Ideologjia vehabiste, strategji e errët
Sylejman REXHEPI, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Fillimisht, zoti Rexhepi, si i komentoni zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në relacionin Bashkësia Islame e Maqedonisë dhe grupeve që kanë shkaktuar incidente në disa xhami të Maqedonisë?
SYLEJMAN REXHEPI
Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM), është i vetmi institucion fetar islam në vend si kategori kushtetuese në Republikën e Maqedonisë, që mban përgjegjësi për jetën fetare në vend.
Mirëpo, është një e vërtetë shumë e madhe që kohëve të fundit, viteve të fundit, apo më mirë të them, që nga pavarësimi i Maqedonisë si shtet sovran dhe i pavarur, edhe në këtë sipërfaqe paraqiten lëvizje të ndryshme nën petkun e fetar.
Një nga to është dhe Lëvizja e njohur radikale Vehabiste. Ne, si institucion fetar, vazhdimisht kemi bërë përpjekje që personat e involvuar në këtë drejtim t'i largojmë, t'i distancojmë apo thënë më mirë t'i shpëtojmë nga kjo lëvizje. Andaj, asnjë herë nuk kemi shkuar që ata t'i atakojmë publikisht.
Dhe, kur na është parashtruar pyetja si qëndron kjo lëvizje në Maqedoni dhe ju si Bashkësi Fetare Islame e Maqedonisë, sa jeni të atakuar prej tyre, vazhdimisht kemi dashur t'i mbulojmë, t'i tolerojmë dhe njëkohësisht kemi pasur shpresë dhe bindje se ata do të distancohen.
Por, për fat të keq, kjo nuk ndodhi, andaj ky institucion (BFIM), nuk ka më tolerancë dhe tash e tutje gjithmonë do t'i emërtojë me emrin e tyre të vërtetë.
RADIO EVROPA E LIRË
Në momentin që ju thoni se është ndezur alarmi për funksionimin e Lëvizjes Vehabiste në Maqedoni, mund të na thoni se në sa xhami kanë arritur të funksionojnë ata, dhe a mund të flitet për numër konkret të (anëtarëve) kësaj lëvizjeje?
SYLEJMAN REXHEPI
Tendencat e tyre më të mëdha për të funksionuar kryesisht janë në kryeqendrën e Maqedonisë, në Shkup, pra tentojnë të themelojnë çerdhet-qendra të tyre.
Prandaj, ne, si BFIM edhe më herët kemi aluduar brendapërbrenda, jo për opinionin e jashtëm, duke kërkuar nga organet kompetente, të cilat me sistemin normativ të shtetit, e kanë obligim të ruajnë qetësinë dhe rendin publik.
Ata, në fillim janë involvuar në Xhaminë e Jahja Pashës, mandej kanë kaluar në një xhami tjetër, siç është Xhamia e Tutunsëzit dhe më pas kanë uzurpuar një xhami të re, të cilën e rindërtuam, Hatunxhik, dhe së fundmi e kemi incidentin skandaloz që ndodhi në Xhaminë e Isa Beut, më 25.06.2010 gjatë faljes së namazit të xhumasë, ku ishte kulmi i veprimeve të tyre anti-civilizuese, anti-njerëzore, anti-islame dhe tejet radikale.
RADIO EVROPA E LIRË
Cili është qëllimi i vehabistëve dhe si ndikon kjo në zhvillimin demokratik të shoqërisë në Maqedoni, veçanërisht asaj shqiptare?
SYLEJMAN REXHEPI
Përcaktimi i tyre është tejet ekstrem, interpretimi i tyre është shumë radikal, interpretim që nuk përkon aspak me realitetin e predikimit islam në këto troje. Interpretimi i këtij islami radikal të përzier me politikë, të fshehur ose të kombinuar me politikë të tejdukshme, nuk pranohet si predikim i pastër islam.
Këta tentojnë të bëjnë çrregullime, tentojnë të shkaktojnë përçarje, të shkaktojnë urrejtje në mesin e një konfesioni, e të mos flasim më (për përçarje) mes konfesioneve tjera.
