Islamofobia e institucionalizuar në Kosovë, sfidë për gratë e mbuluara



Me ëndrrat për t'u bërë ushtare, arsimtare apo dizajnere grafike, gratë në Kosovë kanë folur kundër diskriminimit me të cilin përballen gjatë kohës sa e ndjekin karrierën e tyre përderisa mbajnë mbulesë në kokë, si dhe për politikat dhe stigmat shoqërore që vazhdojnë t'u dalin në udhë.

Kosovare Ramadani, ëndërron të jetë ushtare. 23 vjeçarja nga Shtimja është e mbuluar me shami myslimane dhe beson se mbulesa ishte arsyeja pse asaj iu shkëput ëndrra në gjysmë.

Në shkurt të 2019-ës Kosovarja aplikoi për tu bërë pjesë e FSK-së ajo kaloi testin fizik dhe atë të intelegjencës, ndërsa në intervistën para panelit diskutimi ishte mbulesa.

"Në intervistë më është cekur çështja e mbulesës në fillim të testimit. Më është bërë e ditur se mbulesa do të jetë shkaku kryesor për mospranim, ku dhe pala intervistuese ka kërkuar nëse pranoj të bëj një marrëveshje me ta, që në rast të pranimit ta heq mbulesën. Unë nuk kam pranuar të heq mbulesën, por kam pranuar se të gjitha kodet do t'i pranoj", rrëfen RamadaniRezultatet e intervistës ishin publikuar pak ditë më vonë. Ajo në testin e njohurive të përgjithshme, kishte kaluar 65 për qind dhe në testim fizik 90 për qind, por në intervistë ishte vlerësuar me zero pikë.

"Në intervistë më është cekur çështja e mbulesës në fillim të testimit. Më është bërë e ditur se mbulesa do të jetë shkaku kryesor për mospranim, ku dhe pala intervistuese ka kërkuar nëse pranoj të bëj një marrëveshje me ta, që në rast të pranimit ta heq mbulesën. Unë nuk kam pranuar të heq mbulesën, por kam pranuar se të gjitha kodet do t'i pranoj", rrëfen Ramadani.

Rezultatet e intervistës ishin publikuar pak ditë më vonë. Ajo në testin e njohurive të përgjithshme, kishte kaluar 65 për qind dhe në testim fizik 90 për qind, por në intervistë ishte vlerësuar me zero pikë.

"Në intervistë kam marrë 0 pikë dhe është cekur se jam e mbuluar. Do të thotë arsyeja pse kam marrë 0 pikë ka qenë mbulesa", shpjegon Ramadani.

Në Ushtrinë e Kosovës kriteret janë të qarta të gjithë duhet të jenë të uniformuar në të njëjtën formë dhe mbulesa paraqet problem.

Ibrahim Shala nga Ministria e Mbrojtjes thotë që FSK-ja është ushtri profesionale dhe vullnetare dhe në asnjë rrethanë ajo nuk ia përshtatë individit uniformën, por duhet individi t'i përshtatet rregullave dhe kodit të ushtrisë.

"Uniformë do të thotë të gjithë një lloj. Nëse individi insiston që veshjen e vet të jetës civile ta mbajë edhe në shërbim ushtarak, ai me këtë veprim ka përjashtuar veten për të qenë pjesë e ushtrisë, pavarësisht aftësive të tij intelektuale dhe fizike apo edhe gjinisë. Në kësi raste gjithçka përfundon këtu", thotë Shala.

Ai sqaron se të gjithë kandidatët mund të ngritin çështje gjyqësore për pakënaqësitë në procesin e rekrutimit të kadetëve të FSK-së.

Sipas avokates, Nora Huseinovic-Veliu, shumë gra me shami qoftë sikur rasti i Ramadanit që dorëzohen nga betejat ligjore - për shkak të financave dhe kohëzgjatjes deri dhjetë vjet për një vendim.

