Zhveshja e Krijuesit nga vetitë e krijesave



Absolutisht është e pamundur që, Krijuesi i gjithësisë të jetë trup, të ketë ndonjë formë, e të ketë anë apo vend. Jehudinjtë, Rafidinjtë ekstremë, musheb-bihitët, dhe keramitët, [1] kanë thënë se Ai është trup. Hisham bin El-Hakemi, [2] e cilëson me formë. Musheb-bihitët dhe Keramitët, kanë thënë: qëndron (vendi i tij është) në Arsh. Disa prej tyre kanë thënë: Ai është mbi Arsh, jo në kuptim të qëndrimit por duke i vërtetuar pozitën "mbi". Nexh-xharitët, [3] kanë thënë: Ai me Qenien e Tij është në secilin vend. Mu'tezilitët kanë thënë: Ai është në çdo vend me dije, e jo me Qenien.

Mirëpo, të gjitha këto pikëpamje janë të pavërteta, sepse përmbajnë elemente të krijesave, ndërsa Allahu është i pastër. Trupi është diçka i bashkuar - i përbërë, ndërsa çdo të bashkuari i lejohet ndarja, kjo do të thotë se është i përcaktuar në masë të caktuar, e që mund të jetë më e madhe ose më e vogël. Specifikimi i tij sipas kësaj mase, nuk mund të mendohet përpos nga specifikimi i një specifikuesi. Ngjashmërish është edhe me format që janë të ndryshme, ndërsa njësimi i Tij në të gjitha ato, është i pamundur, gjersa specifikimi i disave, nuk mund të ndodhë, pos nga një specifikues.

Po ashtu sikur të qëndronte në Arsh, kjo nuk mund të mendohet, përpos që Ai të jetë i përcaktuar sipas përcaktimit të tij, i cili mund të jetë më i vogël ose më i madh. Nëse është i caktuar sipas përcaktimit të tij, e është më i vogël, atëherë patjetër të jetë i kufizuar dhe i limituar, ndërsa limitimi është tipar i krijesave. Nëse është më i madh se ai, atëherë masa e caktuar që qëndron paralel Arshit është e caktuar sipas përcaktimit të tij, andaj obligon që të jetë i ndarë në pjesë. Ndërsa ndarja është tipar i krijesave.

Nëse është qëndrues në Arsh, atëherë patjetër që të jetë i limituar nga pjesa e poshtme, derisa është qëndrues në të. Nëse lejohet limitimi nga njëra anë, atëherë lejohet nga të gjitha anët. Sepse zhveshja nga vendi dhe nga ana është e vërtetuar qysh në ezel, andaj ekziston konsensusi ndërmjet nesh dhe kundërshtarëve, që gjithçka tjetër, përpos Allahut, është e krijuar. Sikur t'i vërtetohej qëndrimi dhe ana, gjë që nuk është vërtetuar në ezel, në Qenien e Allahut do të krijohet diçka, me të cilën nuk ka qenë i cilësuar që në ezel, dhe atëherë, Qenia e Tij do të bëhej objekt që i nënshtrohet krijimeve, e kjo është e pamundur.

Thënia e Allahut të Lartësuar: "(E Ai është) Mëshiruesi që qëndron mbi Arshin (e mban sundimin mbi gjithçka që ekziston)", [4] është me kuptime të mundshme. Në këtë ajet përmendet Arshi, e me të synohet: dominimi, përsosja, stabiliteti, përcaktimi, mësymja, dhe qëndrimi e qëndrueshmëria. Prandaj, kundërshtarët nuk mund ta marrin për argument atë që ka kuptime të mundshme. Krahas asaj, kuptimi i preferuar është sipas asaj që kemi thënë ne. I Lartëmadhërishmi është i lavdëruar, mirëpo sikur 'istivaja' të citohej për lavdërim në lidhje me realitetin e krijesës, nuk nënkuptohet 'qëndrimi' dhe 'qëndrueshmëria', sikur që ka ardhur në thënien e poetit: "Bishri e ka mbizotëruar Irakun, pa përdorim të dhunës dhe derdhje të gjakut". [5]

Thënia se Ai është në çdo vend, është e pavërtetë, sepse ai që qëndron (në një vend) është absurde që të jetë në dy vende në të njëjtën kohë. Gjersa është absurde t'i atribuohet qëndrimi, atëherë si mund të mendohet që ai të qëndrojë në të gjitha vendet?

Po ashtu është e pavërtetë thënia e atij që thotë se, Ai është në çdo vend me dije, e jo me Qenie, sepse ai që e di një vend, nuk është e drejtë të thuhet që është në atë vend sepse është me dije.

