Statusi i ilmul kelamit në Islam



Fragment i shkëputur nga libri i Hasan Esh-Shafii me titull "El-Medkhal ila Diraseh Ilmul Kelam", Mektebeh Uehbeh, botimi i dytë, Kajro 1991, f. 35-48.

Ilmul kelami është ajo dije sheriatike e cila ka si synim "studimin e gjykimeve besimore në sheriatin islam". Ky është një qëllim fisnik dhe i rëndësishëm, por që nga koha e mëvetësimit të kësaj dije si një disiplinë në vete janë shfaqur shumë grupacione dhe janë ndeshur shumë mendime. Në historinë e gjatë të civilizimit islam rreth kësaj çështjeje janë shkruar shumë libra dhe kanë lindur shumë medhhebe, prej të cilave disa ishin më afër e disa më larg besimit të pastër islam, ashtu siç është transmetuar ajo në Kuran dhe në traditën profetike.

Dijetarët e kësaj disipline shpesh kanë përdorur metodologji të cilat jo gjithnjë kanë qenë në përputhje të plotë me epistemologjinë (usulu nedhri) dhe mënyrën e argumentimit kuranor. Çështja rreth kësaj dijeje evoluoi në mënyrë të tillë sa që shpesh në grupacionet e kelamit gjejmë ekstremizma të tillë sa që gati nuk bëhen shkak që ata të dalin krejtësisht nga mileti mysliman. Po ashtu, në të gjemë grupacione që tejkalojnë çdo kufi duke ndërtuar medhhebe të huaja për Islamin dhe mendime të çuditshme që arritën deri në përzierien e shqyrtimeve rreth akides [besimit islam] me filozofi me bazë pagane, qofshin këto të lindjes apo perëndimit.

Si pasojë e kësaj që sapo thamë, në ambientin islam u shfaqën zëra të cilët vunë në dyshim legjitimitetin e kësaj dijeje dhe disa prej tyre bënë thirrje për braktisjen e kësaj disipline, ndalimin e leximit të librave të kelamit, njohjen me grupet e tyre apo pjesëmarrjet në grumbullimet e tyre. Këto opinione kritike mbështeten tek tekste të ndryshme të transmetuara nga profeti (a.s.), të cilat ndalojnë "kelamin" [diskutimin] në fe apo polemikat në akide. Këto mendime kanë marrë forcë, përveç teksteve fetare, edhe nga disa fenomene negative të shfaqura gjatë periudhës së mesme të historisë së shkencës së ilmul kelamit, të tilla si neglizhenca e argumenteve tradicionale, nxjerrja prej feje (tekfir) e armiqve të tyre apo përdorimi i logjikës greke apo e ndonjë sistemi tjetër logjik. Këto mendime kritike u rritën derisa u shndërruan në rryma të qarta dhe qasje të spikatura në etapat pasuese të mendimit islam.

Fillimet e kësaj tendence shfaqen në ato thënie kritike ndaj ilmul kelamit që i vishen themeluesve të katër shkollave juridike islame. Ibn Tejmija ka raportuar një sërë thëniesh të tilla në librin e tij "Dari tearud akli ue nakl". [1]

Kjo qasje kritike ndaj disiplinës së ilmul kelamit u përvetësua edhe nga një sërë muhadithësh dhe hafëzësh prej dijetarëve selef, të cilët i frikësoheshin rreziqeve që përmbante kjo disiplinë ndaj bashkësisë myslimane [umet] dhe për pasojë e ndaluan këtë dije në tërësinë e saj si edhe e mosaprovuan atë pa u zgjatur shumë, siç ishte rasti i Khatabit në librin e tij "El-Gunje" dhe i Kutejbes në librin e tij "Teuil mukh'teleful hadith". Shumicën e këtyre thënieve e ka mbledhur Heravi në veprën e tij "Dhemul Kelam". [2]

Po ashtu të njëjtën qëndrim mbajtën edhe një grup dijetarësh, midis të cilëve gjendeshin muhadith dhe sufinj të ndryshëm. Madje edhe vetë midis kelamistëve pati një grup që njohën rreziqet që përmbante kelami dhe urryen gjithçka që vinte prej tij, përveç asaj që gjendet në Kuran dhe në traditën profetike. Një rast i tillë ishte edhe ai i Ibn Tejmijes në shumicën e librave të tij dhe veçanërisht në librin "Dar'i tearud El-Akli ue nakli", rasti i Gazaliut në shumicën e librave të tij dhe veçanërisht në esenë e tij "Ilxham El-Auam an ilmul Kelam", apo si rasti i Ibn Vezirit në librin e tij "Terxhih esalib El-Kuran ala esaalibu junan".

Kjo traditë u shkri më pas tek Imam Sujutiu i cili përmblodhi shumicën e saj në një nga librat e tij, titulli i të cilit shpreh njëkohësisht edhe mendimin e vetë autorit dhe tematikën që ai trajton. Libri në fjalë quhet "Saunul mantiki uel kelam an fenil mantiki uel kelam", (Mbrotja e logjikës dhe e fjalës nga disiplina e logjikës dhe fjalës), botim i së cilit është celebruar në Egjipt kohët e fundit.

Tendenca për ta sulmuar kelamin dhe për ta konsideruar atë si të ndaluar vazhdon edhe në kohën tonë. Ajo mund të shihet qartë në një sërë librash të shkruar nga i ndjeri Abdul Halim Mahmudi, veçanërisht në librin e tij me titull "El-Islam uel Akl", (Islami dhe mendja). Po ashtu i njëjti fenomen haset edhe në parathënien që i ndjeri Mahmud Kasim ka shkruar për librin "Menahixhul Edileh" të Ibn Rushdit.

