Këndoni Adem Jasharit e jo Bin Ladenit
Shumë, besa shumë i pa kuptimtë veprimi i cili ditëve të fundit u plasua si në mediat e shkruara ashtu në ato elektronike. Jo rastësisht disa herë kam shkruar rreth botëkuptimit të religjionit Islam dhe kombit shqiptarë. Në shumë revista të vendit kam thënë hapur dhe pa mëdyshje se detyrimisht të ruhet Islami tradicional dhe shekullor ndër shqiptarët sepse është forma e vetme eksplicite dhe më e përshtatur që mundet t'i shërbejë kombit shqiptarë në këto rrethana dhe ngritje historike që ai i përjeton.
Shumë irrituese ishte paraqitja e prezantuesit të televizionit maqedonas Sitell, Llatas i cili fajin e mospërfshirjes së Maqedonisë në strukturat Euro-atlantike e hodhi te shqiptarët me Islam radikal. Llatasi (pro serbi e pro rusi) shqiptarët i paraqiti si komb me Islam radikal dhe si armiq të Amerikës dhe të Evropës, por ja që shkaku ishte ilahija për Bin Ladenin e përshtatur dhe kenduar nga shqipfolësit. Gabim besa shumë gabim, nuk ka Islam radikal sepse Islam në gjuhën e bukur shqipe do të thotë: paqe, tolerancë dhe mirëqenie ...
Shqiptarët janë mjaftë të vetëdijshëm se miku i madh i tyre është Amerika dhe Evropa, dhe këtë e din edhe fëmijët e djepit të cilët lindën në periudhën e pasluftës të përgjakur të Kosovës. Këtë ua mësoj miku i madh i tyre Bill Klintoni i cili disa herë e vizitoi shtetin e pavarur të Kosovës. Nuk mundet shqiptarët të harrojnë kohën kur Serbia e boshatisi në tërësi Kosovën, nuk mundet shqiptarët ti harrojnë bombardimet e NATOS të cilat i kryente mbi shumë qytete të Serbisë, nuk i harrojnë shqiptarët aleatet e tyre të cilët Kosovën e ndanë nga një armik i përbetuar shekullore siç ishte Serbia. Besa jo nuk do të na mashtrojë askush me ato ilahi për Bin Lladenin sepse shqiptarët tashmë e kanë zgjedhur rrugën e tyre kundrejt aleatëve të vet. A nuk ishte Amerika ajo e cila Gjygjin ndërkombëtarë të drejtësisë e falënderoi dhe insistoi që Kosovës ti njihet pavarësia dhe të vërtetohet ligjshmëria juridike e saj ..., Kosova ka nevojë të rritet në djepin e Amerikës dhe jo Amerika të përbuzet.
Deri para disa viteve në mesin e shqiptarëve këndoheshin këngë për Titon e famshëm sot për figura misterike sa absurde, çfarë ironie ...
Shqiptarët kanë kujt ti këndojnë, kanë komandantët legjendar të tyre si komandant Adem Jashari, komandant Nuri Mazari dhe shumë e shumë komandantëve tjerë të gjakut dhe të gjuhës sonë dhe jo Bin Ladenit. Arap ka mjaftë në botë por shqiptarë ka më pak, dhe t'ju këndojmë shqiptarëve dhe aleatëve tonë dhe të mos shfaqim huti në opinion me figura të cilat thjesht janë të dëmshme për rrjedhojat e kombin tonë. Shqiptarët nuk duhet në kohën kur Shqipëria është në NATO, Kosova e pavarur të tregohen kaq naivë e të pa përgjegjshëm edhe atë në emër të Islamit. Islami është paqe dhe te shqiptarët ka reflektuar energji shumë pozitive si brenda kombit tonë ashtu edhe në marrëdhënie me kombet dhe religjionet tjera.
Kam drojë se njerëz të pa përgjegjshëm do tentojnë ta dezorientojnë kombin shqiptarë me tendenca dhe demagogji antishqiptare në emër te Islamit të tyre, por institucionet fetare dhe ato politike domosdoshmërish duhet të koordinohen në mes tyre. Më në fund, mund te thuhet shumë edhe më qartë, me argumente edhe më bindëse sepse dihet tash më botërisht se edhe vete Profeti Muhamed ka bërë aleanca me shumë burrështetas dhe vende jo Islame, por, besoj se edhe me kaq do të më kuptojnë vëllezërit e mi katolike e edhe ato ortodoks dhe mysliman shqiptarë, madje edhe vetë Papa Gjon Pali, Bashkimi Evropian si dhe shtetet e bashkuara të Amerikës, se shqiptarët nuk lakmojnë të hynë në strukturat Euro-atlantike si mysliman apo si katolik, si ortodoks apo si pagan, por vetëm si shqiptarë t'i kontribuojnë konceptit dhe rendit të ri të integrimit evropian. Prandaj ta ruajmë dhe ta kultivojmë islamin tradicional i cili bukur mirë është përshtatur me traditat, doket dhe kulturën shqiptare, dhe mos lejojmë elemente religjioze të shpifura në trojet tona shekullore.
Autor: Ferat POLISI, gusht 2010, (autori është ligjërues në USHT).