Imameti dhe pasimi i tij



Ehlu's-Sunneti kanë thënë: Është e domosdoshme që njerëzit (muslimanët) të kenë një imam (prijës), i cili do të ruaj interesin e përgithshëm të tyre. Për këtë çështje ekziston konsensusi i sahabëve, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë ata. Pas vdekjes së Resulullahut a.s., njerëzit kishin mendime të ndryshme rreth përcaktimit të imamit. Në ndërkohë, ishin pajtuar njëzëri për imametin e Ebu Bekrit, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të.

Sipas nesh, nuk lejohet që njëkohësisht të pasohen dy imamë. Këtë gjë e kanë kundërshtuar disa prej rafidinjve, duke u arsyetuar që: në çdo kohë ekzistojnë dy imamë, njëri prej tyre pasiv (i heshtur), ndërsa tjetri aktiv (që flet). Njëjtë, fraksioni i keramitëve e ka konsideruar të drejtë imametin e Maviut kundrejt imametit të Aliut r.a.. Pa dyshim, kjo nuk është e drejtë, sepse shpie në domosdoshmërinë e respektimit (pasimit) të dy personave në një kohë të vetme, edhe kur vendimet e tyre janë kontradiktore. Një mundësi e tillë është e papranueshme. Në lidhje me këtë, ka sinjalizuar edhe Ebu Bekri, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, gjersa ka thënë: "nuk mund të bashkohen dy shpata në një këllëf". Ndërsa, Aliu, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, duke aluduar në ndjekësit e Muavisë, ka thënë: "vëllezërit tanë kanë luftuar padrejtësisht kundër neve".

Nëse janë besatuar dy imamë, atëherë imameti i takon atij që, të parit i është dhënë besimi. Nëse janë zgjedhur njëkohësisht, atëherë anulohet zgjedhja e tyre. Patjetër duhet një, ose asnjëri nga ta, e zgjedhet një tjetër.

Kushtet për të qenë imam janë:

1. të jetë mashkull,
2. të jetë i lirë,
3. të jetë i moshës madhore,
4. të jetë i mençur, dhe
5. të jetë nga fisi kurejsh. [1]

Ndërsa, të qenët e tij prej fisit Beni Hashim, nuk është kusht te ne (maturidinjtë). Këtë e kanë kundërshtuar batininjtë. Drejtësia, te ne është kusht plotësues, kurse te shafiinjtë është kusht i besëdhënies. Sipas nesh (hanefinjve) pasimi i imamit mëkatar, është i papëlqyer, por megjithatë besatimi i tij është e drejtë ligjore. Sipas drejtimit tonë, nëse imami bën mëkat të madh, është meritor për t'u larguar nga detyra, por megjithatë nuk largohet, ndërsa te shafiinjtë, te të gjithë mu'tezilët dhe havarixhët, largohet.

Te ne, ai që është më i vlefshëm ka përparësi ndaj atij me më pak vlerë. Këtë e kudërshtuan disa prej rafidinjve. Omeri, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, e kishte bërë mexhlisin konsultativ që përbëhej prej gjashtë vetave, duke pasur parasysh parimin se disa kanë vlera më të larta se të tjerët.


Imameti i hulefair-rrashidinëve

I pari nga hulefair-rrashidinët (halifët besimdrejtë) është Ebu Bekri, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të. Me personalitetin e tij, plotësonte të gjitha kushtet për halife dhe ishte më i vlefshëm se të gjithë sahabët. Të gjithë sahabët ishin unikë për hilafetin e tij. Ky është një argument i prerë dhe refuzon çdo pandehmë të atij që thotë se, Pejgamberi a.s. ka lënë testament (nas-s) për Aliun, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të. Sepse, Pejgamberi a.s. ka thënë: "Ymeti im nuk mund të bashkohet ne devijim". Ndërsa është më se e njohur ajo që Aliu r.a. vetë e pati dhënë besatimin për hilafetin e Ebu Bekrit, pasi ishte në interesin e përgjithshëm.

