Fetvat e pakontrolluara ulin imazhin e Islamit
Njëri nga shtatë dijetarët e Medinës, Kasim b. Muhammedi, kur është pyetur për një çështje ka thënë: "Nuk e di mirë". Pyetësi i tha: "Unë kam ardhur te ti të marr përgjigje, nuk njoh ndonjë dijetar tjetër". Kasimi i tha: "Mos shiko në mjekrën time të gjatë, e as në këto njerëz që më kanë rrethuar, pasha Allahun nuk e di këtë çështje". Njëri që ishte prezent i tha: "O imam ne nuk kemi parë ndonjë mexhlis më të mirë se sa mexhlisi yt, përgjigju njeriut". Kasimi tha: "Pasha Allahun, për mua është më e dashur të ma këputni gjuhën time, se sa të flas për diçka që nuk e di".
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nëse i besohet çështja atij që nuk ka kompetenca, atëherë prit çrregullime". Nëse me vëmendje hulumtojmë në dy burimet kryesore të Islamit që janë Kur'ani famëlartë dhe suneti i pastër i pejgamberit s.a.v.s. me lehtësi konstatojmë se fetvaja është njëra nga dy metodat më kryesore për sqarimin dhe mësimin e dispozitave islame në përgjithësi dhe të dispozitave praktike të sheriatit islam në veçanti.
Për të kuptuar më qartë se çka në realitet është fetvaja, atëherë patjetër të bëjmë shkoqitjen e nocionit fetva si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë terminologjik të sheriatit Islam.
Nocioni fetva është fjalë e gjuhës arabe që në kuptimin gjuhësorë donë të thotë: përgjigje për një çështje apo ngjarje. Kurse nocioni fetva në aspektin terminologjik të së drejtës islame nënkupton: "lajmërim, sqarim mbi dispozitën Islame në bazë të argumentit juridik, për personin i cili ka pyetur për ndonjë çështje aktuale që parashtrohet nga individi apo grup njerëzish".
Nga ky përkufizim nënkuptojmë se fetvaja është sqarim për dispozitën Islame për të cilën është bërë pyetje për çështjen e cila veç është e pranishme në shoqëri dhe kërkon sqarim, e nëse bëhet sqarimi pa pyetur, atëherë sqarimi i tillë nuk konsiderohet fetva por udhëzim. Nga kjo nënkuptohet se medota e shpalljes hyjnore për shpalosjen, mësimin dhe sqarimin e dispozitave islame, ndonjëherë është praktikuar duke e sqaruar dispozitën islame pa u parashtruar pyetje për të, e kjo metodë është më e praktikuar në Kur'anin famë lartë, porse ndonjëherë sqarimi i dispozitës është bërë pasi që ishte parashtruar pyetje për te dhe si rezultat i pyetjes bëhet edhe sqarimi i dispozitën.
Edhe kjo fomrë e sqarimit të dispozitave islame është mjaft e theksuar në Kuran dhe në sunetin e Muhammedit a.s.. Meqenëse në kohën kur jetoi Muhammedi a.s. burimi i vetëm i Islamit ishte shpallja, për të gjitha pyetjet dhe çështjet të cilat kërkonin sqarime sqaroheshin përmes shpalljes, pavarësisht se ajo definohej dhe sqarohej me shpallje të lexuar (Kur'an) apo me shpallje të pa lexuar (sunet), andaj edhe të gjitha çështjet fetare islame ishin nën kontroll të plotë.
Me vdekjen e Pejgamberit a.s., që nënkupton edhe ndërprerjen e shpalljes, institucioni i fetvasë ngeli si barrë mbi shokët e pejgamberit a.s. të cilët krijuan një praktik të bujshme në historinë e Islamit dhe të myslimanëve sa i përket fetvas. Ata të vetëdijshëm për rolin, rëndësinë dhe për përgjegjësinë që ka fetvaja formuan shprehin që kur kërkohej ndonjë fetva prej tyre, ata nuk nxitonin të jepnin feta, secili nguronte derisa i kthehej rendi përsëri, ose e udhëzonin pyetësin te njeriu kompetent i cili plotëson kriteret e dhënies së fetvas. Për të vërtetuar këtë po paraqesim vetëm rastin e Aishes r.a., bija e ebu Bekrit dhe bashkëshortja e Pejgamberit a.s., ku është pyetur për mes'hin mbi meste ka thënë: "Pyete Aliun r.a. sepse ai e dinë këtë çështje më mirë se unë, sepse ai ka udhëtuar me Pejgamberin a.s.".
