Kontributi i Imam Ebu Hanifes në shkencën e akaidit
Hyrje
Falënderimet i takojnë All-llahut xh.sh., Krijuesit të botërave, ndërsa salavetet më të mira për të dërguarin tonë Muhamedin a.s., kurse të mirat e Zotit qofshin edhe për familjen e të dërguarit, sahabët dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e Muhamedit a.s. deri në Ditën e Gjykimit.
Në këtë punim seminarik me pika të shkurtra do të flasim rreth jetës së Imam Ebu Hanifes dhe kontributit të tij të pashmangshëm që dha në shkencën e Kelamit (Akaidit), me veprat e tij voluminoze, sidomos me veprën e tij më të njohur El-Fikhul-Ekber, të cilën sot mund ta konsiderojmë si vepër që vuri themelet e shkencës së Akaidit.
Ebu Hanife ishte dhe mbeti kolos, gjigant dhe fanar i mendjes njerëzore, besimtar i pathyeshëm dhe zemër e madhe njerëzore. Me fjalën e tij, me veprën e pashembullt dhe me shembullin e tij ishte dhe do të mbetet ideal, drejt të cilit synojnë miliona zemra dhe mendje. Çdo përpjekje e deritashme për ta ndriçuar jetën dhe veprën e tij, paraqesin tentime të zbehta përballë faktit se çka ishte dhe çka paraqet ai për botën islame dhe botën përgjithësisht. Është bindja ime se Ebu Hanifeh nuk është hulumtuar, studiuar dhe analizuar sa duhet në botën islame. Veprat e shkruara përkitazi me Ebu Hanifen, janë të pamjaftueshme si në cilësi ashtu edhe në sasi. Për këtë arsye, kemi edhe disa absurde rreth jetës së tij intelektuale.
Edhe shumë shkencëtarë serioz kanë rënë në kurthin e disa shkencëtarëve dilettante, por edhe të disa tradicionalistëve fanatik, se Ebu Hanifja vetëm në fillim të jetës së tij është marrë me akaid dhe me shkencat racionale dhe, kinse, duke parë kotësinë e kësaj diturie, ai u dha ekskluzivisht pas çështjeve fikhore. Vetë kronologjia e veprave të Ebu Hanifes, e sidomos Kitab'ul-vasijjeh, e shkruar kah fundi i jetës së tij, provojnë të kundërtën. Ai deri në fund të jetës luftoi për besim të drejtë, si brenda muslimanëve ashtu edhe jashtë tyre.
E lus All-llahun që me këtë punim ta paraqesim atë çka është e vërtetë, atë çka e flasin dijetarët rreth këtij personaliteti të madh, dhe të paraqesim në pika të shkurtëra kontributin e tij në Akaid, e nëse bëj ndonjë gabim e lus All-llahun të ma falë.
Jeta e Imam Ebu Hanifes
Emri i tij i plotë është Nu'man bin Thabit El-Mazraban, me prejardhje persiane. [1] Ka lindur në vitin 80h/ 700 m, në Kuffe në kohën e halifit emevit Abdulmelik ibn Mervanit ku është rritur dhe ka jetuar, ndërsa ka vdekur në vitin 150h/ 767m në Bagdad.
Rrjedh nga prind besimtar dhe të devotshëm dhe prej një nëne të pastër dhe të sinqertë, babi i tij ishte pauses i Imam Aliut r.a., [2] me dëshiren e Zotit prej këtyre dy prindërve të mirë lindi edhe një fëmijë i mirë, i devotshëm, fëmijë i cili me dijen e tij do ta mahnit jo vetëm botën e atëhershme por edhe këtë botë moderne.
