën ndoshta më efektive dhe më të besueshme luftarake, në koalicionin më të gjerë për të mposhtur ISIS.
Vëzhguesit dhe ekspertët kryesorë të këtij konflikti, tregojnë se militantët e lidhur me Shtetin Islamik, do të mbeten edhe për një të ardhme të parashikueshme, një kërcënim serioz për Sirinë dhe Irakun.
Dhe ndërkohë, disa çështje serioze mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë atë që duhet bërë me luftëtarët e huaj, tashmë të arrestuar dhe familjet e tyre. Me tërheqjen e afërt ushtarake të Shteteve të Bashkuara nga Siria, presioni mbi mbetjet e fundit të ISIS do të vijë duke u zbehur, teksa SHBA-ja dhe të tjerët, në bashkëpunim me qeverinë irakene, do të ndërmarrin sulme periodike sa herë që të jetë e nevojshme.
Beteja e vërtetë kundër Shtetit Islamik, është mposhtja afatgjatë e ideologjisë së tij. Ka pasur edhe herë të tjera, kur është parashikuar fundi i grupit ekstremist, ndërda ai vetë ka rënë në qetësi për disa kohë, e ka marrë veten, dhe ka rifilluar të pushtojë territore të ri.
Humbja e vërtetë për ISIS-in, duhet të shkojë përtej sukseseve thjesht ushtarake. Shteti Islamik, lulëzon në zona ku qeveritë janë të dobëta, kufijtë janë lehtësisht të përshkrueshëm, dhe ku mbijetesa është gjëja me e rëndësishme.
Në këto zona, shpesh herë sektarianizmi është i shfrenuar, dhe grupet minoritare duhet të kërkojnë mbrojtje nga grupet e armatosura për të shmangur abuzimin dhe keqtrajtimin. Sigurisht, narrative e "Bin-Ladenizmit", është ende domethënëse për xhihadistët dhe mbështetësit e tyre të mundshëm, edhe pse ajo mund të interpretohet ndryshe në rajone të caktuara, sipas konteksteve specifike.
Për të luftuar realisht ISIS-in, dhe për të arritur një përparim të qëndrueshëm, bashkësia ndërkombëtare mund t'i kthehet studimit të Drejtorisë Ekzekutive të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër Terrorizmit.
Duke ndjekur praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra nga e shkuara, duke përfshirë edhe Parimet Udhëzuese të Madridit, një mjet praktik për shtetet anëtare që të frenojnë depërtimin e luftëtarëve të huaj terroristë, bashkësia ndërkombëtare mund të parandalojë përsëritjen e kësaj dukurie, dhe të ndihmojë në ecjen përpara drejt krijimit të shoqërive rezistente ndaj këtij fenomeni.
Përktheu: Alket GOCE