Muhammedi a.s., njeriu i paqes dhe tolerancës



Kur'ani është Fjala e Zotit të Madhërishëm dhe mesazhi i Tij që shpalli për banorët e Tokës, për të vënë rendin dhe drejtësinë midis njerëzve pa dallim, për të ruajtur dhe rregulluar jetën e njerëzve në sipërfaqe të tokës.

Në shkrimet e mëhershme të atyre që hapen dritaren e dijes është thënë qartazi se mesazhi i Kur'anit Fisnik në tërësi është mesazhi i paqes, tolerancës dhe respektit te ndërsjellë. Vetë fjala Islam d.m.th. paqe, e kjo thirrje për paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë është vizion i Islamit, ashtu sikur që është edhe veprimi gradual dhe mesatar vizion i tij.

Allahu i Madhërishëm i thotë Muhamedit s.a.v.s.: "Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë dhe polemizo me mënyrën e cila është më e mira"!

Allahu e mësoi të Dërguarin e Tij që të kumtojë të mirat e shumta të Islamit: Besimin, paqen, moralin dhe mëshirën në mënyrë që bota të ketë jetë të begatshme dhe lumturi.

Tolerancën dhe paqen para se gjithash duhet ta kërkojmë te i Dërguari ynë i cili është i cilësuar si profet i paqes, mëshirës dhe dhembshurisë. Ai nuk ishte mëshirë vetëm për një vend, komb, krahinë, por, për mbarë njerëzimin, ai sillej me njerëzit me butësi, ngrohtësi dhe dashuri. Nuk urrente të tjerët, nuk nënçmonte askënd, ishte i afër e i dashur për të gjithë, pa dallim.

Allahu i Madhërishëm thotë: "Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë padyshim se njerëzit do të largoheshin prej teje".

Vetë i Dërguari ynë s.a.v.s. thoshte: "Unë u dërgova me fenë e lehtësimit dhe mëshirës".

Gjithashtu ai thoshte: "Kush sillet me mëshirë me njerëzit në këtë dynja, Allahu në botën tjetër do të urdhërojë engjëj të posaçëm të cilët do të sillen me mëshirë ndaj tij"!

Nuk është transmetuar ndonjë rast që ai në traditën e tij të mallkonte të tjerët, të fyente apo nënçmonte dikë, pa marrë parasysh bindjet dhe besimin e tyre. Nuk ekziston madje as edhe një rast i vetëm që ai të ketë detyruar dikë të pranoj Islamin me dhunë. Njerëzit ishin të lirë të zgjedhin besimin të cilin e dëshironin.

Ai sillej me moral dhe kishte fjalë respekti për të gjithë. Një herë kur u pyet: "Cila është puna më e dobishme"? Ai u përgjigj: "Fjala e mirë, mëshira dhe morali".

Por edhe pas vdekjes së tij, muslimanët vazhduan të trajtonin pjesëtarët e besimeve tjera me respekt dhe tolerancë. Vendet islame ishin vende të sigurta edhe për pjesëtarët e tjerë dhe një gjë e tillë është dëshmuar përgjatë tërë historisë, duke filluar nga të parët: Omeri r.a., pas marrjes së Jerusalemit i siguroi të krishterët, i vizitoi kishat e tyre për t'u ofruar atyre garanci për sigurinë e jetëve të tyre dhe pronës, duke u thënë: "Askush nga ju nuk detyrohet me dhunë të ndërroj besimin, jeni të mbrojtur si tërësi, jeta, pasuria dhe tokat tuaja por edhe e drejta fetare".

Kjo periudhë ka vazhduar ndër shekuj, e në veçanti gjatë kohës së qeverisjes së Perandorisë Osmane, e cila dëshmoi kulminacionin e respektit, mëshirës dhe tolerancës ndaj të tjerëve. Muslimanët ishin të fortë ngase posedonin armën kryesore: drejtësinë dhe kujdesin ndaj të tjerëve, sigurinë e tyre, dhe kjo periudhë vazhdoi gjersa punohej mbi bazën e respektit ndaj të tjerëve, mbi bazën e drejtësisë. Ne duhet t'i ofrojmë shembull të qartë/konkret dhe mesazh gjithë botës se Islami ka parim kryesor respektin, dashurinë dhe kujdesin edhe për ata që dallojnë nga qytetërimi ynë.

Sot, fatkeqësisht kemi ngecje, mirëpo fajin për këtë assesi nuk duhet ta kërkojmë tek Kur'ani Fisnik, përkundrazi, ne përfundimisht duhet të bëjmë dallimin midis Islamit dhe muslimanizmit. Duhet të dallojmë mirë atë që është islame nga ajo tradicionale, e kujtdo qoftë kjo e fundit.

Islami ka ligjet dhe rregullat e veta dhe ato nuk guxojmë t'i përdorim për nxitje të urrejtjes dhe mostolerimit ndaj të tjerëve. Sepse fundja, populli ynë ka një të ardhme të përbashkët me këtë pjesë të botës e cila me shumicë i përket qytetërimit të krishterë, por të cilët treguan dashurinë dhe konsideratën për vendin tonë në momentet më të vështira nëpër të cilat kaloi populli ynë.

Edhe të parët tanë na kanë mësuar të jemi shpirtgjerë dhe tolerantë, ngase pikërisht ky është virtyti i muslimanit; i shikon edhe të tjerët me të njëjtin sy, pa kurrfarë dallimi. Kurse individi shpirtngushtë paragjykon dhe bën dallime mes njerëzve dhe shtresave.

Ne kemi çka të ofrojmë, dhe si popull në theks të veçantë nuk kemi të drejtë te izolohemi dhe të jemi të kufizuar në veprimet tona apo të jemi të ndikuar nga traditat e të tjerëve.

Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të Dërguarin tonë Muhamedin dhe të dërguarit tjerë të Allahut të Madhërishëm!



Autor: Mr. Bekim JASHARI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...