Një vështrim mbi Wehhabizmin (Sipas Ehl-i Sunnetit)



Wehhabizmi është një rrymë ekstremiste, e përhapur këto dy shekujt e fundit brenda tokave islame, që ka ndërmarrë sulme të egra dogmatike ndaj shumicës së muslimanëve, duke i akuzuar ata si të dalë nga feja, politeistë dhe jobesimtarë.

"Ejjub Sabri Pasha (v. 1308 H./1890), admiral i prapavijës në kohën e sulltanit të tridhjetë e katërt osman 'Abdul-Hamid II (1258-1336 H/1842-1918) shkroi një libër historik, në të cilin ai e shtjelloi hollësisht wehhabizmin", (Mir'at ul-Haramein, vëll. III, fq. 99, pesë vëllime në turqisht, Sh. B. Matba'e-i Bahrije, 1301-1306 H.).

Ajo që vijon, është marrë kryesisht nga ai libër.


Prapavija e Wehhabizmit

Wehhabizmi u themelua nga Muhammed ibn 'Abdul-Wehhabi, që u lind në Hureimile të Nexhdit më 1115 H./1703 dhe vdiq më 1206 H./1791. Ai kishte udhëtuar për tregti në Basra, Bagdad, Iran, Indi dhe Damask, ku gjeti librat e ligë të Ahmed Ibn Tejmijjes (661-728H/1263-1328), përmbajtja e të cilëve nuk përputhej me Ehl-i Sunnetin. Duke qenë mendjehollë e fjalëshumë, ai u bë i njohur si Shejh en-Nexhdi. Për t'ia rritur famën vetes, ai ndoqi mësime nga dijetarë hanbeli të Medines e më pas të Damaskut dhe, pas kthimit në Nexhd, shkroi shumë libra. Libri i tij Kitab et-Teuhid [1] u plotësua me shënime nga nipi i vet, 'Abdur-Rahmani dhe depërtoi në Egjipt, ku u botua me titull Fet'h ul-Mexhid nga një wehhabi me emrin Muhammed Hamid [2] Idetë e Muhammed ibn 'Abdul-Wehhabit mashtruan banorët fshatarë të Dar'ijjes dhe prijësin e tyre, Muhammed ibn Sa'udin. Numri i atyre që pranuan idetë e tija, të cilat ai i quajti wehhabizëm, u rrit dhe ai u vetëcaktua kadi ndërsa Muhammed ibn Sa'udi, emir (sundimtar). Ai e deklaroi si ligj se vetëm pasardhësit e tyre mund t'i zëvendësonin ata.

Babai i Muhammedit, 'Abdul-Wehhabi, që ishte një musliman i mirë sunni si dhe dijetarët e Medines e kuptuan nga fjalët e Muhammedit se ai do niste një lëvizje heretike dhe i këshilluan të gjithë që të mos flisnin me të. Por ai e shpalli haptas wehhabizmin më 1150 H. (1737). Për t'i mashtruar dhe çorientuar të paditurit, ai përçmoi ixhtihadin e 'ulemave të Islamit. Ai madje shkoi aq larg sa t'i quante pjesëtarët e Ehl-i Sunnetit qafirë (jobesimtarë). Ai pohonte se ata që vizitojnë faltoren e një profeti ose ndonjërit nga eulija'të dhe i drejtohej atij më Ja Nebiullah (o Pejgamber i Allahut) ose p.sh. Ja 'Abdul-Kadir, bëhen politeistë (mushrikunë).

Sipas wehhabive, ai që thotë se ndokush përveç Allahut bën diçka është jobesimtar, kafir. Për shembull, ai që pohon se "ky ilaç ma zbuti dhimbjen", ose "Allahu ma pranoi namazin pranë varrit të filan waliu", bëhet jobesimtar. Për të vërtetuar këtë pretendim, ata shtrojnë si argument ajetin Ijjake nesta'in (vetëm nga Ti kërkojmë ndihmë) të Sures Fatiha dhe ajetet që flasin për tewekkul. [3]

Në fund të pjesës së dytë të librit el-Usul el-Arba'a fi Tardid ul-Wehhabijje, i nderuari Hakim es-Sirhindi el-Muxheddidi shkruan:

Wehhabitë dhe jomedhhebistët s'e kuptojnë dot domethënien e "mexhaz-it" (alegorisë, simbolit) dhe "isti'ara-së" (metaforës). Saherë që dikush thotë se ai bëri diçka, ata e quajnë politeist (mushrik) ose jobesimtar (kafir) edhe pse shprehja e tij është një mexhaz. [4]

Ndërkohë, Allahu Te'ala thotë në shumë ajete të Kur'anit Famëlartë se Ai është bërësi i vërtetë i çdo veprimi dhe se njeriu është veprues mexhazi (simbolik). Në ajetin 57 të Sures el-En'amë dhe në Suren Jusuf, Ai thotë: {Gjykimi (hukm) është vetëm i Allahut}, d.m.th. Allahu i Lartësuar është Gjykuesi i vetëm (Hakim).

Në ajetin 65 të Sures Nisa', Allahu thotë: {Për Zotin tënd (o Muhammed), ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë gjersa të mos zgjedhin ty gjykues (juhakkimuneke) të asaj për të cilën debatojnë}. Ajeti i parë pohon se Allahu Te'ala është i vetmi Hakim i Vërtetë, kurse i dyti pohon se njeriu mund të quhet hakim metaforikisht.

Çdo musliman e di se Allahu Te'ala është i Vetmi që jep jetë dhe e merr atë, sepse, në ajetin 56 të Sures Junus, Ai thotë {Ai jep jetë dhe jep vdekje}, e në ajetin 42 të Sures Zumer Ai thotë: {Allahu i merr shpirtrat kur është çasti i vdekjes së tyre}. Në ajetin 11 të Sures Sexhde, Ai thotë në mënyrë mexhazi: {Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, jua merr shpirtrat dhe pastaj do të ktheheni te Zoti juaj}.

Allahu Te'ala është i Vetmi që i shëndosh të sëmurët, sepse ajeti 80 i Sures Shu'ara' pohon: {Dhe kur të sëmurem, Ai më shëron}.

Kur'ani citon fjalët e Hazreti 'Isait në ajetin 49 të Suren Al-i Imran, duke thënë: {Unë i shëroj të verbërit, të sëmurët në lëkurë dhe me lejen e Allahut i ngjall të vdekurit}. Në të vërtetë, ai që i dhuron fëmijë njeriut është Allahu, por ajeti 19 i Sures Merjem, përcjell fjalët e Hazreti Xhibrai'ilit a.s.: {Unë jam vetëm i dërguar i Zotit tënd për të të dhuruar një djalë të pastër} që janë mexhazi.

Mbikëqyrësi i vërtetë i njeriut është Allahu Te'ala. Ajeti 257 i Sures el-Bekare e pohon këtë haptas: {Allahu është waliu (Mbikëqyrësi, Kujdestari) i atyre që besuan}. Dhe, duke thënë se: {Waliu juaj është Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ata që besuan e që e falin namazin dhe japin zekatin duke bërë ruku'}, (el-Ma'ide, 55), e {Pejgamberi është më wali ndaj besimtarëve se ata ndaj vetes së tyre}, (el-Ahzabë, 6), Ai don të thotë se edhe njeriu, paçka se simbolikisht, është wali. Në mënyrë të ngjashme, ndihmësi i vërtetë është Allahu Te'ala, por Ai ka thënë mu'in edhe për njerëzit, metaforikisht. Në ajetin 2 të Sures Ma'ide, Allahu thotë: {Ndihmohuni mes vete me të mira e në të mbara}. Wehhabitë e përdorin fjalën mushrik (politeist) për ata muslimanë që e quajnë dikë 'abd (rob, shërbëtor) të dikujt veçmas Allahut, p.sh.: 'Abdun-Nebi ose 'Abdur-Resul, mirëpo, në ajetin 32 të Sures Nurë, thuhet: {edhe robërit dhe robëreshat tuaja}. Zoti (Rabb) i vërtetë është Allahu Te'ala, por edhe dikush tjetër veçmas Allahut mund të quhet rabb metaforikisht, në ajetin 41 të Sures Jusuf thuhet: {Më përkujto mua te zotëriu (rabb) yt}.

"Istighadha" është ajo që wehhabitë i kundërvihen më shumë: "të kërkuarit ndihmë ose mbrojtje prej dikujt tjetër përveç Allahut", gjë të cilën ata e quajnë politeizëm. Është e vërtetë se, siç e dinë tërë muslimanët, istighadha është vetëm për Allahun Te'alaa.

Megjithatë, është e lejueshme që metaforikisht të thuhet se mund t'i bëhet istighadha dikujt, sepse, në ajetin 15 të Sures el-Kasas thuhet: {dhe ai i anës së tij i kërkoi ndihmë kundër armikut}. Një hadith pohon: "Ata do të bëjnë istighadha-në e Ademit në vendin e Mahsharit". Një hadith i regjistruar në el-Hisn ul-Hasin thotë: "Ai që ka nevojë për ndihmë duhet të thotë: O robërit e Allahut! Më ndihmoni!". Ky hadith urdhëron se, [në rast nevoje] duhet kërkuar ndihmë nga dikush që nuk është pranë. [5]

Të kërkosh shefa'at dhe ndihmë nga Resulullahu dhe eulija'të nuk do të thotë të braktisësh Allahun apo të harrosh se Ai është Krijuesi. Ajo është si të presësh shi nga Allahu përmes shkaqeve apo mjeteve (wasite) të reve, të presësh shërim nga Allahu përmes marrjes së ilaçit, të presësh fitore nga Allahu duke përdorur topa, bomba, raketa dhe aeroplanë. Këto janë shkaqe. Allahu krijon gjithçka përmes shkaqesh. Nuk është politeizëm (shirk) t'i përdorësh këto shkaqe. Pejgamberët a.s. i kanë përdorur gjithmonë shkaqet. Ashtu siç shkojmë te një burim për të pirë ujë, të cilin e ka krijuar Allahu, dhe tek furra për të ngrënë bukë, të cilën sërish e ka krijuar Allahu, dhe ashtu siç armatosemi e përgatitemi që Allahu të na japë fitore, po ashtu ia drejtojmë zemrat shpirtit të një profeti ose waliu, që Allahu të na i pranojë lutjet.

Të përdorësh radio për të dëgjuar një tingull që Allahu krijon përmes valëve elektromagnetike nuk do të thotë të braktisësh Allahun e t'i mbështetesh një kutie, sepse Allahu është Ai që ia dhuron këtë veçanti, këtë fuqi instalimeve në kutinë e radios. Allahu e ka fshehur Gjithfuqinë e Tij në çdo gjë. Një politesit adhuron idhuj por s'mendon për Allahun. Mirëpo një musliman, duke përdorur shkaqe dhe mjete, mendon për Allahun, i Cili i jep efikasitet dhe veçanti shkaqeve dhe krijesave. Gjithçka që dëshiron, ai e pret nga Allahu. Ai e di se çdo gjë që merr, i vjen nga Allahu. Wehhabitë, në fakt, u përmbahen mjeteve dhe i përdorin ato në çështjet e dynjasë. Ata i kënaqin dëshirat e tyre sensuale në çdo lloj mënyre, por quajnë "politeizëm" sigurimin e mjeteve për të fituar ahiretin. Ç'koncept teuhidi është ky?