Ebu Hanifja u rrit në Kuffe dhe thuajse shumicën e jetës e kaloi atje, që në fëmijërinë e tij e mësoi Kur'anin përmendësh dhe me këtë cilsi dalloheshin njerëzit e mençur në atë kohë. Pasi që e mësoi Kur'anin përmendësh ishte kureshtar që mos ta harrojë atë çka e ka mësuar. Transmetohet se gjatë muajit të Ramazanit ka bërë shumë shpesh hatme, por kemi disa transmetime të cilat thonë se ai e ka mësuar Kur'anin nga Imam Asimi, [3] të njejtën gjë ai e bëri edhe me hadithet e Muhammedit a.s. ku mësoi një numër të madh të haditheve.
Ebu Hanifja u rrit në një familje që për profesion të tyre e kishin tregëtin dhe ai u morrë me tregti, thuhet si djalë i ri ka shitur mëndafsh, derisa dijetarët vërejtën se ky djal ka zgjuarsi, konkretish duhet të cekim Sha'biun, i cili ishte shkak që ai ti kthehet diturisë sepse te ai shihnin cilësi të njeriut të mirë dhe të mençur. Transmetohet nga vet Ebu Hanifja: "Kalova një ditë pranë Sha'biut i cili më tha: Ku e kalon kohën? I thashë: Në treg. Jo për kohën në treg, por për kohën me dijetarët. Atëhër i thashë: Unë qëndroj pak me to, ai më tha mos vepro kështu! Ki kujdes më së shumti qëndro me dijetarët, sepse une te t'i kam vërejtur zgjuarsi dhe shkathtësi. Ebu Hanifja tha: Fjalët e tij disi ma zbutën zemrën, fillova ti braktis bisedat në trege dhe u fokusova vetëm në dije".
Ebu Hanifja u lind në mesin e dijes dhe të dijetarëve, po ashtu edhe ky u armatos me njohuri të shumta. Shkencat me të cilat u morr Ebu Hanifja janë të shumta, këtu do ti përmendim vetëm disa: Mësoi gjuhën dhe letërsinë arabe, i përvetësoi thuajse të gjitha shkencat Islame, [4] u morrë me logjikë, sociologji, filozofi dhe doktrinat e sekteve, në të cilat shpenzoi shumë kohë duke debatuar me njerëz të ndryshëm.
Pas gjithë debateve dhe preokupimeve që kishte thuhet se është larguar nga shkenca e Akaidit për një periudhë dhe fillon të mirret me shkencën e fikhut ku në këtë shkencë arrin edhe në themelimin e medhhebit të tij. Ka qenë më i dalluari në mesin e gjithë dijetarve në këtë shkencë. Nxënësi i Imam Shafiut, El-Hatibi transmeton se mësuesi i tij ka deklaruar: "Njerzit në fikh janë varur nga Ebu Hanifja, ai ka qenë prej atyre të cilët janë begatuar me fikh". [5] Duhet të cekim se në këtë shkollë Ebu Hanifja ndoqi shkollën racionaliste. [6]
Mësimet e tij u miratuan në pjesën më të madhe të botës Islame: "te abasitët, selxhukët, osmanët dhe mongolët. Edhe sot, shumica muslimane në botë ndjek rrugën e shkollës Hanefite".
Vdekja e Imam Ebu Hanifes
Në kohën e udhëheqsit emevit Jezid ibn Umer ibn Hubejre, ky kërkoi nga Ebu Hanifja që të bëhet gjykatës suprem i shtetit Islam. Mirëpo ky e refuzoi këtë post nga frika e përgjegjsisë së madhe që ka gjykatësi dhe nga devotshmëria. Pos këtij udhëheqësi edhe Xha'fer El-Mensur kërkoi të njejtën gjë nga Ebu Hanifja, por ky nuk e pranoi detyrën.
Mensuri u betua se do ta detyrojë Ebu Hanifen ta pranojë detyrën e gjykatësit, por edhe Ebu Hanifja u betua se do ta refuzojë një gjë të tillë, dhe për këtë këmbngulësi Mensuri vendosi që ta burgosë. Sipas shumicës së dijetarve Ebu Hanifja vdiq në burg nga torturat dhe vuajtjet e shumta që ju bënë atij në burg. Por ka mendim se ai vdes mbasi del prej burgu.