Nga ana tjetër, në kundërshtim me këndvështrimin e lartpërmendur, mbrojtësit e shkencës së ilmul kelamit, të cilët vinin nga kohë dhe vende të ndryshme, u morën gjerësisht me këtë çështje. Si kundërpërgjigje ata shkruan traktate apologjetike (mbrojtëse, justifikuese) rreth lejimit, nga ana e sheriatit, të disiplinës së ilmul kelamit. Madje disa prej tyre shkuan aq larg sa që në disa raste e konsideruan këtë shkencë si farz kifaje (obligim kolektiv) apo farz ajn (obligim individual).

Si rrjedhojë njëri prej kelamistëve të hershëm shprehej: "Të qenurin e ilmul kelamit farz kifaje e kanë deklaruar Imamul Haramejn, Hulejmi, Bejhekiu, Gazali, Neveviu dhe Ibn Asakiri, ...", pro kësaj disipline është shprehur edhe Tajibi në librin e tij "Sherhul Mishkat", si edhe Muhli në komentin e tij të "Xhemul Xheuamija". Imam Ibn Haxher El-Hejthemi në komentin e "Sherhul Mishkat" ka thënë: "Ilmul Kelami është konfirmuar si farz kifaje, por ai shndërrohet në farz ajn sapo tek individi të shfaqet ndonjë dyshim i vazhdueshëm ...".[3]

Ndërsa një kelamist bashkëkohor shprehet: "Hukmi i ilmul kelamit, siç janë shprehur dijetarët [ulematë], është ai i të qenurit farz kifaje për çdo person përgjegjës para se ai të veproj për diçka. Detyrimi i këtij individi është gjithçka që e çliron atë nga imitimi, dhe më e pakta e kësaj gjëje është njohja, nga ana e personit, e të gjithë akides përmes argumenteve të përgjithshme. Ndërsa farzi kifaje bie mbi umetin [bashkësinë] islam. Obligimi i umetit mysliman, në këtë rast, është gjithçka që ia mundëson realizimin e çështjeve të kelamit përmes argumenteve të qarta në mënyrë që të mos shkaktohet asnjë fitne apo dyshim [në çështjet e fesë]. Po ashtu kelamistët kanë thënë: "Obligimi i kelamit është në dy çështje, ndërsa lënia e të marrurit me ilmul kelam përsa i përket degëve të fesë përbën një gjynah por jo kufër [mohim]"". [4]

Mbrojtësit e Ilmul Kelim mbështeten, gjithashtu, edhe në tekstet fetare, në fjalët e themeluesve të katër shkollave juridike e të tjerë përveç tyre. Shembull i tillë është rasti i Ebu Hanifes i cili ka shkruar rreth kësaj disipline dhe ka shpjeguar disa çështje të saj. Siç do ta shohim edhe më vonë në librin tonë, të njëjtën gjë kanë bërë edhe Imam Shafiu dhe Imam Hanbeliu.

1. Kur u shfaqën prijësit e shkollave të kelamit, u ndje nevoja e debatimit të kësaj çështjeje dhe e mbrojtjes së legjitimitetit të shkencës së ilmul kelamit. Duke pasur parasysh këtë që sapo thamë Hasan El-Eshariu, p.sh., shkroi trajtesën e tij të njohur me titull "Istihsan El-Khaud fi ilmil Kelam". Në hyrjen e kësaj vepre ai ka sqaruar argumentet e kundërshtarëve të ilmul kelamit duke u shprehur: "Një grup njerëzisht e kanë bërë paditurinë kapital të tyre, për ta analiza logjike dhe kërkimi në fe është një gjë e vështirë ... për këtë arsye ata shpifën kundër atyre që hetonin mbi bazat e fesë dhe i konsideruan të humbur ... dhe thanë se nëse marrja me ilmul kelam do të kishte qenë udhëzim atëherë për këtë do të kishte folur profeti (a.s.), halifët e drejtudhëzuar dhe sahabët e tij ... dhe thanë: Mundësitë janë dy, ose ata e kanë ditur por kanë heshtur rreth kësaj gjëje ose nuk e kanë ditur dhe për ta kjo ka qenë e panjohur.

Nëse ata e kanë ditur, por nuk kanë folur për të, atëherë edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Do të frenohemi nga të zhyturit në ilmul kelam njësoj siç kanë bërë edhe ata. Nëse kjo disiplinë do të kishte qenë pjesë e fesë atëherë ato nuk do të kishin heshtur. Nëse ata nuk kanë qenë të njoftuar me këtë disiplinë dhe janë mjaftuar me paditurinë e tyre, atëherë edhe ne do të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Kjo për arsye se nëse ilmul kelami do të kishte qenë pjesë e fesë, është e pamundur që [brezi i parë] i myslimanëve të mos ketë qenë i njoftuar me të. Në secilin rast bëhet e qartë se Kelami është bidat [risi] dhe zhytja në të është humbje. Këto argumente janë të mjaftueshme për të lënë shqyrtimin në bazat e fesë ..."
. [5] Këtij dyshimi iu përgjigjën më pas kelamistë të ndryshëm me argumentet të cilat, me lejen e Zotit, do t'i shtjellojmë në vijim.

2. Më pas, përkrah kelamistëve, në mbrojtje të kësaj disipline u rreshtuan filozofë, sufinj [mistik], muhadithë dhe fukaha [jurist] të ndryshëm, të tillë si Amiri në librin e tij "Ilam bi menakibul Islam", Gazaliu në librat e tij "Munkidh min dalal" dhe "Ihja ulumu Din", etj., Imam Subki në librin e tij "Et-Tabekat", Ibn Asakir-i në "Et-Tebjin", El-Bejadi në "Isharatul Meram min ibaratil Imam", etj..

