Fitër Bajrami, festë dhe inkurajim për angazhime të mëtejshme
Bajrami nis me përfundimin e agjërimit njëmujor të Ramazanit dhe vazhdon tri ditë. Quhet ndryshe edhe Bajrami i Madh apo Fitër Bajrami, meqë gjatë Ramazanit jepet sadakaja e fitrit, për begatitë dhe mirësitë e falura nga Allahu gjatë këtij muaji dhe si kompensim për mangësitë që mund të ketë shfaqur besimtari gjatë këtij adhurimi të veçantë. Fitër Bajrami shënon kohën kur hiqen kufizimet e disa prej begative, që për një muaj ishin të ndaluara, për një kohë të caktuar, duke iu rikthyer tashmë normalitetit.
Besimtari mysliman gjatë Ramazanit shijoi një jetë të disiplinuar, që është bazë për ecurinë dhe suksesin e tij të mëtejshëm edhe pas përfundimit të Ramazanit, si në rrafshin material, edhe në atë shpirtëror. Tashmë në ditët e Bajramit, myslimanët peshojnë punët e kryera gjatë muajit të bekuar dhe sa kanë përfituar nga mundësitë e panumërta të tij për falje mëkatesh. Lutjet, adhurimet, sakrificat dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë Ramazanit, na forcojnë e na motivojnë ta shohim festën e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë e dashurisë për njeriun.
Ditët e bajramit janë ditët e gëzimit të përbashkët me familjen, të afërmit, fqinjët, shokët, etj.. Nisur nga kjo, bajrami duhet të shërbejë si pretekst dashurie, dhembshurie, mëshire dhe ndihmese për të gjithë krijesat. Dimensioni social i kësaj feste është përkujdesja ndaj njerëzve në nevojë. Këtë parim të lartë shoqëror e simbolizon urdhërimi i sadakasë së fitrit. Profeti Muhamed a.s. i porosiste shokët e tij që të mos i harrojnë të varfrit dhe nevojtarët.
Kështu, myslimanët përpiqen që, me anë të fitrave dhe llojeve të tjera të solidaritetit, të plotësojnë nevojat e të varfërve dhe jetimëve, që edhe ata të gëzojnë, sepse bajramet janë gëzimi i individit dhe i shoqërisë, janë hyrje në klimën e ndjeshmërisë, janë mundësia që të gjithë myslimanët ta prekin ndjenjën e vërtetë të vëllazërisë. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi bajrami për ata që u kthejnë shpinën miqve, familjarëve, të varfërve dhe njerëzve në nevojë, sepse Profeti ynë i dashur na porosit: "Veprimi më i dashur për Zotin, pas kryerjes së farzeve, është kur një mysliman e gëzon vëllain e tij".
Kjo festë e madhe e gëzimit, mëshirës, faljes, vëllazërisë e paqes, i pajis besimtarët me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin, me më shumë dëshirë e përkushtim për të shfaqur vlerat e mirësisë e të solidaritetit njerëzor, si dhe për të kryer vepra të dobishme në shërbim të vendit dhe të ardhmes së tij. Një njeri i shquar ka thënë: "Ai që dëshiron të kuptojë moralin e një populli, duhet të studiojë festat e tij, të cilat paraqesin realitetin e ndjenjave e të traditave të trashëguara prej tij".
Festat islame i gjallërojnë më shumë besimtarët. Kjo shfaqet më tepër gjatë bajramit, ku para se të lindë dielli i asaj dite, buzëqeshjet pushtojnë fytyrat e të gjithë njerëzve. Bajrami është një ditë gëzimi dhe plot hare, që fillon herët në mëngjes me tubimin e myslimanëve në një atmosferë vëllazërore e të gëzueshme. Pjesëmarrja e tyre në namazin e Bajramit krijon një atmosferë të këndshme e gjallëruese.
Të gjithë jemi dëshmitarë të atyre pamjeve madhështore që krijohen mëngjesin e faljes së bajramit, ku rrugët e qyteteve dhe të fshatrave tona mbushen plot me njerëz. Është një ardhje e vullnetshme, është një gëzim që buron nga thellësia e shpirtrave të tyre. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) na këshillon se, në bajrame duhet të ketë gëzim e hare, me qëllim që të manifestohet uniteti, toleranca e solidariteti.
Myslimanët përjetojnë në këtë festë gëzimin dhe lumturinë e përmbushjes së agjërimit të një muaji të plotë, për hir të Allahut, kapërcimin e vështirësive, kalitjen e durimit dhe çuarjen në vend të urdhrit të Zotit Fuqiplotë.
Festimet gjatë këtyre ditëve na përkujtojnë ditët e së kaluarës së ndritshme islame dhe na inkurajojnë për angazhime të mëtejshme, për detyra të reja dhe energji më të mëdha për ndërtimin e një të ardhme më të mirë e më të begatë.
Është një pamje sa e rrallë, aq edhe madhështore, çasti i daljes së besimtarëve nga xhamitë. Urimi "Nga mot gëzuar Bajramin!", përmbledh në vetvete forcën shpirtërore për të kryer detyrat e mëdha që kemi përpara në shërbim të Islamit, fesë sonë të bukur. Të gjithë kemi nevojë për falje mëkatesh, për të pasur shpirtin më të bardhë, që të duam njëri-tjetrin, prandaj "Gëzuar Bajramin" është urimi më i bukur që buron nga thellësia e shpirtit.
Përjetimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në përditshmërinë e tyre. Në këtë mënyrë, bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim dhe qëndrueshmëri, mund të forcojë kontrollin mbi veten dhe të vendosë baraspeshë ndërmjet materiales dhe shpirtërores.
Le të shërbejnë këto ditë feste si një mundësi reflektimi për të gjithë, për të vlerësuar e forcuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, si vlerën më të arrirë të shoqërisë shqiptare.
Duke e mbyllur me vargjet e një poeti arab, ju uroj nga mot gëzuar: "Nuk është Bajram për atë që vishet mirë. Por për atë që nga mëkatet është i lirë. Nuk është Bajram për atë që parfumohet. Por për atë që kthesës shpirtërore i shtrohet. Nuk është Bajram për atë që me kamje krenohet. Por është Bajram për atë që nga mëkatet pendohet".
Autor: Dorian DEMETJA