Feja në Arabinë Saudite, nga prosperiteti në humbje?
Për më shumë se gjysmë shekulli, Arabia Saudite falë potencialit të saj të madh të naftës, pasurisë dhe pozitës së saj gjeo-fetare, ka arritur që të ketë një ndikim gjithëpërfshirës si në aspektin kulturorë, fetarë, dhe politik në mbarë botën. Kjo shtirje, me theks të veçantë, e ka përfshirë mbarë botën islame. E kjo është ajo që unë e quaj si "Islami Saudit"? Shumica e islamikëve, predikuesve dhe e pjesëtarëve të lëvizjeve të ndryshme islame kanë rënë pre e këtij ndikimi dhe këtij modeli të "Islamit", deri në një masë të madhe.
Çfarë, në të vërtetë, 'është Islami Saudit'?
Disa e quajnë edhe si "Vehabizëm", e që realisht, në esencë është vehabizëm por që vehabizmi i islamit saudit është modifikuar dhe adaptuar. E disa të tjerë e quajnë edhe si "Selefizëm", por që realisht është një model i shtrembëruar dhe i lajthitur i selefizmit. Disa të tjerë e quajnë edhe si "Hambelizëm", por që realisht hambelizmi i tij është i ngurtësuar. E disa të tjerë, pasuesit e këtij modeli, i quajnë edhe si "Dhahirinjë të rinj", por që dhahirizmi i tyre është e shtrembëruar dhe e modifikuar edhe pse ndoshta në pamje mund të duken si të tillë. Të tjerë ia kanë mveshur Ibn Tejmijes, por që Ibn Tejmije -për të gjithë ata që e njohin- është njeriu më i dëmtuari dhe më i përvuajturi prej tyre.
Këta janë etiketuar dhe janë përshkruar me përshkrime dhe cilësime nga më të ndryshmet si ekstremistë, të ngurtësuar, beduinë, të prapambetur, etj.. Në të vërtetë, "Islami Sauditë" në vete ngërthen pjesë nga të gjitha këto emërtime, etiketime dhe cilësime por që në përbërjen e tij ai është një model i veçantë i të kuptuarit dhe fetarizmit. Model ky që është krijuar në mes të vrazhdësisë së shkretëtirës dhe të vartësisë së rijalit. Model ky që është i konstruktuar nën presionin e dy shpatave të përqafuara dhe i drejtuar nga familja Al-Saud dhe trashëgimtarëve të tyre.
Përderisa ky "Islam Saudit" është një model i përzier dhe kompleks, dhe përderisa ka një shumëllojshmëri burimesh dhe pasurish, atëherë le t'i lëmë pak anash përmasat dhe shtrirjen e tij dhe le të cekim disa karakteristika dhe veçori me të cilat është karakterizuar, veçuar dhe përmes së cilave është bërë i njohur. Duke e pas parasysh se disa prej këtyre specifikave datojnë që nga ditët e Muhamed bin Abdulvehabit dhe të Muhamed bin Saudit, ndërsa disa të tjera janë specifika të "Shtetit të III-të Sauditë", që është shteti i Mbretit Abdulaziz, trashëgimtarëve të tij dhe nipave të tij, e që vazhdon deri në ditët e sotme.
Unë, nuk dua që të flas për anët pozitive, për favoret, apo për dobitë e këtij modeli por, dua që të flas për disa karakteristika dhe disa veçori negative që janë tejet të dukshme dhe të përmasave të mëdha e që e kanë bërë të veçantë këtë model të ashtu quajtur "Islami Sauditë", ...
1. - Ashpërsia dhe vrazhdësia, që është një tipar i shquar në këtë model të islamit. Pavarësisht, nëse kemi të bëjmë me ideologjinë, me predikimet apo me gjykimet e tyre. Në këtë mënyrë "Selefiu" apo "Vehabiu", në sytë e njerëzve të rëndomtë është bërë simbol i ashpërsisë, i vrazhdësisë, dhe i ngurtësisë. Kjo ka shkuar aq larg saqë edhe në marrëdhëniet ndërmjet sauditëve është përhapur thënia "Mos e Hanbelizo", e që zakonisht përdoret kur dikush është i rreptë, apo i ngurtë në raport me të tjerët.
2. - Ballafaqimi me myslimanët e tjerë dhe të gjykuarit ndaj tyre mos devijim dhe mosbesim, pavarësisht nëse është fjala për individ, sekt, fraksion, ideologji, shkollë juridike, apo popull në tërësi. Nga një cilësi e tillë nuk janë kursyer as dijetarët e mëdhenj, qoftë nga të hershmit apo edhe bashkëkohorët. As të tillët nuk janë kursyer nga etiketimet si të devijuar, injorantë, e deri edhe tek të etiketuari me mosbesim dhe lajthitje.