Kontributi i Imam Ebu Hanifes në shkencën e Akaid
Për kontributin e Imamit në shkëncën e Akaidit do të fillojmë prej në fillim, t'i paraqesim veprat e tij më voluminoze, që ai i shkroi në lidhje me këtë shkencë. Mandej do të shkruajmë rreth asaj se a kishte dhënë Ebu Hanifja kontribut ne shkencën e Akaidit.
Ebu Hanifja pas vete la një thesarë të madh të veprave në lëminë e Akaid. Me ato vepra kontriboi që muslimanët të largohen nga dyshimet e ndryshme në çështjen e besimit. Këtu do ti përmendim veprat më të njohura të tij:
1. "El-Fikhu'l - Ekber" - Me transmetim nga Alij bin Ahmed El-Farisij, nga Nusajr bin Jahja, nga Ebu Mukati'l, nga Isam bin Jusuf, nga Hammad bin Ebi Hanife dhe ky nga babai i tij.
2. "El-Fikhu'l Ebsat" - Me transmetim nga Ebi Zekerija Jahja bin Mutarr-rrif, nga Nusajr bin Jahja, nga Ebi Mutii, ky nga Ebu Hanife.
3. "El-Alim ve'l Muteal-lim" - Me transmetim nga Fadil Ahmed bin Alij El-Bejkendi El-Hafidh, nga Hatim bin Ukajl, nga El-Fethu bin Ebi Ulvan, nga Muhamed bin Jezid, nga El-Hasan bin Salih, nga Ebi Mukatil Hafs bin Selim Es-Semerkandij, nga Ebu Hanife.
4. "Risaletu Ebi Hanife ila El-Bettijj" - transmeton Nusajr bin Jahja, nga Muhamed bin Semaate, nga Ebi Jusuf, nga Ebu Hanife.
5. "El-Vesijetu" - e cila transmetohet me të njejtin send që u transmetua vepra Risaletu Ebi Hanife.
Konflikti që ndodhi në mes Alitu r.a. dhe Muavitu ishte shkak që të lindin shumë fraksione [7] të ndryshme. Në veçanti do ti cekim vetëm katër fraksionet më të mëdha: Shi'itët, harixhit, murxhit dhe mu'tezilit. Këto fraksione jepnin shpjegime të ndryshme rreth shtyllave të Islamit. Shumë dijetarë ishin në rrugë të drejtë, megjithatë Ebu Hanifja ishte një ndër të parët që ka paraqitur në formë të shkurt parimet e besimit Islam.
Në mesin e dijetarëve dhe në shumë shkrime klasike Ebu Hanifen e llogarisin si fakih, dhe shumë pak e njohin si akaidolog. Ndërsa studimet më të thella për Ebu Hanifen na japin një kahje krejt tjetër. Atë e paraqesin si kontribues të madh, të fuqishëm dhe të freskët në fushën e Akaidit. Me qëndrimet e tij ai çdo her ka mbrojtur mësimet sunite.
Ebu Hanifja themelues i shkencës së Akaidit
Vendi ku lindi ky enciklopedist (Kufe) ishte vendi ku bashkjetonin kulturat, qytetërimet dhe besimet e ndryshme. Koha kur jetoi Ebu Hanifja ishte koha kur u paraqitën në skenë shumë fraksione kelamiste të ndryshme. Me një mendje të shëndosh dhe intelegjencë të paparë Ebu Hanifja nuk i'u bashkangjit asnjë fraksioni. Ai mendonte nëse do i bashkangjitej ndonjërit fraksion do të mbylleshin rrugët për atë si shkencatrë.
