Emërtimi dhe doktrina e lëvizjes vehabiste
Emërtimi i lëvizjes
Bota muslimane jashtëvehabiste këtë lëvizje e njeh me emrin vehabinjë, vehabistët (el-vehabijjeh), sipas emrit të themeluesit, mirëpo pasuesit e kësaj lëvizjeje e refuzojnë një emërtim të tillë, duke e arsyetuar se ata janë kundër kultit të personalitetit dhe se nuk duan të lidhen me emrat njerëzor. Në anën tjetër, bota intelektuale dhe politike ka disa emërtime për vehabinjtë. Për shembull, hereziografi francez Henry Laoust i quan "reformatorë ortodoksë", [3] kurse Aziz Ahmedi nga India i quan "fundamentalistë teorikë". [4]
Intelektuali musliman, Muhammed Ikballi, lëvizjen vehabiste e quan "vezullim të parë të mirëfilltë të jetës moderne islame", [5] kurse Mekdonald vendin e shfaqjes e quan si "vendi më të pastër në botën dekadente islame". [6] Husein Gjozo, duke e analizuar ekzistencën e kësaj lëvizjeje pohon se fillimi i tyre është korrekt, por për vazhdimin e tyre thotë se "duket se bartësit e vehabizmit, nuk ishin në nivel të misionit të tyre aq kompleks". [7]
Vetë vehabistët, preferojnë të quhen muvehhidunë (unitaritë, njësues) dhe pasues të ehli-s-sunetit dhe xhematit, përkatësisht pasues të hanbelizmit. Mirëpo, përkundër këmbënguljes së tyre, shi'izmi, sufizmi dhe grupe të tjera i quajnë vehabinjë, sipas parimit të përgjithshëm: 'edhe mu'tezilitët, edhe harixhitët, edhe murxhitët, edhe hanefistët, edhe shafi'itët, nuk e quajtën veten kështu, por ashtu u quajtën nga të tjerët dhe se emërtimi i tyre nuk ndikoi në pëlqyeshmëri apo jopëlqyeshmëri, por në këtë ndikuan shumë faktorë, e sidomos doktrina dhe veprimet e tyre'.
Doktrina e lëvizjes
Doktrina e lëvizjes vehabiste në parim bën pjesë në doktrinën tradicionaliste islame, si vazhdimësi e shkollës hanbeliste, me specifika të caktuara. Kjo specifikë e vendos tradicionalizmin vehabist nga ai skolastikë në tradicionalizmin selefist. Karakteristikë e kësaj tendence është se në qasjen dhe leximin e Teksteve (nusus) refuzojnë ndërmjetësimin e shkollave juridike dhe të ulemasë për të cilën bëjnë thirrje ata. Komentimi i Kur'anit dhe i Sunetit bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shkon jashtë kufizimeve që i kanë vendosur medhhebet. [8]
Njëri ndër autoritetet e lëvizjes selefiste në shekullin XX, Abdulkadër Arnauti, në një shkrim, shkruan: "... Sepse, ngatërrohet perceptimi korrekt i besimit te njerëzit me atë që është i huaj, nën ndikimin e atyre të cilët kanë shkruar për këtë çështje pa dije të mjaftueshme, as që u përpoqën të kthehen në veprat e ulemasë së parë të ehlis-sunetit, të cilët e përpunuan këtë lëndë themelësisht dhe nuk lanë vend për kurrfarë shtese ...". [9]
Më konkretisht, kjo do të thotë se tradicionalistët selefistë e zhvilluan doktrinën (metodikën - menhexhin) e pasimit të vetëm "të të parëve korrektë" (selef'us-salih), me çka pranojnë vetëm praktikën e grupit të caktuar të dijetarëve islamë, e cila i kënaq kriteret e tyre në pasimin e praktikës së Muhammedit a.s.. Këta janë një grup i vogël i shkollës së ehl'ul-hadithit. [10]
Autor: Nexhat IBRAHIMI
_________________________
Shkëputur nga Artikulli: "Lëvizja tradicionaliste vehabiste apo thirrja e Muhammed ibn Abdulvehhabit".
[3] - Fikret Karcic, Drustveno prani aspekt islamskog reformizma, Sarajevë, 1990, fq. 106.
[4] - A. Ahmed, Islamic Modernism in India ..., fq. 261, sipas F. Karcic, fq. 261.
[5] - Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në Islam, Logos-A, Shkup, 2008, fq. 198.
[6] - M. Ikballi, po aty, fq. 198.
[7] - Husein Gjozo, fetve, Novi Pazar, 1996, fq. 492.
[8] - Shih: Tarik Ramadan, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002, fq. 292-293.
[9] - Abdulkadër Arnauti, parathënie në: Stazom ispravnih prethodnika, Aman, Jordani, fq. 6-7, sipas: Muhamed Jusic, Islamisticki pokreti, Zenica, 1426/2005, fq. 13.
[10] - Më gjerësisht lexo: Muhamed Jusic, po aty, fq. 13-15.