Gjatë hilafetit të tij u shfaqën çështje, në të cilat mendjet e ndritura të sahabëve hasën në qëndrime kontradiktore, por falë arsyes së tij të bereqetshme, u shmangën të gjitha mospajtimet e ymetit, siç e kemi shpjeguar në "El-Kifajetu". [2]

Para vdekjes së tij, Ebu Bekri r.a., e la për halife Omer bin El-Hattabin. Transmetohet se kur i humbi shpresat për jetesë, e thirri Othmanin, [3] kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, dhe ia diktoi librin e përgjegjësisë për Omer bin el-Hattabin. Sapo e përfundoi shkrimin e dokumentit, e transmetoi atë te njerëzit dhe i urdhëroi konform saj, që ta japin besatimin për atë, që është përcaktuar në dokument. Të gjithë dhanë besatimin. Kur erdhi radha te Aliu r.a., ai tha: i kemi dhënë besatimin atij që është në dokument, edhe nëse ky është Omer bin el-Hattab. Pastaj sahabët ranë në ujdi të plotë për hilafetin e tij, ndërsa ai shkoi hapave të Ebu Bekrit r.a., formësoi radhët e ushtrisë, bazën e ixhtihadit, gjersa Allahu nëpërmjet kontributit të tij e zhduki kufrin dhe të këqijat.

Së këndejmi, Omeri r.a. ra dëshmor dhe çështja e hilafetit mbeti në duart e 'shurasë' (grupit konsultativ), që përbëhej nga gjashtë veta: Osmani, Aliu, Abdurrahman bin Avfi,[4] Talhaja, [5] Zubejri, [6] dhe Sa'd bin Ebi Vekkasi, [7] kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë ata. Pesë prej tyre, çështjen e zgjedhjes së halifes, ia besuan zgjedhjes personale të Abdurrahman bin Avfit, duke u pajtuar me zgjedhjen e tij, pa marrë parasysh atë. Ky i fundit, e zgjodhi Osmanin, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, i cili para sahabëve dha besatimin, e, edhe ata i dhanë një gjë të tillë, duke iu nënshtruar urdhrave të tij dhe u falën pas tij në namazin e xhumasë dhe bajrameve përgjatë hilafetit të tij. Të gjithë sahabët ranë në ujdi për vlefshmërinë e zgjedhjes së tij për halife. Asgjë nuk transmetohet nga ajo që imagjinohet për gjoja refuzim të hilafetit të tij. Disa prej tyre kanë bërë shpifje, e disa të tjerë kanë rënë viktimë të interpretimit, sado që kanë ndjekur një interpretim të shëndoshë rreth gjendjes së tij. Prandaj, nuk ka asgjë të qartë që mund të shërbejë si argument i prerë.

Pastaj, ra dëshmor Osmani r.a., duke lënë hilafetin të ndërprerë (pa testament). Menjëherë u mblodhën më të mëdhenjtë e sahabëve nga radhët e ensarëve dhe muhaxhirinëve, duke kërkuar nga Aliu r.a. të pranojë hilafetin. Madje ndaj tij ushtruan edhe një dozë trysnie, derisa ka pranuar detyrën e halifes. Atij i dhanë besatimin, të gjithë ata që ishin prezentë nga më të mëdhenjtë e sahabëve, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë ata. Ai që e ka kundërshtuar dhe ka luftuar kundër tij, e ka bërë nga paragjykimi dhe hulumtimi i të vërtetës - ixhtihadi. Aliu ishte në rrugën e drejtë të Ehlus-sunneti. Në kohën e tij, ishte më i vlefshmi dhe më i denjë për detyrën e imametit. Transmetohet se ata (që e luftuan) janë kthyer nga kjo bindje dhe janë penduar.