Për shkak se ato fjalë të Muhammed ibn 'Abdul-Wehhabit pajtoheshin krejtësisht me dëshirat sensuale, ata që s'kishin dituri fetare, ranë kollaj në grackë. Ata pohuan se dijetarët e Ehl-i Sunnetit dhe muslimanët e rrugës së drejtë ishin jobesimtarë. Emirëve, wehhabizmi iu duk krejt në përputhje me dëshirat e tyre për të rritur pushtetin e për t'i zgjeruar tokat dhe territoret e tyre. Ata i detyruan fiset arabe të bëheshin wehhabi. Ata i vranë të gjithë ata që s'u besuan atyre. Fshatarët, nga frika e vdekjes, iu bindën emirit të Dar'ijjes, Muhammed ibn Sa'udit. Të bërit ushtarë të emirit u shkonte shumë për shtat dëshirave të tyre për të sulmuar jetën, pronën dhe nderin e jowehhabive.

Vëllai i Muhammed ibn 'Abdul-Wehhabit, Shejh Sulejmani, ishte një 'alim i Ehl-i Sunnetit. Ky njeri i bekuar e hodhi poshtë wehhabizmin në librin e tij es-Sawa'ik ul-Ilahijje fi'r-raddi 'ala'l-Wehhabijje [6] e punoi kundër përhapjes së bindjeve të tij heretike. Mësuesit e Muhammedit, që e kuptuan se ai i kishte hapur rrugë së keqes, i hodhën poshtë librat e tij devijues. Ata deklaruan se ai ishte shmangur dhe e rrëzuan wehhabizmin, përmes ajeteve dhe haditheve. Megjithatë, të gjitha këto e rritën urrejtjen dhe armiqësinë e wehhabizmit kundër muslimanëve.

Parimet heretike të wehhabizmit u përhapën jo vetëm me fjalë por edhe me mizori dhe gjakderdhje. Ndër mizorët që i ngjyen duart me gjak të pafajshëm në këtë drejtim, emiri i Dar'ijjes - Muhammed ibn Sa'udi, ishte më zemërguri. Ky njeri, që është paraardhësi i emirëve të Arabisë Saudite, vinte nga fisi i Banu Hanifes dhe ishte një nga pasardhësit e atyre që i kishin besuar Musejleme el-Kedhdhabit (gënjeshtarit) si profet.

Wehhabitë shtiren sikur janë të sinqertë në besimin në Njëshmërinë e Allahut dhe se kësisoj i shmangen mosbesimit, dhe gjoja se të gjithë muslimanët kishin qenë politeistë për gjashtëqind vjetë e se wehhabitë po përpiqen t'i shpëtonin nga kufri. Për të mbështetur idetë e tyre, ata përmendin ajetin e pestë të Sures Ahkaf dhe ajetin 106 të Sures Junus. Ndërkohë, të gjitha komentimet (tefsir) të Kur'anit shkruajnë njëzëri se këto dy ajete dhe shumë të tjera si këto janë zbritur për politeistët. Ajeti i parë thotë: {Kush është më i humbur se ai që pos Allahut lut diçka që nuk i përgjigjet atij deri në Kijamet, sepse ata (që luten) janë gafilë ndaj lutjes së tyre}. Kurse ajeti i dytë thotë: {Dhe mos lut tjetërkënd pos Allahut, ndonjë (idhull) që nuk të sjell as dobi as dëm, e nëse e bën atë, dije se i ke bërë padrejtësi vetvetes}.

Në librin e tyre Keshf esh-Shubhat, wehhabitë e keqinterpretojnë ajetin e tretë të Sures Zumer, ku Allahu thotë: {Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): "ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më pranë Allahut"}. Ky ajet citon fjalët e politeistëve që adhurojnë idhuj. Wehhabitë ia përngjisin muslimanët që kërkojnë shefa'at (ndërmjetësim) atyre politeistëve dhe pohojnë me qëllim se edhe politeistët besonin se idhujt e tyre nuk kishin fuqi krijuese e se vetëm Allahu ishte Krijuesi. Duke interpretuar këtë ajet, libri Ruh ul-Bejan thotë: "Qeniet njerëzore janë krijuar me aftësinë për ta njohur (dhe pranuar) Krijuesin që i ka krijuar ato dhe gjithçka tjetër. Çdo krijesë njerëzore e ndjen dëshirën për ta adhuruar krijuesin e vet dhe për t'iu afruar Atij".

Mirëpo, kjo aftësi dhe dëshirë mund të zhvleftësohet, sepse, nefsi (egoja), Shejtani ose shoqëria e keqe mund ta mashtrojnë njeriun, e për pasojë, me shkatërrimin e kësaj dëshire të brendshme, njeriu bëhet ose politeist ose jobesimtar në Krijuesin dhe në Ditën e Gjykimit, si masonët ateistë. Gjëja e çmuar është ma'rifa që buron nga teuhidi. Shenja e saj është besimi në profetët dhe librat e tyre duke i ndjekur ata, pra ajo është rast i të afruarit tek Allahu. Shejtani ishte krijuar për të bërë sexhde, por ai refuzoi të ulej në sexhde në një mënyrë të pahijshme për krijimin e tij dhe gjithashtu disa mendimtarë u bënë jobesimtarë sepse kërkuan t'i afroheshin Allahut jo duke ndjekur profetët, por mendjen e tyre. Për t'iu afruar Allahut, muslimanët i përmbahen Sheri'atit, gjë që ua mbush zemrat me dritë shpirtërore, dhe cilësia hyjnore e bukurisë (xhemal) shpaloset në zemrat e tyre.

Përkundrazi, politeistët, për t'iu afruar Allahut, nuk ndjekin as Profetin as Sheri'atin, por nefset (egot) dhe bida'tet (shpikjet) e tyre, e kësisoj zemrat e tyre nxihen dhe shpirtrat u errësohen. Në fund të këtij ajeti, Allahu thotë se ata gënjejnë në pohimin e tyre, {Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër veçse që të na afrojnë sa më afër Allahut}. Siç kuptohet lehtë, është padrejtësi e madhe nga ana e wehhabive që t'i marrin ajetin 25 të Sures Lukman që thotë: {Nëse i pyet ata (jobesimtarët): "Kush i krijoi qiejt dhe tokën?", me siguri do të të thonë: "Allahu"} dhe ajetin 87 e Sures Zuhrufë që thotë: {Po nëse i pyet: "Kush i krijoi ata?", me siguri do të thonë: "Allahu"}, si argumente dhe të pohojnë: "Edhe politeistët e dinin se Krijuesi ishte vetëm Allahu. Ata i adhuronin idhujt që ata të ndërmjetëonin për ta në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye ata u bënë politeistë (mushrikunë) dhe jobesimtarë (kafirunë)". [7]

Këto fjalë të wehhabive janë shumë të gabuara dhe të pambështetura, sepse: "ne muslimanët nuk adhurojmë as profetët, as eulija'të e as nuk themi se ata janë shokë ose partnerë të Allahut. Ne besojmë se profetët dhe eulija'të janë krijesa dhe qenie njerëzore që nuk duhen adhuruar. Ne besojmë se ata janë krijesat e dashura të Allahut dhe Allahu do t'i mëshirojë krijesat e Tija për hir të të dashurve të Tij. Vetëm Allahu është Ai që krijon dëmin dhe dobinë. Vetëm Ai është i denjë për adhurim. Ne themi se ai i mëshiron krijesat e Tija njerëzore për hir të të dashurve të Vet". Kurse politeistët thonë se idhujt e tyre nuk janë krijues, duke besuar se këta janë të denjë për t'u adhuruar dhe ja përse ata i adhurojnë. Duke qenë se ata pohojnë se idhujt janë të denjë për t'u adhuruar, ata bëhen politeistë. Përndryshe, ata s'do të ishin bërë politeistë pse thonë që duan t'u bëhet ndërmjetësim.

Shihet qartë se përngjitja e Ehl-i Sunnetit me jobesimtarët idhujtarë, nga ana e wehhabive, është majft e gabuar. Të gjitha ajetet që ata parashtrojnë janë zbritur për jobesimtarët dhe politeistët idhujtarë. Libri i tyre, Keshf ul-Shubuhat i shtrembëron kuptimet e ajeteve dhe përdor sofizma, duke thënë se: "muslimanët e Ehl-i Sunnetit janë politeistë. Ai rekomandon që muslimanët jowehhabi duhen vrarë dhe se prona e tyre duhet plaçkitur".

Hazreti 'Abdullah ibn 'Umeri r.a. transmeton dy hadithe që thonë:

- "Ata e kanë braktisur rrugën e drejtë. Ata u kanë mveshur muslimanëve [kuptimin e ajeteve] që janë zbritur për jobesimtarët".
- "Nga ato që frikësohem për ummetin tim, gjëja më e tmerrshme është interpretimi i tyre i Kur'anit sipas opinioneve të tyre dhe shpjegimeve të tyre pa vend".

Këto dy hadithe paralajmëronin shfaqjen e wehhabive dhe faktin se, duke i keqinterpretuar ajetet që kishin zbritur për jobesimtarët, ata do t'ia vishnin muslimanëve.

Një tjetër person që, duke e kuptuar se Muhammed ibn 'Abdul-Wehhabi kishte ide heretike dhe më vonë do të bëhej i dëmshëm, e këshilloi atë ishte Muhammed ibn Sulejman el-Medeni (vdiq në Medine më 1194 H./1779), një nga 'ulematë e mëdhenj të Medines. Ai ishte jurist shafi'i dhe shkroi shumë libra. Shënimet e tij për librin et-Tuhfet ul-Muhtaj, një koment mbi librin Minhaxh, i dhanë atij famë të madhe.

Në librin dy-vëllimësh el-Fetawa që rrëzon wehhabizmin, ai shkruan: "O Muhammed ibn 'Abdul-Wehhab! Mos i shaj muslimanët! Për hir të Allahut, po të këshilloj. Po, nëse dikush thotë se dikush tjetër nga Allahu i krijon veprat, thuaja atij të vërtetën! Por ata që u përmbahen mjeteve (wasile) dhe që besojnë se, si shkaqet ashtu dhe fuqia vepruese në to janë krijuar nga Allahu, s'mund të quhen qafirë. Më mirë të quhet një musliman qafir sesa të gjthë muslimanët. Ai që braktis tufën do shmanget më kollaj". Ajeti 115 i Sures Nisa' e vërteton fjalën time: {Kush i kundërvihet të Dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë atë në atë që ka zgjedhur dhe e fusim në Xhehenem. Përfundim i keq është ai}.