3. Edhe në ditët tona mund të hasim prirjen e atyre të cilët e mbrojnë këtë disiplinë dhe e njohin legjitimitetin dhe dobinë e saj për umetin mysliman. Në lidhje me këtë mund të përmendim një studim të shkruar nga një prej kelamistëve bashkëkohorë i cili flet rreth zhvillimit të ilmul kelamit dhe pasojave të tij. Në këtë vepër autori i ka kushtuar një prej dy vëllimeve të veprës së tij pikërisht kësaj teme dhe në të gjendet e përmbledhur e gjithë vepra e tij. [6]

Dhe nuk ka dyshim se ndarja e kësaj teme në një kapitull më vete është një çështje shumë e rëndësishme në vetvete dhe ajo vazhdon të zërë një vend të madh në përkushtimin e dijetarëve të hershëm dhe të vonshëm. Po ashtu trajtesa e një teme të tillë është e rëndësishme edhe për atë i cili kërkon të shpenzoj mundin e tij në studimin e kësaj disipline nga myslimanët ... pa qenë nevoja që kjo përpjekje të shoqërohet edhe me shqyrtimin e imtësishëm të historisë së vetë ilmul kelamit. Siç e kemi thënë edhe më parë, kjo histori është rezultat i fazave të ndryshme përmes së cilës ka kaluar kjo disiplinë dhe shqyrtimin e tyre ndoshta do ta bëjmë në kapitullin vijues, hë për hë do të mjaftohemi me argumentet e ofruara nga disa kundërshtarë të ilmul kelamit të cilët janë shprehur për mospëlqimin apo për ndalimin e plotë të kësaj disipline. Prej tyre mund të përmendim sa vijon:

1. Kurani dhe suneti e ndalojmë debatin dhe polemikën për çështjet fetare, gjurmimin e të dyshimtave dhe zhytjen në çështjet problematike. Në lidhje me këtë mund të përmendim Fjalën e Allahut (xh.sh.) në Kuran kur thotë: "Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa vargje të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (vargje) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t'i komentojnë sipas dëshirës së vet". [7] I ngjashëm është edhe ajeti tjetër kuranor: "O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit ...". [8] Në lidhje me të njëjtën temë mund të përmendim edhe disa hadithe profetike. Në njërin prej tyre profeti (a.s.) ka thënë: "Largojuni polemikës se dobia e saj është e pakët". [9]

Në një tjetër hadith që transmetohet nga Amr ibn Shuajb, përmes babait dhe gjyshit të tij thuhet se profeti (a.s.) ka thënë: "Profeti (a.s.) shkoi tek sahabët dhe i gjeti ata duke debatuar me njëri-tjetrin rreth çështjes së kaderit dhe fytyra e tij u përskuq nga zemërimi njësoj si e kuqja e farës së shegës dhe më pas i tha atyre: A për këtë jeni urdhëruar, a mos vallë për këtë jeni krijuar? A po i përplasni ajetet e Kuranit njëri me tjetrin? Për shkak të kësaj janë shkatërruar popujt [umetet] para jush". [10] Së fundmi, ja vlen të përmendim edhe një tjetër hadith që transmetohet prej profetit (a.s.) i cili ka thënë: "Meditoni rreth mirësive të Zotit dhe jo rreth qenies së Tij, përndryshe do të shkatërroheni ...". [11] El-Bejadi ka grumbulluar, në librin e tij El-Isharat, një grup të mirë tekstesh të këtij lloji dhe më pas i është përgjigjur atyre.

2. Një tjetër argument i ofruar kundër ilmul kelamit është edhe ai sipas së cilit sahabët, të cilët ishin më i miri brez, më i dituri në fe dhe më i ndihmuari nga Allahu, nuk janë marrë me këtë disiplinë, por të gjithë interesimin e tyre e kanë kanalizuar në dhënien e fetave, mësimin e gjykimeve [hukme] të fikhut dhe mësimin e kësaj disipline të tjerëve. Për rrjedhojë, ilmul kelami është bidat i urryer dhe humbje shkatërruese, siç është shprehur edhe Imam Eshariu në traktatin e tij, pjesë të të cilit i kemi sjellë në vëmendjen tonë pak më parë.

3. Dijetarët dhe muxhtehidët e mëdhenj mysliman e kanë urryer këtë lloj analize që quhet ilmul kelam. Kur kjo disiplinë u përhap, ata i ndaluan nxënësit e tyre që të thelloheshin në të. Veprime të tilla i vishen Ebu Hanifes, sipas tyre ai e ndaloi birin e tij Hamadin nga të marrurit me ilmul kelam. Po ashtu, transmetohet edhe nga Imam Shafiu se ai ka thënë: "Askush nuk ka shpëtuar prej atyre që merren me ilmul kelam". Thënie të njëjta apo të përafërta i vishen edhe dy imamëve të tjerë, Imam Malikut dhe Imam Hanbelit. [12]

4. Një tjetër argument i ofruar shpesh në disfavor të ilmul kelamit është fakti se shumë prej kelamistëve e përçmojnë traditën [sunetin] profetike dhe përgjithësisht i kundërshtojnë argumentet tradicionale [semaijeh= hadithet, etj.]. Siç është, p.sh., rasti i Nidhamit [3] dhe dyshimit të tij për hadithet mutevatir apo rasti i Razit dhe pohimit të tij se prej argumenteve tradicionale [hadithet, etj.] nuk përftohet siguria [jekin] por hamendësimi [dhan]. Arsyet për këtë pohim ai i shtjelloi në librin e tij "El-Muhsal". Ky fakt e detyroi komentuesin e veprës së tij, dijetarin shiit Et-Tusi, që ta refuzojë dhe ti kundërvihet mendimit të tij. [14]

