Grupi 6+ bojkoton votimin në Kuvend, kërkon shkarkimin e ambasadorit Qëndrim Gashi



Deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës, Fikrim Damka, ka kritikuar institucionet e Kosovës që nuk morën masa pas një postimi të ambasadorit të Kosovës në Francë Qëndrim Gashit, i cili kishte shpërndarë një revistë franceze me karikatura të profetit Muhamed.

Damka në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Gashi e ka futur veten dhe Kosovën në një pozitë mjaft të vështirë me veprimin e tij, transmeton "Zeri.info".

"Kohëve fundit kemi hasur në disa deklarata nga zyrtarë të lartë shtetërorë në Evropë që kanë fyer dhe shpifur në mënyrë të qartë Islamin, duke synuar eliminimin e vlerave të tolerancës dhe respektit ndërfetar. Në të ardhmen këto retorika mund të na shkaktojnë pasoja të padëshiruara dhe mund të na fusin në një rrugë të pakthyeshme. Përderisa kujdesi duhet të jetë i pashmangshëm në këtë drejtim, ambasadori ynë në Francë e ka futur veten dhe Kosovën në një pozitë mjaft të vështirë. Ambasadori i një vendi me shumicë myslimane shpërndau një mesazh mosrespektues dhe antiislamik, duke shpërfillur Kushtetutën dhe vlerat themelore të Republikës së Kosovës, i cili thekson rëndësinë tolerancës ndërfetare dhe të karakterit unitar dhe duke shkaktuar një dëm të vështirë për të kompensuar ndaj imazhit të Republikës së Kosovës, si dhe kështu duke nxitur antiislamizmin", ka deklaruar Damka në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Damkës, sjellja e tillë e ambasadorit shkakton urrejtje ndaj fesë dhe besimit dhe përbën një mosrespektim të madh për botën Islame dhe vlerat e njerëzimit, duke përfshirë dhe vendin që ai e përfaqëson dhe qytetar i të cilët është.

Më tej nënkryetari turk i Kuvendit është shprehur i pakënaqur nga institucionet, të cilat nuk morën asnjë veprim përkundër kërkesës së tij për shkarkim të ambasadorit Gashi, transmeton "Zeri.info".

"Si një sjellje e papranueshme për ne, përkundër kërkesës dhe letrës zyrtare për shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit Hashim Thaçi, për fat të keq deklarojmë që institucionet përkatëse nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë ndaj çështjes në fjalë", ka thënë Damka.

Damka në emër të Grupit Parlamentar 6+ ka deklaruar se përveç Ligjit COVID-19 dhe Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, ata nuk do të votojmë asnjë ligj që do të vijë në Kuvend derisa nuk shkarkohet ambasadori Gashi.

"Si Grup Parlamentar 6+, unë do të doja të ju informoja nga këtu që përveç Ligjit COVID-19 dhe Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, ne nuk do të votojmë asnjë legjislacion në parlament si 6 deputetë, deri në momentin e shkarkimit në fjalë, duke ftuar në praninë tuaj edhe një herë kryeministrin që të ndërmarrë hapat e nevojshëm në drejtim të shkarkimit të menjëhershëm të personit në fjalë. Ne presim që kryeministri dhe presidenti të ndërmarrin hapat e nevojshme sa më shpejt që është e mundur ...", tha në fund Damka.



Përgatiti: zeri

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...