Ndonëse wehhabitë kanë një numër të madh parimesh të gabuara, besimi i tyre mbështetet në tre rrënjë:

1. Ata thonë se 'ibadetet përfshihen në iman dhe ai që nuk kryen një farz (për shembull faljen e namazit nga përtacia, ose dhënien e zekatit nga koprracia, edhe pse e beson se ato janë farze) do të bëhet jobesimtar (kafir) dhe ai duhet vrarë dhe pasuria e tij duhet shpërndarë mes wehhabive.

El-Shehristani shkruan: "'Ulematë e Ehl-i Sunnetit kanë pohuar njëzëri se ibadetet nuk përfshihen në iman. Ai që nuk e kryen një farz për shkak të përtacisë, ndonëse e beson që është farz, nuk bëhet kafir". Nuk ka patur njëzëshmëri vetëm mbi ata që nuk kryejnë namazin, sipas medhhebit hanbeli, ai që nuk e fal namazin për shkak të përtacisë, bëhet jobesimtar. [8] Në medhhebin hanbeli thuhet se vetëm ai që nuk fal namazin bëhet jobesimtar. Nuk flitet për ibadete të tjera. Prandaj, do ishte gabim që wehhabitë të konsideroheshin si hanbelitë në këtë drejtim. "Ata që nuk i përkasin asnjërit prej katër medhhebeve nuk janë nga Ehl-i Sunneti. Më parë kemi shpjeguar se as ata që nuk i përkasin Ehl-i Sunnetit s'mund të jenë hanbeli". [9]

2. Ata pohojnë se ai që kërkon shefa'at nga shpirtrat e profetëve ose eulijave, apo ua viziton varret dhe lutet duke i konsideruar si ndërmjetës bëhet kafir dhe se të vdekurit nuk kanë kurrfarë perceptimi.

Sikur ai që i fliste një të vdekuri në varr të ishte kafir, Pejgamberi ynë s.a., 'ulematë e mëdhenj dhe eulija'të nuk do të ishin lutur në këtë mënyrë. Ishte praktikë e Profetit tonë s.a. që t'i bënte vizitë Varrezës Bakije në Medine dhe shehidëve të Uhudit. Në të vërtetë, në faqen 485 të librit Fet'h ul-Mexhid të shkruar nga wehhabitë, pohohet se ai i përshëndeste dhe fliste me ta.

Pejgamberi a.s. ynë thonte gjithmonë në lutjet e tij: "Allahumme inni es'aluke bi-hakki's-sa'ilina 'aleike (O Zoti im, po Të kërkoj në emër të atyre që Ti u ke dhënë saherë që Të kanë kërkuar)", dhe ka rekomanduar që të lutemi kështu. Kur shkoi tek Fatime bint Esedi, nëna e Hazreti 'Aliut, me duart e tij të bekuara të ngritura lart ai tha: "Ighfir li-ummi Fatimete bint Esed we wassi' 'alejhe med-helehe bi-hakki nebijjike we'l-enbia'i ledhine min kabli. Inneke erham ur-rahimin. (O Allah! Falja nënës Fatime bint Esed mëkatet e saja. Zgjeroja vendin ku ndodhet! Pranoje këtë lutje timen për hakkun e Profetit Tënd dhe të profetëve që erdhën para meje! Vërtet, Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve!)".

Në një hadith të transmetuar nga Nesa'iu dhe Tirmidhiu, thuhet se: "Pejgamberi a.s. e urdhëroi një të verbër, që i kërkoi të lutej për shërimin e tij, të merrte abdes, të falte dy rekate namaz", dhe atëherë të thonte: "Allahumme inni as'aluke we atawaxhxhahu ileike bi nebijjike Muhammedin nebi'r-Rahmeh, ja Muhammedu inni atawaxhxhahu bike ila Rabbi fi haxhatihe dhehi li tekdije li, Allahumme fe-sheffi'hu fijje". Në këtë lutje, njeriu i verbër u urdhërua ta vendoste Hazreti Muhhamedin si ndërmjetës që du'aja e tij të pranohej. Sahabët e recitonin shpesh këtë lutje. Ajo citohet edhe në librin el-Hisn ul-Hasin me referencat përkatëse dhe, në shpjegimet e saj, interpretohet "kthehem drejt Teje nëpërmjet Pejgamberit Tënd".

Këto du'a tregojnë se lejohet të vendosen ata që duhen nga Allahu si ndërmjetës dhe t'i lutemi Allahut "për hir të tyre".

Shejh 'Ali Mahfudh (v. 1361 H./1942), një nga ulematë e mëdhenj të Universitetit të el-Ez'herit e lavdëron mjaft Ibn Tejmijjen dhe 'Abduhun në librin e tij el-Ibda'. Megjithatë, ai gjithashtu shkruan: "Nuk është e drejtë të thuhet se eulija'të kontrollojnë çështjet e dynjasë pas vdekjes, si p.sh. shërimin e të sëmurëve, shpëtimin e atyre që janë në prag të mbytjes, të ndihmuarit e atyre që janë përballë armikut dhe gjetjen e sendeve të humbura". Është e gabuar të thuhet se: "ngaqë eulija'të janë shumë të mëdhenj, Allahu ua ka lënë këto detyra atyre dhe se ata bëjnë çfarë duan e se ai që kapet pas tyre nuk do të humbasë. Mirëpo, ndër eulija'të e Tij, Allahu bekon ata që do Ai, qofshin gjallë a të vdekur dhe nëpërmjet kerameteve të tyre Ai shëron të sëmurin, shpëton atë që është duke u mbytur, ndihmon atë që ndodhet përballë armikut dhe bën që gjërat e humbura të gjehen". Kjo është logjike. Edhe Kur'ani na i mëson këto fakte. [10]

Hazreti 'Abdul-Ghani en-Nebulusi ka thënë: "Një hadith kudsi, që Buhariu e transmeton nga Ebu Hureira", tregon: "Allahu Te'ala ka thënë: Robërit e mi nuk Më afrohen më shumë sesa nëpërmjet farzeve. Nëse robërit e Mi bëjnë ibadete shtesë dashuria Ime për ta rritet saqë Unë bëhem veshi me të cilin dëgjojnë, syri me të cilin shikojnë, dora me të cilën veprojnë dhe këmba me të cilën ecin dhe Unë u jap çfarëdo që të Më kërkojnë. Nëse besojnë te Unë, Unë i mbroj ata". Ibadetet shtesë të përmendura këtu janë [siç shkruhet në komentin e Tahtawiut] sunnetet dhe nafilet e kryera nga ata që kanë bërë farzet. Ky hadith tregon se ai që, pasi ka kryer farzet (adhurimet e detyrueshme), kryen edhe nafile do të fitojë dashurinë e Allahut dhe lutjet e ti do të pranohen. [11]

Qofshin gjallë apo të vdekur, kur luten për të tjerët, njerëz të tillë marrin atë që kërkojnë. Ata madje dëgjojnë edhe kur janë të vdekur. Ashtu sikurse edhe kur ishin gjallë, ata nuk i kthejnë lutësit mbrapsht me duart bosh, por luten për ta. Për këtë arsye, një hadith pohon: "Kur jeni në telashe, kërkoni ndihmën e atyre që janë në varre!".

Në të vërtetë, Muslimanët mbeten akoma muslimanë kur ndodhen në varr mu ashtu siç janë edhe kur ndodhen në gjumë. Pejgamberët janë akoma pejgamberë pas vdekjes mu ashtu siç ishin kur ndodheshin në gjumë. Sepse, është shpirti ai që e bën dikë musliman apo pejgamber. Kur njeriu vdes, shpirti i tij nuk ndryshon. Ky fakt është shtjelluar në librin 'Umdat ul-Aka'id nga imam 'Abdullah en-Nasifi. [12]

Në mënyrë të ngjashme, eulija'të mbeten akoma eulija' edhe kur janë të vdekur, mu ashtu siç ishin kur ndodheshin në gjumë. Në një tjetër libër tonin, kemi vërtetuar se eulija'të zotërojnë keramete edhe pas vdekjes. [13] Dijetari hanefi Ahmed ibn Sejjid Muhammed el-Mekki el-Hamawi dhe dijetarët shafi'i Ahmed ibn Ahmed es-Suxha'i dhe Muhammed esh-Shabrawi shkruan punime ku vërtetuan me argumente të dokumentuara se eulija'të zotëronin keramete, se kerametet e tyre vazhdonin pas vdekjes dhe se tewesuli dhe istighadha pranë varreve të tyre ishte e lejuar (xha'iz). [14]

Gjithashtu, Një hadith i saktë, që përcillet nga Hudheime, Dar Kutniu dhe Taberaniu, i cituar nga 'Abdullah ibn 'Umeri r.a., pohon: "Më është bërë waxhib të ndërmjetësoj për ata që do të vizitojnë varrin tim". Imam el-Menawi, gjithashtu, e ka cituar këtë hadith në Kunuz ul-Haka'ik. Përveç kësaj, ai përcjell hadithin: "Pas vdekjes sime, të vizituarit e varrit tim është sikur të vizituarit tim kur jam gjallë" nga Ibn Hibbani, si dhe hadithin: "Unë do të ndërmjetësoj për atë që viziton varrin tim"nga Taberaniu. Dy hadithet marfu' të mëposhtme, i pari i cituar nga Imam el-Bezzari prej 'Abdullah ibn 'Umerit r.a. dhe i dyti i transmetuar te Sahihu i Muslimit po prej 'Abdullah ibn 'Umerit, njihen prej thuajse çdo muslimani: "Më është bërë hallall që të ndërmjetësoj për ata që do të vizitojnë varrin tim", "Ditën e Gjykimit, do të ndërmjetësoj për ata që do të vijnë në Medine për të më vizituar varrin". [15]

Është lajm i madh ai që thuhet në hadithin: "Ai që kryen haxhin dhe pastaj viziton varrin tim do të [jetë sikur të më] ketë vizituar kur kam qenë gjallë", transmetuar nga Taberaniu, Dar Kutniu dhe 'Abdur-Rahman ibn el-Xheuzi. Hadithi: "Ai që nuk më viziton pas kryerjes së haxhit do të më ketë ofenduar", që transmetohet nga Dar Kutniu, aludon për ata që, pa ndonjë arsye, mospërfillin vizitën e varrit të Profetit a.s. pas haxhit.

'Abdul-'Azizi, rektor i Universitetit Islamik të Medines, shkruan në librin e tij Tehkik we Ideh: "Asnjë prej haditheve [të mësipërme, që e rekomandojnë vizitën] nuk ka sened apo argument". Shejh ul-Islam Ibn Tejmijje ka thënë se të gjitha ato ishin mawdu'. Ai i mohon ato, sikurse të gjithë wehhabitë, megjithë faktin se sened-et e këtyre haditheve janë dokumentuar në hollësi në vëllimin e tettë të komentit të Zarkaniut për librin el-Mewahib, si dhe në fund të veprës Wafa' ul-Wafa' të 'Alame Samhudiut. Në këto libra shkruhet gjithashtu se këto hadithe janë hasen dhe se komenti i Ibn Tejmijjes është i pabazë. Rektori dhe ligjëruesit e Universitetit të Medines pra, përpiqen të shpifin ndaj shkrimeve të 'ulemave të Ehl-i Sunnetit dhe të përhapin bindjet wehhabiste në mbarë botën, nëpërmjet librave të tyre.

