'Luftë të pa kompromis' kundër çdo lëvizje që tenton të përçaj besimtarët



Në prag të muajit të shenjt të Ramazanit, Sekretari Gjeneral i BFI-së, Afrim Ef. Tahiri, flet "pa doreza" për gazetën "FAKTI" rreth zhvillimeve të fundit në këtë institucion të lartë fetarë ndërsa thekson se "BFI është shënjestra e një fushate antifetare dhe antikombëtare".

Realizohet nga sekt fetar, përgjithësisht i financuar nga jashtë dhe që tolerohet nga faktorë të ndryshëm në vend dhe që ndihmohet nga subjekt i brendshëm sekular me ideologji nga ish sistemi. Flet për kontaktet mes vehabistëve dhe zyrave të ndërkombëtarëve në vend ndërsa vendos në shënjestër edhe falsifikimin e diplomave të të ashtuquajturve "teolog dhe hoxhallarë" që anatemojnë BFI-në. Kërkon po ashtu që subjektet politike ta thonë hapur nëse lëvizja vehabiste është apo jo tradhti kombëtare. Siguron besimtarët për një "luftë të pa kompromis" kundër çdo lëvizje që tenton të përçaj besimtarët dhe kërkon nga të njëjtin gjakftohtësi gjatë këtij muaji të bekuar të Ramazanit me qëllim që dashuria, ndihma dhe respekti ndaj njëri tjetrin ti vënë në rend të parë.

INTERVISTOI: Valbona Zunçe.


FAKTI: Kohën e fundit gjithnjë e më tepër BFI-ja është mjaft aktuale në media. Këto janë angazhime normale apo ndodhin gjëra të paplanifikuara në BFI-së?

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
- BFI është institucion i një rëndësie të veçantë në vend dhe që nga fillimi dhe deri më sot ajo, edhe pse ka kaluar nëpër sisteme të ndryshme dhe është atakuar në aspekte nga më të ndryshmet, kurrë nuk ka heshtur dhe nuk është pajtuar me zullumin. Pas pavarësimit të vendit, respektivisht gjatë kësaj kohe të gjatë të tranzicioni, ky institucion pamëshirshëm është vënë në shënjestër të të gjithë atyre që aktivitetet dhe të arriturat e BFI-së, konsiderohen pengesa të apetiteve të ndryshme. Duke qenë thellë të bindur në këtë, BFI aspak nuk befasohet, ajo do të vazhdon në realizimin e programit të vet, do të vazhdon edhe më fuqimisht në shërbim të besimtarëve të vet dhe shoqërisë në përgjithësi, mu ashtu siç veproi Muhmamedi a.s. kur që nga dita e parë e pejgamberisë së tij, ai ishte shënjestra që akuzohej se ishte i marr, magjistar, poet e jo i dërguar i Zotit. E Ai nuk u ndal, plotësoi mesazhin hyjnor.


FAKTI: Jemi në prag të muajit të bekuar dhe të shenjtë të Ramazanit. Cilat janë përgatitjet tuaj si BFI për këtë muaj të bekuar?

- Ka një kohë të gjatë që BFI po përgatitet për muajin e agjërimit, tani janë duke u bërë përgatitjet e fundit, para disa ditëve përfunduan takimet tradicionale që mbahen nëpër muftini me mexhliset e xhematëve ku është shpalosur programi i Rijasetit të BFI dhe janë dhënë udhëzime dhe sqarime lidhur me programin. Shfrytëzoj nga rasti që në emër të BFI-së dhe kryetarit të saj Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi si dhe në emër tim t'i shprehim falënderime gjithë besimtarëve për kontributin e dhënë gjatë Ramazanit të kaluar përmes zeqatit dhe sadekatul fitrit dhe që na mundësuan që vitin e kaluar për herë të parë të kemi mbi shtatëqind nxënës dhe student të rregullt në Medrese dhe Fakultetin e Shkencave Islame. BFI shpreson se edhe gjatë këtij viti do të arrij rekorde të reja.


FAKTI: BFI, siç dimë përpiqet që të organizojë jetën fetare edhe në diasporë. Çfarë aktivitetesh keni paraparë të realizoni sivjet për diasporën, për muajin e Ramazanit?