5. Një tjetër argument është fakti se shumica e kelamistëve e përzien kelamin e tyre me filozofinë dhe prodhuan, në mendjet e tyre, metodologji [menahixh] të ndryshme të logjikës helene. Kjo metodologji është dekadente [fasid] dhe bie në kundërshtim me metodologjinë e të menduarit të shpalosur në Kuran dhe traditën profetike, ashtu siç është sqaruar ky fenomen nga dijetarë të ndryshëm, si Ibn Tejmija në veprën e tij "En-Nesiha", Suhravadi nga Bagdadi në veprën e tij "Reshfu Nesaihil imanijeh ue keshful kabaihil junanijeh" dhe Ibn Veziri në librin e tij "Terxhihun esalib El-Kuranu ala esalibul junan". [15]

6. Së fundmi, mund të themi se kërkimet me natyrë kelamiste dhe debatet me grupacione të ndryshme e kanë ndarë umetin mysliman në grupe dhe sekte. Çështja shkoi deri aty, sa filluan të shfaqen bidatet në akide dhe ky fenomen është risia dhe puna më e rrezikshme se çdo gjë tjetër. Thellimi në debatet e kelamit sjell si pasojë, për shumicën e besimtarëve mysliman, dobësimin e sigurisë në besim dhe numri i të konvertuarve, në fenë islame, si pasojë e këtyre debateve, është më të vërtetë shumë i vogël.

Nga ana tjetër kelamistët dhe mbështetësit e tyre i kanë kthyer përgjigje kritikave dhe argumentimeve të lartpërmendura, të cilat flasin për mospëlqimin apo ndalimin e kësaj disipline. Përgjigjet e tyre ndaj argumenteve të lartpërmendura mund të përmblidhen në sa vijon.

1. Ndalesa e shprehur në hadithet apo ajetet e lartpërmendura (dhe të tjera të ngjashme me to), të cilat tregonin për moslejimin e polemikave në fe, siç shprehet edhe Bejadi, "në të vërtetë kanë si qëllim kelamin filozofik dhe kelamin e armiqve, ndërsa debati me qëllimin që të shfaqet e vërteta nuk është i urryer, madje ai është i urdhëruar në bazë të Fjalës së Allahut kur thotë: "dhe diskuto [xhadil] me ata në mënyrën më të mirë!"", (Nahl, ajeti 125). [16] Ndalimi kuranor i gjurmimit të çështjeve të dyshimta apo ndalimi i kërkimit racional në ato çështje që nuk i përkasin mendjes njerëzore, siç është p.sh. realiteti qenies hyjnore apo kaderit, etj., nuk nënkuptojnë doemos edhe ndalimin e shqyrtimit në çështjet e tjera të akides, gjithnjë nëse ky kërkim bëhet nën dritën e ajeteve të qarta të Kuranit, haditheve të sakta profetike dhe mendjes të shëndoshë. Si mund të jetë ndryshe kur Kurani është i mbushur përplot me ajete besimi [akide] të cilat detajizojnë besimin dhe argumentet e tij në formën më të plotë.

Ebu Kasim El-Kushejri (465 h.) në disa prej librave të tij është shprehur: "Është për tu habitur me çdokënd i cili pohon se ilmul kelami nuk ekziston në Kuran. Kur në fakt, ndërkohë që ajetet që përmbajnë gjykime sheriatike janë të pakta në tekstin kuranor, ajetet të cilët nxisin për ilmul usul-in [akiden] janë shumë herë më të shumta në numër. Ilmul Kelamin e mohojnë vetëm ata që ndjekin verbërisht ose ata të cilët kanë metodologji [medhheb] të prishur". [17]

Më parë se Ebu Kasimi, këtyre kundërshtimeve i ishte përgjigjur Imam Eshariu. Ndër të tjera ai ka thënë: "Në të vërtetë, profeti (a.s.) nuk ka shpërfillur asgjë nga ajo që kemi përmendur nga ilmul kelami ... ndonëse ai nuk ka folur për çdo mesele në mënyrë specifike, siç nuk kanë bërë as dijetarët, juristët apo sahabët, përsëri metodologjia [usuli] e këtyre çështjeve që kemi përmendur [në ilmul kelam] gjendet në mënyrë të përgjithshme, ndonëse jo të detajizuar, në Kuran dhe traditën profetike". [18] Në një tjetër temë ai shton: "Ndonëse për këto çështje të kelamit nuk mund të gjendet, për gjithsecilën prej tyre, një tekst profetik, prapëseprapë ato i kthehen dhe maten në bazë të teksteve që gjenden në librin e Allahut të Lartësuar, në traditën profetike dhe në ixhtihadin e dijetarëve ...". [19]

2. Përsa i përket mosangazhimit të sahabëve me disiplinën e ilmul kelamit dhe mospërdorimit, nga ana e tyre, të argumenteve konceptuale apo formave logjike për të saktësuar akiden, apo mjaftimi i tyre me atë që gjendet në Kuran dhe traditën profetike, mund të themi se një nga kelamistët i është përgjigjur kësaj teze duke përmendur një thënie që i atribuohet Ebu Hanifes (r.a.) sipas së cilës ai është shprehur: "Sahabët e profetit (a.s.) nuk janë përfshirë [në kelam] sepse shembulli i tyre është si shembulli i atij grup njerëzish që duke mos pasur në prani të tyre asnjë armik që ti luftoj ato nuk i caktuan vetes përgjegjësi për të siguruar armë. Ndërsa ne [që erdhëm pas tyre] u sprovuam me ata të cilët hedhin akuza kundër nesh dhe nuk mund të mjaftohemi nëse nuk e kemi sqaruar më parë se cili prej nesh është në të vërtetën e cili në të gabuarën dhe pa mbrojtur vetet tona". [20]

Në këtë kapitull ne do të sqarojmë se sahabët, në të vërtetë, janë përfshirë në mbrojtjen e Islamit, në çështjet e akides, nga dyshimet e bidatçinjve, siç është rasti kundër kaderinjve, havarixhve, etj.. Gjatë këtij procesi ata janë mbështetur në tekstet e sakta fetare dhe argumentet racionale të qarta.