Për t'i detyruar muslimanët dhe jomuslimanët që të besojnë se janë muslimanë të vërtetë, wehhabitë ndjekin një politikë të re. Ata kanë themeluar një qendër islame me emrin Rabitat ul-Alam el-Islami në Mekë dhe kanë grumbulluar njerëz të paditur nga predikuesit fetarë që i kanë zgjedhur nga çdo vend, të cilëve u paguajnë rroga të majme në qindra flori. Për shkak se këta injorantë fetarë nuk kanë dituri rreth librave të ulemave të Ehl-i Sunnetit, ata i përdorin si vegla. Nga kjo qendër, ata përhapin bindjet heretike të wehhabizmit, që ata i quajnë "fetva të unitetit musliman".

Ka shumë hadithe që tregojnë se Resulullahu a.s. është i gjallë në varrin e tij, në një nivel të veçantë ekzistence. Të qenit e tyre të shumtë tregon se këto hadithe janë të bazuara. Nga këto, dy hadithet vijuese janë të regjistruara në gjashtë librat e famshëm të hadithit (sihah us-sitteh): "Unë do ta dëgjoj salavatin që bëhet në faltoren time dhe do të njoftohem për salavatin e bërë në largësi. Nëse dikush bën salavat në faltoren time, Allahu dërgon një melek dhe më informon për atë salavat. Unë do të ndërmjetësoj për atë në Ditën e Kijametit".

Nëse një musliman shkon te varri i një muslimani të vdekur, të cilin e njihte kur ishte gjallë, dhe e përshëndet, muslimani i vdekur do ta njohë e do t'i përgjigjet atij. Një hadith i përcjellë nga Ibn Ebi Dunija tregon se një musliman i vdekur e njeh dhe i përgjigjet atij që e përshëndet, dhe gëzohet. Nëse një person përshëndet njerëzit e vdekur të cilët nuk i njihte, ata kënaqen dhe ia kthejnë selamin. Ndërkohë që muslimanët e mirë dhe shehidët i njohin dhe u përgjigjen atyre që i përshëndesin, a është e mundur që Resulullahu s.a. të mos e bëjë këtë? Ashtu siç ndriçon dielli në qiell tërë botën, po ashtu edhe Resulullahu s.a. u përgjigjet njëkohësisht të gjitha selameve të njëkohshme.

Një hadith thotë: "Pas vdekjes sime, unë do të dëgjoj ashtu siç dëgjoj kur jam i gjallë".

Një tjetër hadith i transmetuar nga Ebu Ja'la thotë: "Profetët janë të gjallë në varret e tyre. Ata falin namaz".

Ibrahim ibn Bishri dhe Sejjid Ahmed Rifa'iu dhe shumë eulija' kanë thënë se ata e kanë dëgjuar përgjigjen kur e kanë përshëndetur Resulullahun a.s..

Dijetari i madh musliman Xhelal ed-Din es-Sujuti e shkruajti librin Sheref ul-Muhkam si përgjigje ndaj pyetjes nëse ishte e vërtetë që Sejjid Ahmed Rifa'iu e kishte puthur dorën e bekuar të Pejgamberit a.s.. Në këtë libër, ai vërtetoi me argumente logjike dhe hadithe të dokumentuara se Resulullahu s.a. ishte i gjallë në varrin e tij, në një nivel të panjohur ekzistence dhe se ai i dëgjonte e u përgjigjej selameve. Ai shkroi gjithashtu se Natën e Mi'raxhit, Resulullahu e pa Hazreti Musain a.s. duke u falur në varrin e vet.

Në një hadith profetik të transmetuar nga Aishja r.a. thuhet: "Po vuaj dhimbjen e mishit të helmuar që kam ngrënë në Hajber. Për shkak të atij helmi, aorta ime thuajse është bllokuar". Ky hadith tregon se, krahas profetësisë, Allahu i kishte dhënë Hazreti Muhammedit a.s., më të lartit të njerëzimit, edhe rangun e shehadetit. Allahu thotë në Kur'an, në ajetin 169 të Sures Al-i Imran: {Kurrësesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë gjallë dhe ushqehen te Zoti i tyre.} S'ka të dyshuar se ky profet i madh, që është helmuar në rrugën e Allahut, qëndron në majë të rangut të nderuar që përkufizohet në këtë ajet.

Hadithi i transmetuar nga Ibn Hibbani thotë: "Trupat e bekuar të profetëve nuk treten kurrë". Nëse një musliman më dërgon salavat, një melek ma përcjell atë dhe thotë: "Fulani i biri i fulanit bëri salavat e të përshëndeti".

Hadithi i transmetuar nga Ibn Maxheh thotë: "Xhumave bëni vazhdimisht salavate për mua, salavati do të më përcillet sapo të jetë shqiptuar".

Hazreti Ebu Darda'i r.a., njëri prej atyre që ishin në shoqërinë e Pejgamberit a.s. atë çast, pyeti: "A do të të përcillen ato edhe pasi të kesh vdekur?". I Dërguari i Allahut a.s. tha: "Po, do të njoftohem për to edhe pas vdekjes, sepse është haram për tokën që t'i kalbë trupat e profetëve. Ata janë të gjallë pas vdekjes dhe ushqehen".

Pas çlirimit të Kudsit, Hazreti 'Umeri r.a. shkoi te varri i Pejgamberit a.s. dhe e përshëndeti atë. Hazreti 'Umer ibn 'Abdul-'Azizi r.a., që ishte një wali i madh, dërgonte zakonisht zyrtarë nga Damasku në Medine dhe u kërkonte të bënin salavate te varri i Profetit a.s. dhe ta përshëndesnin atë. Pasi kthehej prej çdo udhëtimi, Hazreti 'Abdullah ibn 'Umeri r.a. shkonte direkt e te dhoma e Profetit s.a. [Huxhret us-Sa'da, vendi ku ndodhen varri i Pejgamberit a.s. dhe i dy kalifëve që e pasuan]. Në fillim ai vizitonte Resulullahun a.s., pastaj Ebu Bekr es-Siddikun r.a., e pastaj të atin, dhe i përshëndeste ata. Imam Nafi'u thotë: "E kam parë Hazreti 'Abdullah ibn 'Umerin më shumë se njëqind herë të shkonte te varri i Profetit a.s. dhe të thonte: Es-selamu aleikum ja Resulullah!". Një ditë, Hazreti 'Aliu r.a. shkoi në Mesxhid el-Sherif dhe kur pa varrin e Hazreti Fatimes r.a., filloi të qante, e kur pa varrin e Pejgamberit qau edhe më tepër. Pastaj, ai tha: "Es-selamu aleikum ja Resulullah" dhe "Es-selamu aleikum".

Sipas Imam Ebu Hanifes, "në fillim duhet kryer haxhi dhe pastaj të shkohet në Medine për t'i bërë vizitë Resulullahit". Kjo shkruhet në fetvanë e Ebu'l-Laith es-Samarkandit. Kadi 'Ijadi, autor i librit Shifa', Imam Newewiu, që ishte dijetar shafi'i dhe Imam Humami, që ishte hanefi, kanë pohuar se ka patur ixhma' (pajtim të njëzëshëm) të ummetit se ishte e domosdoshme të vizitohej varri i Profetit s.a.. Ç'është e vërteta, "vizitimi i varreve është sunnet", një fakt ky që shkruhet edhe në librin wehhabist Fet'h ul-Mexhid.

Ajeti 63 i Sures en-Nisa' pohon: {E sikur të vinin ata te ti, pasi ta kenë dëmtuar veten e tyre, e të kërkonin vetë ndjesë te Allahu e edhe i dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do ta kuptonin se Allahu pranon pendimin dhe është mëshirues.} Ky ajet tregon se Resulullahu s.a. do të ndërmjetësojë dhe shefa'ati i tij do të pranohet. Gjithashtu, ai na urdhëron ta vizitojmë varrin e Pejgamberit dhe të kërkojmë shefa'at.

Një hadith thotë: "Është e përshtatshme nisja për rrugë të gjatë vetëm me nijetin e vizitimit të tre xhamive".

Ky hadith tregon se është vepër e shpërblyeshme që të niset në udhëtim të gjatë duke patur qëllim vizitën e Mesxhid ul-Haramit në Mekë, Mesxhid un-Nebiut në Medine dhe Mesxhid ul-Aksasë në Jerusalem. Për këtë arsye, ata që shkojnë në haxh por nuk e vizitojnë varrin e Profetit a.s. në Mesxhid un-Nebi, do të privohen nga ky shpërblim.

Një tjetër hadith thotë: "Mos e bëni varrin tim vend bajrami". Hazreti 'Abdul-'Adhim el-Munziti, një muhadith i njohur, e ka shpjeguar këtë hadith me kuptimin: "Mos e quani si të mjaftueshme që ta vizitoni varrin tim vetëm një herë në vit, si dita e Bajramit. Përpiquni të më vizitoni çdo herë!".

Ç'është e vërteta, nuk lejohet falja e namazit në varreza. Thuhet se ky hadith mund të ketë kuptimin: "Mos fiksoni një ditë të caktuar për të vizituar varrin tim". Në vizitat e tyre te profetët, çifutët dhe të krishterët e kishin zakon të mblidheshin, t'u binin instrumenteve, të këndonin këngë dhe të silleshin në mënyrë ceremoniale.

Këto hadithe tregojnë se nuk duhet të bëhemi të hareshëm me gjëra të ndaluara si në ditë feste, nuk duhet t'u biem fyejve ose lodrave gjatë vizitës. Duhet të përshëndesim, të lutemi dhe të largohemi pa qëndruar gjatë.

Imam Ebu Hanife ka thënë se vizita e varrit të Pejgamberit a.s. është sunneti më i vlefshëm dhe ka dijetarë që kanë pohuar se ajo është waxhib. Prandaj, vizita e varrit të Profetit a.s. lejohet si betim në medhhebin shafi'i.

Në të vërtetë, në hadithin kudsi: "Të mos ishe ti, nuk do t'i kisha krijuar qiejt!". [16] Allahu tregon se Hazreti Muhammedi është Habibullah (i dashuri i Allahut) dhe se Ai e do atë aq shumë. As një person i zakonshëm madje nuk do të refuzonte po t'i kërkohej të jepte diçka për hir të të dashurit të vet. Për dashuruesin është e lehtë të bëjë diçka për hir të të dashurit. Nëse dikush thotë: "O Allahu im! Për hir të Habibit Tënd, Muhammedit, po Të kërkoj ...", kjo kërkesë nuk do t'i refuzohet. Mirëpo, çështjet e parëndësishme të kësaj dynjaje nuk janë të denja për të kërkuar hirin e Resulullahit si mjet. [17]

Sejjid Ahmed ibn Zeini Dehlani, myfti i Mekës, ishte 'alim i madh dhe Shejh el-Khutaba' i medhhebit shafi'i, i cili shkroi vepra të shumta. Ai shpjegoi qëllimet e vërteta të wehhabive dhe vërtetoi përmes ajetesh dhe hadithesh se ata ishin të devijuar, pikërisht në librat e tij Khulasat ul-Kelam fi Bejani Umara'i beled ul-Haram, Fi'r-Raddi 'ala'l-Wehhabijjeti atba'u Medhhebi Ibn Tejmijje dhe ed-Durar us-Senijje fi'r Raddi 'ala'l-Wehhabijje.