"Ky proces, përveç që është i mundimshëm për viktimën e diskriminimit nga aspekti psiko-social, është edhe jashtëzakonisht i kushtueshëm, ngase duhet angazhuar avokat, shërbimet e të cilit duhet paguar - jo aq lirë për standardin jetësor në Kosovë", thotë Veliu.


Precendenti gjyqësor

Një interpretim rreth mbulesës islame në institucione tashmë e ka dhënë Gjykata Themelore në çështjen e Qefsere Fazliut.

Qefserja një mësuese në shkollën "Isa Boletini" në fshatin Busi të rrethit të Prishtinës u përjashtua nga puna në vitin 2005 pasi vendosi të mbulohej me shami.

Në një betejë ligjore 8 vjeçare dhe pas një vendimi të Gjykatës Themelore, Fazliu fitoi të drejtën legale në korrik të vitit 2013, për tu rikthyer në punë një vit më pas. Ky rast shënon njërin nga rastet e para ku gratë me mbulesë fitojnë të drejtën me vendim gjykata të jenë pjesë e institucioneve.

Rasti i Fazliut ka ndryshuar edhe politikën e rekrutimeve në arsim pasi pas këtij vendimi në shkolla ka disa mësimdhënëse të mbuluara.

"Që nga viti 2016, ka një numër të mësimdhënëseve që janë gra me mbulesë dhe japin mësim në shkolla", thotë Avni Zuka, menaxheri i Burimeve Njerëzore në komunën e Prishtinës Prishtinë.


Sfidat dhe të drejtat e njeriut

Mosdiskriminimi gjinor, fetarë e racor janë parime të Kushtetutës së Kosovës.

Juristja, Edona Sina, shprehet që ndonëse me Kushtetutë Kosova përcaktohet si shtet laik, shteti i Kosovës, zbaton drejtpërdrejt marrëveshjet ndërkombëtare siç është edhe "Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut".

Gjithashtu, Sina, thotë që në nenin 38 të Kushtetutës parashihet që çdo njeri e ka të garantuar lirinë e besimit, ndonëse jo direkt flitet për shaminë apo simbole të tjera fetare.

"Në Kosovë nuk ka përcaktim ligjor fjalëpërfjalësh lidhur me lejimin apo ndalimin e bartjes së mbulesës, megjithatë nëse konsiderojmë mbulesën si simbol të fesë, atëherë Ligji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve në Republikën e Kosovës, ju njeh të drejtën që komunitetet dhe organizatat e tyre përfaqësuese kanë të drejtë të përdorin dhe të shfaqin simbolet e komuniteteve të tyre, por gjithmonë në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare".

Sina thekson që gratë me mbulesë që diskriminohen në punë, mund të mbrohen nga Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi.

"Diskriminimi si koncept ligjor nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë, që ka për qëllim apo efekt të zhvlerësoj ose cenojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave dhe lirive të njohura nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës".

Ajo shton që është e drejtë legjitime e secilës grua, për të parashtruar padi për shkak të diskriminimit për bartje të mbulesës - por kjo e drejtë mund të kufizohet në disa raste.

"Nga dispozitat kushtetuese e ligjore është e qartë se e drejta e besimit të fesë është e pamohueshme, por duhet të ritheksohen kufizimet e kësaj të drejte sidomos me rastet kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjera. Këtu qëndron vija ndarëse e manifestimit të kësaj të drejte".

Në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut një OJQ që merret me të drejtat e njeriut thonë se kanë ankesa nga gratë që diskriminohen për shkak të ferexhesë dhe mbulesës.

"Ne kemi pasur raste kur disa zonja janë ankuar që kanë aplikuar dhe jo zyrtarisht, përgjigja prej institucioneve ka qenë që nuk mund të punësohen për shkak të shamisë. Ka pasur raste kur edhe janë kërcënuar gratë që kanë qenë veçse të punësuara. Atyre ju është thënë 'o ta hiqni mbulesën, o ndryshe nuk mund të vazhdojnë punën'", thotë Valentina Demolli nga ky këshill.