3. Në lidhje me ndalimin e kelamit, nga ana e selefëve, dhe thellimit në të, duhet thënë se ndoshta qëllimi i tyre ka qenë ndalimi i kelamit të bidatçinjve, i cili ishte në kundërshtim me Kuranin dhe traditën profetike. Kjo mund të shihet edhe nga fakti që vetë selefët janë përfshirë, në vetë të parë, në kundërshtimin e sekteve, duke përdorur ato logjikime të llojit kelamist të cilat, sipas tyre, ishin në përputhje me Kuranin, të mbështetura në hadithet e sakta dhe në kapacitetet mendore të shëndosha.

Transmetohet se Ebu Hanifja ka shkruar librin "Fikhul Ekber", "Fikhul Eusat", "El-Uesijeh" dhe "El-Ilmu ue mutealim". Imam Shafiu debatoi me Hafsan dhe të tjerë përveç tij si dhe me Murxhiat, ndërsa Imam Hanbeli shkroi një libër me titull "Rad ala xhehmijeh", (Përgjigje sektit Xhehmijeh). Të gjitha këto vepra janë punime kelami, vetëm se ai ishte një kelam në përputhje me besimin e saktë islam [ehli suneh uel xhemah]. [21]

Për sa i përket transmetimit nga Imam Ebu Hanifja, sipas së cilit ai e ndaloi birin e tij Hamad-in që të debatonte duke përdorur ilmul kelamin, mund të themi se kjo ndalesë kishte të bënte me debatet që kryheshin me shtrëngim dhe përmes rrugëve të gabuara. Kjo kuptohet edhe nga fjalët që i biri i drejtoi atij: "Unë të kam parë duke debatuar [tetekelem] atëherë përse po më ndalon mua"? Ai iu përgjigj: "Ndërsa debatonim gjithsecili prej nesh dukej sikur kishte një zog mbi kokën e tij dhe frikësoheshim se mos i zoti i tij binte në gabim, ndërsa ju debatoni dhe gjithsecili prej jush dëshiron që i zoti i tij të bie në gabim dhe të mohoj. Ka mohuar [kefere] ai që dëshiron një gjë të tillë ...". [22] Fjalë të njëjta, ose të përafërta, me këto që sapo përmendëm transmetohet edhe për Imam Shafiun dhe Imam Hanbelin, etj.. [23]

4. Në lidhje me përbuzjen e haditheve dhe dyshimi i përgjithshëm në vlerën e argumenteve tradicionale [hadith, etj.] nga ana e kelamistëve, nuk duhet mohuar se ky është një gabim në të cilin kanë rënë disa kelamist dhe veçanërisht disa mutezilitë ... [24] E vërteta është se në historinë islame hasen, po ashtu, edhe shumë kelamist selefë, apo ehli suneh, të cilët i kanë qëndruar besnik argumenteve kuranore dhe atyre të traditës të saktë profetike, duke i shtuar këtyre dy burimeve mendjen e shëndoshë dhe ixhmain [konsensusin] e umetit islam. Një rast i tillë, prej të mëvonshmëve, është ai i Ibn Tejmijes dhe Abdyl Vehabit, [25] ndërsa prej të hershmëve është Imam Hanbeli dhe Ebu Hanifja. Refuzimi i haditheve apo i argumenteve tradicionale [semaijeh], siç do ta sqarojmë në kapitullin vijues, nuk ka qenë asnjëherë një tipar i plotë apo mbizotërues midis kelamistëve.

5. Ndërsa sa i përket përdorimit të logjikës greke, studimet e kohëve të fundit kanë arritur në përfundimin se dijetarët e parë myslimanë, midis tyre edhe kelamistët, nuk e kanë përdorur këtë logjikë. Ata kanë zotëruar një metodologji të tyre specifike të deduktuar prej Kuranit dhe traditës profetike gjë që tregon për origjinalitetin e mendimit islam. Sipas këtyre studimeve metodologjia e përdorur nga myslimanët e parë ishte e mbështetur në dy shtylla kryesore: kritika historike [e jetëve të transmetuesve] e përdorur në dijen e hadithit dhe metodologjia e veçantë e përdorur në fikhut islam në lidhje me analogjinë e quajtur El-Istidlal El-Istikraij. Kjo është metodologjia të cilën, në historinë e gjatë islame, e kanë sqaruar gjerësisht dijetarët e usul fikhut [metodologjisë së jurisprudencës islame]. [26] Ndërsa logjika greke, në më të shumtën e saj, iu bashkangjit kësaj metodologjie në shekullin e katërt apo të pestë hixhri.

Kjo çështje meriton një shqyrtim më të hollësishëm, gjithsesi ne do të mjaftohemi hë për hë me vërejtjet e mëposhtme:

1. Përdorimi i logjikës greke nuk është kufizuar vetëm tek kelamistët, por ajo është përdorur edhe në usul fikh, madje edhe nga disa sufinj ... [27] Ky fenomen ka ndodhur veçanërisht atëherë kur Imam Gazali u përpoq që ti vishte disa prej problemeve të logjikës formale greke edhe tekstit kuranor, [28] duke e përzier këtë logjikë edhe me dijen e usul fikhut dhe kjo është më larg kelamit se sa filozofia dhe degët e saj.

2. Sulmi që disa dijetarë, të tillë si Ibn Tejmija, i kanë bërë logjikës greke, nuk ka pasur si qëllim refuzimin e plotë të kësaj logjike, paçka kritikës që ato kanë bërë dhe zbulimit, nga ana e tyre, e rrugëve të tjera të deduksionit. [29]

3. Mangësitë e logjikës formale nuk qëndrojnë tek vetë ajo, por tek mënyra e përdorimit dhe e fushës së zbatimit të saj. Kjo disiplinë është thjesht një mjet për mirëfunksionimin e procesit të të menduarit. Nëse individi e përdor këtë logjik ashtu siç duhet, tregohet i ekuilibruar dhe përdor parime të sakta, atëherë ai padyshim që do të arrij në rezultatin e duhur. Mangësitë dhe pervertimi në mendim vjen si rezultat i parimeve të gabuara ose i përdorimit të ekzagjeruar të logjikës formale greke.

