Komenti i hadithit 'Ku është Allahu?'
Novatorët të cilët e kufizojnë Allahun, në ligjëratat e tyre në të cilat e përshkruajnë hyjninë e Tij, shpesh e cekin hadithin në të cilin thuhet se Muhammedi a.s. e pyeti robëreshën: "Ku është Allahu?", kurse me ç'rast ajo u përgjigj: "Në qiell ...", (Muslimi, Bejhekiu etj.).
Në bazë të kësaj ata thonë se zoti i tyre është në qiell edhe pse më herët kanë thënë se ai është mbi Arsh por edhe në qiellin tokësor.
Ulemaja islame, në shpjegimet e tyre të hadithit, nuk vjen në kundërthënie në të cilat kanë rënë këta kur i shpjegojnë ajetet dhe hadithet e paqarta.
Gjëja e parë që na bie në sy me rastin e citimit të këtij hadithi është kjo që ky hadith është mudtarib, respektivisht me tekst joautentikë.
Imam Bejhekiu këtë e konfirmon dhe menjëherë pas këtij hadithi i thekson rivajetet (transmetimet) e tij të tjera:
- Së pari e përmend rivajetin në të cilin thuhet se Pejgamberi a.s. e pyeti robëreshën: "Ku është Allahu?", e në ç'rast ajo iu përgjigj: "Në qiej". Pas kësaj ai ka thënë: "Lirojeni atë sepse ajo është besimtare".
- Pastaj, Bejhekiu e përmend rivajetin e dytë në të cilin nuk përmend fjalët e Pejgamberit: "Lirojeni atë sepse ajo është besimtare".
- Në rivajetin e tretë përmendet se Pejgamberi a.s. e ka pyetur: "Ku është Allahu?", "me ç'rast robëresha bëri me shenjë drejt qiellit".
- Në rivajetin e katërt thuhet se Pejgamberi i Zotit e ka pyetur: "Cili është krijuesi yt"?, kurse ajo u përgjigj: "Allahu është Krijuesi im".
- Në rivajetin e pestë thuhet: Ka pyetur Pejgamberi i Zotit: "A dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut"? Ajo ka thënë: "Po".
- Rivajeti i gjashtë thotë se pyetja e Pejgamberit ka qenë: "Cili është Krijuesi yt"? Kurse përgjigjja e saj është: "Allahu". [1]
- Rivajeti i shtatë të cilin e shënon Maliku thotë: Erdhi një ensar te Pejgamberi me robëreshën, pas së cilës Pejgamberi i Zotit e ka pyetur: "A beson se nuk ka zot tjetër pos Allahut"? Ajo tha: "Po". [[2]
Pas gjithë kësaj të shtruarës, në bazë të rregullave paraprakisht të theksuara, të cilave duhet t'u përmbahemi me rastin e përshkrimit të cilësive të larta ndaj Allahut xh.sh., është e qartë për çdo njeri se nuk lejohet të përdoret ky hadith si dëshmi për përshkrimin e vendit për Allahun xh.sh., sepse hadithi në tekst është jo i sigurt.
Po ashtu, ky hadith, përkundër asaj që e numërojnë në hadith sahih nuk e ka arritur shkallën e mutevatirit dhe kështu nuk mund të bëhet dëshmi për përshkrim të ndonjë cilësie të Allahut xh.sh..
Pastaj nëse e shikojmë shpjegimin e këtij hadithi, do të shohim se asnjë nga dijetarët islamë nuk ka thënë se Pejgamberi a.s. me pyetjen "Ku?", ka dëshiruar ta pyesë për vendin e Allahut por ka dëshiruar ta verifikojë a mos ajo është idhujtare e idhujve të cilët gjendeshin rreth saj apo është muslimane, besimtare në Zotin, i cili është i Lartësuar me fuqinë e tij nga të gjitha mangësitë dhe idhujve të cilët gjenden aty në Tokë.
