Deklarata e BIK mbi fjalimin e Priftit
Ditëve të fundit në mjetet e informim publik, si në ato ekektornike ashtu edhe në ato të shkuara, është publikuar një fjalim i Don Anton Kçirës - prift katolik në kishin e Detroidit të SHBA-ve, në të cilin ai para tri vjetëve (Maj, 2007) duke folur në një tubim publik-simpozium shkencor përdor fjalor ofendues, të ashpër, të vrazhdët, degradues e skandaloz në adresë të shqiptarëve të besimit islam.
Pavarësisht rrethanave në të cilat z. Kçira ka folur, një fjalor i tillë i tij, si në raport me ne shqiptarët ashtu edhe në raport me viktimat e Srebrenicës, janë të pa pranueshme, jo të moralshme, jo humane dhe aspak njerëzore, dhe, si të tilla nuk përkojnë as me misionin e udhëheqësit fetar, e as me mësimet e asnjë feje, e në rastin në fjalë të fesë katolike të cilës ai i takon.
Deklarimet e priftit Kçira kanë zgjuar reagim, pezëm e indinjatë në mesin e popullatës shqiptare në Kosovë e më gjerë, ngase njerëzit janë ndier teper të fyer, për më tepër kur nga një udhëheq i fesë, madje bashkëkombës i tyre dëgjojnë fjalë aq ofenduese. Megjithatë, ne kërkojmë nga të gjithë qytetarët që fjalimin e z. Kçirës ta konsiderojnë si një rast të izoluar, një skandal të tij personal, të cilin duhet tejkaluar me maturi, arsye e qetësi.
Me këtë rast, ju bëjmë thirrje të gjithëve, që këtë rast mos ta keqpërdorin për qëllime të nxitjes së urrejtës e mos durimit ndërfetar brenda kombit tonë. Apelojmë të të gjithë që rastin duhet parë ashtu siç është, dhe duhet tejkaluar me dinjitet e mençuri, ngase urrejtja e mosdurimi nuk na duhen ne si shoqëri. Fundja, rastin në fjalë e lëmë në ndërgjegje të tij.
Ne si popull jemi të njohur për kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimin ndërfetar, andaj as ky rast nuk do të ndikoj në raportet tona që kemi me bashkësinë katolike në përgjithësi e me Ipeshkëvinë e Kosovës në veçanti.
Mësimet fetare kanë për bazë librat hyjnor, interpretimin e tyre e bëjnë teologët të cilët për mision parësorë kanë shtirjen e këtyre mësimeve tek masa e gjerë-besimtarët. Ne si popull pavarësisht përkatësisë fetare, kemi nda të njëjtin fat si në ditë të liga ashtu edhe në ditë të mira.
Andaj, neve si popull:
- feja duhet të na bashkoj e jo të na ndaj,
- feja duhet të na ofroj e jo të na largoj,
- feja duhet të na bëjë më të dashur, e jo të na bëjë që ta urrejmë njëri - tjetrin,
- feja duhet të na fisnikëroj e jo të na hasmëroj.
Nuk janë të panjohura për ne tentativat që të na përçajnë në baza fetare, të parët tanë ditën me mençuri që të mos bien në kurthin që na përgatiten të tjerët, prandaj edhe ne duhet të ndjekim rrugën e tyre.
Me këtë rast theksojmë që çdo predikues fetar, kur vendos të flas duhet të jetë i vetedijshem se çka flet e çka predikon, të jetë i përgjegjshëm për fjalën e thënë në publik, në asnjë mënyrë të mos luaj me ndjenjat e besimtarëve dhe të bazohet në mësimet e pastra hyjnore e jo mbi teoritë që mbjellin urrejtje, ndasi e përçarje.
Duke e lutur Allahun, urojmë dhe shpresojnë që raste të këtilla mos të na përsëriten më!
Myftiu i Kosovës: Mr. Naim Tërnava, mars 2010.
_________________________