4. Në të vërtetë, kundërshtitë dhe sektet, siç ishte rasti i Havarixhëve, Mutezilitëve, Mushebihatëve, etj., kanë buruar nga polemika të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kuranin, traditën profetike dhe rrugën e selefëve të umetit mysliman. Uniteti i mendimit mund të arrihet vetëm përmes ndjekjes së rrugës së sahabëve në gjykimin me Kuranin dhe traditën profetike dhe ata kanë qenë më të diturit e kohërave në këto dy burime islame. "Kurani nuk flet", shprehej Aliu (r.a.) gjatë përballjes së tij me havarixhët, për këtë arsye është e domosdoshme që çdo çështje e diskutueshme ti kthehet parisë së myslimanëve të ditur reth Kuranit dhe traditës profetike. Siç ka thënë edhe Allahu (xh.sh.) në Kuran: "Por, në qoftë se këtë lajm do t'ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo) ...". [30]

Për këtë arsye Ebu Hanife ishte i mendimit se bidati dhe zgjatja e dyshimeve duheshin turpëruar sa herë që shfaqej fitne dhe reklamohej ndjekja e saj. Sipas tij kjo ishte mënyra më e mirë për mbrojtjen e umetit. Ndryshe nga çfarë hamendësojnë një grup njerëzish, heshtja apo lënia pas dore e kësaj situate është palejueshme. Nëse një njeri, ka dëgjuar rreth një çështjeje problematike, por e mban gjuhën e tij nga të folurit rreth asaj për të cilën njerëzit kanë rënë në mospërputhje mendimesh, prapëseprapë nuk është e lejuar që zemra e tij të mos mbaj një qëndrim. Është e domosdoshme që zemra e tij të urrej një nga dy qëndrimet ose të dyja së bashku. Pëlqimi i të dy mendimeve është i pamundur duke qenë se ato janë të kundërta me njëra-tjetrën. Nëse zemra anon nga padrejtësia dhe i dashuron ithtarët e saj atëherë edhe ai individ është pjesë e tyre, por nëse anon nga e vërteta dhe i njeh ithtarët e saj atëherë ai bëhet për ta përkrahës dhe mbrojtës ... [31]

Thirrja (daveti) në Islam kryhet midis ithtarëve të tij dhe të tjerëve, ndonëse kelamistët nuk kanë davetin si qëllim kryesor, sidoqoftë atyre u njihen përpjekje të lavdërueshme në këtë aspekt, si ato të kryera nga mutezilitët në fillim të historisë së tyre dhe parisë së ehli sunetit në kohët e mëvonshme, [32] apo si përpjekjet e Gazaliut, Ibn Tejmijes, Ibn Abduselamit, Ibn Tumurtit, Sanusit, Ibn Abdulvehabit, etj., prej të hershmëve dhe të mëvonshmëve.

Padyshim që Ilmul Kelami, njësoj si disiplinat e tjera, është përballuar me zhvillime të shumta dhe është përfshirë nga disa devijime. Midis ithtarëve të tij janë shfaqur fenomene të cilat kanë sjellë si reagim kundërpërgjigjen e dijetarëve kelamistë e të tjerëve përveç tyre. [33] Një pjesë të këtyre përgjigjeve, ndonëse jo në mënyrë shteruese, i kemi trajtuar më parë në këtë libër. Personalisht jam i mendimit se njerëzit e thjeshtë [avam] duhen mënjanuar nga përfshirja në studimin e gjykimeve të kelamit dhe çështjeve të tij, veçanërisht në ato tema që përfshihen në "kelamin akademik" [dekikul kelam], apo që zhyten në përdorimin e terminologjisë së kelamit, në metodologjinë e hollësishme të deduksionit apo në paraqitjen e dyshimeve të hedhura nga sekte të ndryshme historike të cilat nuk ekzistojnë më në kohën tonë.

Siç e kemi përmendur edhe më parë nga Imam Gazaliu, më e mira është që ti shfaqim rreziqet e kelamit dhe të kufizohemi sipas rrugës së Kuranit i cili i flet njëkohësisht zemrës dhe mendjes dhe përmirëson gjendjen si të njerëzve të thjeshtë ashtu edhe të njerëzve të elitës. Prej argumenteve të gjendura në të, njerëzit e thjeshtë përfitojnë aq sa kanë mundësi ndërsa dijetarët zhyten në thellësitë e mëdha të kuptimeve dhe njohurive të shpalosura në ajetet kuranore duke pasur kujdes nga shpirti i polemikës, debatit apo dëshirës për mbizotërim dhe duke këmbëngulur me dashuri, drejtësi dhe sinqeritet, së pari në udhëzimin e vetes dhe më pas në atë të të tjerëve.

Në ditët tona, shumica e atyre të cilët e sulmojnë ilmul kelamin i përkasim mendimit apo shkollës selefite, për këtë arsye mendova ta mbyll këtë kapitull me shqyrtimin e mëposhtëm.


Qëndrimi selefist

Shumica e atyre të cilët, në kohën tonë, e shohin veten si ndjekës të selefive janë të mendimit se disiplina e kelamit është haram, ose në rastin më të mirë ajo është e urryer dhe jo e rekomandueshme. Si rrjedhojë mendoj se do të ishte shumë e përshtatshme nëse do të përmblidhnim ilaçin e ofruar nga Ibn Tejmija, një nga përfaqësuesit e mëdhenj të rrugës selefite, në librin e tij "Dari tearud El-Akl ue nakl". [34] Në të, Ibn Tejmija ka aluduar pikë së pari për ata të cilët e kanë kritikuar, e kanë përçmuar ilmul kelamin dhe kelamistët dhe kanë shkruar kapituj apo libra të tërë në lidhje me këtë çështje.

