Pesë veçoritë e natës së Beratit
Nga burimet Islame, mësojmë se Nata e Beratit njihet për këto pesë veçori:
1. - Në këtë natë bëhet ndarja dhe përzgjedhja e punëve më të rëndësishme.
2. - Adhurimet që bëhen në këtë natë dhe agjërimi që mbahet ditën, kanë vlera shumë të mëdha.
3. - Është një natë e mbushur plot me mirësi hyjnore dhe me begati.
4. - Është nata e faljes.
5. - I është dhënë e drejta e plotë Resulullahut për të bërë shefaat (ndërmjetësim për falje) për myslimanët. Profeti (a.s.) në natën e 13-të të muajit Shaban kërkoi shefat dhe iu dha një e treta, në natën e 14-të kërkoi përsëri shefaat dhe iu dha një e treta, në natën e 15-të (Nata e Beraetit) kërkoi përsëri dhe iu dha i plotë shefaati për ymetin e tij. Ata që janë të privuar nga ky ndërmjetësim, janë ata të cilët ikin nga Allahu siç ikën deveja duke u trembur, (Tefsiri er-Razi dhe Ebu Suud, H. Basri Çantaj).
Një hadith tjetër është formuluar kështu: "Kjo natë është nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban. Në këtë natë Allahu i shpëton njerëzit nga xhehenemi sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb, por nuk shikon fytyrat e atyre të cilët i bëjnë shirk Atij, të atyre që ushqejnë urrejtje dhe armiqësi ndaj myslimanëve, të atyre që shkëpusin marrëdhëniet me të afërmit, të atyre që mburren dhe që janë mëndjemëdhenj, të atyre që nuk u binden nënës dhe babait dhe, të atyre që vazhdojnë pirjen e alkoolit", (Buhari, et-Tergib ve't-Terhib, II, 118).
Siç shihet, Allahu i Lartë e ka nderuar këtë natë me mëshirë, mirësi dhe begati, për të falur ata njerëz që drejtohen nga rruga e Tij, duke kërkuar me sinqeritet dhe me lot në sy falje për mëkatet e bëra. Ai (xh.sh.) i thërret robtë për t'i rishikuar edhe një herë punët dhe veprat e tyre, në mënyrë që t'i minimizojnë dhe mos të përsërisin në të ardhmen fajet dhe gabimet e së shkuarës. Nga ana tjetër edhe i dërguari i Allahut i përgjërohet Zotit për ndërmjetësim të plotë ndaj ymetit të tij. E ajo që na mbetet ne si besimtarë, është ta shfrytëzojmë këtë natë, këtë rast që na dhurohet nga Krijuesi ynë në mënyrën më të hijshme, ashtu siç i shkon një myslimani të vërtetë.
Përgatiti: dritaislame