Ebu Hanifja filloi studimin e shkencës së kelamit. Në fillim u njoh me rrymat e kohës të cilat e përcillnin me kontinuitet. Filloi të marrë pjesë në debatet dhe konferencat që mbaheshin rreth shkencës së kelamit. Thuhet se shumicën e kohës e ka kaluar duke debatuar me njerëz të ndryshëm për mbrojtjen e besimit të vërtetë. Kontributin e parë që e dha Imami ishte pikërisht në shkencën e akaidit, dhe pasi arriti në një shkallë të lartë të njohurive filloi të merret me fikh.
Kur themi se u largua nga shkenca e kelamit dhe filloi të mirret me shkencën e fikhut, kjo nuk do të thotë se Ebu Hanifja u largua krejtësisht nga kjo shkencë, përkundrazi në veprat e tij më të njohura rëndësi të madhe u kushton çështjeve të besimit. [8]
Ebu Hanifja është i pari që sistematizoi bazat fetare dhe i përsosi ato me argumente të qarta dhe të prera. I pari prej mutekel-limineve [9] të Ehlu Sunetit nga rradhët e fukahave është Ebu Hanifja. Ai në këtë lëmi shkro librin El-fikhul Ekber, i cili është një studim mbështetës i Ehlu Sunetit, ndërsa i polemizon pikëpamjet e fraksioneve të ndryshme.
"Prandaj me plot të drejtë mund të thuhet se nga dijetarët Selefit, ai që hodhi hapin e parë drejt shkencës së Kelamit të Ehli Sunetit, ishte Imam A'dhami Ebu Hanife. Sepse traktatet kushtuar akaidit që ai e emërtoi me El-Fikhul Ekber si dhe polemikat që i bëri me novatorët (ehli bid'at), ashtu si në drejtësi (fikh) bartin një karakter që i jep rol mendjes (akl)". [10]
Sa i përket atyre që thonë se Ebu Hanifja vetëm në fillim të jetës së tij është marrë me shkencën e kelamit, mandej është larguar nga kjo shkencë për shkak se me këtë shkencë nuk janë marrë sahabët, apo dhe nuk i bënë dobi njeriut, faktet flasin të kundërtën.
Vetë përmbajtja e veprave të Ebu Hanifes, e sidomos Kitabul Vasijeh që shkruar kah fundi i jetës së tij, flet të kundërtën. Ai deri në fund të jetës luftoi për besim të drejt si mbrenda muslimanëve ashtu edhe jashtë tyre. Biografi i Imam Ebu Hanifes, Imam Ebu Zehra thotë: "Ai nuk ka mundur që t'i ndërprejë studimet e herëshme, veçanërisht kur provokimet mendore në kohën e tij ishin ato që e ndikonin secilin që e dëshironte diferencimin e akaides islame nga pikëpamjet e zindikëve (ta dalurve nga feja) dhe të tjerëve". [11]
Ebu Hanifja u orientua në shkencën e fikhut pasi që i vendosi bazat e shkencës së akaidit, si shkencë qëndrore të fesë, ai dëshiron të vendos edhe bazat e shkencës së fikhut, si shkencë që demonstron përmbajtjen e fesë, Pra, lirisht mund të themi se ai e realizoi kontributin e tij gjithëpërfshirës ndaj fesë Islame dhe muslimanëve.
Vepra "El-Fikhul Ekber"
Është një ndër veprat më voluminoze të Imam Ebu Hanifes. Është vepër që vuri themelet e besimit Islam, mund ta llogarisim edhe si një enciklopedi në çështjen e besimit. Kjo është vepër e parë e cila është shkruar në mbrojtje të Ehlu Sunetit.
Kur i analizon veprat e Imam Ebu Hanifes, e sidomos veprën në fjalë, mund t'i dallosh disa veçori: "Diskuton shumicën e çështjeve akaidore, nuk ka ndonjë sistematizim të caktua, temat preken shkurtimisht dhe përgjithësisht nuk parashtrohen argument, trajton kundërshtimet në pikëpamje të gabuar të fraksioneve të ndryshme dhe qartësimi i akides së vërtetë". [12]
Përmbajtja e kësaj vepre nuk ka ndonjë klasifikim të temave nëpër kapituj. Temat parashtrohen të përziera, duke kaluar prej një teme në një temë tjetër.