Dhe, 'hilafeti i pejgamberisë' përfundon me mbarimin e hilafetit të Aliut r.a., i cili ra dëshmor në krye të tridhjetë vjetëve pas vdekjes së Pejgamberit a.s., e që përputhet me atë që ka thënë Pejgamberi a.s.: "Pas meje, hilafeti i drejtë do të zgjasë tridhjetë vjet". [8]

Epërsia e vlerës së halifëve, sipas ehlu's-sunnetit, renditet sipas epërsisë së tyre në hilafet. Ndërsa, sa i përket vlerës së fëmijëve të tyre, disa prej dijetarëve kanë thënë: nuk ka epërsi të disave mbi të tjerët, përpos me dije dhe devotshmëri. E disa të tjerë kanë thënë se ekziston epërsia e fëmijëve sipas renditjes së prindërve të tyre, me përjashtim të fëmijëve të Fatimes, [9] kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, që kanë epërsinë e vlerës ndaj të gjithë fëmijëve të sahabëve, për shkak të afërsisë së tyre me Resulullahun a.s..

Për shkak të vlerës së sahabëve, është Synet, që besimtari ta ndalojë gjuhën kundër të gjithë sahabëve dhe mos t'i kujtojë ata, përpos me të mirë. Çështjen e tyre le ta mendojë si përpjekje për më të mirën dhe të drejtën, sipas thënies së Pejgamberit a.s.: "Frikësojuni Allahut, frikësojuni Allahut! Keni kujdes ndaj (hakut të) shokëve të mi! Mos i mermi në akuzim ata pas meje. Kush i do ata, këtë e bën për shkak të dashurisë ndaj meje, e kush i fyen, këtë e bën për shkak të fyerjes ndaj meje". Sepse ata e ndihmuan fenë e Allahut dhe ishin njerëzit e zgjedhur për ta shoqëruar Resulullahun a.s., kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë ata.



Autor: Imam Nurud-din Es-Sabuni
Nga arabishtja: Mr. Orhan Bislimaj
Shkëputur nga: Akaidi Maturidij, fq. 105-109.