3. - Mbështetja në dhunë dhe në shpatë. Mbretëria Saudite e kryeson listën e vendeve që kanë shkallën më të lartë të vrasjeve, ekzekutimeve, torturave, paraburgimeve, rrëmbimeve, etj.. Të gjitha këto veprime gjejnë përkrahje, legjitimitet, dhe arsyetim të plotë nga ana e dijetarëve të "Islamit Sauditë", të cilët me marketingun e tyre dhe me prerogatitë (fetvat) e tyre të gatshme ua ofrojnë të tjerëve. Vlen të përmendet se luftërat e shumta që i ka zhvilluar shteti sauditë dhe lëvizja saudite të gjitha kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë kundër myslimanëve.
4. - Nxitja e përçarjes dhe konflikteve në mesin e myslimanëve. Detyra e dijetarëve të "Islamit Saudit" është nxitja e konflikteve dhe përçarjes kundër doktrinave të shkollave të ndryshme juridike, fraksioneve islame, sofistëve, lëvizjeve të ndryshme predikuese, dijetarëve dhe mendimtarëve të ndryshëm. E tërë kjo është bërë fal mundësive dhe kapaciteteve të tyre të larta si për nga aspekti financiar po ashtu edhe ai logjistik, gjë që ua ka mundësuar që përçarjet kundër shkollave të ndryshme dhe myslimanëve t'i fusin në çdo xhami, shtëpi apo familje myslimane.
5. - Havarixhët e Ummetit dhe dijetarët e tyre. Bashkëpunim me udhëheqësin dhe tiranët, prandaj kur të përshkruhen dijetarët e "Islamit Saudit" si të ngurtë dhe të ashpër kjo nuk nënkupton formën e përgjithshme. Ngase një cilësi e tillë vlen vetëm kur është fjala për myslimanët e rëndomtë, me zakonet dhe adhurimet e tyre ndërsa kur është fjala për udhëheqësit, mbretërit dhe tiranët e tyre atëherë ky standard ndryshon tërësisht. Ata, në këto raste, i gjejmë në kulmin e butësisë, të lehtësimit dhe të justifikimit. Tek ata, sundimtari pavarësisht se çka mund të thotë, të bëjë apo të veprojë në dëm të myslimanëve, medoemos duhet gjetur justifikimi, interpretimi, arsyetimi, dhe legjitimiteti.
Bile, këtë e bëjnë në masë shumë më të madhe sesa që kërkohet nga vetë sundimtari apo kryesi i krimit. Në përgjithësi, ata janë hyrje-daljet në të njëjtën kohë. Pra, nga njëra anë kur bëhet fjalë për myslimanët e rëndomtë ata janë përjashtuesit e tyre të rreptë dhe të pamëshirshëm ndërsa kur bëhet fjalë për sundimtarët atëherë ata i gjejmë të nënshtruarit dhe të përulurit e tyre.
Humbja, specifikat dhe shkaqet e tij?
"Islami Saudit", i cili gjatë gjysmës së shekullit të kaluar kishte arritur që të lulëzonte dhe të përhapej në masë të madhe, gjatë viteve të fundit ai ka hyrë në një fazë kritike të tij. Tashmë, ka filluar rënia drastike, shkrirja dhe tkurrja në mas të madhe e shtrirjes së tij. E sa i përket specifikave apo karakteristikave të kësaj periudhe, edhe pse ato janë tejet të dukshme dhe të qarta, dua të ceki disa prej tyre:
1. - Ngurrimi dhe urrejtja nga masa e gjerë e popullit të Saudit e në veçanti nga rinia e tyre. Nga një ideologji me mendje të mbyllur dhe të ngurtësuar si dhe nga nepotizmi i padrejtë dhe korrupsioni që ka përfshirë të gjitha anët janë shkaqe që kanë quar në rënien e këtij modeli. Intelektualët dhe të rinjtë sot janë duke e kërkuar fenë e tyre jashtë modelit vehabistë të Islamit. Ky fenomen është shumë i njohur për ata që jetojnë në Arabinë Saudite, apo edhe tek ata që kanë jetuar apo kanë njohur për së afërmi sauditë, por një gjë e tillë ka filluar që të bëhet e njohur edhe jashtë kufijve të Mbretërisë Saudite. Sot, në Arabinë Saudite kanë filluar që të gjallërohen shkollat e ndryshme juridike, ato sufiste dhe të dalin fryma të reja të dijetarëve dhe thirrësve, e që një gjë e tillë deri më tani ka qenë rreptësisht e ndaluar dhe e papranuar.
2. - Çfarë kanë proklamuar mediat dhe dëshmitarët okularë nga ajo që kanë parë se si disa nga qendrat kulturore saudite kanë bërë djegien, me tonelata, të librave të cilat Arabia Saudite i botonte dhe i shpërndante falas në vazhdimësi në mbarë botën. Libra këto që nuk janë shumë të mirëpritura nga vetë sauditët, siç janë librat e Ibn Tejmijes, Enciklopedia e Sunnetit dhe përgjigjeve të vendeve të Gadishullit Arabik, si dhe të tjera të ngjashme me to. Zyrtarët dhe përgjegjësit sauditë janë në hall dhe në telashe të madhe me produktet dhe prodhimet e tyre.
