Ushqimi dhe shëndeti
- I -
Para ca kohësh krerët e katër shteteve të Evropës Qendrore (Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Poloni) u takuan për të diskutuar kualitetin e ushqimit të importuar në shtetet e tyre nga pjesët tjera të BE-së. Ishte e habitshme të dëgjohet nga ta, se kompanitë dhe sistemet e mëdha të prodhimit të ushqimit janë duke aplikuar standarde të dyfishta të kualitetit: 'Një për shtetet e fuqishme, dhe një tjetër për vendet më të pazhvilluara'. Në këtë mënyrë po krijohen dy kategori të qytetarëve, ata të privilegjuarit (me ushqim të kualitetit të lartë), dhe pjesa tjetër me kualitet shumë më të ultë. I rezignuar nga kjo, një zyrtar i lartë i njërës nga këto vende u shpreh ashpër: "Vërtetë qytetarët tanë janë lodhur duke qenë kontinier i mbeturinave të Evropës".
Kur dëgjohen këso shqetësimesh nga vendet anëtare të BE-së, atëherë gjithsesi që duhet të kemi vëmendjen dhe të brengosemi edhe për gjendjen e supozuar te ne. Sepse ushqim marrim çdo ditë, dhe në fund të fundit jemi ata çfarë hamë. Nuk ka diskutim se shëndeti ynë varet drejtëpërsëdrejti nga të ushqyerit. Por, a mendohet për këtë çdo ditë, apo vetëm kur shkojmë në dyert e spitaleve? Para cakohësh p.sh. Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri, informoi se numri i të sëmurëve nga kanceri dhe tumoret e ndryshme në dekadën e fundit është rritur për 70% krahasuar me periudhën e mëparme, dhe atë me prevalence tek moshat e reja. Pothuajse njejtë është edhe në Kosovë, ku numri i të prekurve rritet nga viti në vit (shënimet flasin për rreth 1700 raste në vit). Njejtë pothuajse, dhe shqetësuese është situata edhe me sëmundjet tjera të rënda.
Pavarësisht faktorëve të tjerë ndikues, është më se evidente ndërlidhja e ushqimit me shëndetin e njeriut, përkatësisht ndikimi i tij në paraqitjen e sëmundjeve më të përhapura të kohës sonë si ato: 'kardiovaskulare, kanceri, diabeti, mbipesha, etj.'. Ushqimi cilësor dhe i sigurtë përveç parandalimit të shumë sëmundjeve i siguron njeriut jetë të shëndetshme dhe kualitative.
- II -
Dhe kjo çështje është duke marrë vëmendje të madhe globalisht. Muaj më pare Paneli Global i Bujqësisë dhe Sistemeve Ushqimore për të ushqyerit, i përbërë nga ekspertë eminentë të kësaj fushe dhe financuar nga fondacioni 'Bill & Melinda Gates' dhe 'DFID' paraqitën një raport gjithëpërfshirës për këto probleme duke analizuar gjendjen në tërë botën.
Raporti paraqet një gjendje jo të mirë, bile mund të thuhet të zymtë, veçanërisht për shtetet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim, por duke mos përjashtuar edhe një numër shtetesh të zhvilluara. Numri i njerëzve që ushqehen me ushqim të kualitetit të ultë sot në botë është rreth 3 miliardë. Keqyshqyerja paraqitet në forma dhe pasoja të ndryshme si p.sh.: 'të pengesa në rritje, dobësimit, sëmundjeve, mungesë se vitaminave e mineraleve esenciale, por edhe mbipeshës e trashësisë'.
Ushqimi me kualitet të ulët paraqet sot rrezikun numër një në botë për shëndetin, si shkaktari kryesor i mortalitetit dhe morbiditetit, duke tejkaluar madje edhe pasojat nga rreziku i përbashkët nga: 'HIV, alkooli, droga dhe duhani'.
Kequshqyerja sot është aq shumë e përhapur në botë, saqë lirisht mund të thuhet se tashmë ka marrë përmasat e një krize të madhe. Parashikohet që brenda 20 viteve të ardhshme ajo të shëndrrohet në rrezik shumë serioz për shëndetin global. Derisa qeveritë, udhëheqësit dhe vendimmarrësit nuk arrijnë që të frenojnë këtë trend shqetësues, çmimi që do të paguhet nga njerëzimi do të jetë shumë i lartë, qoftë permes pasojave në shëndetin fizik, mirëqenies mentale, mortalitetit, sëmundjeve, humbjeve ekonomike por edhe degradimit të ambientit.