Në veprën Khulasat ul-Kelam, ai tregoi se si wehhabitë i mashtronin muslimanët e paditur dhe ua hodhi poshtë një nga një të gjitha pretendimet. Ai e vërtetoi se fjalët e tyre ishin gënjeshtra dhe shpifje. Ai shkruan: "Është e e pranueshme dhe e lejueshme të lutesh me ndërmjetësimin e Resulullahut a.s. kur ai është i vdekur, ashtu siç bëhej kur ai ishte gjallë". Po ashtu, në hadithe tregohet se lejohet lutja me ndërmjetësimin e eulija've dhe muslimanëve të devotshëm. [18] 'Ulematë e Ehl-i Sunnetit thonë, se: "vetëm Allahu është Ai që jep efektshmërinë, që krijon, sajon, bën dobi ose dëm dhe asgjëson. Ai nuk ka shok. As profetët e as ndonjë person tjetër i gjallë a i vdekur nuk mund të krijojnë efektshmëri, dëm apo dobi. Mirëpo, duke qenë se ata janë shërbëtorët e dashur të Allahut, ne kërkojmë bekime përmes tyre". Wehhabitë besojnë se të gjallët kanë efekt por të vdekurit jo.

Në faqet 70, 77, 98, 104, 239, 248, 323, 503 e 504 të librit Fet'h ul-Mexhid shkruhet: "Ai që kërkon një person të vdekur ose një person të gjallë që nuk është i pranishëm, për diçka, bëhet mushrik. Njeriut mund t'i kërkohet vetëm ajo që është brenda aftësisë së tij. Nuk lejohet të kërkohet ajo që është vetëm në Fuqinë e Allahut". Në faqen 70, shkruhet: "Një person i gjallë mund të lutet për gjërat që i janë kërkuar dhe Allahu ia pranon du'anë dhe e krijon atë gjë. T'i kërkosh një të vdekuri ose një të papranishmi do të thotë t'i kërkosh atë që nuk është në fuqinë e tij, çka përbën shirk". Në faqen 136, shkruhet: "Të kërkosh bekime me varret e salihinëve është shirk tamam si adhurimi i Latit e i Menatit". Në faqen 208, shkruhet: "Është shirk t'u kërkohet të vdekurve ajo për të cilën kemi nevojë ose t'i kërkojmë një të vdekuri pa u lejuar nga Allahu dhe ata nuk janë vendosur si ndërmjetës. Kushti i ndërmjetësimit është imani. Por njeriu që u kërkon të vdekurve të ndërmjetësojnë është mushrik. Kjo e pamundëson ndërmjetësimin".

Në fakt, libri bie në kundërshti me vetveten - në faqen 200 shkruhet: "Qielli i frikësohet Allahut. Allahu krijon vetëdije tek qiejt. Ato perceptojnë. Në Kur'an thuhet se qiejt dhe toka e madhërojnë Allahun. Sahabët kanë dëgjuar copat e gurit duke madhëruar dhe lartësuar Allahun kur Pejgamberi s.a. i mori këto në duart e tij. Shtylla e Hannanes në Mesxhid rënkonte dhe ushqimi e madhëron dhe e lartëson Allahun". Thënia se profetët dhe eulija'të nuk kanë perceptim, ndërkohë që malet, gurët dhe shtyllat kanë perceptim dhe vetëdije tregon mendjecektësinë e tyre. Wehhabitë bëhen politeistë duke pretenduar se të gjallët mund të ndërmjetësojnë por të vdekurit jo. Sepse ky pohim do të thotë se të gjallët dëgjojnë dhe ndikojnë, kurse të vdekurit nuk dëgjojnë e nuk ndikojnë dhe se të tjerë krahas Allahut mund të ndikojnë - e ata i quajnë politeistë ata që besojnë kështu. Realiteti është se të vdekurit dhe të gjallët janë ndërmjetës. Vetëm Allahu ndikon dhe krijon.

Pretendimi se Imam Ebu Hanife e ndaloi lutjen me ndërmjetësinë e Resulullahut s.a., që ndodhet në Tefsir-in e 'Alusiut, është i rremë, sepse asnjë dijetar nuk e ka transmetuar ndonjëherë një gjë të tillë nga Imam A'zami. 'Ulematë kanë deklaruar se ai është i lejueshëm. Fjalët tewessul, teshaffu', istighadha e tewaxhxhuh kanë të njëjtin kuptim. Ato lejohen të gjitha. Në Sahih-un e Buhariut shkruhet: "Ditën e Kijametit, njerëzit do të kërkojnë në fillim ndërmjetësimin e Hazreti Ademit". Hazreti Bilal ibn Harithi, një nga sahabët e shquar, vizitoi varrin e Resulullahit s.a dhe tha: "O Resulullah! Lutu për ummetin tënd që të bjerë shi!", dhe me të vërtetë që ra shi. Jobesimtarët, që thanë se idhujt do të ndërmjetësonin për ta, adhuronin idhuj. Mirëpo besimtarët që kërkojnë ndërmjetësim nuk i adhurojnë profetët apo eulija'të.

Libri i wehhabive vazhdon: "Në Kur'an thuhet se ndërmjetësimi do të bëhet vetëm me lejen e Tij dhe se vetëm disave do u pranohet ndërmjetësimi. Si e di personi, që kërkon ndërmjetësim, nëse Pejgamberit do i lejohet të ndërmjetësojë për të? Për më tepër, si e di që është nga të pranuarit?". Këto fjalë u bien në kundërshtim si haditheve ashtu edhe vetë librit, sepse në faqen 208 të tij thuhet: "Parakusht i ndërmjetësimit është imani". Në lutjen e rekomanduar pas ezanit, përmendet se Allahu i ka premtuar Pejgamberit s.a. tonë cilësitë e fadile-s dhe wasile-s. Ai deklaroi se do të ndërmjetësonte për ata që e recitojnë këtë du'a, për ata që bëjnë salavat dhe për ata që e vizitojnë varrin e tij. Po ashtu, shumë hadithe të tjera tregojnë se Pejgamberit tonë a.s. i është lejuar ndërmjetësimi për kë të dëshirojë ai. Hadithi: "Unë do të ndërmjetësoj për ata që kanë kryer mëkate të mëdha", tregon se ai do të lejohet të ndërmjetësojë për këdo që ka iman. Nga dyzet hadithet në faqen 130 të librit Shewahid ul-Hakk, i trembëdhjetti thotë: "Unë do të ndërmjetësoj në Ditën e Gjykimit".

Unë do të them: "O Allah! Vendosi ata që kanë edhe një grimcë iman në zemrat e tyre, në xhennet". Ata do të hyjnë në xhennet. Pastaj, do t'u them atyre që kanë diç në zemrën e tyre që të hyjnë në xhennet. Edhe Bukhariu e transmetoi këtë hadith. Istighadha d.t.th. tewessul, "të vendosësh dikë si ndërmjetës, të kërkosh ndihmën e tij dhe lutjen e tij". T'i kërkosh dikujt shefa'at d.t.th. t'i lutesh Allahut që ta lësh këtë botë më iman për hir të Tij. Në shumë vende të libirt wehhabi Fet'h ul-Mexhid, sidomos në f. 323, se: "Është shirk t'i kërkohet ndërmjetësim dikujt që s'është i pranishëm. Allahu urdhëron luftë kundër mushrikëve". Kurse Resulullahu a.s. e kishte zakon t'i thonte vetes: "O Muhammed, po i drejtohem Allahut duke të vendosur ty si ndërmjetës". Pas vdekjes së tij, sahabët e përsërisnin shpesh këtë lutje. Nj hadith i transmetuar nga Taberaniu pohon: "Nëse dikujt që ka mbetur i vetëm në shkretëtirë i humbet diçka, ai duhet të thotë: "O shërbëtorët e Allahut, ndihmomëni!", sepse Allahu ka shërbëtorë që ju nuk i shihni". Ibn Haxher el-Mekki shkruan në komentin e tij të veprës Idah el-Menasik se kjo lutje është vërtetuar disa herë si e frytshme. Siç transmeton Ebu Davudi dhe shumë të tjerë, një natë, kur ishte në udhëtim, Pejgamberi s.a. tha: "O toka e Zotit tim! I mbështetem Allahut ndaj të këqijave të tua". [19]

Imam Ebu Hanife ka thënë: "Isha në Medine. Shejh Ejjub es-Sahtiani, që ishte një musliman i devotshëm i mirënjohur, shkoi në Mesxhid el-Sherif. Unë e ndoqa nga pas. Hazreti Shejhu qëndroi me fytyrë nga varri i Resulullahut dhe me shpinë nga kibla. Pastaj, ai doli jashtë".

Hazreti Ibn Xhema'a shkruan në librin e tij el-Mensek ul-Kebir: "Gjatë zijaretit, pas faljes së dy rakteve dhe lutjes pranë minberit, duhet t'i qëndrojmë Huxhret-i Sa'dasë nga ana e kibles, duke patur kokën e bekuar të Pejgamberit nga e majta, duhet të qëndrojmë dy metra larg murit të el-Merkad ush-Sherif. Pastaj, duke e lënë pas murin e kibles dhe duke u kthyer ngadalë gjersa të vihemi përballë Muwaxhahat us-Sa'adasë, duhet të japim selam". Kjo është kështu në të gjitha medhhebet.

Duke shpjeguar pikën 23 të librit Shkatërrimet e Shkaktuara nga Gjuha, 'Abdul-Ghani en-Nebulusi shkruan: Është mekruh që, gjatë lutjes, të thuhet "për hakkun e profetëve" ose "për hakkun e fulan eulijaje" dhe t'i kërkohet Allahut diçka duke thënë ashtu, sepse është thënë që asnjë krijesë nuk ka kurrëfarë të drejte (hakk) mbi Allahun, d.m.th. Allahu nuk ka pse bën asgjë të kërkuar prej kujdto. Kjo është e vërtetë, mirëpo Allahu u ka premtuar shërbëtorëve të Tij të dashur dhe ua ka njohur të drejtën e tyre mbi Veten e Tij, d.m.th. Ai do ua pranojë lutjet.