Edhe sahabët më eminent që merreshin me çështjet e sqarimit të dispozitave islame kur pyeteshin për disa çështje për të cilat ishin delikate apo kishin frikë në dhënien e fetvave, konsultoheshin me ata që ishin më kompetent për çështjen konkrete, dhe vetëm pas konsultimeve të shumta jepnin fetvanë. Ata ishin të vetëdijshëm se një njeri nuk mund të përgjigjet për të gjitha çështjet dhe pyetjet që i parashtroheshin. Këtë më së miri e vërteton thënia e Abdullah b. Mes'udit i cili ka thënë: "Pasha Allahun, ai i cili u jep fetva (përgjigje) njerëzve në të gjitha çështjet që pyetet, ai është i çmendur".
Të ndikuar nga sahabët, kjo metodë ishte edhe praktikë edhe e gjeneratave pasuese dhe e dijetarëve të tyre eminent të cilët thellë ishin zhytur në hulumtimet dhe studimet gjatë shekujve të parë të islamit, ngase ata nuk jepnin feta për pa i ditur dhjetë mijë hadithe përmendësh dhe për pa i njohur edhe disiplinat tjera shkencore islame. Ky parim dhe kjo metodë ngeli edhe më tutje moto dhe synim kryesor i dijetarëve eminent nëpër kohë, të cilët me tërë potencialin e tyre ishin përpjekur të ruajnë islamin dhe pastërtinë e tij, nga ata të cilët vazhdimisht bënin përpjekje për ta ndotur ate.
Pozita e Fetvasë në Islam
Nuk ka dilemë mes dijetarëve eminent islam se roli dhe rëndësia e institucionit të fetvas si dhe ndikimi i tij në jetën e përgjithshme të islamit dhe të myslimanëve jo vetëm që zë një vend të lartë në Islam, porse ajo konsiderohet edhe veprim i shenjtë i cili nuk toleron keqpërdorim e as ndonjë formë të manipulimit me argumentet e legjislacionit Islam. Dijetarët islam janë të vetëdijshëm se çështja e dhënies së fetvave nuk paraqet manipulim oratorik e as lojë fjalësh, porse përmes fetvasë paraqitet dhe sqarohen të vërtetat islame që Allahu xh.sh. i ka përcaktuar për besimtarët. Myftiu, siç thotë imam Shatibiu zën vendin e pejgamberit a.s. pas vdekjes së tij, ai është zëvendës i pejgamberit dhe trashëgimtar në sqarimin e dispozitave islame, ngase pejgamberi a.s. ka thënë: "Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve".
Rreziku që vjen nga Fetvatë
Dijetarët islam krahas asaj qëmfetvan e kuptuan si shumë të rëndësishme në sqarimin dhe predikimin e islamit, ata e fare mirë e kuptuan edhe rrezikun që vjen nga fetvaja, e veçanërisht nga fetvat e gabuar.
Vetëdija e lartë e sahabëve dhe e dijetarëve islam për përgjegjësinë e fetvas, si para Allahut xh.sh. Ashtu edhe para njerëzve, gjithmonë ishte motiv që ata jo vetëm ti përkushtonin kujdes të veçantë fetvas, porse shpeshherë tërhiqeshin tërësisht nga dhënia e fetvas duke e orientuar pyetësin te ndonjë dijetar tjetër. Fjali më e dashur e dijetarëve eminent islam ishte "Nuk e di" andaj edhe këtë fjali e konsideronin gjysma e diturisë.