Shembull i tillë është Heravij, i cili shkroi librin "Dhemul Kelam ue ehlihi" [Përbuzja e Kelamit dhe ithtarëve të tij], Abdurrahman Es-Sulemi dhe Imam Gazaliu. Ky i fundit, në librin e tij "Ihja ulumudin", ka përmendur mospajtimin e dijetarëve në lidhje me statusin e ilmul kelamit dhe mendimet ekstreme të disave prej tyre. Në këtë libër ai thotë: "Disa kanë thënë se kelami është bidat ose haram ... disa të tjerë kanë thënë se ai është farz ajn ose farz kifaje ... përmbushje e dijes së teuhidit dhe përpjekje në fenë e Zotit". [35] Imam Gazaliu, ndër të tjera, përmend Imam Shafiun dhe Hanbelin të cilët e kanë mosaprovuar fuqimisht kelamin dhe kelamistët. [36]

Më pas, Ibn Tejmija i komenton këto fjalë duke thënë: "Imam Ahmed ibn Hanbeli (r.a.) i ka kthyer fuqimisht përgjigje sektit të xhehmijeve e të tjerëve të ngjashëm me to dhe këtë e ka bërë duke përdorur argumente fetare dhe racionale. Ai ka përmendur thëniet dhe argumentet e tyre në një formë që askush tjetër para tij nuk e kishte bërë, madje ka treguar historinë e medhhebit xhehmije, argumentet e tyre dhe më pas i ka hedhur poshtë ato duke përdorur argumente sheriatike dhe racionale. Ebu Hamidi transmeton në librin e tij atë që ai pohon se e ka dëgjuar nga disa hanbeli sipas së cilëve Imam Ahmedi nuk ka bërë te'vil [interpretim], vetëm se për tre hadithe. Ky pohim në lidhje me Ahmedin është i gabuar ...". [37]

Pasi Ibn Tejmija tërheq vëmendjen për mungesën e saktësisë së Gazalit dhe mangësisë së dijes së tij në lidhje me qëndrimin e selefëve, ai përmend se si edhe mësuesi i Gazaliut, Imam Xhuvejni, ka rënë në të njëjtën gabim kur i ka veshur Imam Hanbelit dhe dishepujve të tij mohimin e argumenteve racionale. Ai e sqaron këtë keqkuptim për Imam Hanbelin dhe ndjekësit e tij duke thënë: "Ndjekësit e Imam Ahmedit i kanë hedhur poshtë transmetimet që vijnë në emër të tij. Ebu Bekae El-Akberi në librin e tij "El-Burhan" shprehet se "ky transmetim nuk është i saktë në medhhebin e Imam Ahmedit dhe se ai nuk i ka ndaluar njerëzit nga shqyrtimi i argumenteve racionale të sakta, të cilat të dërgojnë në qëllimin e synuar". Argumentimet [kelami] e tij në usuludin janë fokusuar në kthimin e përgjigjes sektit të Xhehmijeve dhe të tjerëve të ngjashëm me to, në përdorimin e argumenteve racionale të cilat qartësojnë pasaktësinë e thënieve të këtyre grupeve që janë në kundërshtim me traditën profetike. Për këtë Imam Ahmedi ka huazuar thënie të ndryshme nga librat e këtyre sekteve dhe ithtarëve të tyre. Ai ka përbuzur kelamin që është bidat, njësoj siç ka bërë edhe pjesa tjetër e parisë së dijetarëve myslimanë. Kelami bidat është ai që bie në kundërshtim me Kuranin dhe traditën profetike dhe të folurit, pa zotëruar dijen e duhur, për Zotin dhe fenë e tij". [38]

Ibn Tejmija ka arritur në përfundimin e saktë në lidhje me qëllimin e synuar nga këto polemika dhe i ka kthyer përgjigje atyre të cilët ngrenë debate (në lidhje me këtë çështje) duke thënë: "Imam Ahmedi, në krahasim me parinë e dijetarëve myslimanë, ka qenë më i njohuri dhe më i shumti prej atyre që kanë folur [kelam], përmes argumenteve kategorike, në çështjet e usuludin-it, qofshin këto argumente tekstuale apo racionale. Ai u sprovua me ata të cilët kundërshtonin sunetin e profetit, për këtë arsye ishte e nevojshme që ai të pëfshihej në këto debate. Ajo që gjendet në kelamin e tij nga paraqitjet e argumenteve racionale, të cilat ishin në përputhje me traditën profetike, është e pangjashme me asnjë prej kelameve të transmetuar nga pjesa tjetër e dijetarëve mysliman ... kuptimi është që Imam Ahmedi përdorte argumente racionale ndaj kërkesave hyjnore vetëm nëse këo ishin të sakta, ndërsa ka përçmuar çdo kelam që bie në kundërshtim me Kuranin dhe traditën profetike, kelamin e shoqëruar nga padija, si edhe kelamin e bidatçinjve".