Allahu ka thënë në Kur'an se Ai u ka dhënë të drejta robërve të Tij ndaj Vetes, p.sh.: {është detyrë e Allahut t'i ndihmojë besimtarët}. Në librin el-Fetawa el-Bezazijje shkruher: "Lejohet kërkimi i diçkaje për hir të një profeti ose një eulijaje të gjallë ose të vdekur, duke përmendur emrin e tij". [20]

Sikurse shihet, dijetarët muslimanë kanë thënë se lejohej t'i lutemi Allahut përmes hakkut dhe dashurisë që Allahu u ka dhënë të dashurve të Tij. Asnjë dijetar nuk ka thënë që do të ishte shirk të luteshe me idenë se njerëzit kanë të drejta te Allahu. Vetëm wehhabitë thonë ashtu. Ndonëse e lavdërojnë veprën el-Fetawa el-Bezazijje në librin e tyre Fet'h ul-Mexhid e i parashtrojnë fetvatë e tij si argumente, wehhabitë i kundërvihen atij në këtë drejtim. Gjithashtu, Hadimi, duke shpjeguar Shkatërrimet e Sjella nga Gjuha, ka shkruar: Pejgamberi e shqiptoi shpesh "Për hakun e Profetit Tënd Muhammed" dhe, gjatë viteve të luftës ai kërkoi ndihmën e Allahut për hakun e të varfëve në mesin e muhaxhirëve.

Po ashtu, shumë ulema muslimanë thonin gjatë lutjeve: "Për hir të atyre njerëzve që Ti u ke dhënë saherë që Të kanë kërkuar" dhe "Për hakkun e Muhammed el-Gazaliut", dhe ata i kanë shkruar këto du'a në librat e tyre. [21]

Libri el-Hisn ul-Hasin është plot me lutje të tilla. Edhe në veprën Ghalijje të Alusiut madje, shkruhet se kur Hazreti Ademi a.s. kërkoi faljen e Allahut për hir të Hazreti Muhammedit s.a., Allahu tha: "Ai është krijesa më e dashur për mua. Po të fal për hakkun e tij. Të mos ishte Muhammedi, nuk do të të kisha krijuar".

Autori wehhabi shkruan: "Imam Zejn ul-'Abidini pa një njeri duke u lutur pranë varrit të Pejgamberit a.s. dhe e ndërpreu", duke i përmendur hadithin: "Dërgoni salavate mbi mua, kudo që të jeni, salavatet tuaja do të më përcillen".

Ai e tregon ngjarjen në mënyrë të shtrembëruar dhe pastaj vazhdon: "Prandaj, është haram të shkohet pranë një varri dhe të bëhen du'a e salavate, që është sikur t'i bësh varret xhami. Është haram për ata që shkojnë të falin namaz në Mesxhid un-Nebi, që t'i afrohen varrit me qëllim që të japin selam. Asnjë prej sahabëve nuk kanë vepruar kështu. Ata i ndalonin ata që donin të vepronin ashtu. Asnjë vepër tjetër përveç salavatit dhe selamit të dhënë nga ky ummet nuk do t'i përcillet Pejgamberit". [22] Ai shkruan, gjithashtu, se: "qeveria saudite ka vendosur ushtarë pranë varrit të Pejgamberit në Mesxhid un-Nebi, për t'i ndaluar muslimanët nga këto gjëra", (f. 234).

Hazreti Jusuf en-Nabhani, i hedh poshtë këto gënjeshtra në shumë vende të librit të tij mbi wehhabizmin: "Imam Zejn ul-'Abidini r.a. nuk e ka ndaluar zijaretin e varrit të bekuar të Pejgamberit s.a. por ai ka ndaluar sjelljet e papërshtatshme dhe të palejuara gjatë vizitimit". Nipi i tij, Imam Xhafer es-Sadiku, e kishte zakon ta vizitonte varrin e Pejgamberit s.a. dhe, duke qëndruar pranë shtyllës nga ana e Raudasë, ai përshëndeste dhe thoshte: "Koka e tij e bekuar është nga kjo anë". Thënia: "Mos e bëni varrin tim vend bajrami", d.t.th. "Mos ma vizitoni varrin vetëm në ditë të caktuara si ditët e Bajramit. Vizitomëni çdo herë". [23]

Ebu 'Abdullah el-Kurtubi shkruan në veprën e tij et-Tedhkire se: "Veprat e ummetit të Pejgamberit i përcillen atij çdo mëngjes dhe mbrëmje". (fq. 88, 106). Gjatë vizitës së tij te varri i Pejgamberit, kalifi Mensur e pyeti Imam Malikun: "A duhet të sillem me fytyrë nga varri apo nga kibla?", Imam Maliku u përgjigj: "Si mund ta kthesh fytyrën mënjanë nga Resulullahu? Ai është shkaku i faljes tëndë dhe të babait tënd, Ademit.", (fq. 89, 116) Hadithi: "vizitojini varrezat!", përbën një urdhër. Nëse gjatë vizitës kryhet ndonjë haram, atëherë nuk është vizita ajo që duhet ndaluar, por harami, (fq. 92). Imam Newewiu thotë në veprën e tij Edhker: "Është sunnet të vizitohen varreza e Pejgamberit dhe ato të muslimanëve të devotshëm dhe të qëndrohet një kohë të gjatë në vende të tilla zijareti", (fq. 98). Në veprën e tij Fet'h ul-Kadir, Ibn Humami citon hadithin e cituar nga Dar Kutniu dhe el-Bezzari që thotë: "Nëse dikush më viziton vetëm me nijet për të më bërë vizitë dhe për të mos bërë asgjë tjetër, ai ka të drejtë të marrë ndërmjetësimin tim në Ditën e Gjykimit", (fq. 100).

Allahu i ka favorizuar eulijatë me keramete. Kerametet e tyre dëshmohen shpesh edhe pas vdekjes së tyre. Ata kanë aftësinë të bëjnë dobi edhe pas vdekjes. Lejohet kërkimi i shefa'atit të tyre tek Allahu. Por ndihma e tyre duhet kërkuar në mënyrë të ligjshme. Nuk lejohet të thuhet: "Do të jap kaq ... për ty nëse më jep atë që kërkoj", ose "nëse ma shëron të afërmin e sëmurë", siç bëjnë mjaft shpesh të paditurit. Megjithatë, kjo nuk mund të konsiderohet si veprim që shpie në kufr ose shirk, sepse as injoranti më i madh nuk mendon se eulijatë mund të krijojnë. Ata kërkojnë që eulijatë të jenë shkaku në krijimin e Allahut. Ata mendojnë se eulijatë janë krijesa njerëzore që Allahu i do, ndaj dhe thonë: "Lutju Allahut të më dhurojë atë që kërkoj! Ai nuk do të ta refuzojë lutjen".

Ç'është e vërteta, Resulullahu ka thënë: "Shumë njerëz konsiderohen të ulët në status dhe të pavlerë, por ata janë krijesat e dashura të Allahut. Kur ata dëshirojnë të bëjnë diçka, Allahu e krijon atë patjetër. Ky hadith citohet edhe në faqe 381 të librit wehhabist Fet'h ul-Mexhid. Pikërisht në bindje të haditheve të tilla, muslimanët", u kërkojnë eulijave të ndërmjetësojnë. Imam Ahmedi, Shafi'iu, Maliku dhe Imam-i a'zam Ebu Hanifja kanë thënë se ishte xhaiz (e mundur, e lejuar) që të merrej berekeh (bekim) nëpërmjet varreve të të devotshmëve. Ata që thonë se janë të Ehl-i Sunnetit ose që i përkasin njërit prej medhhebeve të tij duhet të veprojnë sipas asaj që kanë thënë ata Imamë. Në rast të kundërt, mund të shihet se ata nuk janë nga Ehl-i Sunneti por gënjeshtarë, (fq. 118).

Lidhur me temën e shkuarjes në haxh në emër të dikujt tjetër, në librin el-Fetawa el-Hindijje [24] shkruhet: "Lejohet që sevabi i një ibadeti t'i kushtohet dikujt. Prandaj, sevabi i namazit, agjërimit, haxhit ose këndimit të Kur'anit, dhikrit, vizitës së varreve të profetëve, shehidëve dhe muslimanëve të devotshëm, ose dhënies së qefinit për të mbështjellë të vdekurin dhe të gjitha bamirësitë dhe veprat e mira mund t'i kushtohen dikujt".

Edhe nga ky citim mund të kuptohet se të vizituarit e varreve të eulijave sjell sevabe. Mirëpo, wehhabitë thonë: "Ndërtimi i një kubeje mbi një varr, ndezja e kandilëve për ata që vizitojnë tyrbet dhe shërbejnë në to dhe dhënia lëmoshë për shpirtrat e të vdekurve shkakton kufr dhe shirk. Banorët e Harameinit (Mekës dhe Medines) kanë adhuruar kube dhe mure deri tani".

Ndërtimi i një kubeje mbi një varr është haram nëse bëhet për t'u dukur ose për zbukurim. Nëse bëhet për të mbrojtur varrin nga rrënimi, është mekruh. Nëse bëhet nga frika se një hajdut ose kafshë mund të hyjë brenda, është e lejueshme. Por nuk duhet bërë vend vizitimi, d.m.th. nuk duhet thënë se ai vend duhet vizituar në kohë të caktuara, mirëpo, duhet kërkuar tewessul dhe recituar Kur'an për të vdekurin kur kalojmë pranë një varri.

Nuk është mekruh të varrosen trupat në një ndërtesë që është ndërtuar më parë. Sahabët e varrosën Resulullahin s.a. dhe dy kalifët e tij në një ndërtesë. Asnjëri prej tyre nuk e kundërshtoi këtë!

Hadithi: "Ummeti im nuk do të pajtohet kurrë në një gjë të gabuar", na njofton se pajtimi i tyre nuk mund të ketë qenë kufr. Dijetari i madh islam Ibn 'Abidini ka shkruar: "Disa dijetarë kanë thënë se është mekruh të vendoset një rrobë, fes ose turban mbi varret e muslimanëve ose të eulijave". Libri el-Fetawa el-Huxhxhe thotë: "se, është mekruh nëse ka për qëllim t'i tregojë gjithkujt madhështinë e të varrosurit që ai të mos ofendohet dhe që ata të cilët e vizitojnë të jenë respektues dhe të sjellshëm. Veprat që nuk janë të ndaluara në el-adilet ul-sher'ijje duhen gjykuar sipas nijetit të tyre. Është e vërtetë që në kohën e sahabëve as nuk janë ndërtuar kube mbi varre e as nuk vendoseshin rroba mbi varre. Por asnjëri prej tyre nuk ishte kundër varrosjes së Resulullahit a.s. dhe dy kalifëve të tij r.a. në një dhomë". Për këtë arsye dhe për të zbatuar urdhrin "Mos shkelni mbi varre!" dhe "Mos jini jorespektues ndaj të vdekurve!" dhe për shkak se ato nuk ndaloheshin, nuk mund të lejohen sikur të ishin bërë më vonë. Të gjithë librat e fikh-ut tregojnë se menjëherë pas tavafit të lamtumirës, është e dmosdoshme që dilet nga Mesxhid el-Harami në shenjë respekti ndaj Qabes. Kurse sahabët, për shkak të respektit të tyre ndaj Qabes në çdo pikë, nuk e bënin këtë. Duke qenë se brezat pasardhës nuk ishin në gjendje të tregonin një nderim të tillë, 'ulematë deklaruan se ishte e domosdoshme të tregohej respekt duke dalë nga Mesxhidi me fytyrë drejt tij. Kështu, ata na e mundësuan që edhe ne të jemi respektues si sahabët. Po ashtu, u bë e lejuar që të mbuloheshin varret e të devotshmëve dhe të eulijave me rroba ose të ndërtoheshin kube mbi to për të treguar respekt sikurse sahabët.