Utbe b. Muslimi ka thënë: "E kam shoqëruar ibni Omerin më shumë se 34 muaj, e atë njerëzit e pyesnin për shumë çështje", e ai thonte: "Nuk e di".
Ibni ebu Lejla ka thënë: "Kam njohur 120 sahabe nga ensarët, e kur ndonjëri prej tyre pyetej për diçka e drejtonte kah tjetri, e kështu vazhdonte derisa pyetja kthehej te i pari".
Omer b. hatabi ka thënë: "Ai që prej jush vrapon të japë fetva, ai ka vrapuar drejt zjarrit të xhehenemit".
Njëri nga shtatë dijetarët e Medinës, Kasim b. Muhammedi, kur është pyetur për një çështje ka thënë: "Nuk e di mirë". Pyetësi i tha: "Unë kam ardhur te ti të marr përgjigje, nuk njoh ndonjë dijetar tjetër". Kasimi i tha: "Mos shiko në mjekrën time të gjatë, e as në këto njerëz që më kanë rrethuar, pasha Allahun nuk e di këtë çështje". Njëri që ishte prezent i tha: "O imam, ne nuk kemi parë ndonjë mexhlis më të mirë se sa mexhlisi yt, përgjigju njeriut". Kasimi tha: "Pasha Allahun, për mua është më e dashur të ma këputni gjuhën time, se sa të flas për diçka që nuk e di".
Në një rast imam Shabiu është pyetur për një çështje e ai ka thënë: "Nuk e di". Të pranishmit i kanë thënë: "A nuk të vjen turp të thuash nuk e di, e ti je dijetari i Irakut". Shabiu tha: "Melaiket nuk u turpëruan", kur thanë: "I lartësuar je Ti, ne nuk kemi dituri përveç asaj që na mësove Ti".
Imam ebu Jusufi ka thënë, e kam dëgjuar imam ebu Hanifen duke thënë: "Po të mos ishte frika nga Allahu se do të humbet dituria, askujt nuk do ti kisha dhënë fetva, në mënyrë që ai të rehatohet e unë të barti barrën".
Imam Maliku ishte më i ashpri kur thonte: "Kush pyetet për një çështje, ai para se të jap përgjigje ai duhet që veten e tij tia ekspozoj para xhenetit dhe xhehenemit dhe të llogaris se ku do të përfundoj, e pastaj të përgjigjet në pyetjen e parashtruar".
Mas'abi tregon se njëherë imam Maliku është pyetur për një çështje e ai ka thënë: "Nuk e di". Pyetësi tha: "Kjo çështje është e lehtë". Imam Maliku u hidhërua shumë dhe tha: "Çështje e lehtë! Nuk ka në dituri çështje të lehtë", a nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut ku ka thënë: "Ne do të japin fjalë të rënda". Andaj dituria është e rëndë.
Kushtet që duhet plotësuar personi i cili jep Fetva
Dijetarët islam duke parë rrezikun që mund të rezultojë dhënia e fetvave nga secili njeri i cili e ka vlerësuar veten si dijetar islam, dhe për të ndërprerë praktikën e tillë e njëkohësisht për tua bërë me dije myslimanëve se islami, respektivisht dispozitat islame nuk merren nga çdo kush që pretendon se është dijetar, porse duhet pasur kujdes në këtë çështje, ata venduan kushte dhe kritere që duhet plotësuar personi i cili jep fetva. Këto kushte dhe kritere që i përcaktuan dijetarët islam për dhënien e fetave janë jo vetëm filter që filtrojnë të gjitha anomalit që mund ta shoqërojnë fetvanë, porse janë edhe garancë e përgjigjeve të sakta dhe të ruajtjes së pastërtisë Islame.
Ndër dijetarët që ishte më rigoroz në plotësimin e kritereve dhe kushteve të fetvas ishte imam Ahmedi, i cili për të qenë fetvaja e vlefshme dhënësi i fetvas duhet plotësuar këto kushte: "Muftiu - dhënësi i fetvas të ketë nijet dhe qëllim të mirë dhe të pastër sepse nëse atij i mungon nijeti i mirë atëherë fetvaja e tij nuk është efektive".
