Sidoqoftë, a ekziston lëvizja vehabiste në Kosovë?
Dyshime për individë të caktuar që mund ta ndjekin këtë rrymë të Islamit ka, por mungojnë provat, si nga Policia, ashtu edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
Në Policinë e Kosovës thuhet se vendi nuk është i rrezikuar as nga grupet radikale islame, as nga ndonjë formë e terrorizmit.
Këtë përfundim, zëdhënësi Baki Kelani e jep duke u bazuar në këmbimin e informacioneve me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës.
"Kosova nuk është në një mënyrë të drejtpërdrejtë e rrezikuar nga sulmet terroriste, por Kosova nuk mund të jetë imune nga rreziqet që sillen nga sulmet e tilla. Në bazë të disa vlerësimeve, qofshin ato edhe ndërkombëtare, populli i Kosovës nuk llogaritet që është një popull, i cili mund të përfshihet në raste të tilla terroriste. E potencova se nuk paraqitet ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë nga grupet e tilla", thotë për Radion Evropa e Lirë Baki Kelani.
Në shtetin me më shumë se 90 për qind të popullatës që i përket besimit islam, feja nuk është faktor kryesor në jetën publike dhe këtë e vë në pah edhe një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare në botë.
"Retorika fetare mungon në masë të madhe në diskursin publik të komuniteteve myslimane, ndërsa pjesëmarrja në xhami është e vogël. Por, veshja islamike, edhe pse jo shumë e shpeshtë, ka shënuar rritje", thuhet në raport.
Në të njëjtin vihen në pah shqetësimet e Bashkësisë Islame të Kosovës për grupet radikale islamike, për të cilat thuhet se po veprojnë nga shtëpitë private dhe "udhëhiqen nga persona që nuk janë të Kosovës".
Përgatiti: rel, nëntor 2011.
_________________________
Shkëputur nga Artikulli: "Vehabizmi në Kosovë".