- III -
Eliminimi ose të paktën zvogëlimi i kequshqyerjes sot është imperativ moral, por edhe ekonomik. Kjo për arsye se dëmet që vijnë nga ajo kanë efekte rrënuese për ekonominë, ndër të tjera dhe duke shkaktuar produktivitet të ultë në punë. Në një numër shtetesh kjo humbje është vërtetë alarmante dhe arrin madje në vlerat 3-16% të BPV në baza vjetore. Si rezultat i kësaj, ekonomitë në shumë shtete janë duke treguar performancë të ultë, sepse sëmundjet kronike të shkaktuara nga ushqimi i dobët shkaktojnë edhe shpenzime të mëdha në sistemet shëndetsore. Për më keq si rezultat dhe i ndryshimeve klimatike, rritjes së popullsisë dhe urbanizimit kjo situatë gjatë 20 viteve të ardhshme pritet që të përkeqësohet dramatikisht. Prandaj investimi në të ushqyerit e populatës drejtëpërsëdrejti është investim dhe në rritjen ekonomike.
Raporti tregon se rritja e të ardhurave të njerëzve nuk e përmirëson domosdoshmërisht edhe kualitetin e të ushqyerjes. Kjo për faktin se në shumicën e rasteve me rritjen e të ardhurave mungesa e ushqimit tejkalohet vetëm në kuptimin sasi por jo dhe cilësor, sepsekostoja e ushqimeve me vlerë të lartë ushqyese megjithatë mbetet prapë e lartë.
Një nga shembujt pozitiv që përmendet në rang global në këtë drejtim është Koreja e Jugut e cila në hapërimin e zhvillimit të saj nga një vend i pazhvilluar drejtë një vendi me të ardhura të larta ku qëndron sot, megjithatë asnjë herë nuk anashkaloj politikat publike që u bazuan mbi parimet e ushqmit të shëndoshë dhe cilësor por edhe me çmime të pranueshme për shtetasit e saj.
- IV -
Politikat publike për ushqimin e shëndetshëm duhet të jenë prioritet i lartë me synim të fundit ruajtjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit e popullatës. Dhe kjo nënkupton jo vetëm mbikqyrjen e procesit të prodhimit të ushqimit nga ferma deri në tryezë, por edhe angazhimin që perms krijimit të mekanizmave adekuat të ndikohet edhe për çmime të pranueshme, në mënyrë që ai të jetë i qasshëm për të gjithë. Kjo përfshinë dhe kontrollin e domosdoshëm të kualitetit në të gjitha hallkat e zingjirit të prodhimit të ushqimit. Kjo nënkupton se është më se i nevojshëm koordinimi, funksionalizimi dhe integrimi i plotë i trinomit: 'Të ushqyerit, sistemet e ushqimit dhepolitikat në bujqësi'. Politikat publike duhet që të krijojnë kushte që njerëzit të kenë qasje në ushqim të shëndetshëm, të sigurtë dhe me vlera të larta ushqyese.
Është koha që të ndryshojë rrënjësisht mentaliteti ndaj prodhimit të ushimit, dhe të kuptuarit e konceptit të rritjes së prodhimtarisë bujqësore në rradhë të parë si përmirësim të kualitetit të ushqimit, e jo vetëm thjeshtë si ofrim i kalorive të mjaftueshme. Po ashtu sistemet e ushqimit duhet të rishiqojnë pozitën e tyre, në vend vetëm të ofrimit të ushqimit në drejtim të prodhimit të ushqimit të kualitetit të lartë, dhe të mosorientohen vetëm drejtë profitit, duke vendosur në plan të dytë apo të tretë cilësinë e produkteve të tyre. Në mënyrë që njerëzit të kenë qasje në ushqim cilësor, politikat publike duhet të jenë mbështetëse për këtë, dhe kjo nënkupton angazhimin e koordinuar dhe koherent të politikave në sektorët e bujqësisë, shëndetësisë, tregtisë dhe mbrojtjes së ambientit.
Në këtë drejtim dhe bazuar në zhvillimet dhe të dhënat empirike gjithandej në botë, do të duhej gjithmonë pasur parasysh se kequshqyerja dhe ushqimi i varfër ka efekt rrëgjues në trupin e njeriut, në rastet më të lehta duke zvogëluar dhe shterruar energjinë mendore dhe fiziketë njeriut, kurse në raste tjera edhe duke shkaktuar sëmundje të ndryshme të rënda, paaftësi permanente por edhe mortalitet.
Autor: Menderes IBRA