Nga kjo nënkuptohet se imam Ahmedi për të qenë fetvaj efektive, dhënësi i saj duhet të jetë i liruar nga interesat e ndryshme materiale, apo ndonjë interes posti apo autoriteti. Të jetë dijetar, i urtë i denjë dhe i matur. Këto kushte doemos duhet ti plotësoj myftiu nga shkaku se po qese njeriu jep fetva pa dituri personi i tillë ndëshkohet te Allahu xh.sh.:
- Të jetë njohës i mirë dhe përvetësues i atyre diturive për të cilat është i nevojshëm gjatë fetave të tija.
- Të jetë i pasur në mënyrë që të mos bie nën ndikimin e të pasurve dhe të devijojë fetvanë e tij, pra të jetë i pavarur në aspektin ekonomik.
- Të jetë njohës i mirë për gjendjen dhe rrethanat e jetës së njerëzve, kohën dhe mjedisin ku jetojnë, ngase myftiu që nuk ka njohuri të mjaftueshme për gjendjen e njerëzve ku jetojnë, fetvaja e tij më shumë mund të jetë dëmtuese se sa e dobishme.
- Gjithashtu duhet të jetë edhe njohës i mirë i mentalitetit të popullit për të cilin jep fetvanë e tij.
Këto kushte janë krahas atyre që i kanë përcaktuar dijetarët islam e që janë: "Myftiu të jetë mysliman, të jetë mukelef, të jetë i drejtë, të jetë dijetar zgjuar dhe syçelë në përcjelljen e rrethanave dhe gjendjes së popullatës islame".
Alarmi i rrezikut është i ndezur
Për fatvat e pakontrolluara që burojnë nga njerëzit jo kompetent për dhënien e fetvave e që paraqesin rrezik të madh për myslimanët duke formuar hendeqe dhe grupacione mes myslimanëve të cilat thellojnë përçarje përçarjen dhe urrejtjen mes veti, duke arritur nivelin e nxitjes së armiqësisë dhe vëllavrasjes mes myslimanëve, e ndezën alarmin e rrezikut edhe dijetarët bashkëkohor eminent nga mbarë bota Islame.
Në vazhdim do të theksojmë disa qëndrime të dijetarëve bashkëkohor rreth fetave të pakontrolluara dhe rreth kompetencave se kush duhet të merret me çështjet e fetvas qëndrime këto që i paraqitën në konferencën ndërkombëtar në Kuvajt me temën: "Metodologjia e fetvas në botën e hapur".
Në këtë konferencë me punimet e tyre morën pjesë shumë dijetarë eminent nga e mbarë bota islame, e që në vazhdim do të paraqesim vetëm disa mendime më të theksuara.
Prof. Dr. Adil el Felah në mes tjerash potencon: "Njerëzit e mençur (dijetarët) janë të vetëdijshëm për rrezikun e fetvas, andaj edhe janë shumë të vëmendshëm në fetvat e tyre, ekziston një kategori tjetër e njerëzve të cilët mezi presin tu jepet rasti për të dhënë fetva. Pikërisht kjo ka shkaktuar që në shoqërinë islame të sillen vërdallë një memuri fetash të pakontrolluar që burojnë nga njerëz të pa përgatitur shkencërisht dhe moralisht, njerëz të pandërgjegjshëm për gabimet e tyre dhe për dëmet që i bëjnë shoqërisë islame".
Prof. Dr. Usame Ahme del Beshir: "Tërheqë vëmendjen për një tufan fetash siç e quan ai të pa kontrolluara të cilat shpeshherë shpien në armiqësi mes myslimanëve dhe përfundojnë me gjakderdhje të myslimanëve mes veti".
