Festa e Kurban Bajramit



Islami, kufijtë e të cilit janë të mesëm dhe kriteret të drejtë, hedh dritën e tij madhështore në idenë e festës së Kurban Bajramit. Dhe para nesh shfaqet një pamje e mrekullueshme e cila është shprehje e pastërtisë, dinjitetit dhe mirësjelljes. Himni i shpirtit islam ndjehet kudo. E dëgjon këtë himn i cili lulëzon nëpër rrugë nga goja e atyre të cilët shkojnë falin namazin e bajramit, e dëgjon nëpër xhami në gojën e falësve, e dëgjon nëpër shtëpi në ditët e tekbiri teshrikut, e dëgjon në Mina nga goja e haxhinjve gjatë kohës së hedhjes së gurës në xhemerat, e dëgjon: "Allahu ekber ue lil-lahil-hamd! - Allahu është më i madhi dhe për Të është falënderimi!".

Islami kërkon që kjo thirrje shpirtërore të jetë e manifestuar si në pikëpamjet e dekorit dhe bukurisë së jashtme, ashtu edhe në atmosferën e mirëqenies dhe komoditetit, por, natyrisht, me masën e nevojshme. Por ai nuk kënaqet vetëm me këto dy elemente, spiritualitetin e hovshëm e të lartë dhe dobinë e materialitetit të bukur, të pastër e të padjallëzuar, prandaj i forcon edhe me të tretin, më të fortin dhe, për Islamin, më të dashurin. Ajo është ana socio-humanitare, e cila nëpërmjet inkuadrimit në institucionin e sadakasë së Fitrit, në Bajramin e Ramazanit dhe sakrificës së kurbanit në Bajramin e Kurbanit, e bën popullin një trup: "... Andaj, ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd ...!", (Keuther, 2).

"Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që e kujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet", (Aë'la, 14-15).

Me të drejtë lind pyetja: 'çfarë duhet të bëjë myslimani në ditën e Bajramit, a ka rregulla të cilat duhen pasur parasysh e që duhen zbatuar'?

Sigurisht që ka, por le t'i marrim me radhë.

Për çdo mysliman, ditën e festës së Kurban Bajramit, duhet:

- Të pastrohet në mëngjes (të marrë gusul) përpara se të dalë nga shtëpia.

- Të veshë tesha të bukura, mundësisht të reja. Është e preferuar sidomos ngjyra e bardhë.

- Të shkojë në xhami në këmbë. Gjatë rrugës të këndojë tekbiri teshrik dhe ta vazhdojë atë edhe në xhami deri sa të ulet imami. Tekbiri teshrik, që thuhet nga çdo mysliman mbas përfundimit të namazeve farz gjatë gjithë ditëve të festës së Kurban Bajramit, është: "Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lall-llahu uall-llahu ekber, Allahu ekber ue lil-lahil-hamd! - Zoti është më i madhi, Zoti është më i madhi, s'ka zot tjetër veç Allahut dhe Allahu është më i madhi. Zoti është më i madhi dhe për Zotin janë falënderimet!"

- Nëse do të bëjë kurban, nuk duhet të hajë asgjë para se të dalë nga shtëpia dhe kur të kthehet, të hajë nga mishi i kurbanit të tij. Nëse nuk bën kurban, ka të drejtë të bëjë si të dojë, mund të hajë prej hallallit para se të dalë nga shtëpia, ose të mos hajë asgjë ...

- Të dalë për të falur namazin së bashku me anëtarët e tjerë të familjes (gruan dhe fëmijët).

- T'u urojë Bajramin atyre që takon.

- Të vizitojë të afërmit, miqtë, dashamirët, shokët.


Namazi i Bajramit

Transmetohet nga Ibn Umeri se Muhamedi (a.s.), Ebu Bekri dhe Umeri e falnin namazin e Bajramit para hytbes, (Trs. i të gjithëve përveç Ebu Daudit).