Intensifikimi i kontakteve dhe organizimi sa më i mirë i jetës fetare në baza të shëndosha islame larg çdo lloj ndikimi të ndonjë predikimi të huaj për besimtarët e këtyre trevave, është edhe imperativ i kohës. Në vendet euro perëndimore një numër i konsiderueshëm i myslimanëve janë nga vende të ndryshme të botës islame, ka prej atyre që u përkasin shkollave të tjera juridike - pra medhebeve si dhe fraksioneve apo rrymave të ndryshme ose sekteve të cilat e prishin imazhin e myslimanëve nëpër gjithësi. Andaj BFI në krye me Reis ul Ulemanë viteve të fundit ka realizuar edhe takime pune me autoritetet e shteteve ku jetojnë dhe veprojnë besimtarët tanë me qëllim të lehtësimit të procedurave për leje qëndrimi të hoxhallarëve tanë që dekretohen nga Reis ul Ulema si dhe për lehtësime lidhur me iniciativat për hapje të qendrave dhe themelimit të xhamive të reja. Në këtë drejtim përgjithësisht jemi të kënaqur, në veçanti në vendet ku kemi shumicën e qendrave tona, respektivisht në vendet ku besimtarët tanë janë më të organizuar, pra në Zvicër, Gjermani, Austri dhe SHBA.


FAKTI: Shpesh vizitoni diasporën. Si e shihni organizimin e punës dhe jetës fetare atje?

- Zakonisht viteve të fundit atë e vizitojmë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit kur edhe nëpër qendrat tona ka edhe më tepër xhemat. Shpeshëherë jemi të ftuar dhe marrim pjesë edhe me raste të tjera, si hapje të qendarve, manifestimeve të ndryshme, përvjetorëve etj.. Sa i përket organizimit të tyre, sukseset e deritanishme që kanë arritur na bëjnë të jemi krenarë që i kemi dhe shpresojmë se me kalimin e kohës edhe më do ta shtojnë anëtarësinë e tyre, pra shpresojmë se gjithnjë dhe më tepër besimtarët tanë do të jenë shpirtërisht të lidhur me xhamitë. Ndjej për obligim gjithashtu t'u falënderohemi këshillave të qendrave si dhe imamëve për punën e tyre që e bëjnë me xhematet, për kurset, për kontributin që japin për institucionet tona arsimore dhe për çdo aktivitet në dobi të çështjeve tona. Në këtë drejtim do të kisha cituar Reis ul Ulemanë i cili gjatë një fjalimi me rastin e hapjes së Qendres Islame në Kreuzlingen mes tjerash tha: "BFI, që moti është në BE, kanë ngelur që pjesë e BE të bëhen edhe institucionet e tjera të vendit".


FAKTI: Si i vlerësoni zhvillimet e fundit në BFI?

- Më vjen mirë që nuk thatë "zhvillimi" por thatë "zhvillimet". Ekzistojnë zhvillime që fatkeqësisht nuk gjejnë hapësirë në masmediume, por meqë mendoj se qëllimin e keni lidhur me një zhvillim për të cilin janë të gatshëm që të gjitha mediumet të merren me të njëjtin, përse të mos kufizohemi pikërisht këtu. BFI është shënjestra e një fushate antifetare dhe antikombëtare. Realizohet nga sekt fetar. Ndihmohet nga subjekt i brendshëm sekular me ideologji nga ish sistemi. Propagandohet nga disa mediume. Përgjithësisht i financuar nga jashtë dhe që vëzhgohet (lexo: tolerohet) nga faktorë të ndryshëm në vend.


FAKTI: Këtyre kohëve BFI-ja gjithnjë e më shumë lëshon zërin për vehabizëm në Maqedoni. Pse ky reagim?

- E vërteta është se për herë të parë e themi publikisht. Qysh ka fundi i tetëdhjetave kur isha nxënës në Medresenë Isa Beu, mbaj mend se është diskutuar lidhur me vehabizmin, është diskutuar edhe gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar pasiqë në trojet tona në emër të shoqatave të ndryshme arritën vehabinj dhe tanimë në qarqet teologjike, intelektuale, vehabizmi është një nga temat e pashmangshme. Nuk dua të flas pa argumente, vet fakti se BFI në vitin 2003 me rastin e ndryshimit të Kushtetutës së saj e pa të arsyeshme që në Nenin 1 alinea 4 të thuhet: "Në zbatimin e detyrave islame, në fushën e ibadeteve, BFI aplikon Shkollën juridike hanefite.", na flet mjaft lidhur me këtë. Në anën tjetër, BFI ka folur hapur se ekziston grup i caktuar radikal, si dhe ka raste që janë të paraqitura, si p.sh. rasti kur në vitin 2003 përmes dhunës detyrohen muftiu i atëhershëm i Shkupit dhe kryetari i atëhershëm i BFI-së të lëshojnë disa vendime pune, pastaj sulmi mbi Kuvendin e BFI në lokalet e FSHI më 18.06.2005., pastaj rasti i fundit kur është gjuajtur me armë godina e BFI-së mes 19-20 shtator 2006, raste të cilat institucioni nuk ka mund edhe t'i hesht.


FAKTI: A janë të paraqitura në polici gjithë këto raste dhe a keni kërkuar ndihmë për këto nga MPB-ja?