Të shohim çka thotë ulemaja islame në shpjegimin e këtij hadithi:
Ibn Fureku thotë, pasi e përmendi përdorimin e fjalës 'ejne (ku)' në gjuhën arabe në kuptimin e rangut, shkallës, fuqisë e të ngjashme: "E nëse kemi pohuar se në gjuhën arabe kjo fjalë mund t'i ketë këto domethënie, mund të themi se pyetja e pejgamberit "Ku është Allahu?", ka pasur të bëjë me rangun, shkallën e Allahut xh.sh. në zemrën e saj në raport me idhujt të cilët adhuroheshin rreth saj kurse përgjigjja e saj tregon në atë se Allahu xh.sh. është sipër të gjitha krijesave dhe idhujve me fuqinë e tij". [3]
El-Baxhi thotë: "Dëshironte që robëresha ta përshkruajë Allahun xh.sh. me këto fjalë me cilësinë e Lartësisë nga çdo mangësi që i shohim te trupat dhe idhujt. A nuk sheh se thuhet: Vendi i këtij njeriu është ndër yjet - duke treguar me këtë në mirësinë e tij dhe namin e lartë ndër njerëzit". [4]
El-Bejdaviu thotë: "Pejgamberi a.s. nuk e ka pyetur atë për vendin e Allahut xh.sh. sepse Allahu xh.sh. është i Lartësuar nga ajo që të ketë vend kurse Pejgamberët e Zotit janë të mbrojtur nga pyetjet për gjerat e pamundshme, [5] por Pejgamberi ka dashur të shoh a është ajo muslimane apo jobesimtare. Arabët në atë kohë kanë pasur zotat e tyre dhe nuk kanë ditur për diç tjetër dhe se Pejgamberi e ka pyetur: "Cili është zoti yt"? Pas kësaj, duke treguar drejt qiellit ajo ka pohuar se nuk adhuron asgjë nga ato që i adhuron populli i saj por e adhuron atë që është më i Lartësuar nga e tërë kjo". [6]
En-Neveviu thotë: "Dijetarët kanë dy qëndrime në çështjen e këtij hadithi. I pari është qëndrimi i selefinjve të cilët kalojnë mbi të pa shpjegim duke e përcjellë ashtu si ka ardhur deri te ata. Kurse qëndrimi i dytë është i halefinjve të cilët e shpjegojnë këtë hadith ashtu i përket Allahut xh.sh., në dritën e ajetit "Asgjë nuk është si Ai", dhe thonë: Pejgamberi i Zotit me këtë hadith ka dëshiruar t'i verifikojë a është ajo besimtare apo jobesimtare dhe se përgjigjja e saj "Në qiell" ka pasur domethënien se ajo nuk adhuron asnjë nga idhujt rreth saj por e adhuron Allahun e lartësuar. Sa i përket përzgjedhjes së saj të "qiellit" këtë e ka bërë për arsye se qielli është kibleja për ata të cilët lexojnë dua sikur që është Qabeja kible për ata që e falin namazin pa kuptimin se kjo do të thotë se Allahu xh.sh. gjendet në qiell apo në Qabe". [7]
Kadi Bedruddin ibn Xhema'ah thotë: "Është e lejuar të shtrohet pyetja: "Ku"? e të mos dëshirojë të pyesë për vendin si për shembull kur njeriu thotë: "Ku është vendi i këtij njeriu në raport me këtë njeri"? Dhe përgjigjen e merr: "Në qiej"". [8]
Pas kësaj, mund të themi se tentimi i muxhesimëve që me këtë hadith të dëshmojnë se Allahu xh.sh. është i mangët dhe i kufizuar në një vend, jo i plotë dhe qesharakë sikur edhe ajo se qëndrimi i tyre është edhe një dëshmi e largimit të tyre nga feja islame e Allahut xh.sh..
Dijetarët islamë janë pajtuar në çështjen e personit i cili pohon se Allahu xh.sh. gjendet në një vend. Janë pajtuar, me ixhma (konsensus), se personi që pohon se Allahu është në vendin e caktuar ose në drejtim të caktuar është kafir, jobesimtar ndaj Allahut, adhurues i idhujve.
Mulla Ali El-Kariu thotë: "Është lidhur ixhma' ndërmjet selefinjve dhe halefinjve se ai i cili pohon se Allahu është në ndonjë anë është kafir". [9]
Imam Kurtubiu thotë: "Është korrekte të shpallen kafira muxhessimët sepse nuk ka dallim ndërmjet tyre dhe adhuruesve të idhujve dhe figurave. Vërtet përshkrimi i anës për Allahun është kufër sipas imamëve të katër medhhebeve, sikur që këtë nga ata e ka përcjellë Hafiz Irakiu".[[10]
E lusim Allahun xh.sh. të na ruajë nga mosdija dhe të udhëzojë në rrugën e pendimit të gjithë ata që kanë dal nga feja islame në fenë e adhurimit të idhujve, duke u kapur verbërisht dhe pa përsiatje, për shpjegimin e haditheve të paqarta të cilat ia përshkruajnë Allahut xh.sh. diç që ai nuk ia ka përshkruar vetes. [11]
Përktheu: Nexhat IBRAHIMI
_________________________
[1] - Sunen'ul-Kubra, Bejheki, 7/387.
[2] - Evxhez'ul-Mesalik, Kadi Ijad, 10/370.
[3] - Mushkil'ul-hadithi ve bejanuhu, Ibn Furek, fq. 61.
[4] - Idahu Delil, Ibn Xhema'ah, fq. 214.
[5] - Sepse kjo do të thoshte se ata nuk E kanë njohur atë.
[6] - Evxhez'ul-Mesalik, Kadi Ijad, 10/367.
[7] - Ibid. 10/367.
[8] - Idahu Delil, fq. 216.
[9] - Sherh'ul-Miskat, Mula Ali El-Kari, 2/317.
[10] - Tedhkar, Kurtubi, fq. 208.
[11] - Burimi:http://www.facebook.com/pages/Imam-Ebu-Hanifehanefijska-pravna-skolamezheb/153033361396839#!/notes/imam-ebu-hanifehanefijska-pravna-skolamezheb/tumacenje-hadisa-gdje-je-allah/157699227604593.