Ajo sqaron se ankesat kryesisht janë për punësimet në sektorin publik ndërsa në sektorin privat ka pak ankesa pasi sipas saj këto gra nuk besojnë që mund të fitojnë të drejta në sektorin privat.

Në legjislaturën e shtatë në Kuvendin e Kosovës, do të jenë dy gra me mbulesë: Besa Ismaili dhe Labinotë Demi-Murtezi - që është zgjedhur për herë të dytë si deputete, tani nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Demi-Murtezi, shprehet që asnjëherë nuk është ndier e paragjykuar apo diskriminuar nga deputetët e tjerë, praktikantë apo jopraktikantë të fesë myslimane.

"Asnjëherë të vetme nuk kam vërejtur mangësi në sjellje apo mos-respekt nga asnjë koleg apo kolege, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare apo fetare".

Demi-Murtezi që jo vetëm gratë me mbulesë, por të gjitha gratë në përgjithësi janë të diskriminuara sa i përket punësimit.

"Gratë myslimane janë gra parimore, me bazë morale/fetare. Në zhvillimet joparimore në shumë fusha e institucione, padyshim se gratë myslimane, jo gjithmonë janë të mirëpritura për bashkëpunim. Edhe pse mund të themi lirisht se bashkëpunimet shumicën e rasteve bëhen me kritere të tjera, ose ato përcaktohen para se të publikohen konkurset e ndryshme që ofrojnë punësim ose bashkëpunim. Në këtë kuptim, mund të them se paragjykohen të gjitha gratë pa dallim".

Kaltrina Ferizi - gjithashtu e mbuluar punon si dizajnere grafike dhe ka një biznes në emër te saj.


Shamia, thotë që nuk e ka penguar që t'i ndjekë ëndrrat që ka, por pranon që gjatë punës së parë në kompaninë private që udhëhiqet nga vëllai i saj, klientët shqiptarë ishin hezitues kur e shihnin atë me mbulesë.

"Gjithmonë klientët e kanë pas efektin e befasisë se dikush kur hinë me një kompani kreative, nuk e pret që ka me u kanë dikush me mbulesë. Keqkuptimi më i madh është që një grua me mbulesë tërë ditën veç falet dhe qëndron në shtëpi", thotë Ferizi.

Me mbulesë Rovena Tujani Klinaku ka arritur të punësohet si konsulentë në institucione ndërkombëtare si IOM dhe World Wision.

Ajo mendon se gratë me mbulesë paragjykohen qysh në fillim.

"Një pjesë e shoqërisë e cila nuk është e arsimuar dhe nuk ka informacione fetare të nevojshme, kanë etiketime. Këtë mund ta shihni sa herë që ka debat televiziv ose gjatë fushatave elektorale ku pjesëmarrës janë gra me shamia, do të shihet se përveç pjesës përkrahëse, një numër i konsiderueshëm shprehin islamofobinë qartas, madje edhe fobinë ndaj shamisë".

Klinaku, që është e mbuluar që prej vitit 2005, thotë se ka ndryshime sa i përket mënyrën se si shoqëria i sheh gratë me mbulesë, por nevojitet ende ngritje e vetëdijes - që çdo njeri është i lirë ta praktikojë fenë edhe me anë të veshjes.

Përderisa gratë si Qefsere Fazliu kanë arritur me sukses që të fitojnë të drejtën e saj, për të mbajtur shaminë në vendin e punës, për Kosovarën beteja për tu bërë kadete në FSK vetëm sa ka filluar.

"Mendoj që më është bërë një padrejtësi kundër meje, për shkak të mbulesës. Kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime, aty e kam parë vetën gjithmonë. Mendoj se rruga ligjore është më e duhura që duhet ndjekur".



Përgatiti: observer

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...