Njeriu gënjen edhe kur hesht të vërtetën
Lexoni dhe mos besoni!
Don Anton Kçira i quan qenë shqiptarët e Kosovës, aludon në ata myslimanë, dhe arsyeton krimet e Milosheviqit, duke i etiketuar si njerëz me bisht, ndërsa hidhërohet se si nuk i paska rrjepur Millosheviqi ata 1.900.000 qenë, ashtu sikur i quan edhe 260.000 myslimanët e Bosnjës të vrarë dhe të masakruar nga ushtria dhe policia jugosllave.
Pse ka jetuar aq gjatë "krimi" medial dhe linçi publik i 1.900.000 shqiptarëve pa u zbërthyer deri në fund, kanë qenë edhe interpretimet shpeshherë të gabuara të heshtjes si akt "kombëtarë", ngase shumë persona drejtpërdrejt të implikuar vegjetojnë në komunitet si persona VIP. Inkriminimi i kaq shumë personave të rëndësishëm dhe afria e tyre me "krimin" - edhe fjala e thënë publike që shtreson urrejtjen fetare është krim, ka sjellur komunitetin para një krize morale, që po i hap dyert edhe kriminalizimit të vlerave fetare si formë speciale, si mundë të kuptohet ndryshe mesazhi që sjellë kob, t'u rrjepet lëkura kosovarëve dhe boshnjakëve të cilët pësuan shumë rëndë nga lufta.
Tash po kuptohet më qartë mesazhi i viktimizimit, si e drejtë ekskluzive e ideologjisë assesi fetare edhepse në sfond duket e tillë, por ajo është shumë përçarëse dhe pse u pranua aq lehtë ky konstatim, duke e riformatizuar atë si një forcë të zbehtë zjarrëfikësish, apo thënë troç si një mbulesë për ndonjë atak edhe më të rëndë. Nuk është hera e parë në historinë e njerëzimit, kur bëhen gabime të rënda gjatë fazës së pari fyej e përçaj e pastaj ku me ditë ku do të përfundojë, ngase "militantët" fetarë mund të keqkuptojnë detyrat e reja dhe "meritat" e tyre fetare t'i personalizojnë duke i keqpërdorur lidhjet në komunitet.
Gabimet që kanë shoqëruar heshtjen, të një rivaliteti më shumë politik, të instrumentalizimit të fesë, po rikthehen tash në mënyrë shumë të egër në skenën publike të komunitetit. Konfrontimi i hapur i linjës së ashpër, unë jam shqiptarë ndërsa ti je turk, apo ... qenë, dhe duhet të të rrjepet lëkura, nuk mund të mbulohet vazhdimisht me këtë refren. Nëse Gjon Kastrioti ka qenë herë mysliman, herë katolik, e herë ortodoks shpjegon më së miri bashkëjetesën e shqiptarëve, nëse mendoni se nuk është kështu shfletoni romanin Skënderbeu të Sabri Godos dhe do të bindeni. Konsolidimi i tillë fetar, ashtu i predikuar, edhe për shkak të mos prezencës së atyre të tjerëve në mbrëmjen e linçit publik, po krijon diskrepancën në mes të këtyre dy faktorëve të rëndësishëm njërit që po luan në kartën fetare të eliminimit publik masiv dhe palës tjetër që duhet të pranoj të rrjepet, edhe nëse është shprehur publikisht si dëshirë, me çka mund të më bindni se po të kishit armë të shkatërrimit masiv, apo fuqi ushtarake nuk do ta bëni këtë?
Unë kërkova ndihmë nga ju e ju më eliminuat edhe si shqiptar, për t'më quajtur "turk", fundja unë nuk pash se më poshtëruat, por pashë se keni sharruar në lymin e urrejtjes, unë ua dhashë dorën të pastroheni nga e liga e urrejtjes, ju mua më distancuat nga ju dhe burrërinë e matni me b..., edhe ujku vraponte pas b... të dashit.
Unë nuk do të pranoj assesi që urrejtja të institucionalizohet në komunitet, dhe pastaj heshtja të kuptohet si proces i rindërtimit të vlerave kinse kombëtare.
Por fatkeqësisht ndodhi më e keqja, një pjesë e personave agresiv me të kaluar të dyshimtë po përvidhen për të manipuluar me ndjenjat e besimtarëve, duke denoncuar të tjerët në baza raciale dhe fetare, harrojnë se ku gjenden, harrojnë se shkelin me të dy këmbët kushtetutën amerikane, harrojnë se ky shtet ka institucione shumë të fuqishme dhe vetëm një kërkesë për mbrojtje institucionale zgjidhë problemet. Unë do të insistoj që çështjet kontestuese të zgjidhen me dialog, me butësi dhe kërkim faljesh, mos mendoni që kërcënimi sjell dobi, edhe ashtu nuk do të gjeni përkrahje te njerëzit e arsyeshëm, e me ta ia vlen të bisedohet. Është vepër e rëndë fyerja në baza raciale dhe fetare, edhe me ligjet vendore-amerikane, por edhe ato ndërkombëtare.
Më e keqja është se fshihet e vërteta dhe atë fshehje e bëjnë mediat në komunitet, ato duhet të jenë profesionale dhe në nivel të detyrës, jo t'i lihet hapësirë dezinformatave për hir të "mbrojtjes" - fshehjes të së vërtetës, ju jeni të obliguar me ligj të thoni të vërtetën, vetëm ashtu kryeni misionin fisnik të informimit, me informim objektiv, të hapur dhe me kohë. Nëse i bishtnohet të vërtetës, ju shkelni ligjin dhe të drejtën për t'u informuar objektivisht.
Edhe ju aktivistë e intelektualë që keni heshtur tre vjet, nuk jeni të papërvojë, ju jeni ata që e keni për detyrë ta udhëhiqni drejt komunitetin, jo t'i shikoni çështjet shumë serioze nga prizmi i ngushtë dhe të shtroni darka për të pasur benefite. Më e keqja e gjithë kësaj të keqeje është se ajo po shtrihet në shumë nivele, dhe si arsyetim bizar ka "patriotizmin".
Autor: Agim Vuniqi, mars 2010.
_________________________