Në të dy festat e Bajramit

Muhamedi (a.s.) falte namazin e të dy Bajrameve në musal-la (vend i hapur në natyrë), kurse vetëm njëherë e ka falur Bajramin në xhaminë e vet edhe atë për shkak të shiut. Në festat e Bajramit dhe ditën e xhumasë vishte rrobat më të bukura. Sipas haditheve autentike Profeti në këto dy festa të Bajramit, pastrohej, pra merrte gusul para se të dilte nga shtëpia, ecte në këmbë, shkonte në musal-la dhe kthimin për në shtëpi e bënte nga ndonjë rrugë tjetër. Ai e fillonte namazin para hytbes dhe falte dy rekate. Në çdo rekat përsëriste tekbirin: "Zoti është më i madhi! - (Allahu Ekber)", me interval shumë të shkurtër ndërprerjeje dhe pa cekur diç tjetër.

Muhamedi (a.s.) pas përfundimit të namazit, qëndronte para njerëzve të cilët ishin ulur pranë tij, i jepte leje atij që dëshironte të shkojë pa e dëgjuar hytben dhe, më pas, fillonte hytben, gjegjësisht mbante ligjëratë para tyre e pastaj u ligjëronte grave të cilat jepnin edhe sadaka. Hytben e fillonte me fjalën "In-nel hamdu lil-lahi ...".

Gjatë hytbes shpesh merrte tekbir. Gjithashtu, Pejgamberi (a.s.) gjatë festave, i lejonte sahabët të merreshin me aktivitete të ndryshme argëtuese dhe të organizonin lojëra të cilat nuk i praktikonin në kohë të tjera të vitit.


O motër besnike, o vëlla fisnik!

S'ka dyshim se ti përgatitesh për festën e Bajramit, qofsh babë, nënë, burrë, grua, djalë apo vajzë, si dhe s'ka dyshim se ofron çdo gjë që është e nevojshme për festë, si veshja, ushqimi dhe dëfrimi, por shto një përgatitje tjetër të çmueshme për Zotin (xh.sh.) dhe të vlefshme për vllezërit, gjegjësisht përgatitjen për mënjanimin e barrës dhe vështirësive prej të mjerëve dhe të varfërve në mjedisin tënd!

Kërko fqinjin tënd, të afërmin, apo anëtarin tjetër të shoqërisë dhe pyete për nevojat e tij, ndihmoje që të depërtojë gëzimi në zemër të fëmijëve dhe gruas së tij e, nëse s'mundesh për një gjë të tillë, atëherë ndihmoje me fjalë të mira, buzëqeshje të këndshme, dëshira të sinqerta nga zemra jote islame dhe përkujtoji vëllezërit që vuajnë në botë!

Në mëngjesine festës, kur t'ua urosh anëtarëve të familjes festën dhe kur të tuboheni rreth ushqimit të këndshëm e pijeve të freskëta, përkujtoji jetimët që nuk e kanë në atë mëngjes buzëqeshjen e babait të tyre, të vejat që nuk e përjetojnë dashurinë e burrave të tyre, të vobektët a të shtypurit, sepse këta njerëz e presin festën me lot në sy, janë të preokupuar me zjarr dhe nuk e shijojnë qetësinë, sigurimin dhe paqen.

Përveç tyre, rikujto edhe veten tënde, sepse kur pikëllohesh për plagët e vëllezërve të tu, pikëllohesh edhe për plagën tënde dhe kur i plotëson nevojat e fqinjëve, i plotëson edhe nevojat e tua personale ...

Zoti i madhëruar thotë: "... Çkado që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, po mos jepni për tjetërkënd, por vetëm për hir të Allahut e çkado që t'u jepni të tjerëve nga pasuria (juaj), ajo do t'ju kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju", (Bekare, 272). "Kush bën mirë, ai e ka bërë për vete e kush bën keq, ai vepron kundër vetes e Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robërve".

Po ashtu, Muhamedi (a.s.) teksa ua mëson njerëzve dashurinë, mirësinë dhe vëllazërimin, midis të tjerave, thotë: "Ai që e shpëton vëllain e vet nga ndonjë vështirësi e kësaj bote, Zoti e shpëton atë nga një vështirësi në botën tjetër". "Zoti i ndihmon robit (njeriut), gjersa ai ndihmon vëllain e vet". "Kush nuk interesohet për çështjet e myslimanëve, s'është prej tyre".

O Zot, na bëj prej atyre të cilët të falënderojnë për begatitë e Tua, u ndihmojnë vëllezërve dhe i përgjigjen thirrjes Tënd në çdo rast e në çdo kohë!



Përgatiti: Revista Drita Islame

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...