Ramazani shkoi, por ne ...!!



Ramazani shkoi për tu kthyer sërish vitin tjetër, por ne nuk dimë se a do të jemi ata që do ta përjetojmë sërish këtë muaj, apo ndoshta ky ishte Ramazani i fundit për ne. Ramazanin dikush e kishte pritur me shumë dëshirë, vullnet dhe lumturi, sepse ishte i vetëdijshëm për vlerat dhe bereqetin e këtij muaji, kurse disa e kishin pritur me panik sepse realisht kishin harruar kënaqësinë e Ramazanit të kaluar dhe bereqetet e tij, e disa aq që u mërzitën për Ramazanin e kaluar e as që ditën se jemi në muajin e Ramazanit.

Të nderuar besimtarë, sapo e përcollëm muajin e agjërimit, dhe kaluam bashkërisht edhe ditët e Bajramit, por a thua vallë, kemi bërë analizë të veprimeve tona gjatë këtij muaji. Si ka qenë gjendja jonë gjatë këtij muaji, sa kemi qenë të kyçur në ibadete brenda ditëve të Ramazanit? A thua kemi dhënë maksimumin brenda këtij muaji, apo ndoshta e kemi bërë këtë agjërim ashtu thjesht vetëm sa për të thënë se kemi agjëruar?! A thua, vallë agjërimit të ditës i kemi shtuar edhe faljen e namazit të terapisë, apo ndoshta ka mjaftuar agjërimi dhe gjumi brenda ditës, e pastaj në mbrëmje jemi ndier të lodhur nga agjërimi gjumi dhe nuk kemi pasur mundësi të falim namazin e terapisë? A thua vallë, pse xhamitë nuk ishin të mbushura me xhematë këtë Ramazan, sëpaku sa gjysma e xhematit të Bajramit? A thua vallë, ku ishin defektet, te xhamitë, te xhemati apo te hoxhallarët? A po ndoshta askush prej këtyre nuk ishte fajtorë, por rendi kështu e dashka? Xhamitë kishin nevojë për xhematë apo për hoxhallarë? Kush kujt i mungonte, xhemati hoxhallarëve, apo hoxhallarët xhematit? Pastaj, dikush bënte për namaz të teravisë njëzet trekatëshe sipas sunetit, e dikush bënte thirrje për namaz të teravisë së sofistikuar prej tetë rekësh, ndoshta këtu qëndron defekti? Ndoshta defekti qëndron në faktin se disa nga hoxhallarët thirrnin popullin për namaz nëpër xhami, e disa për namaz nëpër podrume e halla të ndryshme? Po pra, Ramazani shkoi, edhe Bajrami besa shkoi, por dilemat ngelën dhe askush nuk çanë kokën me analizat dhe përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave. Këto dilema presin analiza dhe përgjigje, e nëse nuk ka kush t'i përgjigjet, edhe Ramazanin tjetër na përsëriten të njëjta gabime? Nëse nuk gjejmë përgjigje të saktë dhe korrekte për këto dilema, atëherë kam frikë se këto janë sinjale të qarta se edhe agjërimi i jonë nuk ka zbutur zemrat tona, pra nuk ka arritur efektin e kërkuar!

Të nderuar lexues, pak kush për të mos thënë askush nuk po bënë analiza, thjesht u gëzuam që shkoi Ramazani, përjetuam edhe Bajramin e më tutje çdo kush në punën e tij, në gajlet e tij, dhe në fitimin e tij, pastaj sërish na vjen Ramazani tjetër e shohim çka bëjmë atëherë!

Të nderuar nëse këtë temë bisede e hapë me xhematin, do të dëgjosh lloj lloj mendimi prej tyre, por kryesisht faji hedhet te hoxhallarët, sepse xhemati nuk ka faj. Ata menjëherë akuzojnë hoxhallarët se nuk po punojnë sa duhet me popullin, e veçanërisht me rininë! Hoxhallarët më nuk kanë ngelë pasqyrë e popullit, sepse veprimet e tyre të përditshme lënë përshtypje te xhemati se interesi i vetëm i tyre është aspekti material e jo ai fetar! Ndoshta mundtë ti shëtisësh të gjitha xhamitë gjatë muajit të Ramazanit, e kush e din se me i gjetur dy apo tre ose asnjë me uniformë hoxhe! Si është e mundur kjo, pyeste një xhematë gjatë Ramazanit? Hoxha del në Mihrab jo që nuk ka çallmë, por edhe pa kësulë, pa çorapë, krah shkurtë, me maica të shkruara sikur të gjendej në diskotekë, e jo në Mihrab, thoshte tjetri. Pastaj, hoxhallarët (normal jo të gjithë) ua kemi mësuar derset përmendësh më, sepse ata nuk bëjnë përgatitje profesionale për ta ushqyer xhematin me ligjërata dhe këshilla e nasihate të mira që ta tërheq xhematin, thoshte i treti?! Pastaj disa hoxhallarë tjerë që vijnë e falen në stilin e Kung Fusë, jo që vetë nuk falin sunetin por ndalojnë edhe xhamtin të falin sunetet në xhami!? Pra, konkluza e xhematit është se fajtorë për këtë kryesisht janë hoxhallarët që çdo gjë e kanë materializuar dhe nuk ju intereson aspak çështja e Islamit!

Kur të bisedosh me hoxhallarët, ata kryesisht fajtorë për tërë këtë e bëjnë xhematin, sepse ne jemi aktiv, ne dalim në xhami dhe bëjmë shërbime, por xhemati pak ka interesim për islamin! Ne jemi në krye të detyrës, e sa i përket disa çështjeve që nuk ju pëlqejnë xhematit, siç është uniforma dhe sendet tjera, është problem i tyre sepse Islami nuk përqendrohet në uniformë, thoshte një nga hoxhallarët! Nasihatet e Ramazanit po i mbajmë edhe pse të shkurta po i mbajmë, e pse nuk vejnë kush me i dëgjua, s'është problem i joni!

Nga tërë këto muhabete është vetëm një e vërtetë, e që është, se fajtori assesi të gjendet, kurse arsyeja pse nuk gjendet është vetëm një, sepse ne fajin asnjëherë se kërkojmë atje ku është, por gjithmonë atje ku nuk është. Nëse je i interesuar ta gjesh fajin, atëherë kërkoje te vetja jote, e sigurisht se do ta gjesh.

Unë nuk di kush është fajtor, por e di se tërë këto dilema kërkojnë zgjidhje, tërë këto pyetje kërkojnë përgjigje, sepse edhe ne do të mbajmë përgjegjësi për to një ditë. Bindja ime është se fajin për mos mobilizimin e ushtarëve në të shumtën e rasteve e mbajnë oficerët, e në këtë rast sa më të përgatitur të jenë hoxhallarët sigurisht se edhe xhamti është më i ngritur, në fund të fundit kjo edhe është detyra e udhëheqësve fetarë.

Sërish po them ku qëndron vërteta nuk mund ta lokalizoj saktësisht, andaj apeloj te të gjithë kolegët të merren pak me këto probleme dhe analiza, krejt me qëllim që të jemi në shërbim të islamit dhe myslimanëve, sepse këtë e kemi amanet mbi supe dhe për këtë do japim llogari para Allahut xh.sh..



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...