Dijetari i madh 'Abdul-Ghani en-Nebulusi e shpjegon këtë në hollësi në librin e tij Keshf un-Nur. [25]

Në fund të librit Halebi-i Kebir, shkruhet: "Nëse një person vendos që toka e tij të bëhet varrezë dhe nëse ka vend, lejohet që të ndërtohet një tyrbe në të, për të varrosur trupat. Kur nuk ka hapësirë tjetër, kjo tyrbe do të rrënohet dhe varret do të gërrmohen. Sepse ky vend i përket vakfit, me nijetin për të qenë varrezë".

Sikur ndërtimi i tyrbeve të ishte njohur si shirk, ose tyrbet të ishin mbajtur si idhuj, do të kishte qenë gjithmonë e domosdoshme që ato të rrënohen. Libri i njohur i wehhabive thotë: "Ai që kërkon bekim (teberruk) me një pemë, gur, varr ose të ngjashme bëhet mushrik. Varret janë bërë vende idhujtarie duke ndërtuar kube mbi to. Edhe njerëzit e xhahilijetit i adhuronin njerëzit e devotshëm dhe statujat. Sot, nëpër tyrbe dhe varreza kryhen të gjitha këto akte e madje edhe më të tepruara se këto. Përpjekja për t'u kërkuar bekime tek varret e personave të devotshëm është si adhurimi i idhullit el-Lat. Këta mushrikë pandehin se eulijatë i dëgjojnë dhe u përgjigjen lutjeve të tyre. Ata thonë se ata u qasen të vdekurve duke bërë betime dhe duke dhënë lëmoshë për varret. Të gjitha këto veprime janë shirk i madh. Mushriku mbetet mushrik edhe nëse e quan veten ndryshe. Të luturit e të vdekurve me respekt dhe me ndjenjë, therja e kurbaneve, bërja e betimeve dhe veprime të tjera të ngjashme janë të gjitha shirk, sido që ta emërtojnë. Mushrikët e kohës së sotme, duke përdorur fjalën ta'zim (respekt) dhe teberruk e quajnë të lejuar atë që bëjnë". [26]

Në librat e mi të ndryshëm, kam parashtruar përgjigjet e dhëna nga dijetarët muslimanë ndaj talljeve të tilla përçmuese të wehhabive drejtuar muslimanëve të Ehl-i Sunnetit. Ajo që vijon është përkthyer nga libri el-Usul ul-Arba'a fi Tardid el-Wehhabijje, për t'i treguar lexuesit symprehtë se wehhabitë mashtrojnë dhe devijojnë veten dhe kërkojnë t'i çojnë muslimanët në shkatërrim: "Kur'ani, Hadithi, thëniet dhe veprat e selef us-salihin dhe argumentet e shumicës së 'ulemave tregojnë se lejohet t'i tregohet ta'zim (respekt, nderim) dikujt tjetër veç Allahut". Ajeti i 32 i Sures el-Haxhxh thotë: {Kush respekton (ju'azzim) shenjat e Allahut, ajo është nga devotshmëria e zemrave}. Sha'a'ir do të thotë "shenja, tregues". Hazreti 'Abdul-Hakk ed-Dehlawi ka thënë: "Sha'a'ir është shumësi i sha'ire, që d.t.th. tregues ('alame). Gjithçka që, kur e shikojmë, na kujton Allahun Te'ala është një tregues (shenjë) e Allahut Te'ala". Ajeti 158 i Sures el-Bekare thotë: {Safa dhe Merve janë nga shenjat (sha'a'ir) e Allahut.} Siç kuptohet nga ky ajet, kodrat e Safasë dhe Merves nuk janë shenjat e vetme të Allahut Te'ala. Ka shenja të tjera gjithashtu dhe këtu nuk futen vetëm vendet e ngjashme me to si Muzdelife dhe Mina. Shah Waliullah ed-Dehlawi thotë në faqen 69 të librit të tij Huxhxhetullahil Beligha: "Shenjat më të mëdha të Allahut Te'ala janë katër: Kur'ani, Qabja, Profeti dhe namazi".

Dhe në faqen 30 të librit të tij Altaf ul-Kuds, ai thotë: "Të duash shenjat e Allahut Te'ala do të thotë të duash gjithçka që të kujton Allahun Te'ala. Të duash eulijatë e Allahut është njëlloj". [27]

Prandaj, edhe eulijatë janë nga shenjat e Allahut. Ndërkohë që dy kodrat pranë Mesxhid ul-Haramit në Mekë, Safaja dhe Merveja, midis të cilave nëna e Profetit Ismail, Hazreti Haxhirja kishte vrapuar, janë ndër shenjat e Allahut Te'ala dhe na bëjnë ta kujtojmë atë nënë të bekuar, pse s'u dashka që vendet ku Pejgamberi Hazreti Muhammed a.s. - që është më i epërmi i të gjitha krijesave dhe i Dashuri (Habib) i Allahut Te'ala - është lindur dhe rritur dhe vendet ku ai ka adhuruar Zotin, është shpërngulur, ka falur namaz dhe ka ndërruar jetë dhe varri i tij i bekuar dhe vendet e familjes dhe shokëve të tij të numërohen si shenja? Përse i shkatërrojnë wehhabitë këto vende?

Duke lexuar Kur'anin drejt dhe me vëmendje, shihet lehtë se shumë ajete shprehin ta'zim për Resulullahun. Në Suren Huxhurat, thuhet: {O besimtarë, mos bëni asgjë para Zotit e të Dërguarit të Tij ... O besimtarë, mos e ngritni zërin mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju. Atyre që ulin zërat pranë të Dërguarit të Allahut, Allahu ua ka përshtatur zemrat për devotshmëri, ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh. Ata që të thërrasin përtej mureve (o Muhammed), shumica e tyre nuk kuptojnë. E sikur të bënin durim gjersa të dilje ti vetë, do të ishte më edukative për ta ...} (1-5).

Ai që i lexon dhe thellohet mirë mbi këto pesë ajete, e sheh qartë se sa e lavdëron Allahu Te'ala ta'zimin e treguar ndaj Pejgamberit të Tij të Dashur dhe sa me ngulm e urdhëron Ai ummetin që të jetë respektues e modest ndaj tij. Shkalla e kësaj rëndësie mund të gjykohet nga ajeti se shpërblimi i të gjitha veprave të atyre që do të ngrinin zërin para tij do të shuhej. Këto ajete shprehin dënim ndaj shtatëdhjetë vetave nga fisi i Banu Temimit, të cilët e kishin thirrur Pejgamberin duke bërtitur pahijshëm nga jashta Medines. Sot wehhabitë thonë se ata i përkasin fisit të Banu Temimit. Duhet të jetë kjo arsyeja pse Pejgamberi s.a. ka thënë: "Njerëzit e fesadit janë në Lindje" dhe "Shejtani do të shkaktojë fitne prej s'andejmi", duke bërë me shenjë nga Nexhdi. Një tjetër emër i përdorur për wehhabitë është "nexhdas", sepse ata kanë mbushur Nexhdin. Fitneja e parashikuar në hadithin e mësipërm u shfaq pas 12 shekujsh: "wehhabitë dolën nga Nexhdi nëpër Hixhaz dhe plaçkitën pasuritë e muslimanëve, vranë burrat dhe robëruan gratë e fëmijët. Ata kryen ligësi të mëdha që as paganët nuk i kanë kryer".

Në ajetet e mësipërme, fraza e përsëritur {O ju besimtarë} tregon se të gjithë muslimanët e tërë shekujve deri në Ditën e Gjykimit urdhërohen që të jenë respektues ndaj Resulullahut s.a. Sikur urdhri të kishte qenë vetëm për sahabët e tij, do të ishte thënë "O sahabët e Profetit". Në fakt, frazat "O gratë e Profetit" dhe "O njerëzit e Medines" janë kur'anore. Fraza {O ju që keni besuar} përdoret në ajetet që urdhërojnë namazin, agjërimin, haxhin, zekatin dhe ibadetet e tjera për të gjithë muslimanët, deri në Ditën e Gjykimit. Prandaj, ideja e wehhabive se "Pejgamberi duhej respektuar kur ishte i gjallë, atij nuk i duhet treguar respekt e as nuk i duhet kërkuar ndihmë pas vdekjes", është e pabazë sipas këtyre ajeteve.

Ajetet e mësipërme tregojnë se ta'zimi ndaj të tjerëve veç Allahut është gjithashtu i nevojshëm. Ajeti 104 i Sures Bekare pohon: {O besimtarë, mos (i) thoni (Profetit) "Raina", po thoni "udhurna" (shikona) dhe respektoni (urdhrat e Allahut)}. Besimtarët e kishin zakon t'i thonin Pejgamberit s.a. "Raina" (vështrona, kontrollona). Raina donte të thoshte gjithashtu sharje e fyerje në hebraisht dhe çifutët e përdornin këtë fjalë pikërisht në këtë kuptim. Për shkak se ajo kishte edhe këtë kuptim të keq, Allahu Te'ala ua ndaloi besimtarëve ta përdornin këtë fjalë dhe e mbrojti të Dërguarin e Tij s.a. nga mundësia e të mosrespektuarit. Që ky respekt të tregohej deri në fund të botës, Ai tha: {O ju që keni besuar!}.

Në ajetin 33 të Sures el-Enfalë, Allahu te'ala thotë: {Allahu nuk do t'i dënojë ata deri sa ti je në mesin e tyre} dhe premton që të mos i dënojë ata deri në fund të botës. Ky ajet i kundërpërgjigjet pretendimit të wehhabive se Pejgamberi s.a. iku dhe u bë dhé.

Ata shkatërrojnë vendet e bekuara të trashëguara nga Resulullahu s.a. Ata pretendojnë se këto vende i bëjnë njerëzit politeistë. Sikur të ishte shirk t'i lutesh Allahut Te'ala në vende të shenjta, Ai nuk do të na kishte urdhëruar të shkonim në haxh. Resulullahu nuk do ta kishte puthur Gurin e zi (Haxher ul-Eswed) gjatë tavafit, askush nuk do të ishte falur në Arafat dhe në Muzdelife, askush nuk do të kishte gjuajtur gurë në Mine dhe muslimanët nuk do të kishin ecur midis Safasë dhe Mervesë. Këto vende të shenjta nuk do të ishin respektuar.

Kur Sa'd ibn Mu'adhi, prijësi i ensarëve, erdhi në vendin ku ata ishin tubuar, Resulullahi tha: "Ngrihuni në këmbë për prijësin tuaj!". Ky urdhër u drejtohej të gjithëve që ata ta nderonin Sa'din. Është gabim të thuhet: "Sa'di ishte i sëmurë. Qëllimi i thënies ishte që ai të ndihmohej të zbriste nga deveja", pasi urdhri ishte për të gjithë.

