Hutbeja e Fitër Bajramit



"Çdo gjë që është në të (në tokë) është zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!", (Er-Rahman, 26-27).

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.


Të dashur xhemat, e vëllezër të nderuar

Sot, shpirtrat e besimtarëve janë të gëzuar por edhe të mërzitur për shkak të ndarjes me mysafirin e tyre më të dashur. Të gëzuar janë për shkak të Bajramit, dhe janë të vetëdijshëm se Allahu i ka falur dhe i ka liruar nga ngarkesa e mëkateve, të cilat kanë mundur t'i bëjnë gjatë vitit. Falja është e madhe, prandaj dhe ata sot gëzohen. Ndërkohë, janë të mërzitur se këta shpirtra dje u përshëndetën me mysafirin e tyre më të dashur dhe me të këndshëm gjatë këtij muaji, mysafir ky i cili erdhi me mesazhe shumë të fuqishme: "Kush dëshiron të falet, ateherë le të më bëj nder mua. Kush dëshiron të çlirohet nga zjarri, le të bëjë ashtu siç bëjnë shumë besimtarë të drejtë me mua, e kush dëshiron shpërblimin e Allahut, ai le të kujdeset mirë me mua, etj.". Vërtetë, të dashur vëllezër, shumë shpejt kaloi jeta që na ofroi ky mysafir, ky muaj i bekuar, ky Ramazan i madh. Jetë kjo e lehtësirave, kënaqësive, jetë në cilën shpirti dominoi mbi qejfet dhe materialen. Ky, pra, është xhenneti në këtë botë. E kush nuk dëshiron të hyjë në xhennet që në këtë botë, besojmë se do ta ketë shumë të vështirë të hyjë në Xhennetin e vertetë, në botën tjetër.

Vëllezërit e im të dashur, shihni se sa shpejt na kaloi Ramazani, kështu do të na kalojë edhe jeta. Andaj dhe është shumë e rëndësishme që sot të fillojmë të mendojmë për përmirësimin tonë, për kthimin tonë kah Allahu, kah Rruga e Tij. Detyrat tona pas ramazanit janë të mëdha dhe le të shikoj gjthsecili prej nesh drejtë atyre besimtarëve të cilët gjatë Ramazanit u çliruan nga zjarri i Xhehennemit dhe u përcaktuan për në Xhennet. E unë, nga ky vend dhe nga ky moment, e lus Allahun që neve të na ketë bërë prej besimtarëve të tillë, që rrugën e kemi drejtë Xhennetit, inshallah.

Xhemat i shtrenjtë, Ramazani mund të konsiderohet si mjeku më i miri i shtëpisë, i cili erdhi që të na e shërojë shpirtin me agjërim, të na e zgjojë shpirtin me syfir, të na e gëzojë atë me iftar, të na e këndell atë me namazin e teravive, të na e zbus atë me zaqatin, të na e hap atë me anë të bisedave vëllazërore, të na e pastrojë atë nga urrejtja si dhe të na e shëroj atë nga mendjemadhësia. Prandaj dhe sot janë të lumtur ata që iu përgjigjën thirrjes së Zotit që me anë të agjërimit të gjejnë paqen, qetësinë e rehatinë, dhe këtë duke e bëre me vetveten, familjen dhe me të tjerët. Janë të lumtur se me anë të agjërimit, besimtarët forcuan dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve.

Së këndejmi, të dashur vëllezër, ne sot përpara kemi festën e Fitër Bajramit. Duke mos dashur që të zgjatem edhe me tej, me lejoni që t'ju them edhe nja dy-tre porosi në lidhje me këtë festë të bekuar.

Të dashurit e mi, Bajrami është koha kur duhet të tregojmë dashuri të veçantë ndaj prindërve, fëmijëve, farefisit, fqinjëve dhe miqve. Bajrami është koha kur duhet të mendojmë për të sëmurët tanë dhe ta lusin Allahun që t'i shërojë ata; të mendojmë për punëtorët dhe të lusim Allahun që t'ju ndihmojë atyre; të mendojmë për të rinjtë dhe studentët, për të robëruarit dhe për ata që vuajnë dënime, të mendojmë për të gjithë ata njerëz me zemra të mira që Allahu t'i ruaj prej çdo belaje dhe ngarkese. Bajrami është koha kur duhet të mendojmë për forcimin e lidhjeve tona vëllazërore, për shkak se ato janë të ndjeshme dhe prishen shpejt, mu ashtu siç për disa sekonda digjet libri, i cili është dashur të shkruhet me vite. Nëse janë dashur vite që të njihemi dhe të duhemi, atëherë le të mos ketë vite kur ne të ndahemi dhe ta urrejmë njeri tjetrin. Islami dhe kombi ynë ka nevojë për bashkimin e zemrave tona, ashtu siç kanë nevojë zemrat tona të afrohen njera me tjetrën. Allahu na e bëftë bashkimin ideal tonin, ndërsa përçarjen na e bëftë gjënë më të urrejtur.

O Zoti ynë, na bëj që të të shërbejmë vetëm Ty, që të largohemi prej mëkateve, që të flasim të vërtetën, kurse gënjeshtrën dhe fitnen na i bëj të huaja mes mes nesh. O Zoti ynë, mos lejo që të na deh suksesi, por as humbja, mos lejo, që të na dëshpërojë. O Zoti ynë i Drejtë, kur ne të mekatojmë për njerëzit, na dhuro forcën e pendesës, dhe kur të tjerët të gabojnë ndaj nesh, na dhuro forcën e faljes. O Zot i Mëshirshëm, nëse ne të harrojmë Ty, të lutemi, Ti mos na harro neve!

Në fund, të dashur vëllezër, të gjithë juve nga zemra ju urojë festën e Fitër Bajramit, duke e lutur Allahun për shendetin dhe suksesin tuaj në jetë dhe në punë. Gjithashtu, në emër të kryesisë së xhamisë dëshiroj që t'ju përcjell mesazhin e urimit te të gjithë ju të pranishëm dhe te farefisi juaj, kudo qoftë ai: Në Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Preshevë, Shqipëri, Bosnjë, Mal të Zi, apo në ndonjë vend tjetër.

Urime edhe njëherë Festa e Fitër Bajramit dhe u gëzofshin të gjithë muslimanët, kudo që janë anë e kënd botës.



Autor: Mehas ALIJA



_________________________

(Hutbe e mbajtur me rastin e Fitër Bajramit në St. Gallen të Zvicrës, më 19.08.2012, nga imami i xhamisë El-Hidaje, Mehas ALIJA.) .

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...