Gjithashtu e pavlefshme është thënja që i atribuon anën. [6] Sepse, ekzistenca e Tij në të gjitha anët është e pamundur, ndërsa specifikimi i disa anëve, patjetër duhet të ketë një specifikues, dhe sepse ai që ka një anë kundrejt një gjëje, patjetër që ekziston një distancë e caktuar ndërmjet tyre, e që mendohet të jetë më shumë ose më pak. Nëse ndodh kjo, atëherë, patjetër ekziston një specifikues i asaj mase, që e mban ekuilibrin e lejuar ndërmjet tyre.

Pastaj ne themi: Atij nuk i bëhet lavdërim duke i atribuuar pozitën 'mbi' nga aspekti i anës fizike. Rojtari është mbi Sulltanin për nga forma fizike, ndërsa Sulltani është mbi të nga aspekti i mbizotërimit dhe pozitës, kjo është edhe përgjigjja ndaj Fjalës së Allahut: "Ai është mbizotërues ndaj robërve të Tij ...", (El-En'am, 18). Pra, nuk mund të lavdërohet i Lartësuari nëpërmjet pozitës 'mbi' në kuptim të anës.

Ngritja e duarve kah qielli me rastin e bërjes së duasë (lutjes), është adhurim i pastër, ngjashmërish siç është vendosja e ballit në tokë gjatë sexhdes, si dhe drejtimi kah kibla gjatë namazit.

"Muxhes-simitët" (antropomorfistët) dhe "musheb-bihitët" (përngjasuesit), ajetet dhe hadithet që konsiderohen jo plotësisht të qarta, i marrin sipas aspektit të jashtëm të tekstit tyre. Ndërsa ehlus-sunneti ve xhemati rreth këtyre ajeteve, ndjekin dy rrugë:

E para: pranimi i tyre, besimi i plotë i tyre, ndërsa autorizimin për komentimin e tyre ia lëmë Allahut të madhëruar, duke e zhveshur nga çdo kuptim që konsiston përngjasimin me krijesat. Kjo është rruga e selefit tonë të mirë, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, dhe
E dyta: pranimi i tyre dhe hulumtimi i komentimit të tyre, sipas një mënyre që i përket Qenies së Allahut të Madhëruar, e në pajtim të plotë me përdorimet e gjuhëtarëve, duke mos e marrë prerazi që ky kuptim është synim i Allahut të Madhëruar. Kjo është rruga e halefit (gjeneratat pas shekullit të tretë hixhrij).

Pra, rruga e selefit ndaj muteshabihateve, është pranimi me dorëzim, ndërsa rruga e halefit është pranimi me gjykim.



Autor: Imam Nurud-din ES-SABUNI
Nga arabishtja: Mr. Orhan BISLIMAJ
Shkëputur nga: Akaidi Maturidij, fq. 54-57.



_________________________

[1] - Ithtarët e Muhamed bin Kiram (vdiq në vitin 255 h/868 m), shih: disertacionin tonë: "Fahrud-din Er-Rrazi ve mevkifuhu min'l-keramijjeti", Kul-lijjeti'l-adab, xhamiatul iskenderijjeti.
[2] - Ai është Ebu Muhamed Hisham bin El-Hakemi, prijës i beni shejbanitëve, nga kelamistët shiitë. Vdiq disa vite më vonë, pas të ashtuquajturës "Katastrofa e Beramikëve", (Afërsisht më 190 h/805 m, shih: "El-Munxhid fil-lugati ve'l a'lam", botimi i tridhjetë e tetë, boton Darul Meshrik, 2000, Beirut-Liban, fq. 596, - përkthyesi).
[3] - Ithtarët e Husejn bin Muhamed En-Nexhar, të cilin autori i "Mekalati'l-islamijjin", (Ebil Hasen El-Esh'ariju - përkthyesi), e konsideron prej murxhitëve, shih: vëll. 1, fq. 199, me tahkik të Muhjid-din Abdul Hamid).
[4] - Kur'ni, Ta-ha, 5.
[5] - Vargje poetike të Beithit, siç ka thënë Ibni Abbadi, ose të Ahtalit, siç ka thënë El-Xhevherij. Atë e ka thënë për Bishr bin Mervan, (sipas: Prof. Dr. Bekir Topaloğlu, "El-Bidajetufi usulid-din" të Imam Nurud-din Es-Sabuni, botimi i pestë, 1995, Ankara, Turqi, fq. 24, - përkthyesi).
[6] - Sepse ai që është në një anë kundrejt një subjekti, i ndërpritet mundësia e ekzistencës në të gjitha anët.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...