Prof. Dr. Jusuf Kardavi pai sqaroi për rolin, rëndësinë dhe shenjtërinë e fetvas theksoi se: "Disa djelmosha në emër të rizgjimit islam të cilët kanë lexuar një apo dy libra islame i japin të drejtë vetes së tyre për të dhënë feta, e kur tu thuhet atyre se ata nuk duhet shpejtuar me fetva, porse duhet konsultuar dijetarët islam", ata përgjigjen: "Ata janë burra, edhe ne jemi burra". Kardavi shtoi: "Të tillët jo që nuk janë kurrëfar përgatitje intelektuale e as shkencore islame për të dhënë feta, as që dinë ndonjë nga rregullat e gjuhës arabe, e as që i njohin qëllimet esenciale të sheriatit islam, por përkundrazi, ata bëjnë shpikje ndaj Allahut xh.sh. dhe ate me vetëdije". Andaj Kardavi tërheqi vëmendjen se: "Të gjitha fetvat e pakontrolluar vijnë nga njerëzit e paaftë për këtë çështje, andaj kërkoi nga të pranishmit që edhe njëherë të vërtetojnë dhe përcaktojnë kriteret që duhet plotësuar një dijetar për të hyrë në mejdanin e fetvas".
Ministri i Vakëfit të Egjiptit prof. Dr. Mahmud Hamdi Zakzuki duke folur për rolin dhe rëndësinë e rizgjimit të myslimanëve theksoi se: "Të kuptuarit e gabuar të islamit shkakton çrregullim serioz në dhënien e fetave e që rezulton jo vetëm në uljen e imazhit të islamit, porse krijojnë edhe armiqësi ndaj islamit".
Profesor Zakzuki, sqaron më tej duke thënë se: "Dhënia e fetvave në dis'harmoni me logjikën e shëndoshë dhe natyrshmërinë e njeriut paraqesin rrezikun dhe armiqësinë më të theksuar ndaj islamit, andaj apeloi te dijetarët islam që në rastin e dhënieve të fetave të jenë mirë të koncentruar në autenticitetin e teksteve, në parimet e përgjithshme të islamit dhe fetat e tyre të jenë në harmoni me fenë dhe logjikën e shëndoshë të islamit".
Dijetari që jep feta ka për obligim që të largohet nga gjërat e dyshimta që krijojnë huti dhe diskutime të panevojshme në mesin e popullatës islame sepse fetvat e tyre stagnojnë zgjimin e myslimanëve.
Sipas Shejh Salih b. Muhammed El Hajdani, këshilltar gjyqësor në Saudi, i cili kur flet për fetvat që burojnë nga ata që nuk kanë kompetenca e as aftësi thotë: "Në kohën e fundit, mendimtarët, letrarët, hulumtuesit, thirrësit islam, imamët e xhamive, shpeshherë të gjithë japin fetva duke mos pasur njohuri të mjaftueshme rreth parimeve dhe principeve të përgjithshme të islamit, andaj ai frikohet se për këtë do të shpejtohet ndëshkimi i Allahut xh.sh., sipas tij fetva mund të japë vetëm dijetari i cili mirë është i njohur me Kur'anin dhe sunetin e Pejgamberit s.a.v.s., të jetë njohës i mirë i abrogimit dhe të abroguarit, të përgjithshmes dhe të veçantës dhe disiplinat tjera shkencore që ndërlidhen me këtë lëmi".
Këtë punim të shkurtë do ta përfundojmë me ngjarjen e Rebia b. Abdurrahman, mësuesi i imam Malikut të cilin në një rast një njeri e kishte parë duke qarë dhe e kishte pyetur: "Çka të ka bërë të qash?", tha: "Ka ndodhur një e keqe e madhe në Islam. Ka dhënë fetva një njeri i cili nuk është kompetent për dhënien e fetvave", pastaj tha: "Disa njerëz që sot japin fetva, më pare duhet arrestuar ata, se sa ata që vjedhin!".
Nëse kështu ishte në kohën e Tabiinëve, nëse do të zbatohej qëndrimi i mësuesit të imam Malikut atëbotë, atëherë çfarë do të ishte gjendja sot, sigurisht ose do të pakësoheshin këto shpifje mbi islamin përmes fetvave të njerëzve injorant, ose do të mbusheshin burgjet me të tillë!
Autor: Jusuf ZIMERI, nëntor 2007.