Antiislamisti Qëndrim Gashi i quan karikaturat 'shembull i famshëm' ...!
Jo që nuk paska kërkuar falje, por paska treguar azganllëk. Shumë keq, këmbëngulja është më e rëndë se sa vetë gabimi! Ai, karikaturat e Muhamedit a.s., të bëra nga 'Charlie Hebdo', i quan 'shembull i famshëm'. Tmerr, gabim mbi gabim!
Por, për inercion, shpjegim i Qëndrim Gashit i kundërvihet vetë atij. Siç e thotë vetë, ka shpërndarë në 'twitter' artikullin e gazetës 'Le Figaro', me karikaturat e profetit, e që u bën shkak për vrasjen e një profesori (ndjesë pastë), para një shkolle të mesme të ulët, në një qytet afër Parisit, të premtën e kaluar.
Mirëpo, pikërisht ky rast apo kjo vrasje vërteton fajësinë e Qëndrim Gashit. Ky zotëri e ka ditur se karikaturat, kanë qenë arsye për trazira të ashpëra në Francë, para disa viteve. Po ashtu, e ka pa se përsëri këto karikatura çuan në vrasjen e profesorit. Atëherë, me sa mend, duhet shpërndarë diçka që mbjell urrejtje, apo që çon në trazira e në vrasje.
Për këtë arsye, Kodi penal e ka sanksionuar edhe 'përhapjen': 'Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje fetare', (shih: Nr. 06/L-074, neni 141). Për këtë arsye, Gjykata e Strazburgut e ka penalizuar abuzimin me profetin Muhamed.
Ndërsa, arsyetimi i tij, 'Unë nuk i censuroj mediat e as artin', është qasje provokuese e konfliktuoze. Jo rastësisht, Allahu ka thënë: "Provokimi është më i rëndë se sa vrasja", (El-Bekare, 217), sepse, pastaj nuk censurohen as temperamentet e njerëzve kundrejt provokimeve.
Nëse nuk do të kishte karikatura në Francë, nuk do të kishte as dhunë e as vrasje! Po ashtu, nuk do të bëheshin as këto reagime!
Prandaj, nuk duhet të heshtim. Prandaj, duhet shkarkuar këtë ambassador, në mënyrë që të parandalohen skenare të tilla në Kosovë ...!
Nervozizmi ndërfetar në Kosovë ...!
Në asnjë vend të botës, populli nuk çohet në protesta pa lidhje. Jo, ata çohen kur liderët e nëpërkëmbin durimin e tyre, e përdhosin dinjitetin e tyre, apo e keqpërdorin detyrën.
Po bëhen dy ditë dhe asnjë fjalë nuk e dëgjuam nga kryeministri, as nga presidenti e as nga kryeparlamentarja, kundër antiislamistit Qëndrim Gashi.
Ai, na ofendoi rëndë në baza fetare. Ai, nxiti urrejtje ndërfetare. Ai e keqpërdori detyrën zyrtare të shtetit! Të gjitha këto janë të dënueshme me kodin penal të Kosovës, (Nr. 06/L-074, neni 141).
Fatkeqësisht, nuk dëgjuam as nga liderët partiakë ...!
Me të vërtetë është për t'u habitur. Ky është injorim total i Bashkësisë Islame dhe bashkësisë myslimane të Kosovës, që përbën rreth 96 % të popullsisë.
E, heshtja e atyre që e kanë për obligim të flasin, është pajtim me një akt të tillë! Aq më tepër, kur edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në tetor të vitit 2018, pati konstatuar se abuzimi i Profetit Muhamed është i dënueshëm dhe nuk është pjesë e lirisë së shprehjes.
Ngaherë kam thënë, Kosova ka tolerancë ndërfetare ideale, por liderët politikë me sjelljet e tyre po mbjellin nervozizëm ndërfetar. Ata reagojnë për gjëra fare të parëndësishme, por asnjëherë nuk reagojnë kur është në pyetje Islami.
Muslimanët kësaj radhe nuk duhet të heshtin! Shkarkimi i tij është minimumi i domosdoshëm!
Autor: O. BISLIMAJ