Namazin tonë e kanë vërtetuar sahabët, po tuajin kush?!
(pyetje drejtuar "gajr mukal-lidunëve") [1]



Imami ynë i respektuar (pra Ebu Hanifja rahmetull-llahi alejh) ishte tabiin, Elhamdulil-lah, pra i kishte takuar sahabët radijall-llahu anhum exhmein. Pra ata sahabinjë, të cilët kishin jetuar me Pejgamberin tonë të dashur, Muhammedin s.a.v.s.. Sa ishte periudha e pejgamberisë, 23 vite, sa pra të dashur vëllezër, 23 vite të plota. Imam Ebu Hanifja ka përfituar nga periudha e sahabëve afër 40 vite. Një musliman fillon të falet në moshën 40 vjeçare apo më herët, sidomos ai i Hajrul-Kurunit (pra ai nga ata të 'shekujve, periudhave ose kohëve më të mira', të cilët i ka përmendur vetë Muhammedi s.a.v.s., pra sahabët, tabiinët dhe tabi tabiinët r.a.)? Çka po mëndoni rreth kësaj o vëllezër?

Kur një namaz falet me xhemat në xhaminë tuaj, madje edhe kur një fëmijë fillon të falet, pa dyshim që ju e shikoni atë se si po falet, apo jo? Imami ynë i shikonte sahabët se si faleshin, e edhe ata gjithashtu e shikonin atë se si falej. Nëse namazi i Imamit tonë do të ishte gabim dhe në kundërshtim me sunnetin, a do ta përmirësonin sahabët atë, apo jo? Për shembull, unë kam ardhur për herë të parë në xhaminë ose medresenë tuaj dhe filloj të falem, Allahu Ekber, dhe duart i vendosi në kokë dhe e them Subhaneken. Unë po falem duke e kundërshtuar një sunnet, apo jo? Aliu (r.a.) thotë se është sunnet që në namaz të vendosesh njërën dorë mbi tjetrën nën kërthizë (Sunen Ebu Davud, hadithi 756). Pra, nëse unë shkoj në kundërshtim të një sunneti të namazit, ju a do të më ndalonit nga kjo gjë, apo jo? Pa dyshim që po, gjë e cila na vërteton se imani i muslimanëve të shekullit 15 hixhri është shumë i fortë, pra ata nuk tolerojnë as edhe një veprim të vetëm kundër sunnetit. Dhe ata, të cilët Pejgamberi ynë i dashur s.a.v.s. i ka quajtur "më të mirët e kohës", pra sahabët, tabiinët dhe tabi tabiinët (r.a.), All-llahu xh.sh. na ruajtë, nuk e donin sunnetin, d.m.th. Imami të falte të tërë namazin gabim dhe ata të mos e kritikonin e ndalonin nga një veprim i tillë, është diçka e pakapshme, apo jo? Imani i muslimanëve të shekullit të 15 hixhri është më i fortë apo i atyre të Hajrul-Kurunit? Natyrisht se i tyre.

Kështu që mënyra se si ne e falim namazin (d.m.th. ne të medh-hebit hanefi - shën. i përkth.), Elhamdulil-lah, e themi me krenari se është konfirmuar dhe miratuar përpara sahabëve (r.a.). Nëse do të kishte ndonjë gabim aty, padyshim se sahabët do të reagonin dhe do ta pengonin atë. Pra, për namazin që është konfirmuar mu para sahabëve të ndershëm kam problem me ju (gajr mukal-lidunë) e jo me dikë tjetër! Do të thotë, edhe pasi që sahabët (r.a.) e kanë vërtetuar atë, ju ende dëshironi që dikush që ndoshta është askushi të ju thotë se mënyra juaj e faljes së namazit është korrekte, vetëm atëherë ju do të besonit se ajo qënka në rregull dhe korrekte! Pas konfirmimit të sahabëve (r.a.) a është i nevojshëm më konfirmi i atij dikushit?! Si pasojë, ju ende nuk e paskeshit kuptuar vlerën e sahabëve (r.a.) nëse ushqeni në shpirt dyshim.

Imam Ebu Hanifja ishte tabiin, pra mësuesit e tij ishin sahabët, pra sahabët (r.a.) ishin mësuesit e tij, a po kuptoni o vëllezer, sahabët (r.a.)! Mënyra jonë e të falurit është konfirmuar përpara sahabëve, tabiinëve dhe tabi tabiinëve (r.a.). Pasi që ata e kanë aprovuar këtë mënyrë, atëherë ne nuk kemi nevojë më për ndonjë aprovim të dikujt tjetër nga shekulli i 15 hixhri, apo mos ndoshta kemi nevojë?! Imami ynë ka qenë në Qabe 55 herë, sa thashë, pra 55 herë. All-llahu xh.sh. i dhashtë të gjithë muslimanëve mundësi për ta vizituar Shtëpinë e Tij të ndershme (pra Qaben) dhe për ta vizituar varrin e Pejgamberit tonë të dashur Muhammed s.a.v.s., Amin!

Kur dikush shkon në Haxhxh, ai atje falet, apo jo? Pra, kur Imami ynë i respektuar shkonte në Haxhxh a nuk falte ai namaz, natyrisht se po. Nëse në namazin e tij do të ishte një gjë e vetme në kundërshtim me sunnetin, banorët e Mekës kishin të drejtën që ta kundërshtonin, po ashtu edhe banorët e Medinës, por ata nuk hasën në një gjë të tillë. Pra vëllezër të mi të dashur, neve namazin na e vërtetuan sahabët, po tuajin kush?!



Autor: Maulana Amin Safdar Okarvi
Përktheu dhe përshtati: Daim Abazi



_________________________

[1] - Gajr Mukal-lidunë - ata që nuk pasojnë askë, d.m.th., asnjë medh-heb, respektivisht asnjë dijetar të madh islam. Këta mund t'i quajmë edhe ehlu hadith, selefinjë, jomedhhebistë ose vehabinjë, ku ky emër i fundit është më i përshtatshmi duke u nisur nga personaliteti dhe të vepruarit e tyre - shën. i përkth.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...