Përfundim
All-llahu xh.sh. e do të drejtën, se vetë është i drejtë. Edhe unë në këtë punim seminarik të shkurtër u mundova të tregoj të vërtetën, atë çka flasin njerzit më eminent rreth këtij personaliteti, dijetari dhe enciklopedisti të madh.
Në pika të shkurtëra u mundova të paraqes një kronologji rreth jetës së Imam A'dham Ebu Hanifes, duke cekur fëmijërinë e tij, duke treguar rreth intelegjencës së tij, që ka habitur botën e atëhershme dhe të sodit. Sqarova në pika të shkurtëra se cilët ishin shkaqet që ky djalosh filloi të mirret me dituri e të lër anash tregëtin që e kishte si profesion nga familja.
Në paragrafin e dytë u mundova të paraqes në pika të shkurtra vdekjen e tij misterioze, torturat dhe mundimet e shumta që ju bënë vetëm e vetëm pse nuk e pranoi urdhrin e udhëheqësit që të bëhet Gjykatës Suprem i shtetit Islam, nga frika se mos vallë do të jet i padrejtë ndaj ndonjërës palë. Por ka dashur All-llahu që ky dijetar të vdesë në këtë mënyrë.
Më tutje paraqita kontributin e tij në shkencën e Akaidit, duke filluar prej nga e para duke i përmendur veprat e tij më të njohura, të cilat i ka shkruar në këtë shkencë.Mandej paraqita një paragraf me titullin "Ebu Hanifja si themelues i shkencës së kelamit", ku ky dijetarë me debatet e tija dhe veprat e tij konsiderohet si themelues i shkencës se kelamit, njeriu i cili i vuri themelet e besimit Islamt dhe njeriu i cili mbrojti çdo herë Ehli Sunetin.
Ndërsa në pjesën e fundit paraqita përmbajtjen e veprës së tij më volumonoze. Vepër e cila sot është baza e kelamit "El-Fikhul Ekber", dhe temat të cilat i trajton kjo vepër. Për përgatitjen e këtij punimi kam konsultuar disa libra, të cilat mendoj se kanë qenë të nevojshëm për këtë temë. Besoj që ky punim i shkurtër rreth kontributit të Imam Ebu Hanifes në shkencën e Akaidit do të jetë në dobi të të gjithë atyre çka do e lexojnë.
Autor: Muzemil OSMANI
Literatura e shfrytëzuar:
1. Akaidi Hanefij Orhan BISLIMAJ (Prizren-2008).
2. Kontributi i Imam Ebu Hanifes në fushën akaidologjike, Nexhat IBRAHIMI (2009).
3. Hyrje në Kelam Bekir TOPALOGLU (Prishtinë-2002).
4. Fikhu Hanefi Selim SULEJMANI (Prishtinë-2008).
_________________________
[1] - Shih Akaidi Hanefi, rreth prejardhjes së tij ka disa mendime disa thonë se është me prejardhjë turke e disa arabe.
[2] - Shih Kontributi i Imam Ebu Hanifes Nexhat Ibrahimi.
[3] - Imam Asimi- njëri nga shtat lexuesit më të mirë të Kur'anit.
[4] - Shkenca Islame- Fikh, Hadith, Akaid, etj..
[5] - Shih Fikhu Hanefi Abdulhamid Tahmuz fq.25.
[6] - Racionaliste - logjike.
[7] - Fraksion-drejtim, rrymë, sekt.
[8] - Shih Akaidi Hanefi fq.23.
[9] - Njeri i cili meret me shkencën e Kelamit.
[10] - Shih Hyrje në Kelam fq.59.
[11] - Shih Akaidi Hanefi fq.24.
[12] - Hyrje ne Kelam fq.59.