_________________________

[1] - Autori mbështetet në hadithin e Muhamedit a.s., i cili është: "lmamët janë nga Kurejshitët", (el-eimmetu min kurejsh). Ky ka qenë qëndrim i përgjithshëm i muslimanëve në ditën e Thekifil. Kur primati i kurejshitëve r.a., joarabët e fituan kontrollin në shtet, kështu që ka pasur gjithnjë e më pak, të atillë, të cilët e kanë theksuar këtë kusht ..., (Ibn Haldun, po aty, fq. 67, - MO, cituar sipas: Nexhat S. Ibrahimi, "Besimi Islam sipas imam Nesefiut", botoi Zëri Islam, Prizren, 2003, fq. 43, - përkthyesi).
[2] - Prej këtyre mospajtimeve, në të cilat ka ndikuar Ebu Bekri janë:
Kur vdiq Pejgamberi a.s. njerëzit u revoltuan shumë, gjersa Omeri r.a. pati thënë: kush thotë se Muhamedi ka vdekur, do t'ia heq qafën. Mirëpo, Ebu Bekri për këtë ka folur dhe në ligjëratën e tij ka thënë: kush e ka 'adhuruar' Muhamedin, le ta dijë që ai ka vdekur, e kush e adhuron Allahun, le ta dijë se Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë. Nëpërmjet kësaj fjale, njerëzit e kuptuan se ai kishte vdekur.
Rreth vendit në të cilin do të varrosej Pejgamberi a.s. pati mendime të ndryshme. Muhaxhirinët thoshin se ai duhet të transferohet në Mekë, ensarët që të varrosej në Medinë, e disa të tjerë thoshin se duhet të transferohet në Bejtul Mukad-des në Jerusalem. Edhe rreth kësaj atyre ua transmetoi Ebu Bekri thënien e Pejgamberit a.s. se: "pejgamberët varrosen aty ku vdesin", dhe të gjithë u pajtuan për këtë.
Rreth zgjedhjes së halifit. Ensarët thoshin se: ne kemi prijësin tonë (emirin) e ju prijësin tuaj. Po ashtu disa e simpatizonin Abbasin e disa Aliun. Gati sa kishte ndodhur një sprovë e madhe, por falë udhëzimeve të tij, kjo u evitua.
Rreth nisjes së ushtrisë së Usames (për në Sham), për të cilën Pejgamberi a.s. pati porositur. Disa prej sahabëve mendonin se kjo duhej lënë. Por ishte Ebu Bekri, ai që u zotua për ta çuar në vend porosinë e Pejgamberit a.s., dhe kjo doli tëjetë më e drejtë.
Rreth mbytjes së dezertorëve nga feja Islame, të cilët e mohuan dhënien e sadakasë dhe zekatit në arkën e shtetit, etj., (El-Kifajetu, 49 v - dh, dhe kopja A82 v, cituar sipas: Topaloğlu, "El-Bidajetu fi usulid-din" po aty, fq. 59, - përkthyesi).
[3] - Uthman bin Affan (v. 35 h./656 m.), është halifi i tretë prej 'hulefair-rrashidinëve'. Është martuar me Rukijjen dhe pas vdekjes së saj me Ummi Kulthumin dy vajzat e Pejgamberit a.s., (El-Munxhid fil-lugati ve'l a'lam, 2/371, - përkthyesi).
[4] - Ky është Abdur-rrahman bin Avf bin Abdi Avfin bin Abdil Harith, Ebu Muhamed Ez-Zuhrij El-Kurejshi, prej sahabëve të mëdhenj, njëri prej dhjetë të shpërblyerve me xhenet dhe prej të parëve që kanë pranuar Islamin. Vdiq më 32/652, (sipas Topaloğlu, "El-Bidajetu ..." po aty, fq. 59, - përkthyesi).
[5] - Ky është Talha bin Ubejdullah bin Uthman bin Et-Temimij El-Kurejshi, Ebu Muhamed, sahabij trim dhe bujar. Njëri prej dhjetë të shpërblyerve me xhenet. Vdiq në luftën e 'devesë' në vitin 36/656, (sipas Topaloğlu, "El-Bidajetu ..." po aty, fq. 59, - përkthyesi).
[6] - Ky është Zubejr bin El-Av-vam bin Huvejlid El-Esedij El-Kurejshij - Ebu Abdilah, prej sahabinjve. Njëri prej dhjetë të shpërblyerve me xhenet. U vra në luftën e 'devesë' në vitin 36/656, (sipas Topaloğlu, "El-Bidajetu ..." po aty, fq. 59, - përkthyesi).
[7] - Ky është Sa'd bin Ebi Vekkas Malik bin Uhejb bin Abdi Menaf El-Kurejshi Ez-Zuhrij - Ebu Is'hak, prej sahabinjve. Njëri prej dhjetë të shpërblyerve me xhenet. Vdiq më 55/675, (sipas Topaloğlu, "El-Bidajetu ..." po aty, fq. 60, - përkthyesi).
[8] - Hadithi i plotë është: "Hilafeti (në kuptim të qeverisjes së drejtë) do të zgjasë tridhjetë vjet pas meje, e pastaj do të bëhet monarki", (Suneni i Tirmidhiut, Kitabu'l futuni an Resulil-lahi, Babu: ma xhae fil hilafeti, nr. 2152, - përkthyesi).
[9] - Kjo është Fatime binti Resulil-lah Muhamed a.s. ibni Abdilah bin Abdil Muttalib El-Hashimij El-Kurejshij. Nëna e saj është Hatixhe binti Huvejlid. Atë e ka martuar Alij bin Ebi Talibi, dhe me të ka lindur Hasanin, Husejnin, Ummi Kulthumin dhe Zejnebin. Vdiq më 11/632, (sipas Topaloğlu, "El-Bidajetu ..." po aty, fq. 61, - përkthyesi).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...