Ata para opinionit përdorin një gjuhë të melekve (engjëjve), e në të vërtetë brenda kësaj ideologjie fshihet një strategji e errët tronditëse. Prandaj, më duhet të theksoj se në këtë moment nuk i kanoset rreziku vetëm BFI-së, por tërë shoqërisë, në të cilën jetojmë ne, pa marrë parasysh konfesionet e ndryshme fetare në Maqedoni.
Veçanërisht, duhet pasur parasysh faktin se ne, të gjithë, në Republikën e Maqedonisë bëjmë luftë që të bëhemi pjesë e Evropës së bashkuar, të futemi në familjen e madhe evropiane. E, me këto struktura, është tmerr që Evropa të na pranojë në mesin e saj.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, ju thatë se për këtë incident në Xhaminë e Isa Beut, po edhe për funksionimin e Lëvizjes radikale Vehabiste, e keni njoftuar dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sa jeni të kënaqur nga reagimi i dikasterit të policisë?
SYLEJMAN REXHEPI
Është një e vërtetë shumë e madhe, që sa herë kemi biseduar me institucionet përkatëse, konkretisht me autoritetet policore, kemi pasur përkrahje verbale prej tyre. Na është thënë se ato ndjekin punën e tyre, lëvizjet, se janë në rrjedha dhe do të marrin masa sanksionuese sipas normave të sistemit juridik.
Por, të them të vërtetën, ne, si Bashkësi Fetare Islame, jemi tejet skeptikë në këtë drejtim, ngase realisht shohim se ka një pasivitet shumë të patolerueshëm nga organet kompetente të Qeverisë së Maqedonisë, konkretisht nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Këtë e themi, sepse duke filluar nga Bosnja, Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe duke mos përjashtuar Turqinë dhe Bullgarinë, të gjitha këto vende me veprimet e veta juridike kanë treguar se kanë masa dhe i janë kundërvënë funksionimit të Lëvizjes Vehabiste, që tenton ta infektojë shoqërinë në këtë rajon.
Por, këtu te ne ka një realitet të pamohueshëm se nuk është ndërmarrë asgjë. Qeveria dhe organet kompetente nuk kanë ndërmarrë kurrfarë masash.
RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, këto grupe radikale, vehabistët, sa janë involvuar brenda politikës?
SYLEJMAN REXHEPI
Gjithandej ku funksionojnë këto lëvizje, tentojnë së pari të vënë në shërbim, apo më mirë të themi, të futen në servisin e politikës, përmes së cilës më pas mendojnë se mund të kenë sukses.
Pra, edhe këtu, ata nuk kanë zgjedhur subjekte konkrete politike, por kanë bërë përpjekje te të gjitha subjektet politike, konkretisht tek ato shqiptare, që të involvohen në strukturat e saj (politikës shqiptare), që përmes politikës, të atakojnë institucionin, ose të uzurpojnë Bashkësinë Fetare Islame dhe pastaj të praktikojnë lirshëm ideologjinë vehabiste.
Këtu ata nuk kanë qenë apriori të përcaktuar për një subjekt politik. Por, gjithnjë përpjekjet e tyre janë në atë drejtim që ata dëshirojnë të involvohen me këmbëngulje në subjektin politik, që është në pushtet.
Ose para zgjedhjeve, në forma të ndryshme, të bëjnë marrëveshje duke siguruar vota të pandershme, vetëm e vetëm që ai subjekt politik të vijë në pushtet, e të jetë servis i tyre dhe ata të realizojnë ideologjinë vehabiste.
Këtu shohim një pasivitet shumë të madh të organeve kompetente dhe me të vërtetë është problem kur ne sot luftojmë me të gjitha forcat që kemi si shoqëri në tërësi, që të bëhemi pjesë e Evropës, nuk e di se si do ta detyrojmë Evropën të vendosë që me gjithë këto instrumente, me gjithë këto lëvizje të çuditshme për vendin, të dëmshme për shqiptarinë, të dëmshme për islamin, të na pranojë neve në gjirin e vet.
Kjo, vërtet, do të jetë një habi shumë e madhe.
Përgatiti: rel, korrik 2010.