- Jo ndihmë, por respektimin e ligjit. BFI kërkon që askush të mos lejohet dhe të mos tolerohet që dikush të qëndron mbi ligjin. Ndihmë sigurisht se kanë kërkuar dhe kërkojnë ata që kanë bërë vepra antiligjore. E kur nga viti 2003 e deri më sot kemi disa raste për të cilat askush nuk është marrë në përgjegjësi, dhe asnjë rast nuk është ndriçuar, kjo bën që neve të kemi bindje se ka mungesë angazhimi për ndriqim të të njëjtave.


FAKTI: Asnjë nga partitë politike shqiptare, gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka dënuar dhunën në xhaminë "Isa Beg". Si e konsideroni heshtjen e tyre?

- Për gjithë ata që nuk duan t'i shtrembërojnë punët, e kanë lehtë ta mësojnë të vërtetën. Lidhur me këtë neve nuk mund të themi pos asaj që e thotë arkivi i BFI i cili që nga pavarësimi e deri më sot ka pasur se çfarë të regjistron. Dokumentacionet nxjerrin në shesh se kemi subjekte të cilat nuk kanë qenë të përlyera fare dhe nuk janë, prej atyre që kanë qenë për një periudhë të shkurtër, prej atyre që janë vazhdimisht dhe prej atyre që shpresojnë të përlyhen. Nëse flasim për rastin e fundit, pra lidhur me dhunën në Xhaminë Isa Beu, e vërteta është se atë e dënoi vetëm PDSH, kurse të tjerat parti heshtën, siç heshtën edhe subjekte të tjera. Nga ana tjetër, nuk di përse kohëve të fundit shpeshherë po na parashtrohet kjo pyetje kur nga vet udhëheqës të atyre grupeve kemi deklarata publike se me cilën nga subjektet politike janë në bashkëpunim të ngushtë. Besojmë se subjektet politike e dinë shumë mirë, deri diku edhe opinioni më i gjerë e dinë se kush nga politikanët kanë qenë dhe janë në bashkëpunim me ta.


FAKTI: Disa analistë përhapjen e vehabizimit në këto anë e komentojnë keq. Cili është qëndrimi juaj si institucion më i lartë fetar islam në Maqedoni?

- Fillimisht do të thoja se do të ishte mirë që kjo pyetje t'u bahet partive politike shqiptare dhe institucioneve shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë. Vehabizmi që nga fillimi i tij para se gjithash i ka bërë dëm Isamit, pra myslimanëve dhe kuptohet vazhdon të jetë ndër faktorët qendror të shumë problemeve me të cilat ballafaqohen sot myslimanët. Neve në vendin tonë jemi akoma në fazat e fillimit dhe do të na pret shumë punë. Ata që e themeluan, që e mbështetën në të kaluarën, në veçanti ata që po e mbështesin gjatë dekadës së fundit si dhe ata që po e vënë në lëvizje në trojet tona, vlerësojmë se e kanë synim të na dëmtojnë. Nëse dikush thotë se aktualizimi i kësaj çështje e dëmton çështjen kombëtare, patjetër të pyesim: Zhvillimi i lëvizjes apo diskutimi rreth saj e dëmtojnë çështjen kombëtarë? Nëse dikush ka aq vetëdije të vlerëson se diskutimi rreth çështjes shkakton dëm, atëherë përse i mungon vetëdija lidhur me zhvillimin e lëvizjes? Pastaj përse drejtpërdrejt e shkakton dëmin? Pra, nëse kanë vetëdije, atëherë u apelojmë të heqin dorë nga vehabizmi. Në Islam nuk mjaftojnë vetëm deklaratat, ato duhet të dëshmohen në vepër. Është hipokritizi që dikush të deklarohen se nuk janë vehabinjë, e nga ana tjetër, në ideologji dhe metodologji të jetë i njëjtë me ta. Thirren në të njëjtat autoritete fetare, botojnë dhe lexojnë të njëjtën literature, mbajnë kontakte me të atillë nga vende të tjera, madje edhe në pamjen e jashtme duken të njëjtë, nga ana tjetër, dallohen nga të gjithë besimtarët e tjerë të vendit. Neve nuk mund dhe as nuk kemi të drejt të përzihemi se kush çfar lexon dhe si dëshiron të vishet, por nuk mund të tolerojmë që dikush përmes dhunës t'ua imponojë të njëjtat besimtarëve tanë dhe në rast se institucioni e ngrit zërit, menjëherë pasojnë akuza të maskuara. Pyesim: Përdorimi i dhunës nëpër xhamia a është në dëm të çështjes kombëtare? Në fakt, kush vendos se çfarë është në dobi e çfarë në dëm të çështjes kombëtare? Dhe gjithashtu kush duhet të flas se çfarë është në dobi të fesë e çfarë jo? BFI po e thotë hapur atë për të cilën është kompetente, presim që subjektet politike gjithashtu ta thonë hapur, siç presim fjalën e vet ta thonë edhe institucione të tjera të vendit, është apo jo kjo lëvizje në dëm të çështjes sonë kombëtare.


