Sindikata - Tërnava e ka mbushur oborrin e BIK-ut me vehabista



Sindikata e Pavarur e BIK-ut nëpërmjet një deklarate për media ka thënë se me vëmendje është duke përcjell ngjarjet e fundit rreth Bashkësisë Islame të Kosovës, konkretisht ato të cilat janë lidhur dhe lidhen me kreun e saj, Naim Tërnava.

Sipas sindikatës, deklarata e Tërnavës dhënë së fundi Radio Kosovës, përmes së cilës ai i është drejtuar shtetit për t'i ruajtur kufijtë nga elementet ekstremiste të "islamistëve", si kërkesë do të ishte e drejtë nëse ajo do të ishte e shoqëruar me sinqeritet, mirëpo në realitet e tëra rezulton se është në kundërshtim të plotë me veprimet e tij të deritanishme në teren të vet Tërnavës.

"Tërnava para se të shkoj aq larg te kufijtë e shtetit tonë, ai së pari duhet të ndalet dhe ta pastrojë oborrin e vet, që e ka nën përgjegjësinë e tij direkte, e të cilin që nga viti 2003 e deri më sot e ka stërmbushur me ideolog të vehabismit dhe të lëvizjes tjera politike islame, si dhe kolaboracionist dhe bashkëpunëtorë të tjerë të lëvizjes shiite, të cilët së fundi po veprojnë në vendin tonë nën petkun e "Islamit"", thuhet në deklaratë.

Sindikata e Pavarur e BIK-ut, konsideron se me këta njerëz dhe këto grupe, të cilat pas lufte kanë qenë mjaft aktive në vendin tonë, Tërnava ka bashkëpunuar dhe është duke bashkëpunuar ngushtë, prandaj deklarimi i tij i fundit është thikë pas shpine dhe tradhti ndaj vet këtyre grupeve që kanë mbjell këso ideologjish, sepse vet ka qenë dhe vazhdon të jetë bashkëpunëtor i afërt dhe i përditshëm me ta.

"Naim Tërnava deri më sot, e ka bërë m'u të kundërtën e asaj që ka pohuar këto ditë në media, por edhe më herët, sepse pikërisht ky vet, me iniciativën e tij personale ka përjashtuar e shantazhuar si dhe diskriminuar mbrojtësit dhe ruajtësit e vijës së mesme të interpretimit tradicional të Islamit në vendin e tonë deri më sot, ndërsa i ka favorizuar fuqishëm pikërisht ata të cilët kanë punuar dhe punojnë në prishjen e rendit dhe futjen e përçarjes në emër të Islamit, së pari në radhët e vet myslimanëve në vendin tonë, e pastaj edhe të kombit mbarë", vlerëson sindikata.

Më tutje, duke e akuzuar Tërnavën se ka bashkëpunuar edhe me kriminelët ordiner në vend për të mundur gjithë ata që kanë ngritur zërin ndaj keq menaxhimeve. "Popullit nuk mund t'i shitet më dushku për gogla", thuhet në deklaratë.

"Tërnava publikisht deklarohet se është me Lëvizjen "Bashkohu" dhe përkrah kërkesat e tyre, në herën tjetër del se është me kërkesat e "Partisë e Drejtësisë", pastaj del se nuk është, më herët thonjte se nuk ka vehabisëm dhe radikalizëm në Kosovë, kurse tash së fundi del dhe thërret shtetin që t'i ruajnë kufijtë nga "ekstremistët islamik", pra në të gjitha këto qëndrime të tij shihet qartë një shpërputhje dhe një labilitet, i cili nuk do koment".

Sindikata e Pavarur e BIK-ut konsideron se rreziku nga një ekstremizëm fetar ose atak terrorist në emër të fesë, ndoshta mund të mos shihet sot për sot, lajm ky i mirë për ne, mirëpo rreziku nga të tillë njerëz mund të rritet në të ardhmen e afërt, e që do të jetë edhe i pa evitueshëm nëse udhëheqja e sotme e BIK-së vazhdon t'i hap dyert ideologëve të tillë siç edhe ua ka hapur deri më sot, bile shumë prej tyre i ka ngritur dhe i ka priveligjuar në pozicione të larta brenda strukturave të BIK-së si dhe në Fakultetin e Studimeve Islame.

Prandaj, sipas sindikalistëve të gjitha këto veprime dhe shumë të tjera, nuk përkojnë me deklaratën e fundit të Naim Tërnavës, sepse që të gjitha bien ndesh me realitetin praktik të brendshëm dhe të jashtëm të veprimeve dhe hapave të tij të deritanishëm.



Përgatiti: kosovapress, nëntor 2011.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...