3. - Ajo që së fundmi e ka cekur edhe vetë Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, në kanalin Rusia 24, se si i kanë shkarkuar me mijëra ligjërues dhe predikues, si dhe imam të xhamive dhe profesorë të ndryshëm për shkak të ekstremizmit të tyre. Dhe se shteti është në proces e sipër që të prezantojë dhe të fillojë zbatimin e ndryshimeve dhe reformave gjithëpërfshirëse në fushën e arsimit. E tërë kjo do të bëhet me qëllim që të shpëtohet nga ekstremizmi. Pavarësisht, se si do t'i lexosh dhe t'i kuptosh këto deklarata dhe këto procese, ato qartazi tregojnë dhe dëshmojnë për një falimentim dhe një dështim të madh në atë vend.
E po ashtu dhe shkaqet që kanë quar deri tek kjo rënie janë të shumta por prej tyre do të cekim:
1. - Pozicionimi i Arabisë Saudite ndaj Pranverës Arabe, ku dihet fare mirë se qëndrimi i saj ka qenë absolutisht kundër dhe bile ka qenë shumë i ashpër. Ajo që qenë që e ka mbështetur deri në momentet e fundit Bin Aliun, ndërsa pas humbjes së tij i kishte ofruar strehim. Po ashtu, çmendurisht e kishte përkrahur dhe mbështetur edhe Husni Mubarakun në Egjipt, një mbrojtje dhe një përkrahje ndaj tij dhe ndaj njerëzve të tij kishte ngjarë si gjatë kohës sa ishte ai në pushtet si pas rënies së tij. Ajo është, që në bashkëpunim me udhëheqësin e Abu Dhabit, orkestruan dhe financuan grusht-shtetin kundër Presidentit Muhamed Mursi, e që ishte presidenti i parë i përzgjedhur me vota të lira nga vetë populli i Egjiptit. E po ashtu, ajo është që ka penguar kryengritjen popullore të Jemenit.
2. - Hyrja në konflikt dhe armiqësi me lëvizjet islamike sunnite, e të cilat i quanin si lëvizje të islamit politik. Edhe kjo gjithashtu ndodhi në bashkëpunim me udhëheqësin e Abu Dhabit. E tërë kjo ka quar deri në atë masë saqë shumë figura të shquara islame, lëvizje dhe organizata fetare, shkencore, bamirëse të klasifikohen dhe të shpallen si terroriste. Pavarësisht, nëse një gjë e tillë është bërë publike apo jo, nëse ato kanë qenë duke vepruar brenda vendeve arabe apo edhe vendeve si-motra të tyre siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Turqisë, etj..
3. - Rënia e kredibilitetit shkencorë dhe moral të institucioneve fetare dhe laike në Arabinë Saudite. E tërë kjo ka ardhur për shkak të pozicionimit kontradiktorë të tyre dhe varësisë së tyre absolute ndaj politikës ditore dhe zyrtare saudite. E prej të fundit dhe më të pazakonshmeve në këtë drejtim është edhe debati dhe diskutimi i stërtepruar rreth legjitimitetit apo ndalimit të ngasjes së makinës nga ana e femrës. Apo edhe deklarimi skandaloz i Shejh Abdurrahman es-Sudejs, Imam i Mekkës, i cili kishte deklaruar se Arabia Saudite dhe SHBA-të duhet që të udhëheqin botë drejt paqes dhe sigurisë. Kësaj deklarate dhe këtij qëndrimi skandaloz i kishte replikuar shumë ashpër dijetari i njohur nga India, Shejh Sulejman en-Nedvi, i cili këtë replikë e kishte quajtur "Qëndrimi i qartë rreth asaj që ka deklaruar Sudejsi rreth lavdërimit të shëmtuar".
4. - Intensifikimi i padrejtësisë dhe shtypjeve të dhunshme, jo vetëm ndaj atyre që mbajnë qëndrime të pavarura dhe kanë ide reformatore, por në mënyrë të përgjithësuar, të pakontrolluar dhe në shumicën e rasteve edhe të pakuptimta ndaj kujtdo që shihej kundër politikave ditore saudite. Shumë nga figurat shtetërore, nga mbështetësit e tyre dhe nga elementet tjera të udhëheqjes janë arrestuar apo janë rrëmbyer pa asnjë pretekst apo arsyetim ligjorë. Ndërsa në lidhje me këtë Prof. Jamal Khashoggi, së fundmi pati deklaruar se: Askush nuk është duke u ndjerë i sigurt në Arabinë Saudite. E dihet fare mirë se, vetë Prof. Jamali, ka qenë prej mbrojtësve më të shquar të politikës dhe të familjes Al-Saud në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Një gjë të tillë, ai e kishte bërë për dekada të tëra por, sot ai është duke e paguar dënimin me lëkurën e tij dhe kjo për të vetmen arsye sepse në Arabinë Saudite arrestimet po bëhen pa asnjë arsye dhe pa asnjë pretekst.
Autor: Ahmed AL-RAISOUNI