FAKTI: z. Afrim, keni kërkuar që këtë temë ta diskutoni edhe me subjekte politike shqiptare dhe të bisedoni shtruar, ose ...?

- Duke marrë parasysh se BDI është pjesë pushtetit, kemi kërkuar një takim, por kaloi mbi një muaj dhe nuk na janë përgjigjur. Pra, nuk duan të merren me këtë temë, ose të themi më drejtë, po i ikin ballafaqimit.


FAKTI: Cila është strategjia e BFI-së për këtë çështje?

- Duke pasur bindje se lëvizjet radikale përgjithësisht paraqiten në shoqëri ku niveli i dijes është i ulët dhe aty ku ka varfëri, neve si BFI kemi shtuar kapacitetet e institucioneve tona arsimore, dhe nëse para 4-5 viteve kemi pasur 200 nxënës të rregullt, tani kemi për disa herë më tepër, gjithashtu përmes bursave po ndihmojmë edhe student që studijonë në lëmi të ndryshme, kurse për pjesën tjetër, pra luftën kundër varfërisë, duhet ta bëjnë institucionet e tjera.


FAKTI: Keni kontaktuar me zyrat e ndërkombëtarëve për këtë çështje dhe keni bërë listë për këta persona që mendoni se i bëjnë problem fesë Islame në këto anë?

- Na kanë kontaktuar disa zyra të ndërkombëtarëve. Kanë shfaqur interesim për bashkëpunim në çështje të caktuara në dobi të BFI-së dhe shoqërisë në përgjithësi. Kurse sa i përket lëvizjeve radikale, pra lidhur me vëllezërit tanë të padëgjueshëm, zyrat ndërkombëtare gjithnjë na lënë përshtypje se i njohin shumë mirë dhe se shpeshherë i kontaktojnë. Nëse flasim për persona të cilët thirren se janë hoxhallarë, ose siç preferojnë të thirren "teologë", mund të themi se përgjithësisht janë persona të cilët për shkak defekteve të tyre gjatë shkollimit, përmes formave të rregullta nuk mund të vijnë në shprehje. Kështu kemi prej të atillëve të cilët kanë qenë të përjashtuar nga Medreseja Isa Beu si pasojë e sjelljes së dobët, prej të atillëve që kanë mbaruar me korrespondencë, prej të atillëve që bartin diploma falso të shkollave të mesme, prej të atillëve që bartin diploma falso të fakulteteve, prej të atillëve që kanë kryer shkollimin e tyre nëpër qendra për të cilat institucioni BFI nuk rekomandon si dhe nga qendra të dyshimta. Në këtë drejtim, për të mos dëmtuar askënd, jemi në korrespondencë me institucione të ndryshme dhe qendra universitare dhe po bëhen verifikime. Gjithashtu kemi edhe prej të atillëve të cilët janë larguar nga puna dhe kundër të cilëve janë ngritur proçese gjyqësore etj.. Kurse sa i përket jo hoxhallarëve, përgjithësisht luftohemi nga persona të porositur, nga të korruptuar, nga të atillë që i kanë borxh BFI, nga të atillë që publikisht kanë shpifur BFI ose personalitete të BFI kurse në gjykata mohojnë se kanë thënë diçka. Pra pjesë e ushtrisë anti BFI janë ata që ballafaqohen ose së shpejti do të ballafaqohen me drejtësinë. Pra, ata që më parë preferojnë zhdukjen e institucionit se sa skuqjen gjatë ballafaqimit ose shpalljes fajtor nga gjykata.


FAKTI: Cili do ishte mesazhi juaj për të gjithë besimtarët Islam në Maqedoni e më gjerë, për muajin e bekuar të Ramazanit, por njëkohësisht edhe për udhën e Islamit si fe e paqes dhe dashurisë ndërnjërzore?

- Lusim Allahun Fuqiplotë që këtë muaj të bekuar të agjërimit, Kur'anit, pendimit, ibadeteve ... ta kalojmë në një atmosferë sa më të mirë, ta freskojmë shpirtin, të jemi të gatshëm të solidarizohemi gjithandej ku e kërkon nevoja dhe të jemi shembull edhe për të tjerët. Islami vet është paqe. Ibadetet e kërkuara besimtarët i shpijnë drejt paqës dhe obligohen që edhe sjelljet e tyre të përputhen me natyrën e paqës. Shfrytëzoj rastin të gjithë besimtarëve islam kudo që janë t'ju uroj këtë muaj të bekuar dhe t'u dëshiroj një muaj të qetë ibadeti. Paqa, mëshira dhe bereqeti i Allaht xh.sh. qoftë mbi gjithë besimtarët.



Përgatiti: fakti, gusht 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...