Sikur të nënkuptonte ndihmimin e Sa'dit, urdhri do të kishte qenë për një ose dy veta dhe do të ishte thënë vetëm "për Sa'din" e nuk do të kishte patur nevojë të thuhej "për prijësin tuaj".

Saherë që shkonte nga Medina në Mekë për haxh, 'Abdullah ibn 'Umeri r.a. ndalonte dhe falej në vendet e shenjta ku Resulullahu s.a. ishte ulur. Ai bekohej (teberruk) me këto vende. Ai e kishte zakon t'i vendoste duart në minberin e Resulullahut s.a. dhe pastaj i fërkonte ato për fytyrë. Imam Ahmed ibn Hanbeli e kishte zakon të puthte Huxhret us-Sa'danë dhe minberin për t'u bekuar prej tyre. Wehhabitë, nga njëra anë thonë se i përkasin medhhebit hanbeli, dhe nga ana tjetër, quajnë shirk atë që ka bërë imami i këtij medhhebi. Ndaj, pretendimi i tyre se janë hanbeli është një gënjeshtër. Imam Ahmedi e vendoste këmishën e Imam Shafi'iut në ujë dhe e pinte ujin për të marrë bekime. Hazreti Halid ibn Zejd ibn Ebu Ejjub el-Ensari e fërkonte fytyrën me varrin e bekuar të Resulullahut a.s. dhe, kur dikush deshi ta ngrinte, ai tha: "Lërmë! Nuk kam ardhur për gurët dhe baltën, por për vizitën e Resulullahut".

Sahabët e kishin zakon të bekoheshin me gjërat që i përkisnin Resulullahut s.a. Ata merrnin bekime nga uji që ai përdorte në abdes dhe nga djersa, këmisha, skeptra, shpata, këpucët, gota, unaza e tij e bekuar, shkurt, nga çdo gjë që ai përdorte. Hazreti Ummi Selemja r.a., ummul-mu'minin, ruante një qime nga mjekrra e tij e bekuar. Kur vinin njerëz të sëmurë, ajo e fuste qimen në ujë dhe u jepte të pinin prej tij. Me këtë gotë të bekuar, ata e kishin zakon të pinin ujë për shëndoshje. Varri i Imam Buhariut kundërmonte misk dhe njerëzit merrnin baltë nga ai varr për t'u bekuar me të.

Ulematë e hadithit dhe fikhut i lejonin veprime të tilla, ndërkohë që wehhabitë i konsiderojnë ato shirk dhe kufr. [28]

Në kohën e sahabëve dhe tabi'inëve, madje edhe deri në fund të mijëvjeçarit të parë hixhri, ka patur shumë eulija' dhe salihinë. Njerëzit e kishin zakon t'i vizitonin ata e të merrnin bekime prej tyre si dhe të faleshin pas tyre. Nuk kishte nevojë për tewessul ose teberruk me gjëra pa jetë. Fakti se këto gjëra ishin të rralla në ato kohë nuk do të thotë se ishin të ndaluara. Sikur të ishin haram, do të kishte patur njerëz që do t'i kishin ndaluar ato. Asnjë 'alim nuk i ndaloi ato.

Mirëpo, me ardhjen e kohëve moderne, bidatet dhe mosbesimi është rritur, rinia është mashtruar nga armiqtë e Islamit, të fshehur në petkun e autoriteteve fetare dhe shkencore dhe duke qenë se mosbesimi e apostazia u ka interesuar, diktatorët dhe shtypësit, skllevër të egove të tyre, e kanë mbështetur fuqimisht këtë rrymë. Numri i 'alimëve dhe eulijave është pakësuar, madje fare pak janë parë në kohët e fundit, ndaj është bërë domosdoshmëri të kërkohen bekime te varret dhe gjërat e trashëguara prej eulijave.

Sipas ixhmasë së ulemave [29] të Islamit, kjo praktikë e ligjshme nuk duhet ndaluar në vetvete, edhe pse bidate dhe harame të ndryshme jan futur në të, siç ka ndodhur me shumë hadithe dhe çështje fetare, por janë bidatet dhe haramet ato që duhen ndaluar dhe hequr.



Autor: Ejjub Sabri Pasha



_________________________

[1] - Dijetarët e Mekës shkruajtën përgjigje të mrekullueshme më 1221 H., duke e rrëzuar me argumente të shëndosha e të dokumentuara. Përmbledhja e punimeve të tyre, me titull Seif ul-Xhabbar, e botuar më vonë në Pakistan, është rishtypur në Stamboll nga Sh. B. Isik Kitabevi, më 1395 H./1975.
[2] - Më 1970, gjatë pregatitjes së përgjigjeve ndaj shkrimeve të devijuara që ndodheshin në të, unë i botova ato në librin tim Këshilla për Wehhabistin.
[3] - Kuptimi i saktë i këtyre ajeteve nga dijetarët sunni është paraqitur hollësisht në kreun Tewekkul të veprës Sa'adat-i Ubudijeh nga autori. Ata që e njohin kuptimin e saktë të teuhidit do ta kuptojnë se wehhabitë, që e mbajnë veten si muwahhidë (monoteistë), nuk janë muwahhidë por thjesht një tjetër grup i atyre që, nën maskën e teuhidit, duan t'i ndajnë copash ndjekësit e monoteizmit dhe të bëjnë ndryshime në Islam.
[4] - Mexhaz-i është përdorimi i një fjale jo në kuptimin e saj të mirëfilltë ose të zakonshëm, por në një domethënie të lidhur me atë kuptim. Kur një fjalë e veçantë për Allahun Te'ala përdoret për njerëzit në një kuptim mexhazi, wehhabitë e marrin në kuptimin e saj shprehimor dhe e quajnë atë që e përdor fjalën metaforikisht, poitesit dhe jobesimtar, ata s'janë të vetëdijshëm se fjalë të tilla përdoren metaforikisht në Kur'an dhe Hadith.
[5] - Hakim el-Ummeh Khwaxheh Muhammed Hasan Xhan Sahib es-Sirhindi el-Muxheddidi, el-Usul el-Arba'a, Indi, 1346 H./1928, rishtypur nga Sh. B. Isik Kitabevi, Stamboll, 1395 H/1975. Autori i hedh poshtë wehhabitë dhe jomedhhebistët edhe në punimin e tij në arabisht Ta'rih en-Nexhat, Indi, 1350 H (me përkthim në urdisht), të rishtypur nga Sh. B. Isik Kitabevi më 1396 H./1976.
[6] - Botuar nga Sh. B. Nuhbat ul-Ahbar, Bagdad, 1306 H/1889, e rishtypur nga Sh. B. Isik Kitabevi, Stamboll, 1396 H/1976.
[7] - Ky ajet është interpretuar (tefsir) - dhe është vërtetuar se wehhabitë e keqinterpretuan atë - edhe nga Xhemil Sidki ez-Zahawi, një dijetar nga Iraku, në veprën e tij el-Fexhr es-Sadik fi'r-Raddiala Munkir it-Tewessuli we'l-Kerameti we'l-Hawarik (Egjipt, 1323 H/1905), rishtypur nga Sh. B. Isik Kitabevi, Stamboll, 1396 H/1976. Xhemil Sidki ligjëroi 'ilm ul-kelam në Universitetin e Stambollit. Ai ndërroi jetë më 1355 H/1936.
[8] - El-Milel ue'n-Nihel, bot. turqisht, f. 63, Kairo 1070 H.
[9] - Të shihet libri im Këshillë për Wehhabistin.
[10] - Shejh 'Ali Mahfudh, el-Ibda', f. 213, Kairo, 1956. Profesorët e el-Ez'herit 'Abdullah ed-Desuki dhe Jusuf ed-Dexhwi, shkruajtën elozhe në fund të librit.
[11] - 'Abdul-Ghani en-Nebulusi, el-Hadikat en-Nedijje, f. 120, Stamboll, 1290 H.
[12] - Redaktuar në Londër më 1259 H/1843.
[13] - El-Hadika, f. 290.
[14] - Këto tre broshura janë botuar së bashku me punimin e Hazreti Ahmed Zeini Dehlaniut ed-Durer us-Sanijje fi'r-Raddi 'ala'l-Wehhabijje në Kairo më 1319 H/1901 dhe 1347 H/1928. Ato janë rishtypur nga Sh. B. Isik Kitabevi, Stamboll, 1396 H/1976.
[15] - Mir'at ul-Medine, f. 106, Kreu: Mir'at ul-Haramein.
[16] - Ky hadith kudsi citohet edhe te vëll. III, Letra 122 e veprës Maktubat të Imam Rabbaniut.
[17] - Mir'at ul-Medine, f. 1282.
[18] - Shkrimet në faqet 167, 170, 191, 208, 248, 353, 414, 416, 482, 486 dhe 505 të librit wehhabi, Fet'h ul-Mexhid janë tallje ndaj muslimanëve.
[19] - Khulasat ul-Kelam, bab us-selam, Mekë, 1305 H. Rishtypur nga Sh. B. Isik Kitabevi, 1395 H/1975.
[20] - el-Hadika.
[21] - Hadimi, Barika, Stamboll, 1284 H.
[22] - Fet'h ul-Mexhid, f. 259.
[23] - Shewahid ul-Hakk, f. 80, botimi III, Kajro, 1385 H./ 1965.
[24] - Përgatitur nga Shejh Nizam Mu'in ed-Din Nakshbendiu dhe të tjerë, në kohën e Muhammed Awrankazib 'Alemgir ibn Shah Xhihani të Shtetit të Gurganisë (sundoi nga 1068-1118 H/1658-1707). Shtypur në Kajro më 1310 H., bot. III më 1393 H./1973.
[25] - Ibn 'Abidin, Hashijetu Durr el-Mukhtar (Radd ul-Mukhtar), vëll. V, f. 232, Bulak 1272 H. Vepra Keshf un-Nur dhe libri Tenwir ul-Halak fi Imkani Ru'jati'n-Nebi Xhiharen we'l Melek u redaktuan së bashku për së treti me titull el-Minhat el-Wehhabijje, Sh.B. Isik Kitabevi, Stamboll, 1974.
[26] - Fet'h ul-Mexhid, f. 133.
[27] - Hadithi i cituar tek Musned-i i Ibn Ebi Shejbes dhe Kunuz ul-Haka'ik i el-Menawiut thotë: "Të shikuarit e eulijave përkujton Allahun".
[28] - El-Usul ul-Arba'a, vëll. I.
[29] - Verdiktet e ulemave mbi këtë temë citohen në veprën ed-Durer us-Sanijje fi'r-Raddi 'ala'l-Wehhabijje të Ahmed ibn Zejni Dehlaviut, Egjipt 1319 dhe 1347 H., rishtypur nga Sh. B. Isik Kitabevi, Stamboll 1395 H./1975.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...