Kjo gjë shihet edhe në letrën që ai i dërgoi Muteuekil-it, në të cilën ai ka thënë: "Nuk e preferoj kelamin në lidhje me këtë çështje, përveç atij [kelami] që është në librin e Allahut, në hadithin e të dërguarit të Tij (a.s.), sahabëve apo tabiinëve. Çdo kelam tjetër përveç këtij është i papëlqyeshëm". Imam Ahmedi e aprovonte, nëse e njihte kuptimin sunetit, përdorimin e shprehjeve të ndryshme [por me të njëjtin kuptim si hadithet] nëse kjo ishte e nevojshme, madje ai e ka zbatuar këtë edhe vetë ... Ajo që sheriatikisht shihet si e përbuzur, është çdo gjë që ka përçmuar Allahu dhe i dërguar i Tij, si polemikat e kota, debatet e shoqëruara me padije apo të debatuarit mbi të vërtetën pasi ajo është bërë e qartë. Polemikat e lejuara sheriatikisht janë ato që ka përmendur Allahu në historitë e profetëve të tij (paqja qoftë mbi to), si edhe ato polemika që ai i ka lejuar në librin e Tij, si p.sh. "Ata thanë: "O Nuh, ti na kundërshtove [xhadeltena] ne, madje e zgjate kundërshtimin"", [39] "Ky është argumenti Ynë, të cilin Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij", [40] "A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij ...", [41] "... dhe diskuto [xhadil] me ata në mënyrën më të mirë"! [42] Shembuj të tjerë si këto mund të kenë statusin e vaxhibit ose të mustehabit, çdo tekst që ka këtë status nuk është i përçmuar sheriatikisht. [43]

Jam i mendimit se cilido prej lexuesve që është i të njëjtit mendim me ne në lidhje me paraqitjen e argumenteve të lartpërmendura dhe ka një prirje mendore, shoqërore apo arsimore për tu angazhuar me ilmul kelam, mund ta bëjë këtë pas ndjerë asnjë vështirësi dhe pa ndjerë ndonjë hezitim që mund të vij si rrjedhojë e pikëpyetjeve tradicionale në lidhje me legjitimitetin e studimit të ilmul kelamit.



Autor: Hasan Mahmud Esh-Shafii
Përktheu nga arabishtja: Rezart Beka



Referenca:

[1] - Shih, vëll. V, f. 142-185.
[2] - Imam Sujuti, "Saun El-Mantik", v. I, f. 68 e më tej. Ibn Kutejben, "Tevil mukhteleful hadith", f. 3 e më tej.
[3] - Bejadi, "Isharatul Meram", f. 35.
[4] - Sheh Husejn Vali, "Kitabul Teuhid", f. 128-129.
[5] - Ebu Hasen Eshariu, "Istihsan El-Khaud fi ilmi kelam", f. 3-4.
[6] - Doktorr Sheh Jahja Fergal, "Auamil ue ahdaf neshetu ilmil kelam", Botime: mexhmua buhuth, viti 1390 hixhri.
[7] - Ali Imran, ajeti 7.
[8] - Nisae, ajeti 59.
[9] - Imam Sujuti, "Saun El-Mantik, f. 1/50. Nuk kam gjetur hadith me këtë tekst. Transmetohet në Sunenin e Darimiut nga Jahja ibnu Kethir.
[10] - Suneni Ibnu Maxhes, hyrja e librit, kapitulli i kaderit, hadithi nr. 85. Saktësuesi i librit, sheh Feuad Abdul Baki, ka përmendur në librin e tij "Ez-Zeuaid": zinxhiri i transmetimit është i saktë dhe transmetuesit janë të besueshëm", vëll.I, f. 33.
[11] - Bejadi, "El-Isharat", f. 2 e më tej.
[12] - Imam Sujuti, "Saun El-Mantik", f. 1, 70 e më tej.
[13] - Shih Ibn Kutejbe, "Tevil", f. 11-53, Imam Sujuti, "Saun", f. 1/212 e më tej.
[14] - Imam Tusi, "Sherh Muhsel", f. 32.
[15] - Imam Sujuti, "Saun" 2/10 e më tej.
[16] - Bejadi, "Isharat", f. 36.
[17] - Po aty, f. 38.
[18] - Imam Eshariu, "Istihsan", f. 4.
[19] - Po aty, f. 10.
[20] - Bejadi, "Isharat", f. 22.
[21] - Po aty, f. 22, Abdul Kadir Temimi Ed-Dari, "Tabekat Sinijeh", vëll. I, f. 177-194.
[22] - Shih, Jahja Hashim Fergal, "Auamil ue ahdaf neshetu ilmul kelam", f. 60-86.
[23] - Shih, El-Amirij, "Kitabul Iëlam", f. 121-123.
[24] - Shih, Bagdadi, "El-Firka", f. 114 e më tej.
[25] - Shih, p.sh., Ibn Tejmijen, "Daru Tearud, vëll. I, f. 2 e më tej, Ibn Abdul Vehab, "Kitabu Teuhid me koment të Fet'hul Mexhid-it, f. 6 e më tej, si edhe Bejhekiu, El-Esma ue Sifat, hyrja e librit.
[26] - Shih, Sami Neshar, "Menahixhul Baht indel mufekirijul Islam", hyrja e librit.
[27] - Shih, Tash Kibri Zadehu, "Miftahul Seadeh", f. 1/5, Teftazani, "Ibnu Sebiin, f. 86.
[28] - Gazali, "Kistas", f.10 e më tej.
[29] - Sujuti, Saun, f. 2/43 e më tej.
[30] - Sure Nisa, ajeti 83.
[31] - Bejadi, "Isharat", f. 37-38.
[32] - Shih, Nesharin, vëll. 1, f. 276 e më tej, El-Amirij "Eëlam" 114-116, Xhuld Teshir, "Akidetu ue sheriat fil Islam", 99-133.
[33] - Shih atë qe kemi thënë në faqe 30 të librit tonë, si edhe Ibn Xheuzi: Telbisu Iblis 83-89.
[34] - Vëll. 7, f. 144-186.
[35] - Po aty.
[36] - Po aty, f. 146-149.
[37] - Po aty, f. 149-150.
[38] - Po aty, 153-154.
[39] - Sure Hud, ajeti 32.
[40] - Sure Enam, ajeti 83.
[41] - Sure Bekare, ajeti, 257.
[42] - Sure Nahl, ajeti 125.
[43] - Ibn Tejmije, "Dari Tearud", vëll. 7, f. 154-156.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...