Në vigjilje të Ramazanit: Mirë se erdhe Sha'ban



I Dërguari i Allahut kur hynin tre muajt lexonte këtë lutje: "O Zot na beko në Rexhep dhe në Shaban dhe na mundëso ta presim Ramazanin!", (Taberani dhe Ahmedi).

E lamë pas muajin Rexhep sipas kalendarit islam. Dita e parë e muajit Shaban ishte dje me 19 maj. Muaji Shab'an konsiderohet një nga muajt e veçantë sipas sunetit të Muhamedit a.s. Transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka agjëruar shumicën e këtij muaji, përveç se ditëve të fundit.

Transmetohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: "Pejgamberin a.s. nuk e kam parë që ka agjëruar ndonjë muaj të plotë, përveç Ramazanit, e as nuk e kam parë Pejgamberin a.s. se ka agjëruar ndonjë muaj më shumë, se sa në muajin Shaban", (Buhariu).

Në bazë të fakteve dhe haditheve të Muhamedit a.s. mund të shohim se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka dhënë rëndësi të madhe këtij muaji. Kur Usame ibn Zejdi e pyeti të Dërguarin e Allahut për muajin Shab'an ai i tha: "Ky muaj është muaji që njerëzit janë në gaflet në të, i cili gjendet mes muajin Rexhep dhe Ramazan. Ky muaj (Shabani) është muaji që ngriten punët tona te Allahu i Madhërishëm, andaj unë dëshiroj që kur të ngritën punët e mia të jem agjërueshëm", (Nesaiu dhe Ebu Davudi).

Ky hadith tregon rëndësinë e muajve Islam. Pra, edhe pse ne jetojmë në perëndim nuk duhet të harrojmë dhe neglizhojmë vlerat e këtyre muajve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka njoftuar edhe për gjërat e padukshme, pra na ka treguar se kur veprat tona ngrihen tek Zoti, andaj është e dobishme që ne, kur të na ngriten veprat tek Zoti të jemi në ibadet sidomos në këto muaj të bekuar.

Shumë njerëz kanë vështirësi në arritjen e gjendjes shpirtërore të cilën muaji i Ramazanit e kërkon nga ne, andaj ankohen se dhjetë ditët e fundit të muajit ramazanit na shkuan kot, nuk i shfrytëzuam siç duhet. Shkaku më i madh i kësaj është në mendimin se Allahu i Madhërishëm kërkon që të bëjnë ibadet vetëm një muaj apo vetëm dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan. Pra, është shumë e rëndësishme të kuptojmë rëndësinë e këtyre muajve dhe t'i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë. Pra, përgatitjet për muajin e bekuar të Ramazanit duhet të fillojnë që në muajin Sha'ban.

Ebu Bekr El-Belhi ka thënë: "Rexhebi është muaji i mbjelljes, Sha'bani është muaji i vaditjes së asaj që ke mbjellë, kurse Ramazani është muaji i korrjes".

Muaji Rexhep kaloi, çka duhet të bëjmë në Sha'ban që të jemi gati në Ramazan?

Njëra nga veprat më të mira që do të na ndihmojë të përgatitemi për muajin e mëshirës është leximi dhe meditimi mbi ajetet kuranore, pra të shtojmë leximin e Kuranit. Kur fillonte muaji Sha'ban Amr ibn Kajs mbyllte dyqanin e tij dhe kohën e kalonte me Kuranin Fisnik. Agjërimi është një mundësi e përkryer për t'iu nënshtruar Zotit. Allahu i Madhërishëm thotë: "Agjërimi është për Mua dhe unë shpërblej për të".

Ta shfrytëzojmë muajin Sha'ban dhe të bëhemi musliman të namazit dhe agjërimit, ta shfrytëzojmë këtë muaj dhe të ngrihemi shpirtërisht e ta forcojmë imanin tonë për muajin e Ramazanit.

Transmeton Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Bëni punë që janë të lehta për ju, ndërsa Allahu nuk do të ndalet duke iu shpërblyer. Puna më e dashur e Muhamedit a.s. ishte ajo që bëhej në mënyrë të vazhdueshme qoftë edhe e paktë", (Buhariu).



Përshtati: Arsim DAUTI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...