A ekziston në Maqedoni lëvizja e vahabistëve?



Bashkësia Fetare Islame (BFI) si i vetmi institucion fetar islam që mban përgjegjësi për jetën fetare në Maqedoni ka deklaruar edhe publikisht se në Maqedoni nën petkun fetar ekziston lëvizja e njohur radikale vahabiste.

Pas incidentit të ndodhur në xhaminë Isa Beg në Shkup, kur u largua me dhunë nga posti imami i xhamisë, Bashkësia Fetare Islame foli për herë të parë publikisht për ekzistencën e lëvizjes ekstreme vahabiste në Maqedoni.

Afrim Tahiri, sekretar në Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni, thotë se është një e vërtetë shumë e madhe se në Maqedoni ka paraqitje të lëvizjeve të ndryshme ekstreme nën petkun fetar.

Një nga ato është lëvizja e njohur radikale vahabiste, thotë Tahiri: "Pas incidenteve të njëpasnjëshme, pas ndërhyrjeve të shumta të rrymës radikale vahabiste që kanë tentuar t'i shkaktojnë dëm institucionit Bashkësi Fetare Islame, është parë e arsyeshme që në mënyrë të hapur të bisedohet për këtë problematikë".

Bashkësia Islame e vlerëson lëvizjen vahabiste si tejet ekstreme meqë interpretimi i fesë prej tyre është shumë radikal.

"Një mënyrë ndryshe e praktikimit të islamit kuptohet para së gjithash për vendin tonë e papranueshme. Paraqet një rezik të madh edhe në përçarjen në mesin e besimtarëve myslimanë" - thotë sekretari i BFI-së, i cili shton se përfaqësues të lëvizjes radikale vahabiste kanë uzurpuar me dhunë katër xhami në Shkup. Ata persona do të ndiqen përmes institucioneve gjyqësore.

"Në ato objekte nuk do të guxojë tani e tutje askush të bëjë shërbim në kundërshtim me kushtetutën e Bashkësisë Islame" - thotë Tahiri.

Ramadan Ramadani është ushtrues i postit të imamit në xhaminë e Isa Begut e cila nga BFI-ja apostrofohet si çerdhe e lëvizjes radikale vahabiste. Këto pohime Ramadan Ramadani i vlerëson si të pasakta, sipas tij: "Për dallim nga disa vende të rajonit në Maqedoni nuk ka pasur prezencë të organizatave të cilat do të mund të përhapin ndonjë ekstremizëm apo ndonjë version tjetër i cili do të mund të spjegohej me çfarëdo terma nga Lindja e Mesme".

Gjithnjë sipas Ramadan Ramadanit në institucionet fetare nuk ka vend për politikë. Sipas tij BFI duhet t'i ndërpresë zigzaget politike, sepse përçarjet në mesin e besimtarëve do të jenë të paevitueshme.

Etiketimi për gjoja ekzistimin e lëvizjes vahabiste në Maqedoni dhe për uzurpimin e xhamive nga ana e tyre është qëllim antishqiptar, sepse në saje të saj dëmtohet pozicioni dhe rëndësia gjeostrategjike e shqiptarëve në rajon, thotë Ramadani.

"Autencititeti i myslimanëve në Maqedoni e ka vazhdimësinë e vet mes tjerash edhe në traditën fetare që zhvillohet në këtë vend. Po ashtu në Maqedoni nuk ka brum të mjaftueshëm të jetës fetare që të mund të përhapet çfarëdo lloj ekstremizmi në këso baza". Sipas Ramadanit për ruajtjen e unitetit në mesin e bashkësisë myslimane në Maqedoni është më se i nevojshëm reformimi urgjent i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni.



Përgatiti: dw, korrik 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...